Dije, vëllai im musliman, na udhëzoftë All-llahu mua dhe ty në nënshtrim ndaj Tij, se xhenneti është vendbanim i të devotshmëve, vendbanim i atyre të cilët i begatoi All-llahu prej pejgamberëve, besnikëve, dëshmorëve dhe njerëzve të mirë. Vendbanim me kopshte nën të cilët rrjedhin lumenj, vendbanim në të cilin pallatet janë me tulla të arta dhe të argjendta, balta e tij është misk, pragjet e tij janë nga margaritari dhe diamanti, kubet e tij janë prej dyllit të verdhë (safranit), ndërsa shatorët në te janë të mbështjellur me margaritarë.
Ai është dritë e cila ndriçon, në të ka bimë aromatike, lumenj të gjerë, pemë, perime dhe gra të mira. Në të ka robër të begatuar të cilët hanë dhe nuk ngopen, nuk e kryejnë nevojën si në këtë botë, por atë që e kanë të tepërt e qesin me anë të djersës e cila ka erë aromatike. Në të gjithashtu ka njerëz të cilët qeshin e nuk qajnë, ka fytyra të shëndritura e të gëzuara, dhe bukuri të qartë. Begatitë e tij janë të përhershme. Në te ngrihet perdja dhe shiqojnë fituesit në Fytyrën e Ngadhnjyesit, Dhuruesit.
Në te, o rob i Zotit, ka sende të cilat nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi e as nuk i ka paramenduar mendja e njeriut.
Për gjithë këto na ka përgëzuar i Dërguari i All-llahut më i mirë, udhëzuesi dhe drita, Muhammedi, i biri i Abdull-llahut, me shpallje nga Zoti i Tij, e cila është përgëzim nga Përgëzuesi më i Madh në gjuhën e krijesës më të mirë Muhammedit ?. Dijetarët e vjetër kanë shkruar shumë libra e broshura për cilësitë e xhennetit, begatitë e tij dhe cilësitë e banorëve të tij.
Prandaj, duke dëshiruar që ta pasoj rrugën dhe metodën e tyre, mora që ta shkruaj këtë broshurë, duke shkurtuar nga ajo atë që ata e kanë shkruar dhe duke u munduar që ta përmend vetëm të vërtetën, duke shpresuar se do të më takojë All-llahu me vëllezërit e mi të mirë, me të devotshmit dhe të pastërtit, ngase vërtetë Ai është Dëgjues, i di të gjitha dhe i përgjigjet thirrjes së nevojtarit.
Paqja dhe shpëtimi i All-llahut qofshin mbi krijesën më të dashur tek Ai, Muhammedin ?, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit.
Mallëngjimi i vepërmirëve për shtëpinë e amshueshmërisë
“Xhenneti”, ajo shpresë e shtrenjtë të cilën e shpresojnë shpresuesit nga besimtarët aq kohë të gjatë.
“Xhenneti”, ai i cili ka qenë në zemrat e të parëve tonë, ndezje e cila i ka shtyer që të bëhen shembulli më i mirë në xhihad dhe sakrifikim.
“Xhenneti”, ky qëllim i lartë për të cilin sytë përherë janë të përlotur, qëllim për të cilin sakrifikojnë shpirtërat e përmalluar në çdo kohë dhe vend, i nënshtrohen lloj-lloj torturave dhe dënimeve vetëm që të arrijnë gjer te ai.
Ai është dëshira më e madhe për besimtarin, dhe hyrja në te është shpresë e cila e përcjell besimtarin deri në fund të jetës së tij. Sa nxitje e madhe është xhenneti në të mirën dhe në të vërtetën, sadoqoftë që në këtë rrugë ka pengesa dhe mundime.
Transmeton Enesi ?:
“Doli i Dërguari i All-llahut me shokët e tij, deri sa arritëm në Bedr, e kur arritën mushrikët, i Dërguari i All-llahut tha: “Le të mos lëvizë askush prej jush, derisa të mos jap urdhër!”
Pasi idhujtarët kërkuan ballafaqim, Muhammedi tha: “Ngrihuni për xhennetin, gjerësia e të cilit është sa qiejtë dhe toka. “Një prej ensarëve i quajtur Umejr ibn Humam tha: “O i dërguar i All-llahut, xhenneti gjerësia e të cilit është sa qiejtë dhe toka?”
Tha: “Po”.
Tha: “Bah, Bah”
Muhammedi e pyeti “Cka të shtyri që ta thuash fjalën “Bah, Bah?”
Tha: “Për Zotin, asgjë tjetër vetëm se dëshira që të jem prej banorëve të tij!”
I Dërguari i All-llahut i tha: “Vërtetë ti je prej banorëve të tij.”
I nxorri disa hurma të cilat i mbante në një çantë dhe filloi të hajë prej tyre, pastaj tha: “Të jetoj derisa t’i ha këto hurma, vërtet kjo është një jetë e gjatë.” E e hodhi çantën së bashku me hurmat, doli në shesh të luftës dhe luftoi derisa u vra.
(Tr. Muslimi)
Rast të ngjashëm me këtë transmetohet kur Ebu Musa el-Esh’ariu gjatë një lufte me armikun transmetoi fjalët e të Dërguarit të Allllahut ?:
“Vërtet dyert e xhennetit janë nën hijen e shpatave.”
Një njeri i cili ishte prezent tha: “O Ebu Musa, ti e paske dëgjuar të Dërguarin e Allllahut duke thënë kështu?”
Tha: “Po”
U kthye te shokët e tij e u tha: “U jap selam (përshëndetje lamtumirëse) dhe e theu mbështjellësin e shpatës, e morri shpatën dhe u nis drejt armikut dhe luftoi derisa u vra.”
