Në fillim të vitit të dytë tek fëmijët fillon një etapë e re: të folurit. Kjo etapë është karakteristikë rreth moshës 18 muaj ku fëmija fillon të flasë fjalët e para. Foshnja, që prej lindjes, merr dhe transformon në trurin e saj fjalët e thëna nga nëna, për të ndërtuar më vonë me to një gjuhë të vërtetë, të aftë për të komunikuar me qëniet njerëzore. Duke u nisur nga fjalët e thëna nga nëna e tij dhe nga njerëzit që e rrethojnë, fëmija do të jetë i aftë të kuptojë dhe veçanërisht të përpunojë fjali të padëgjuara më parë. “Gjuha është pronë biologjike e trurit dhe ky i fundit përmban një lloj programi bazë që i lejon fëmijës të ndërtojë një ansambël të pakufizuar thëniesh duke u nisur nga një grumbull i kufizuar fjalësh” (Chomsky).
Vonesa e lehtë e gjuhës apo vonesa e fjalës së parë, siç kuptohet nga të gjithë, shprehjen e saj e gjen te shqetësimi: “akoma nuk po flet…” që prindërit merakosen se kaloi viti i parë i jetës. Shfaqja e saj është një sinjal dhe na tregon se çdo gjë shkon normalisht. Në të kundërt, mosshfaqja e saj mbi kufirin e dy viteve duhet të jetë objekt shqetësimi.
Vonesa e lehtë e gjuhës bën pjesë te çrregullimet specifike të gjuhës, të cilat përkufizohen si: shfaqje e vonuar dhe zhvillim i ngadalësuar i gjuhës, i cili nuk vjen si pasojë e një defiçiti dëgjimor dhe motor i organeve të të folurit, as si rezultat i çrregullimeve psikopatologjike, mosfunksionimit të trurit apo prapambetjes mendore (Rapin, 1982).
Vonesa e lehtë e gjuhës është një zhvillim i ngadaltë i etapave të vetë gjuhës dhe siç kuptohet edhe nga emërtimi është një problem i lehtë, plotësisht i kalueshëm nëse trajtohet si duhet në kohën e duhur. Një fëmijë afër të tre viteve, me këtë problem ka një fjalor shumë të kufizuar, ndërton fjali shumë të shkurtra dhe në të shprehurin e tij dominojnë gjestet. Në të kuptuar, ai është mirë, pasi ndihmohet nga situatat në të cilat flitet, fjalë të veçanta që i di, intonacioni i thënieve të ndryshme dhe gjestet e mimika e atij që flet.
Vonesa e lehtë e gjuhës dallohet nga problemet e tjera, pasi fëmija në këto raste është kurioz dhe tepër i interesuar për të komunikuar.
Shkaqet e vonesës së lehtë të gjuhës mund të jenë të shumta. Midis tyre përmendim:
• Varfëri ose mungesë nxitjeje.
Shkaku më i shpeshtë, sidomos në kohën në të cilën jetojmë, ku të gjithë vrapojmë dhe shpesh fëmijët harrohen në një cep me lodrat e tyre apo para televizorit. Një fëmijë, që të zhvillojë gjuhën ka nevojë për stimulim, sidomos nga nëna. Në vitet e para është ajo që e qetëson, i vlerëson interesat dhe e nxit të bëjë si ajo. Në mungesë të saj është personi që kujdeset për të, i cili është faktor me një ndikim të madh në shëndetin mendor të fëmijës e si rezultat, në zhvillimin gjuhësor të tyre. Kush mendon vetëm për shëndetin fizik dhe ushqimin ka bërë gjysmën e detyrës me fëmijën apo më mirë, asgjë.
• Çrregullime të marrëdhënieve nënë- fëmijë.
