Kjo është Esma, vajza e Ebu Bekrit, pronarja e dy shokave (brez leshi), Allahu qoftë i kënaqur me të! Nga e mira e madhe që ka zotëruar ajo dimë fare pak, edhe pse ajo është njëra prej atyre grave që e kanë ndriçuar historinë islame me sakrificën që i kanë ofruar Islamit.
Esma bint Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka qenë një vajzë e mirë, një bashkëshorte e mirë dhe para së gjithash një besimtare e devotshme! Nuk është për t’u çuditur nga kjo gjë, pasi ajo është vajza e Sidikut. Po të vendosej imani (besimi) i tij në njërën anë të peshores dhe imani i umetit në anën tjetër të peshores, do të peshonte më shumë imani i tij!
Esma është martuar me Zubejrin, pasuesin e të Dërguarit të Allahut. Ka ngelur shtatzënë prej tij dhe ka lindur Abdullahun, i cili është i linduri i parë prej muhaxhirëve në Medinë.
Esma, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Ngela shtatzënë me fëmijën e parë, Abdullah bin Zubejrin, dhe u nisa për hixhret, ndërkohë që i kisha plotësuar ditët e mia të shtatzënisë. Erdha në Medinë dhe u vendosa në Kuba (vend i njohur në Medinë). Linda atje, pastaj erdha tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ia vendosa foshnjën në prehër. I Dërguari i Allahut kërkoi që t’i sillej një hurmë, e mori hurmën dhe e përtypi me dhëmbët e tij, pastaj e futi në gojën e foshnjës. Kjo ishte gjëja e parë që është futur në gojën e tij, pështyma e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Pastaj i Dërguari është lutur për Zubejrin: “O Zot, bekoje!” Ky është i linduri i parë në Islam (në Medinë ndër muhaxhirët).” (Buhariu dhe Muslimi)
Abdullah bin Zubejri, për të cilin në ditën e lindjes së tij është lutur i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, i ka bërë ballë tiranisë së El-Haxhaxh bin Jusuf Eth-Thekafit. Zubejri, i cili ishte i shtyrë në moshë, është mbrojtur te Qabeja derisa ka rënë shehid!
Ndërmjet nipit të Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe Haxhaxhit e pasuesve të tij kishte armiqësi. Çështja u acarua, derisa të dy grupet u përballën në luftë; Abdullahu me një grup të vogël, ndërsa Haxhaxhi me ushtrinë e tij. Abdullahu mbrohej me Qabenë, por është për të ardhur keq se Haxhaxhi nuk i mbikëqyrte dispozitat e haramit.
Rezultati ishte i qartë që përpara se të fillonte lufta. Abdullahu mori mendimin e nënës së tij, Esmës, për çështjen e tij, se a të hiqte dorë apo të vazhdonte luftën. Ajo e këshilloi me ato fjalë që nuk e këshillon çdo nënë djalin e saj. Ajo i tha t’i bënte ballë atij edhe nëse vritej. Ajo e madhëroi të vërtetën në shpirtin e tij dhe ia largoi frikën nga ushtria e Haxhaxhit. Esma i dha zemër djalit të saj për të luftuar dhe për të rënë dëshmor. Kjo ishte një situatë e rëndë, të cilën rrallëkush mund ta përballonte.
Çështja përfundoi ashtu siç ishte paraparë. Abdullah bin Zubejri u vra në prag të Shtëpisë së Shenjtë, Qabesë. Ah, sikur kundërshtarët e tij ta kishin lënë me kaq, por Haxhaxhi urdhëroi që ta kryqëzonin trupin e Abdullahut! La haule ue la kuete il-la bil-lah!
(Nuk ka as ndryshim dhe as forcë pa Allahun!)
Ebu Neufeli ka thënë: “E pashë Abdullah Bin Ez-Zubejrin në prag të qytetit (të Mekës) të kryqëzuar. Njerëzit kalonin pranë tij. Kaloi edhe Abdullah bin Omeri, i cili ndaloi pranë tij dhe tha: “Esselamu alejke Eba Hubejb! Esselamu alejke Eba Hubejb! Esselamu alejke Eba Hubejb! Pasha Allahun, të kam ndaluar prej kësaj (duke e këshilluar t’ia dorëzojë kalifatin kalifit umevij)! Pasha Allahun, të kam ndaluar prej kësaj! Pasha Allahun, të kam ndaluar prej kësaj! Pasha Allahun, ti ke qenë prej agjëruesve, namazlive të natës dhe mbajtës i lidhjeve farefisnore. Ti je njeri i mirë në mesin e njerëzve të këqij.”