(Tr. Muslimi)
Ajetet të cilat e përshkruajnë xhennetin
All-llahu në shumë sure të Kur’anit përmes shumë ajeteve përshkruan xhennetin dhe bukuritë e tij. Ai thotë:
“E ata, që iu ruajtën (mosbesimit dhe punëvve të këqia) janë në xhennete mes burimeve. (U thuhet:) Hyni në to, të shpëtuar (prej çdo të keqeje) të siguruar (nga vdekja). Ne kemi hequr prej zemrave të tyre çdo urrejtje, e ata në mbështetëse qëndrojnë ballë për ballë njëri-tjetrit duke qenë të vëllazëruar. Ata nuk i godet kurrfarë lodhje dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij.”
(El-Hixhr: 45-48)
“E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu i vendosë në xhennete nëpër të cilët rrjedhin lumenj, aty stolisen me rrathë të artë e me xhevahirë, e petkat e tyre janë të mëndafshta.”
(El-Haxh: 23)
“E ata që ishin të devotshëm ndaj Zotit të tyre, sillen në grupe te xhenneti, e kurr arrijnë aty, dyert e tij i gjejnë të hapura dhe roja e tij u thotë atyre: “Selamun Alejkum – qofshi të shpëtuar, ishit të pastër, andaj hyni në te, aty jeni përgjithmonë.
E ata të (xhennetit) thonë: “Falënderuar qoftë All-llahu i cili premtimin e Vet e realizoi ndaj nesh dhe na e la në disponim tokën e Xhennetit që të vendosemi aty ku të duam! Sa shpërblim të mirë ka për ata që vepruan drejtë!”
(Ez-Zumer: 73-74)
“Vërtetë, ata që ia patën frikë Zotit, janë në vende të qeta. Janë në xhennete e në burime që rrjedhin. Veshin petka nga mëndafshi e kadifeja, ulur ballë për ballë. Ja kështu, edhe i martojmë me bardhoshe symëdha (me hyri). Aty kërkojnë t’u sillen çdo lloj pemësh dhe aty janë të sigurt.”
(Ed-Duhan: 51-55)
“Shembulli i Xhennetit, i cili u është premtuar atyre që janë të ruajtur (të devotshmëve) në të cilin ka lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalta e kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre. (A janë këta) si ata që janë përgjithmonë në zjarr dhe u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët e tyre?” (Muhammed: 15)
“Eshtë e vërtetë se të devotshmit do të jenë në xhennete e në lumenj. Në një vend të kënaqshëm te Sunduesi i Plotfuqishëm (te All-llahu).” (El-Kamer-54-55)
“Ndërsa të përparmit janë të dalluar (janë në ballë). Ata pra, janë më të afruarit (te Zoti). Janë në xhennetet e begatshme. (Ata janë) Shumë prej të hershmëve. E janë pak prej të mëvonshmëve. Janë në shtretër të qëndisur me ar. Të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit. Atyre u shërbejnë djelmosha të gjithmonshëm. Me gastare, me ibrigë dhe me gota të mbushura plot prej burimit. Prej së cilës pije (vere) as nuk u dhemb koka, as nuk dehen. Edhe pemë sipas dëshirës së tyre. Edhe mish shpezësh, cilin ta duan. Dhe (gratë e tyre janë) hyri symëdha. Si të ishin të ruajtura. Shpërblim për atë, që ata punuan. Aty nuk dëgjojnë fjalë të këqija as që janë mëkat (gënjeshtër). Vetëm thënie: selam pas selami. E për sa u përket atyre të djathtëve, çka është gjendja e të djathtëve?Janë nën drunj të pemëve pa therra (pa gjemba). Të bananeve me fruta palë-palë. Nën hije të përhershme. Pranë ujit rrjedhës. Edhe ndër pemë shumë llojesh. Që as nuk ndërprehen, as nuk janë të ndaluara. Edhe shtretër të lartë (ose gra të larta). Ne i kemi krijuar ato në një krijim të ri (formë të re). Dhe ato i kemi bërë virgjëresha. Të dashuruara (për burrat e vet), të një moshe. (Ato janë) Për ata të djathtët. (Të djathtët) Janë shumë nga të parët (të hershmit). Janë shumë nga më të vonshmit.”
(El-Vakia-10-38)
“Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me xhennet dhe me petka mëndafshi. Aty janë të mbështetur në kolltukë dhe aty nuk shohin as diell (vapë) e as të ftohtë. Hijet e tyre (të pemëve) janë afër mbi ta dhe kalaveshët e pemëve janë të qasur shumë afër. Dhe atyre u bëhet shërbim me enë të argjendta dhe me gota të tejdukshme. Të tejdukshme nga argjendi që ata (shërbëtorët) i përcaktuan të jenë sa duhet (të mëdha o të vogla). Dhe u jepet të pijnë aty gota të verës së përzier me zenxhebil (bimë aromatike). (Nga) Burimi që quhet selsebil (i lehtë në të pirë). Dhe atyre u sillen për shërbim djelmosha që përherë janë të tillë sa që kur t’i kundërmosh të duken si margaritarë të derdhur. Dhe kur të shikosh aty, sheh begati të mëdha e zotërim (pronë, pasuri) të madh. Kanë të veshura petka mëndafshi të hollë e të gjelbër (atllas) dhe të mëndafshit të trashë (brokat) ; janë të stolisur me bylyzykë të argjendtë dhe Zoti i tyre u jep të pijnë pije të pastër. Ky është shpërblim juaji, sepse angazhimi juaj ka qenë i pranishëm.” (El-Insan: 12-22)
“S’ka dyshim se të devotshmit kanë fitime të mëdha. Kopshte e vreshta rrushi. Edhe vasha me gjinj të thukët, të një moshe. Edhe gota të mbushura plot me verë. Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota, as gënjeshtra. Shpërblime e dhurata të shumta dhënë nga Zoti yt. Zoti i qiejve e i tokës dhe ç’ka ndërmjet tyre, që është Mëshirues, të cilit nuk kanë të drejtë t’i bëjnë vërejtje. Atë ditë Xhibrili dhe engjëjt qëndrojnë të rreshtuar, askush nuk flet pos atij që i lejon Mëshiruesi dhe i cili e thotë të vërtetën.” (En-Nebe’: 31-38)
“E përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në xhennete në të cilët rrjedhin lumenj. Saherë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është ai me të cilin u ushqyem edhe më parë”. Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, o jo edhe në shije). Aty ata do të kenë bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë.” (El-Bekare: 25)
“Thuaj: “A është më i mirë ai (zjarri i xhehennemit), apo xhenneti i përjetshëm, i cili u është premtuar si shpërblim dhe vend jetese i të devotshmëve. E aty, atë që dëshirojnë do ta kenë përgjithmonë. Ky premtim i Zotit tënd ka qenë kërkuar.” (El-Furkan: 15-16)
“E është e sigurtë se ata që janë të ruajtur, kanë një ardhmëri të mirë. Xhennetet e Adnit janë me dyer të hapura për ta. Aty do të jenë të mbështetur në kolltukë dhe kërkojnë pemë e pije të llojeve të ndryshme. Ata kanë pranë vetes (hyri) sypërulura të një moshe. Këto janë ato që ju premtoheshin për ditën e llogarisë. Ky është furnizimi Ynë, i cili nuk ka mbaruar.” (Sad: 49-54)
“Ndërsa besimtarëve të ruajtur xhenneti u afrohet krejt afër. Kjo është ajo që u premtohej për secilin që pendohet dhe që e ruan besën e dhënë. Për secilin që i është frikësuar Zotit pa e parë dhe ka qenë i kthyer tek Ai me zemër të sinqertë. (U thuhet) Hyni në te, të shpëtuar, se kjo është dita e përjetshme. Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë.”
