Gjidhënia, është vazhdim i lidhjes së natyrshme në mes nënës dhe foshnjës pas lindjes.
Mundohuni të mos e ndërpritni gjidhënien, sepse foshnja menjëherë pas lindjes do të kërkoj vet gjirin e nënës – përqafo foshnjën dhe do të bindesh. Ajo e di ç`farë është e mirë.
Pse të jepni gji foshnjës suaj?
Vazhdo të ushqyerit e krijesës më të bukur që krijove edhe pas lindjes, afroji siguri, ngrohtësi, ushqim, gjëra këto që ia dhurove për nëntë muaj rresht duke e mbajtur në veten tënde.
Qumështi i gjirit tënd është i pastër, i ngrohtë që e prodhon pa mund në çdo vend dhe kohë, falas për foshnjën tënde me plot dashuri, veti mbrojtëse dhe ushqyese që nuk i ka asnjë qumësht tjetër.
Me dhënien e gjirit ju i ofroni foshnjës suaj ndjenjën e sigurisë, butësisë, dashurisë, gjëra këto që formojnë një bazë të fortë për një jetë stabile psikike.
Si të realizoni me sukses gjidhënien?
Është me rëndësi të mësoni “mjeshtërinë” e mëkimit që ka dy protagonist kryesorë njëlloj të rëndësishëm – nënën dhe foshnjën.
* Nëna do të ofrojë qumësht aq sa do të merr foshnja, andaj mundohu që foshnja juaj të zotëroj këtë mjeshtri sa më parë;
* Sigurohu për rehati dhe komoditet, së pari për veten e pastaj afro foshnjën për trupin tënd;
* Zini pozitën më të përshtatshme për ju, qoftë ulur me një mbështetje të mirë, me këmbët vendosura mbi një “shkam” të ulët me foshnjën në prehrin tuaj, mbi një jastëk më të “fortë” që ofron një komoditet foshnjës suaj;
* Mund të shtriheni (nëse gjendja juaj nuk ju lejon të uleni), por gjithnjë me kujdes afroni foshnjën tuaj afër vetes dhe gjithmonë ofroni gjirin e asaj ane në të cilën e keni foshnjën;
* Foshnjën e afroni mirë në kraharorin tuaj me fytyrë të kthyer kah gjiri, pastaj prek me thith skajin e buzëve të foshnjës dhe prit të hap gojën fort, e pastaj fut thithin me gjithë areolën (rrethi me ngjyrë kafe rreth thithit) thellë në gojën e foshnjës.
Si të dimë se foshnja është vendosur mirë në gji?
* foshnja është e mbështetur për trupin tënd me fytyrë të kthyer kah gjiri;
* mjekra e foshnjës prek gjirin;
* goja e foshnjës është shumë e hapur;
* buzë janë të lakuara (kthyera ) nga jashtë;
Mos u shqetëso, çdo fillim është i vështirë, por mos hezito të kërkosh këshilla dhe ndihmë. Çdo gjë arrihet me përpikëri, këmbëngulësi, vetëbesim, durim dhe urtësi. Identifiko pengesat, problemet dhe kërko këshilla.
Sa shpesh duhet të jepni gji foshnjës suaj?
Nuk ka orar të caktuar, por ushqejeni sa më shpesh (8, 10, 12 herë për 24 orë),sa herë të dojë foshnja e juaj.
Si ta vëreni se foshnja e juaj është e uritur?
Foshnja juaj nuk di të flasë, por ajo do t’ua bëjë me dije. Ajo do të :
* fut gishtat në gojë;
* thith gjuhën e tij;
* hap gojën kur i prek buzët;
* kthen kokën kah gjiri kur e përqafon;
* lëshon zëra dhe lëviz me gjymtyrë e më në fund do të filloj të qaj me zë të lartë.
Si ta dini se foshnja juaj është e ngopur?
Nëse foshnja juaj e lëshon gjirin nga goja, është e qetë apo edhe e zë gjumi, atëherë ajo me të vërtetë është e ngopur.
Çka e bën të suksesshëm të ushqyerit në gji?
* Sa më shpejt që është e mundur të realizohet mëkimi (thithja) i parë edhe pse qumështi mund të mungoj ose të ketë në sasi të vogël;
* Pozita e foshnjës dhe e nënës gjatë mëkimit të jetë adekuate;
* Sa më shpesh t’i ofrohet gjiri foshnjës. Nuk ka orare;
* Mos të përdoren memet mashtruese, sepse ajo shkakton huti te foshnja në marrjen e thithit të gjirit pastaj;
* Kujdesi për thithat të jetë i rregullt si pastrimi, tharja dhe zbutja me ndonjë krem vitaminoz në mënyrë që të mos vjen deri te qarja e tyre, gjë që dukshëm ndikon në procesin e gjidhënies;
* Nëse vjen deri te infeksioni i gjirit me skuqje, ënjtje, dhembje e përcjellë me ethe dhe zjarrmi, atëherë menjëherë kërko ndihmë mjekësore;
* Ushqimi të jetë i ndryshëm dhe kalorik e sidomos sasia e lëngjeve duhet të shtohet pasi që nevojat e lehonës për kalori rriten deri 500 kcal në ditë;
* Pushimi dhe qetësia shpirtërore;
Si mund ta dini se foshnjës suaj i mjafton qumështi i gjirit tuaj?