Një nënë duhet të jetë veçse: e zakonshme dhe normalisht e përkushtuar, ka theksuar Winnicot. Çdo shmangie ndaj kësaj, sjell probleme në raportin afektiv dhe çrregullimi i gjuhës është pasoja më e pritshme. Që gjatë periudhës së shtatzanisë, nëna duhet të komunikojë me krijesën e saj pasi veshi i brendshëm i njeriut ka arritur që në javën e njëzetë të shtatzanisë madhësinë e të rriturit. Foshnja duke dëgjuar melodinë e tingujve të gjuhës së nënës, familjarizohet me zërin e saj dhe e bën atë më të sigurt në botën e re kur të lindë. Më pas ajo duhet të dijë të ndajë dashurinë apo ta racionojë atë midis fëmijëve të tjerë. Dashuria me tepricë apo indiferenca mund të kenë pasoja të ndryshme në zhvillimin normal të gjuhës, por me një emërues të përbashkët: mangësi në fjalor e çrregullime fonologjike.
• Ambienti dy gjuhësh.
Zakonisht, fëmijët i kapin me lehtësi të dyja gjuhët që fliten përreth tij. Por ka disa fëmijë të paaftë për të ndarë në fillim botët e ndryshme, që përfaqësojnë dy gjuhët. Në kopësht flitet një gjuhë dhe në shtëpi një tjetër. Lëmshi bëhet më i madh për fëmijët dhe do tu duhet kohë të ndajnë gjuhët nga njëra-tjetra. Në fillim, fjalët e njërës i përdor gjatë përdorimit të tjetrës e anasjelltas. E rëndësishme është që nëna t’i flasë gjithmonë me gjuhën e saj. Babai gjithashtu, gjithmonë në të njëjtën gjuhë. Punimet në të dyja godinat e veçanta gjuhësore, ai i bën vetë. Pas disa vitesh do të flasë si moshatarët me gjuhën e nënës dhe atë të edukatores.
• Mosfrekuentimi i kopshtit apo vajtja me hope.
Është e qartë tashmë, sidomos për mësueset e klasës së parë, që fëmijët e kopshtit kanë një gjuhë më të strukturuar se moshatarët e tyre që rriten me gjyshe apo dado. Bashkëveprimi me moshatarët, konkurrenca me ta, loja dhe komunikimi, si dhe nxitja e edukatores janë faktorë vendimtarë në zhvillimin e një shëndeti të bukur mendor e si rrjedhim edhe i një gjuhe të pasur në të gjitha kuptimet.
Si ta nxisim një fëmijë me vonesë gjuhe, të komunikojë me anë të të folurit?
Aktivitetet e mëposhtme u drejtohen prindërve, të cilët mund të punojnë me ta. Nënat janë të pajisura me dhuntinë, talentin më të madh, atë të burrërimit të foshnjave të tyre. Ato e dinë, më mirë se kushdo, çfarë i duhet fëmijës së tyre. Për ti paraprirë kësaj vonese ose për t’i trajtuar si duhet është mirë që ndër të tjera të bëni me fëmijët edhe aktivitetet e mëposhtme:
– Filloni e përkëdheleni me fjalë, kur fëmija është në barkun tuaj.
– Thirreni me emrin e tij posa lind dhe flitini që në këtë moment për veten e tij, babain, vëllezërit, motrat, sendet që e rrethojnë etj.
– Përdorni lodra që bëjnë zhurmë e ngjyra të ndryshme, për t’i tërhequr vëmendjen.
– Imitoni e bëjeni t’ju imitojë me tinguj, rroke e gjeste.
– Drejtoni sytë apo gishtin nga personi apo objekti për të cilin flisni.
– Kur i flisni mbajeni fëmijën përballë, me qëllim që ai të shikojë fytyrën tuaj.
Aktiviteti praktik me fëmijët është një fushë mjaft e gjerë. Në të përfshihen të gjithë ata që merren me të, ndaj sugjerimet e mësipërme janë të vlefshme për të gjithë, por veçanërisht për prindërit që kanë një fëmijë me probleme zhvillimi , e kryesisht gjuhësore. E rëndësishme është të dish të fitosh e të ndërtosh një marrëdhënie me fëmijët që t’u japë atyre qetësi, besim, mundësi, duke u krijuar një klimë ku flitet, përgjigjet e bisedohet. Aktivitete të tilla ka me mijëra. E rëndësishme është t’i bëni sa më shpesh, në mënyrë që ato, dalëngadalë të bëhen shprehi nga fëmija juaj.
nga Dhurata KAZAZI/revista-familja/motraime