(Kaf: 31-15)
“E ata që besuan dhe bënë vepra, Zoti i tyre, për shkak të besimit të tyre i udhëzon në xhennete të begatshme në të cilët rrjedhin lumenj. Lutja e tyre aty është: “I lartë je o All-llah!”, e përshëndetja e tyre është: “Selam!dhe lutja e fundit e tyre: “Falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të botëve!”
(Junus: 9-10)
Në Kur’an gjinden edhe ajete tjera, të cilat flasin për përshkrimin e xhennetit dhe begative të tij.
Përshkrimi i xhennetit në hadithet e të Dërguarit të Allahut
Dije, o rob i All-llahut, se Muhammedina e ka përshkruar xhennetin të cilin ua ka premtuar Zoti njerëzve të devotshëm, me përshkrim të thuktë e të qartë që të qetësohen muslimanët me te (xhennetin) e që të kënaqen vepërmirët me njohjen e tij e që t’ju vie mirë të penduarve me të përmendurit e tij:
1. Të parët që do të hynë në xhennet
Transmeton Enes ibn Maliku se i Dërguari i All-llahut ka thënë:
“Do të vij ditën e Gjykimit te dera e xhennetit dhe do të kërkoj që të hapet, e roja do të pyesë:
-Kush është? -do të përgjigjem:
-Muhammedi. -do të thotë
-Jam i urdhëruar që të mos ia hap askujt para teje.”
(Tr. Muslimi)
Transmeton Hudhejfeja:
Ka thënë i Dërguari i All-llahut ?: “Bijtë e Ademit ditën e Gjykimit të gjithë do të jenë nën flamurin tim dhe unë do të jem i pari që do ta hap derën e xhennetit.”
(Tr. Ibn Asakiri)
2. Cilësitë e grupës së parë
Transmeton Ebu Hurejreja nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Grupi i parë (i njerëzve) i cili do të hyjë në xhennet do t’i kenë fytyrat si hëna natën katërmbëdhjetë e ata do të jenë si ylli flakërues në qiell që ndriçon. Nuk e kryejnë nevojën as të madhe e as të vogël, nuk pështyjnë, krehërit do t’i kenë të artë e era e djersës do të jetë erë misku. Gratë e tyre do të jenë hyri. Forma e tyre do të jetë në formë të një njeriu, në formë të babait të tyre Ademit: me gjatësi 60 bërryla (30 metra).” (Tr. Buhariu dhe Muslimi)
3. Dyert e xhennetit
Tranmeton Ebu Hurejre nga i Dërguari i All-llahut i cili thotë:
“Kush i shpenzon dy lloje nga pasuria e tij në rrugën e All-llahut do të thirret nga dyert e xhennetit: “O rob i All-lahut, kjo është e mira, e kush ka qenë prej atyre që e kanë falur namazin do të thirret nga dera e namazit, kush ka qenë prej luftëtarëve do të thirret nga dera e xhihadit, kush ka qenë prej agjëruesve do të thirret nga dera e Rejjanit (Kjo është derë në të cilën hyjnë vetëm ata që kanë agjëruar), kush ka qenë prej dorëdhënësve do të thirret nga dera e sadakas. Ebu Bekri ishte prezent dhe e pyeti Muhammedin:
-Do ta sakrifikoja babanë dhe nënën time për ty, o i dërguar i All-llahut, a të gjithë këta do të thirren nga këto dyer të ndryshme duke mos pasur frikë (do të jenë të sigurtë), a ka ndokush i cili do të thirret prej të gjitha dyerve?” I Dërguari i All-llahut iu përgjegj: “Po, dhe shpresoj se ti do të jesh prej tyre.” (Tr. Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Sehl ibn Sadi se ka thënë i Dërguari i All-llahut ?:
“Në xhennet janë tetë dyer, e njëra prej tyre quhet Rejjan, nuk do të hyjë në te askush përveç agjëruesve.”
(Tr. Buhariu)
4. Në xhennet nuk ka vdekje
Transmetojnë Seidi dhe Ebu Hurejreja se Muhammedi ka thënë:
“Kur të hyjnë banorët e xhenetit në xhennet do të thërret një thirrës: “Për ju do të ketë jetë përgjithmonë dhe nuk do të vdisni kurrë. Për ju do të ketë shëndet dhe kurrë nuk do të sëmureni, do të jeni gjithnjë të rinj kurrë nuk do të plakeni dhe për ju do jetë kënaqësia dhe kurrë nuk do të mërziteni.”