Ju më së miri mund të vëreni se foshnjës suaj i mjafton apo jo qumështi i gjirit nëse i bëni vetes këto pyetje:
* foshnja juaj ka gjumë të rehatshëm apo zgjohet shpesh duke qarë?
* i lag mnelat shpesh apo jo?
* ka lëkurë të lëmuar apo të thatë?
* barku i foshnjës është lehtësisht i fryrë dhe mbi nivel të kraharorit apo ai është i rrafshët ose edhe nën nivel të kraharorit?
* gjuha dhe buzët janë rozë dhe të lëngshme apo janë të thata?
* shton në peshë apo jo (prej 15-30 gram për një ditë)?
Për gjitha këto pyetje mund të kërkoni këshilla dhe ndihmë nga pediatri i juaj në këshillimore. Preferohet vizita e parë menjëherë në javën e parë të jetës, e pastaj çdo muaj në këshillimore. Vëreni gjërat me kohë, sepse koha është flori.
Çfarë duhet të dini për qumështin e gjirit?
Qumështi i gjirit nuk është i njëjtë si në ditën e parë. Ai do të prodhohet ashtu që t`i përshtatet moshës së foshnjës suaj.
Në fillim, pesë ditët e para është më i trashë me një ngjyrë të verdhë – më i yndyrshëm dhe quhet kulloshtër, në dy javët e ardhshme është diçka më i hollë dhe më pak i verdhë (qumështi kalimtar), e më pastaj qumështi i ashtuquajtur qumështi i pjekur me gjitha të mirat e tij.
Por, edhe qumështi në fillim të thithjes përmban më tepër ujë dhe sheqer për tu bërë më pastaj (pas 10 min.) më i trashë dhe më i yndyrshëm.
Prandaj, mbajeni foshnjën tuaj në gjirin e njëjtë deri 20 min. në mënyrë që foshnja të merr qumështin më kalorik, i cili është më i ushqyeshëm dhe e ngopë më mirë. Nuk ka qumësht gjiri të keq, të hollë dhe të pa dobishëm.
Çfarë të bëni nëse duhet filluar punën apo duhet ta lëni foshnjën tuaj për disa orë apo ditë?
Mjeleni dhe rezervoni qumështin e gjirit, por si?
* pastroni paraprakisht duart mirë;
* mjeleni gjirin butësisht me duar apo pompa të posaçme për mjeljen e gjirit;
* qumështin vendoseni në shishe të qelqit, paraprakisht të pastruar mirë dhe të tharë;
* mbylleni mirë me kapak dhe shkruani gjithsesi datën dhe kohën e mjeljes së qumështit;
* vendoseni në frigorifer (më së shumti deri 5 ditë) apo në friz (ngrirje) ku mund të qëndroj me muaj nëse është nevoja;
* duhet të keni kujdes që para përdorimit ta ngrohni qumështin ashtu që shishen e mbani nën ujë të nxehtë të rrjedhshëm (nga qesmja ) vazhdimisht duke e lëvizur shishen;
* ngroheni deri në temperaturën e trupit tuaj dhe testoje në atë mënyrë që e pikë qumështin nga shishja në pjesën e brendshme të parakrahut tuaj ku lëkura është më e ndjeshme;
* para dhënies gjithsesi lëkunde shishen me qumësht në mënyrë që qumështi të përzihet më mirë e të mos ndahet nga qumështi maza (në sipërfaqe bëhet një shtresë e verdhë);
* foshnjës tuaj qumështin mund t`ia jepni me lugë apo bebiron.
Mësojeni mirë personin i cili do ta ushqej foshnjën tuaj në mungesën tuaj.
Pra, menyja ditore e bebes suaj do të ishte:
* 0 – 4 deri 6 muaj – qumësht gjiri
* 4- 6 muaj deri 7 muaj – qumësht gjiri, ushqim shtesë gjysmë të lëngët, një herë në ditë në fillim dhe në sasi të vogël, e pastaj (pas dy tri javësh) kalohet në qullna (nga drithërat, orizi, keks i bluar, pure patatesh, pure karotash që janë burim i mirë i hekurit dhe vitaminave B), e poashtu edhe qullna pemësh (mollë e zier, banane, portokall i shtrydhur, që janë burim i mirë i mineraleve dhe vitaminave hidrosolubile);
* mbi 7 muaj moshë. Tani bebes suaj mund t`i jepni ushqim më të trashë dhe më të fortë dhe atë 3-4 racione brenda ditës. Ajo veç e ka mbizotëruar “mjeshtërinë“ e përtypjes dhe gëlltitjes. Mund të filloni me :
– pure mishi të zier me patate, me oriz, bizele, spinaq;
– të kuqen e vezë mirë të zier (gradualisht dhe nga pak )
– pemët e ndryshme, pa bërthama dhe fara, të freskëta ose në formë deserti (puding, jogurt pemësh etj.);
Mbajeni mend, mos shtoni ushqimit të përgatitur, as kripë dhe as sheqer!
Dr. Teuta Sejdiu –Hasbahta
neonatologe