Pastaj Abdullah bin Omeri u largua. Haxhaxhit i treguan fjalët që kishte thënë Abdullah bin Omeri, prandaj dhe dërgoi që t’ia sillnin atë. Më pas e zbriti trupin e Abdullah bin Zubejrit nga trungu ku ishte kryqëzuar dhe e hodhi në varret e çifutëve. Haxhaxhi dërgoi lajmëtarin që të thërriste nënën e tij, Esmën, por ajo refuzoi të shkonte tek ai. Haxhaxhi e dërgoi edhe një herë tjetër lajmëtarin që t’i thoshte: “Do të vish, ose do të dërgoj dikë që do të të tërheqë nga gërshetat”, por ajo refuzoi dhe tha: “Pasha Allahun, nuk do të vij derisa të dërgosh dikë që të më tërheqë prej gërshetash.” Haxhaxhi tha: “Mi jepni nallanet e mia.” I mori dhe u nis me shpejtësi derisa hyri në shtëpinë e saj dhe i tha: “Si më shikon mua, si armik i Allahut?” Esma tha: “Shoh se ti ia prishe dynjanë, ndërsa Abdullahu ta prishi ahiretin. Kam dëgjuar se ti i thua “o biri i pronares së dy shokave”. Pasha Allahun, unë jam pronarja e dy shokave! Me njërin ngrija ushqimin e të Dërguarit të Allahut dhe ushqimin e Ebu Bekrit, ndërsa tjetri është brezi i femrës, prej të cilit nuk heq dorë. I Dërguari i Allahut na ka treguar se në fisin Thekif gjendet një rrenacak (me rrenacak ka për qëllim Muhtar bin Ebi Ubejd Eth-Thekafin, i cili supozoi se është pejgamber dhe njerëzit filluan ta pasonin, derisa e shkatërroi Allahu). Këtë e kemi parë, ndërsa (prishësi, vrasësi i shumtë) nuk mendoj se është dikush tjetër përveç teje.” Haxhaxhi u çua dhe nuk u kthye më.” (Muslimi)
Ky qëndrim i Esmës nuk ka nevojë për komentim, por për meditim të gjatë dhe të thellë, që t’i japë formë nefsit tonë edhe një herë nga fillimi. Çfarë durimi! Çfarë trimërie! Çfarë krenarie! Çfarë guximi! Cila energji shpirtërore e imanit arriti ta shkatërrojë tiraninë e tij? Ç’është e gjithë kjo? Në realitet, nuk jemi para një gruaje të zakonshme, por para një kodre të madhe. Siç ishte një besimtare e mirë dhe një nënë e mirë, Esma, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte edhe një bashkëshorte e mirë.
Esma, vajza e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Në kohën kur jam martuar me Zubejrin, ai nuk kishte tokë, as ndonjë shërbëtor, vetëm një deve dhe një kalë. Unë ushqeja kalin, mbushja ujin dhe përgatisja ushqimin. Unë nuk dija mirë të zija bukën, mirëpo ma zinin disa gra fqinje të ensarëve. Ishin gra besnike dhe të sinqerta. Hurmat që këputja nga toka e Zubejrit i mbartja tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, mbi kokën time. Një ditë, duke mbartur hurmat mbi kokën time, takova të Dërguarin e Allahut, i cili ishte me një grup njerëzish. Ai posa më pa, më thirri dhe tha: “Hidhi poshtë!” Ai kishte për qëllim që të më merrte pas, por unë kisha turp që të ecja me burrat. M’u kujtua Zubejri dhe xhelozia e tij, pasi ai ishte më xhelozi prej njerëzve. I Dërguari i Allahut e pa që mua më vinte turp, prandaj vazhdoi rrugën.
Erdha te Zubejri dhe i thashë se më takoi i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, me një grup sahabësh e më pa se mbi kokën time kisha hurma. Ai urdhëroi devenë që të ulej, me qëllim që unë të ngjitesha mbi të, mirëpo kisha turp prej tij, por m’u kujtua edhe xhelozia jote.” Zubejri tha: “Pasha Allahun, për mua mbajtja e hurmave prej teje është më e rëndë se të kishe ecur me të.” Esma thotë: “Më vonë babai im, Ebu Bekri, më dërgoi një shërbëtor, i cili më mjaftonte për mbikëqyrjen e kalit.” (Buhariu dhe Muslimi) Esma, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte e kujdesshme për fenë e Allahut dhe të gjykuarit me të, edhe kur bëhej fjalë për njerëz të veçantë. Ajo thotë: “I thashë të Dërguarit të Allahut se nuk kisha të holla, përveç ato që sillte Zubejri. A të jap sadaka prej tyre?” I Dërguari i Allahut më tha: “Jep sadaka dhe mos kurse asgjë, sepse Allahu do të të begatojë me të mira.”
(Buhariu dhe Muslimi)
E lus lexuesen të mos e keqkuptojë pyetjen e saj për lejimin e sadakasë prej të hollave të bashkëshortit të saj. Ajo ka pyetur se a lejohet të marrë për të dhënë sadaka dhe nuk ka pyetur se a lejohet t’i marrë për vete ose për diçka tjetër. I afërt me këtë qëndrim është edhe qëndrimi i Esmës ndaj nënës së saj. Ajo thotë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut nëna ime erdhi të më vizitonte, mirëpo ajo ende ishte mushrike. E pyeta të Dërguarin e Allahut duke i thënë: “Nëna ime (e cila ishte ende idhujtare) ka ardhur me dëshirë që të më vizitojë. A ta pranoj vizitën e saj?” I Dërguari i Allahut më tha: “Mbaje lidhjen me nënën tënde.” (Buhariu dhe Muslimi)
Allahu e mëshiroftë pronaren e dy shokave! Allahu qoftë i kënaqur me të, me babain e saj, me bashkëshortin e saj, me djalin e saj dhe me pasardhësit e saj deri në Ditën e Kiametit!
Përktheu: Merita Rexha/pertymoter