(Tra Muslimi)
5. Gradat e xhennetit
Transmeton Ebu Hurejreja se Muhammedi ka thënë:
“Atë që beson All-llahun, të dërguarin e Tij, falë namazin dhe agjëron Ramazanin, All-llahu e ka borxh që ta futë në xhennet, qoftë të ketë bërë hixhret për All-llahun apo të ketë ndejtur në vendin në të cilin është lindur.” Thanë (të pranishmit): “A t’i lajmërojmë njerëzit për këtë, o i dërguar i All-llahut.” U përgjegj: “Vërtet në xhennet gjinden njëqind shkallë (gradë), ua ka përgatitur All-llahu luftëtarëve që luftojnë për hirë të Tij, ndërmjet çdo shkalle ka largësi sa prej tokës deri në qiell. E kur të kërkoni prej All-llahut, kërkojeni Firdevsin, se ai është mesi i xhennetit dhe është më i larti, mbi te është Arshi i All-llahut dhe prej tij burojnë lumenjtë e xhennetit.”
(Tr. Muslimi)
6. Banorët e xhennetit dhe cilësitë e tyre
Muadh ibn Xhebeli thotë se ka thënë Muhammedi ?:
“Do të hyjnë banorët e xhennetit në xhennet, me pak flokë sikurse t’i kenë të lyera me kanë dhe do të jenë me moshë tridhjetë apo tridhjetë e tri vjeçar.”
(Tr. Ahmedi).
Ebu Hurejre thotë se ka thënë i Dërguari i Zotit:
“Do të hyjnë në xhennet popuj (njerëz), e zemrat e tyre do të jenë si zemrat e shpendëve.”
(Tr. Muslimi dhe Imam Ahmedi)
Transmeton Enesi dhe thotë se ka thënë Muhammedi ?:
“Do t’i jepet besimtarit në xhennet forcë kaq dhe kaq për marrëdhënie seksuale.” Eshtë pyetur: “O i dërguar i All-llahut, vërtet do të jepet aq? Tha: “Do t’i jepet forcë sa njëqind vetë.”
(Tr. Tirmidhiu)
Transmeton Ebu Hurejreja nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Kush hyn në xhennet do të begatohet e nuk do të ketë dëshprim, nuk i zhduken rrobet dhe nuk i kalon rinia.”
(Tr. Muslimi)
7. Gratë e banorëve të xhennetit
Enes ibn Maliku thotë se ka thënë i dërguari i All-llahut ?:
“Sikur të dilte (paraqitej) në tokë një grua e xhennetit do të ndriçonte e tërë dhe do të mbushte me erë, vetëm shamia në kokën e saj është më e mirë (më e vlefshme) se gjithë bota dhe çka në të.”
(Tr. Buhariu)
Abdull-llah ibn Omeri thotë se i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Gratë e banorëve të xhennetit do t’u këndojnë burrave të tyre me zërat më të bukur, të cilët nuk i dëgjuar kurrë, vërtetë ajo çka do të këndojnë është:
“Ne jemi bukuroshet e zgjedhura
Gratë e njerëzve të ndershëm
Gjithashtu u këndojnë:
“Ne jemi të përhershme, nuk vdesim
Jemi të sigurta, nuk frikësohemi
Ne këtu banojmë dhe kurrë nuk do të ju lëshojmë”
8. Ushqimi i banorëve të xhennetit
Transmeton Xhabiri se i Dërguari i All-llahut ka thënë:
“Do të hanë dhe do të pijnë banorët e xhennetit e nuk do të kryejnë nevojë as të madhe e as të vogël e as nuk do të pështyjnë, nevojën do ta kryejnë përmes gokësimit, ndërsa goksimi i tyre do të ketë aromë misku, atyre do t’u bëhet shprehi madhërimi i All-llahut si frymëmarrja.”
(Tr. Muslimi)
Transmeton Muavi ibn Hajde nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Vërtet në xhennet ka det me ujë, det me mjaltë, det me qumësht dhe det me verë, e pastaj prej tyre rrjedhin lumenjtë e xhennetit.”
(Tr. Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi)
Gjithashtu transmeton Enesi nga i Dërguari i All-llahut ?, i cili thotë:
“A e dini se ç’është Kevtheri? Vërtet ai është një lum në xhennet të cilin ma ka dhënë mua Zoti im, në te ka shumë të mira. Umeti im në ditën e Gjykimit do të jetë pranë tij, enët e tij janë sa yjet, do të ndalohet njeriu prej tij (nuk do t’i lejohet që të afrohet) e do të them: “O Zoti im, ai njeri është nga ummeti im! -do të më thuhet- “Ti nuk e di se çka ka shpifur pas teje (ka futur bid’ate në fe).”
(Tr. Buhariu)
9. Pejsazhe nga xhenneti
Xhenneti është vend i begatisë. Në te ka mirësi të pandërprerë dhe dhunti nga i Gjithmëshirëshmi, Mëshiruesi. Në te gjinden shtretër të lartë të cilët nga pastërtia shkëlqejnë dhe gota për pije të vëna pranë, nuk kanë nevojë për kërkim e as për përgatitje. Aty ka jastëkë të renditur për mbështetje edhe shtroja të ndryshme anembanë për zbukurim dhe për pushim. Gjithë këto dhunti të cilat janë përmendur në Librin e All-llahut apo sunnetin e të Dërguarit në mënyrë të afërt për t’i kuptuar njerëzit në këtë botë. Megjithatë realitetin e këtyre kënaqësive e din vetëm All-llahu, në dorë të të Cilit janë qiejt dhe toka.
