Faktorët dhe shkaqet që i shpien fëmijët deri te devijimi dhe prishja e moralit janë të shumtë. Shkurtimisht do të sjellim disa prej këtyre shkaqeve, siç i ka përmendur Dr. Abdullah Ulvan, Allahu e mëshiroftë.
1-Varfëria:
Varfëria e shtyn fëmijën të largohet nga shtëpia në kërkim të furnizimit, duke rënë më pas pre e duarve të këqija dhe kriminele.
2-Polemikat dhe problemet mes prindërve:
Fëmija kur hap sytë në shtëpi dhe sheh konflikte të hapëta, do ta lërë atmosferën e errët të shtëpisë dhe do të largohet duke kërkuar shoqëri me të cilën do të kalojë kohën më të madhe të tij.
3-Shkurorëzimi dhe varfëria që pason:
Kur fëmija i ekspozohet kësaj bote dhe nuk e gjen prehjen e nënës e as ndihmën dhe përkujdesjen e babait, pa dyshim që do të shkojë drejt krimit dhe do të edukohet në prishje e devijim, sidomos kur nëna martohet pas shkurorëzimit.
4- Koha e lirë:
Dihet se fëmija që nga fillimi i zhvillimit të tij është i dhënë pas lojës, ndaj nëse nuk i mundësohen vende loje, argëtimi, pishina për ushtrime e mësim, pa dyshim se në shumicën e rasteve do të bashkohet me shoqëri të keqe, e cila patjetër do ta shpjerë në ndarje dhe devijim.
5- Shoqëruesit e prishur dhe të këqij:
Nëse fëmija nuk është inteligjent dhe është i dobët në besim, shumë shpejt ndikohet nga shoqërimi i të këqijve dhe përfiton prej tyre zakonet dhe edukatën më të ulët.
6- Sjellja e keqe e prindërve:
Prej çështjeve ku gati të gjithë dijetarët e edukatës janë unanimë është se nëse fëmija trajtohet nga prindërit apo edukatori i tij me trajtim të rëndë, edukohet me rrahje të rënda dhe nënçmim poshtërues, atëherë rezultatet do të shfaqen në sjelljen dhe moralin e tij, saqë ndodh edhe ta lërë shtëpinë përgjithmonë në mënyrë që t’u ikë persekutimeve dhe sjelljeve të rënda e të dhimbshme.
7-Shikimi i filmave degjenerues dhe me kriminelë:
Kanalet televizive degjeneruese që ekspozojnë helm, interneti i cili e ka shndërruar botën tonë në një fshat të vogël dhe mjete të tjera si telenovelat e ulëta, revistat satanike, tregimet emocionuese, dihet se do të mbeten në mendjen e fëmijës, edhe nëse është i fortë mentalisht. Këto pamje do të mbillen në trurin e tij dhe në fund ai gjithsesi do të mundohet t’i promovojë dhe praktikojë, derisa të arrijë në një gjendje ku nuk do t’i bëjë dobi këshilla e prindërve e as udhëzimi i edukatorëve e mësimdhënësve.
8-Përhapja e papunësisë në shoqëri:
Prej faktorëve kryesorë që shpien në devijimin e fëmijës është edhe përhapja e papunësisë. Prindi nuk gjen punë dhe nuk ka të holla për të larguar urinë e tij, të familjes dhe fëmijëve të tij, e si rezultat i kësaj anëtarët e familjes do të shpartallohen dhe do të humbin, ndërsa fëmijët do të përfshihen nga devijimi dhe krimi.
9- Mosedukimi i fëmijës nga ana e prindërve:
Kur nëna ka mangësi karshi edukimit të fëmijëve të saj për shkak të preokupimit me të afërmit, me shoqet, me pritjen e musafirëve dhe për shkak të daljes së saj nga shtëpia, kurse babai është neglizhent në udhëzimin dhe edukimin e fëmijëve të tij për shkak se kohën e lirë e kalon në lojë me shokët dhe dashamirët e tij, pa dyshim se fëmijët do të rriten si jetimë dhe do të jetojnë jetën e të pastrehëve.
Poeti thotë: Nuk është jetim ai që prindërit i kanë vdekur dhe e kanë lënë të vetëm
Por jetim është ai që ka nënë që nuk kujdeset për të dhe baba të ngarkuar.
10-Dëmi i jetës si jetim:
Nga faktorët kryesorë në devijimin e fëmijëve është edhe dëmi i jetës si jetim. Ky jetim, të cilit i ka vdekur babai duke qenë i vogël, nëse nuk e gjen dorën e butë që përkujdeset për të, apo zemrën e mëshirshme që e ledhaton, nëse nuk gjen nga kujdestarët sjelljen e mirë dhe përkujdesjen e plotë, pa dyshim se do të zhytet në devijim dhe hap pas hapi ecën drejt krimit.
Pejgamberi sallAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit jemi në xhennet kështu”, dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe gishtin e mesëm.[1]
O prind i nderuar, këta ishin faktorët kryesorë të devijimit dhe siç po e sheh, janë faktorë të dëmshëm. Kujdesu për fëmijën në fëmijërinë e tij dhe edukoje me edukatë të vërtetë islame ose përndryshe do të rritet në ambient të prishur dhe do të edukohet në devijim, çka ta bën të vështirë më pas ta drejtosh në rrugën e
drejtë, pasi të lirohen frerët. Allahu az-ze ve xhel-le ka thënë: “O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim: 6)
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel lem thotë: “Nuk ka rob që Allahu ia jep një përgjegjësi ndaj dikujt dhe vdes duke qenë mashtrues ndaj kopesë së tij, vetëm se Allahu do t’ia bëjë xhennetin të ndaluar.“[2]
O Allah, fëmijët e Islamit drejtoji në atë që e do dhe je i kënaqur, udhëzoji në rrugën e drejtë dhe ruaji nga ajo që armiqtë e Islamit duan për ta!
Tehani El-belvij
Përshtati: Afërditë Fejzullahu-Dalipi
[1] Transmeton Tirmidhiu.
[2] Transmeton Muslimi
Revista “Këshilla”, nr. 33