Nefijsja është vajza e Hasan bin Zejd bin Alij bin Ebi Talibit, Allahu qoftë i kënaqur me të. Ajo ishte një adhuruese, një besimtare e përulur dhe zotëruese e dijes, e edukatës dhe e mendimit të mençur. Ajo kishte përvojë në njohjen e shumë çështjeve.
Nejfisja shquhej për kujdesin ndaj bashkëshortit, ndaj fëmijëve dhe ndaj shtëpisë së saj. Ajo zotëronte shumë mjeshtëri në administrimin e shtëpisë, të cilën e mbushte me ibadet, dhikër, edukim të mirë dhe mirësjellje ndaj bashkëshortit të saj, i cili ishte mjaft i kënaqur prej saj. Edhe bashkëshorti ia shprehte asaj bukurinë dhe cilësitë e mira që i kishte dhuruar Allahu. Nejfisja e priste atë me fytyrë të qeshur dhe me fjalë të buta, të cilat dëshmonin kulturën e saj të madhe.
Grave me të cilat rrinte u thoshte: “Mjerë për atë që e kundërshton Zotin e saj, kundërshton urdhrat e Tij, largohet prej dhikrit të Tij dhe pason epshin.”
Ajo gjithashtu u thoshte: “Bindja është zemra e imanit, ndërsa ibadeti është trupi i tij, zuhdi (asketizmi) është petku i tij, sinqeriteti është gëzimi i tij, ndërsa falja është për atë që të dëmton. Kjo është më e mirë dhe më e bukur për besimtarin. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse i falni, jeni më afër devotshmërisë.”
Shoqet e saj gjenin tek ajo shoqërinë njerëzore që nuk e gjenin te gratë e tjera. Ato mbushnin gjokset dhe zemrat e tyre me rehati dhe qetësi, gjë që i shtynte ta shihnin Nefijsen siç e sheh nxënësi mësuesin e tij. Ato e përsërisnin së bashku thënien e saj: “Njeriu i bindur dhe i dëgjueshëm ndaj Allahut të Lartësuar është argument i ngritur mbi njerëzit kundërshtues, të cilët i shkelin kufijtë e Allahut.”
Nefijsja u jepte atyre këshilla që i nxitnin për të mirë, që depërtonin në mendjet e tyre dhe ua zbardhnin zemrat. Një nga këshillat e saj ishte edhe thënia: “O Zot, kërkoj mbrojtje te Ti prej fjalëve të këqija, punëve të këqija dhe komshiut të keq! O Zot, mos më bëj prej atyre që mbështeten te vetja dhe tek asnjëra prej krijesave të Tua, se devijoj! O Zot, më dhuro mendjen, më ndihmo në çështjet e mia, përmirësoje shoqërinë time, më fal nëse rrëshqas në diçka, më mbroj prej sherrit të vesveseve të shejtanit, më ruaj prej tij, o Rrahman, në mënyrë që të mos mbizotërojë tek unë! Paqja dhe shpëtimet e Zotit qofshin mbi zotërinë tonë të ndershëm, Muhamedin, zotëruesin e sheriatit dhe të Kuranit Famëlartë!”
Ajo që rrinte me Nefijsen gjente dashuri dhe ngrohtësi tek ajo si dhe largonte mendimet e këqija. Nefisja u jepte dije dhe u thoshte: “Nëse besimtari e lexon vazhdimisht suren Kafirun (Kul ja ejjuhel kafirun), vdes me iman të plotë sepse mohon adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar. Kush lexon suren El-Ihlas (Kul huvall-llahu ehad) në fund të çdo namazi, është i ruajtur nga vesveset e shejtanit. Kjo është për ata që e bëjnë këtë me sinqeritet dhe për ata që e bëjnë punën për hir të Allahut të Lartësuar.”
Nefijsja qëndronte me ato femra që flisnin fjalë të mira dhe të dobishme dhe i ndalonte ato nga thashethemet, nga mbartja e fjalëve dhe nga humbja e kohës në diçka të padobishme. Kur përfundonte takimi, ato të cilat para se të vinin kishin ndonjë mendim të gabuar, e ndryshonin atë pas këshillave që u jepte Nefijsja dhe u shtohej imani, nëse u ishte dobësuar. Ajo përdorte butësinë kur i këshillonte.
Nefijsja ka thënë: “Kush dëshiron t’i shpëtojë varfërisë, le të lexojë suren Uakia. Këtë e ka përmendur edhe Abdullah bin Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të. Dhe kush dëshiron qëndrueshmëri në Islam, le të lexojë suren Tebarek. Kush dëshiron t’i shpëtojë etjes Ditën e Kiametit, le të lexojë suren El-Fatiha (Elhamduli-lahi rab-bil alemin). Kush dëshiron të pijë nga Haudi i Pejgamberit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, le të lexojë suren El-Keuther.”
Nejfisja ishte e kujdesshme që t’u përmbahej urdhrave të Kuranit Famëlartë dhe haditheve të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Ajo tregonte kujdes për t’u shoqëruar me ato gra që kishin dije të dobishme. Megjithëse kishte dije, ajo dëshironte të përfitonte prej atyre që ishin më të ditura se ajo. Nefijsja ishte e kujdesshme në çështjet e shtëpisë së saj dhe kujdesej për bashkëshortin dhe fëmijët e saj.
Nefijsja, vajza e Hasan bin Zejd bin Alij bin Ebi Talibit, është një pemë e mirë në oazën e mirë, një grua muslimane me personalitet të lartë, e mençur, e ditur dhe me kulturë të shumtë. Edhe pse ishte e zënë me punët e shtëpisë, ajo kujdesej për veprat e botës tjetër dhe e ka nisur mesazhin e saj për të gjithë ne, e veçanërisht për gjininë e saj, me thënien: “Sa e mirë është qëndrueshmëria në të vërtetë dhe sa i lumtur është ai që e zotëron atë!”
Përktheu: Merita Rexha/pertymoter