Jeta e xhennetlinjve në xhennet është gjithë paqe. Në te përhapet selami, melaiket do t’i përshëndetin me selam, në atë mjedis të qetësisë dhe të sigurisë do t’i japin selam njëri tjetrit, e edhe nga i Mëshirshmi ju arrin selami. Po në xhennet çdo gjë është selam (paqe dhe qetësi).
a) Dhomat e xhennetit
Transmeton Ebu Seid el-Huderiu nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Banorët e xhennetit i shikojnë dhomat që janë përmbi ta sikur që e shihni ju yllin lindor apo perëndimor në horizont, në krahasim me vlerat e juaja ndaj njëri tjetrit.” I thanë: “O i dërguar i All-llahut, ato janë gradët e Lajmëtarëve të Allllahut, a thua vallë nuk do të mund t’i arrijë askush tjetër përveç tyre?” Tha: “Gjithsesi, pasha Atë i cili e ka shpirtin tim në dorën e Tij, ka burra që besuan në All-llahun dhe iu besuan Lajmëtarëve.”
(Tr. Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Ebu Malik el-Esh’ariu nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Në xhennet ka dhoma në të cilat ana e jashtme e tyre shihet nga brenda dhe ana e e brendëshme e tyre shihet nga jashtë. Këto i ka përgatitur All-llahu për atë i cili i ushqen nevojtarët, flet mirë, shpesh agjëron dhe falet natën, kur të tjerët flejnë”
(Tr. Imam Ahmedi).
b) Tendat e xhennetit, kopshtet dhe dheu i tij
Transmeton Ebu Musa nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Besimtari në xhennet do të ketë tendë të mbështjellur me margaritarë, gjatësia e të cilës është gjashtëdhjetë milja, aty do të ketë gra përreth të cilave do të kalojnë besimtarët dhe nuk do ta shohin njëri tjetrin.”
(Tr. Buhariu dhe Muslimi)
Ndërsa në hadithin e Israsë transmeton Enes ibn Maliku nga i Dërguari i All-llahut i cili thotë:
“…pastaj vazhdoi me mua Xhibrili derisa arritëm në Sidretul-Munteha, dhe më mbuluan ngjyrat të cilat nuk di se ç’ishin! Pastaj hyra në xhennet, kur në të pashë kupet e tendave nga margaritari dhe dheu i tij ishte misk.”
(Tr. Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Ebu Musa el-Esh’ariu nga i Dërguari i All-llahut i cili ka thënë:
“Janë dy xhennete, enët dhe gjithë ajo që është në to është prej argjendi. Gjithashtu janë dy xhennete enët dhe gjithë ajo që është në to është prej ari, e ndërmjet xhennetlinjve dhe shikimet e Zotit të tyre ka vetëm një perde e të Lartësuarit në Fytyrën e Tij në xhennetin e Adnit.”
(Tr. Buhariu dhe Muslimi)
c) Drunjtë e tij
Transmeton Ebu Seid el-Huderiu nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Me të vërtetë në xhennet ka një dru, pranë të cilit kalon kalorësi i hipur në kalë të shpejtë, e nuk mund ta kalojë për njëqind vjet.”
(Tr. Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Ebu Hurejreja se Muhammedi ka thënë:
“Nuk ka dru në xhennet e që nuk ka trungun nga ari.”
d) Tregu i xhennetit
Transmeton Enes ibn Maliku se i Dërguari i All-llahut ka thënë:
“Vërtetë në xhennet ka një treg në të cilin çdo të premte takohen banorët e xhennetit. Fryen një erë e veriut në fytyrat dhe rrobat e tyre, e do t’u shtohet atyre edhe më tepër mirësia dhe bukuria. E kur të kthehen te familja (gratë) e tyre, do t’iu thonë: “Për All-llahun ju qenka shtuar mirësia dhe bukuria! Për All-llahun edhe juve ju qenka shtuar mirësia dhe bukuria” -do t’u përgjigjen ata.”
(Tr. Muslimi)
e) Pallatet e xhennetit
Tramsmeton Xhabir ibn Abdull-llahu nga Muhammedi se ka thënë:
“Kam hyrë në xhennet dhe e pash një pallat nga ari dhe thash:
-Për kë është ky pallat?
-Për një njeri nga fisi kurejsh. -mu përgjigjën, e mendova se unë jam ai e pyeta:
-Kush është ai?
-Omer ibn Hatabi-mu përgjigjën.
O biri i Hatabit, asgjë nuk më ka ndaluar të hy në të përveç xhelozisë sate. Omeri iu përgjigj -A në ty të kem xhelozi, o i dërguar i All-llahut?”
(Tr. Buhariu dhe Muslimi)
f) Lumenjtë e xhennetit
Transmeton Enes ibn Maliku se i Dërguari i All-llahut ka thënë:
“Hyra në xhennet dhe pash një lumë, brigjet e të cilit ishin të mbuluar me margaritarë e i rash me duar aty ku rridhte ujë dhe përnjëherë u shndërrua në erë misku.
Thash: C’është kjo, o Xhibril?
Më tha- “Ky është Kevtheri, të cilin ta ka dhuruar Zoti yt.”
10. Dhuntia më e madhe në xhennet
Transmeton Suhejb ibn Sinan nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“Kur të hyjnë banorët e xhennetit në xhennet dhe banorët e xhehennemit në xhehennem, thërret një thirrës:
-O banorë të xhennetit, ju keni premtim nga All-llahu që Ai dëshiron ta realizojë, – e thonë (banorët e xhennetit)
-A nuk na e rëndoi All-llahu peshojën (për veprat e mira), na i zbardhi fytyrat, na fyti në xhennet e na shpëtoi nga zjarri?; – largohet perdeja (hixhabi) e do të shiqojnë në Të (All-llahun), e për All-llahun, nuk iu ka dhënë All-llahu atyre asnjë send më të dashur e më të mirë për sytë e tyre se shiqimi në Të.”
(Tr. Buhariu dhe Muslimi)
11. Shkalla më e ulët dhe më e lartë e banorëve të xhenntit
Transmeton Mugire ibn Shu’be nga i Dërguari i All-llahut se ka thënë:
“E ka pyetur Musai ajejhi-s-selam Zotin e tij:
-Cila është shkalla më e ulët e banorëve të xhennetit?
-Ajo i takon atij i cili arrin pranë dyerve të xhennetit pasi që kanë hyrë banorët e xhennetit në xhennet, – e i thuhet:
-Hyr në xhennet – e ai do të thotë:
-Si o Zoti im? Kur njerëzit kanë hyrë dhe i kanë zënë vendet e tyre dhe kanë marrë atë që iu ka takuar – i thuhet:
-A je i kënaqur që të kesh pronë sa një mbret prej mbretërve të dunjasë? – do të thotë:
-Jam i kënaqur, Zoti im. – do të thotë (All-llahu):
-Për ty ka edhe kaq, edhe kaq, edhe kaq, edhe kaq – e në të pestën robi do të thotë:
-Jam i kënaqur, Zoti im! – e pastaj i thotë (All-llahu):
-Kjo është për ty edhe dhjetë herë kaq dhe do të kesh atë që e dëshiron shpirti yt dhe atë, me të cilën kënaqen sytë.
-Jam i kënaqur, Zoti im! -do të thotë robi.
-E ata që janë në gradën më të lartë? -prapë pyeti Musa.
-Janë ata, të cilët Unë i kam zgjedhur. Me duart e Mia ua kam mbjellur nderin dhe e kam vulosur mbi ta, duke u dhënë atë që sytë nuk kanë parë, veshët nuk kanë dëgjuar e as që i ka shkuar ndër mend njeriut.”
(Muslimi)
O rob i All-llahut! Dije se banorë të xhennetit janë mu ata, të cilët kanë ndier frikë dhe respekt ndaj Zotit të tyre, devotshmëri e cila shpie në çdo të mirë dhe ndalon prej çdo të keqeje. Kjo ndjenjë e devotshmërisë i largon pengesat dhe i ngren mbulesat dhe zemra e besimtarit qëndron pa asnjë perde para të Vetmit, Ngadhënjyesit. Këto janë ndjenja të cilat e pastrojnë adhurimin dhe punët nga njollat e syfaqësisë dhe shirkut në çdo vend dhe rast.
Ai që vërtetë i frikësohet Zotit të vet, në zemër nuk i mbetet dyfytyrësi, e as padrejtësi ndaj All-llahut të Madhëruar. Veprat e tija janë të pranuara, ngase ai e di se All-llahu nuk pranon asnjë vepër në të cilën i bëhet shirk Atij. Prandaj vepra e njeriut duhet të jetë e sinqertë për All-llahun, përndryshe Ai nuk e pranon atë vepër. Thotë i Dërguari i All-llahut ?:
“Ka thënë All-llahu xh.sh.:
-Unë Jam më i panevojshmi për shirk. Kush bën ndonjë vepër duke Më shoqëruar dikë, e lë edhe atë edhe shoqërimin e tij.”
(Tr. Muslimi)
Banorë të xhennetit janë ata të cilët janë të devotshëm, të përulur, të cilët i përmbahen dispozitave të All-llahut. E All-llahu i Lartmadhëruar nuk bashkon dy frika në zemrën e njeriut, ngase ai i cili i është frikësuar All-llahut në këtë botë nuk do të ketë frikë në Ahiret, e kush nuk i është frikësuar në këtë botë do të ketë frikë në Ahiret. Në ditën e Gjykimit besimtarët do të jenë në sigurinë e All-llahut xh. sh, për ta atë ditë nuk do të ketë frikë. All-llahu i Lartësuar thotë:
“Nuk do t’i bashkoj në zemrën e robit Tim dy frika e as nuk do t’i bashkoj në te dy siguri. Nëse sigurohet nga Unë në këtë botë, do ta frikësoj në ditën e Gjykimit, e nëse më frikësohet në këtë botë do ta siguroj në ditën e Gjykimit.”
Sqarimi i rrugës atyre që i frikësohen All-llahut drejt begative të xhennetit dhe përhershmërisë së tij
Ky është xhenneti, me sqarime të qarta dhe të ndritshme. Rruga drejt tij është e lehtë, në të ka shenja të ndritshme të cilat tregojnë drejt tij. Ne jemi në fillim të rrugës. Të vazhdojmë kësaj rruge, e të arrijmë deri në fund, ku dyert e xhennetit janë të hapura për çdonjërin i cili i është nisur.
Kjo është rrugë të cilën e ka sqaruar Muhammedi me fjalët:
“Eshtë rrethuar xhenneti me (gjëra) të urrejtura dhe është rrethuar xhehennemi me (gjëra) të dashura”
(Tr. Muslimi).
“I gjithë Ummeti im do të hyjë në xhennet, përveç atij që refuzon. Ai që më respekton mua hyn në xhennet, e ai që më kundërshton, ka refuzuar.”
(Tr. Buhariu)
Muhammedi në këtë hadith na ka sqaruar qartë rrugën për të gjithë ata të cilët logjikojnë. Shpejtoni vëllezër të shkojmë së bashku drejt tij. Ejani me ne, ejani me ne. Vërtetë vëllezër të dashur kjo rrugë gjendet mes katër fjalëve. Dy janë negative dhe dy janë pozitive.
Negative janë shirku dhe mëkati, ndërsa pozitive janë imani (besimi) dhe veprat e mira. Prej këtyre katër fjalëve përbëhet rruga drejt xhennetit, shtëpisë së përherëshme dhe të ndershme. Shehadeti (dëshmia) kjo është rruga drejt xhennetit. Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i tij. Ta adhurojmë All-llahun, të Vetmin ngase Ai është i Vetmi i Cili e meriton këtë dhe t’i nënshtrohemi të dërguarit të Tij në atë që ia ka shpallur All-llahu atij. Muhammedi na ka sqaruar se si duhet ta adhurojmë All-llahun e Madhëruar dhe askush nuk mundet ta adhurojë All-llahun drejt nëse nuk e pason në këtë Muhammedin ?.
1) E tash, vëllezër të dashur, ta ndjekim këtë të rrugë duke ecur pas shehadetit, se nuk ka të adhuruar tjetër përveç All-llahut dhe se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
2) Të bindemi plotësisht se Krijuesi ynë është Ai i Cili e ka krijuar këtë botë dhe e udhëheq atë me Fuqinë dhe Diturinë e Tij, Dëshirën dhe Urtësinë e Tij dhe në të gjinden gjurmët e cilësive të Tija të larta dhe emrave të Tij të bukur dhe me caktimin e Tij, të Lartit, janë këto botëra, me diturinë e Tij, të Lartit, rregullohet çështja e tyre dhe me këtë arrihet deri te një rregull i urtë dhe shpikës.
3) Të jemi të bindur thellë se ai i Cili nuk ka shok në krijim dhe në udhëheqje të këtyre botërave nuk i takon që të Ketë shok as në adhurim, nuk duhet të adhurohet veç Tij askush dhe asnjëherë, qoftë ai melek, ndonjë i dërguar i Zotit apo ndonjë krijesë tjetër e Zotit, qoftë ky adhurim në namaz, agjërim, therrje kurbani, zeqat apo diç tjetër.
4) Të bindemi thellësisht se Ky Zot i Madh i Cili Veçohet në krijim dhe udhëheqje meriton adhurim të sinqertë. Ai është All-llahu i cilësuar me cilësi të plota (pa të meta) dhe ta larta. E i vërtetojmë edhe ne ato cilësi me të cilat e cilësoi Ai Qenien e Tij të lartë në Librin e Tij dhe gjithashtu i vërtetojmë ato cilësi me të cilat e cilësoi krijesa më e ditur për Te, zotëriu ynë Muhammedi ?, pa përgjasim, pa shembull, pa ndryshim dhe pa pyetur “Si?”.
5) Të besojmë bindshëm se njerëzit kanë patur nevojë për dërgimin e Lajmëtarëve për t’ua sqaruar atyre rrugën e vërtetë dhe mu kjo ishte edhe qëllimi kryesor për dërgimin e tyre dhe zbritja e Librave atyre dhe nga kjo obligohet besimi i të gjithë Lajmëtarëve dhe pasimi i tyre. Gjithashtu na obligohet besimi në Librat qiellorë, të cilët ua zbriti All-llahu xh.sh. këtyre Lajmëtarëve, ashtu siç na obligohet edhe besimi në melaiket e ndershëm, besimi në caktimin e Zotit, ditën e Fundit, llogarinë dhe shpërblimin.
Me këto pesë pika të përmbledhura në imanin e vërtetë, kemi njohur një të katërtën e rrugës për në xhennet. Të nisemi tash drejt një të katërtës tjetër e cila i përfshin veprat e mira:
1) Ta falim namazin duke u pastruar për të plotësisht, ta kryejmë në kohën e duhur me xhemat, duke e kryer mirë, duke i plotësuar të gjitha kushtet e namazit, farzet e tij, mendubet që me këtë ta përshtatim namazin tonë me namazin e të Dërguarit, Muhammedit ?.
2) T’ua japim zeqatin e mallit tonë të varfërve dhe nevojtarëve, atyre që janë zhytur në borxhe dhe atyre që luftojnë në rrugën e All-llahut dhe që kjo dhënie të jetë e përcjellur me sinqeritet të plotë për hir të All-llahut të Lartësuar duke shpresuar me këtë shpërblim nga Ai.
3) Ta agjërojmë muajin e Ramazanit duke u larguar nga ajo që e ç’vlerëson atë dhe duke u larguar nga gjërat e dyshimta dhe të ndaluara qoftë të jenë ato në fjalë, vepra apo qëllime.
4) Ta kryejmë haxhin ashtu siç e ka kryer Resulull-llahu me nder dhe rrespekt, duke u larguar nga marëdhëniet intime me gruan, mëkatet dhe polemikat, duke i dhënë rëndësi më tepër punëve të mira dhe të pëlqyera.
5) Të sillemi mirë me prindërit duke iu përgjigjur kërkesave të tyre nëse (këto kërkesa) nuk kanë të bëjnë me diç që i bëhet mëkat All-llahut. T’u flasim fjalë të mira dhe t’i largojmë nga ata gjërat e këqia edhe nëse kjo nuk u shkon për shtati atyre.
6) Lidhjet familjare të mos i shkëpusim, t’i vizitojmë të afërmit tonë dhe t’u bëjmë mirë atyre. Të interesohemi për gjendjen e tyre dhe t’u ndihmojmë aq sa kemi mundësi.
7) T’u bëjmë mirë fqinjëve duke u sjellur mirë me ta dhe duke mos u penguar atyre.
8) Ta nderojmë musafirin, ngase një gjë të tillë e kemi obligim. E kemi për obligim që ta ushqejmë dhe t’i sigurojmë konak të mirë.
9) Ta nderojmë besimtarin duke i plotësuar obligimet që i kemi ndaj tij: T’i japim selam kur ta takojmë, t’i dëshirojmë mëshirë nga All-llahu kur të teshtë, t’ia përcjellim xhenazen kur të vdesë, ta vizitojmë kur të jetë i sëmurë dhe t’i përgjigjemi ftesës së tij kur të na ftojë.
10) Të jemi të drejtë në fjalë, punë dhe gjykime, ngase drejtësia në Islam është e obliguar në çdo rast. Me këtë arrihet fitorja dhe me këtë përmirësohet gjendja e individit dhe e shoqërisë.
11) T’i përmbahemi formës Islame në moral dhe veshje ngase në këtë gjindet ringjallja e sunnetit dhe largimi nga pasimi i pabesimtarëve.
Me këtë veç kemi kaluar gjysmën e rrugës drejt xhennetit. Të nisemi tash drejt gjysmës së mbetur e cila përfshin shirkun dhe mëkatet duke e vazhduar rrugën pa lodhje dhe mërzi. Ta mohojmë shirkun në këto mënyra:
1) Duhet mohuar se ndonjë prej krijesave posedon aftësi të largojë çfarëdo të keqe apo t’i sjellë ndonjë të mirë vehtes apo dikujt tjetër pa caktimin dhe dëshirën e All-llahut. Për këtë pra, të shpresojmë për çdo të mirë në All-llahun dhe të mbështetemi tek Ai nga çdo e keqe. Vetëm nga Ai të kërkojmë ndihmë dhe shërim ngase askush tjetër prej krijesave nuk e meriton këtë. Prandaj të shpresojmë vetëm në Të dhe të kemi frikë vetëm nga Ai.
2) Vetëm All-llahun ta adhurojmë dhe askujt tjetër përveç Tij të mos i lutemi. Vetëm me emrin e Tij të betohemi dhe të mos therrim kurban në emër të ndonjë varri, por vetëm në emër të Tij. Të mos i zotohemi askujt pos atij dhe të mos kërkojmë ndihmë pos nga Ai.
3) Të mos lidhim ndonjë pe apo hajmali për t’u mbrojtur me këtë nga syri i keq apo të largojmë nga vehtja jonë ndonjë të keqe tjetër. Ngase syrin e keq apo ndonjë të keqe tjetër nuk e largon askush tjetër përveç All-llahut Fuqiplotë.
4) Të mos u besojmë falltarëve, magjistarëve apo astrologëve e as asaj në të cilën ata thirrin duke pretenduar se e dinë të fshehtën. Të fshehtën nuk e di askush përveç All-llahut të Madhëruar.
5) Të mos i nënshtrohemi sunduesit, dijetarit apo prindit në mëkat ndaj All-llahut. Ngase nënshtrimi ndaj ndokujt përveç All-llahut duke e bërë të ndaluarën të lejuar dhe duke e bërë të lejuarën të ndaluar është shirk.
Me këto pesë pika kemi arritur që të njohim tri të katërtat e rrugës për në xhennet. E tash na mbetet edhe pjesa e fundit e ajo është të larguarit nga mëkatet e pas kësaj arrijmë deri te dera e xhennetit ku insha’all-llah (nëse don All-llahu) do të hyjmë së bashku me ata të cilët hyjnë.
1) Ta ruajmë dëgjimin duke mos dëgjuar sende të kota, të cilat përmbajnë mëkat. Të mos ndëgjojmë muzikë, shpifje, bartje të fjalëve apo fjalë të cilat shpiejnë në kufër.
2) Ta ruajmë shikimin duke mos shikuar atë që është e ndaluar, ndonjë femër të huaj qoftë besimtare apo pabesimtare.
3) Ta ruajmë gjuhën nga fyerjet, gënjeshtrat apo fjalët e këqia. Të mos dëshmojmë rrejshëm, të mos përgojojmë dhe të mos shpifim.
4) Ta ruajmë barkun nga gjërat e ndaluara qoftë në ushqim apo pije. Të mos ushqehemi me kamatë, me coftirë apo mish derri. Të mos pijmë pije dehëse e as të mos pijmë duhan.
5) Ta ruajmë organin gjenital duke mos iu afruar askujt përveç bashkëshortes apo asaj që e kemi nën posedim (robëreshës), të cilat na i ka lejuar All-llahu xh.sh.
6) Ta ruajmë dorën duke mos u bërë dëm njerëzve me të, të mos i rrahim apo t’i vrasim pa të drejtë. Të mos i përdorim duart për të luajtur bixhoz apo për të shkruar me to ndonjë dëshmi të rrejshme.
7) Ta ruajmë këmbën duke mos shkuar në vendet e ndyta, të ndaluara e të këqia.
8) Ta mbajmë fjalën e dhënë, të dëshmojmë drejtë dhe t’i zbatojmë premtimet. Të mos dëshmojmë rrejshëm dhe të mos bëhemi prej atyre të cilët e shkelin fjalën e dhënë.
9) Ta ruajmë pasurinë, mos ta harxhojmë kot, por ndërkohë edhe të mos jemi koprracë. Mos ta humbin por edhe mos ta grumbullojmë tepër duke mos e shpenzuar në rrugën e All-llahut.
10) Të kujdesemi për familjet tona qoftë në aspektin fizik apo atë psikik, të kujdesemi për moralin dhe besimin e tyre. T’i mbrojmë nga çdo send që ua shkatërron shpirtin apo mendjen.
Kjo ishte rruga për në xhennet, o ju kërkues të xhennetit, të jemi pra të përgatitur që t’i zbatojmë këto pika në jetën tonë duke u armatosur me dituri të vërtetë nga Libri i All-llahut Të Madhëruar dhe nga Sunneti i të Dërguarit të Tij Muhammedit ?.
Kjo ishte e tërë ajo që shkurtimisht kam përmbledhur për begatitë e xhennetit dhe për sqarimin e rrugës deri tek ai, ashtu siç na e ka sqaruar All-llahu xh.sh. në Librin e Tij dhe i Dërguari i Tij në hadithet e vërteta. All-llahun xh.sh. e lus që ta bëjë punën time të sinqertë për hir të Fytyrës së Tij. T’ia falë mëkatet autorit, prindërve të tij, hoxhallarëve të tij, të afërmve të tij dhe që t’i bëjë këta prej banorëve të xhennetit. Gjithashtu e lus që t’ia falë mëkatet lexuesve të këtij libri dhe që t’u bëjë dobi me këtë broshurë. Vërtetë Ai është Ndihmuesi më i mirë dhe Ai u mjafton besimtarëve që i mbështeten.
Lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botërave!
Shkëputur nga: XHENNETI – BEGATITE E TIJ DHE RRUGA PER NE TE
Ebul-Harith Ali ibn Hasen
Përktheu:Llukman Neziri
Botoi: Urtësia-1997