E, ka njerëz që kalojnë tërë jetën në kërkim të saj. Herë duke dhënë e herë duke marrë. Ndonjëherë duke nxituar drejt saj, por, më shpesh në prijte të saj. Ata besojnë se dashuria është një vend tek i cili arrihet: një destinacion në fund të një rrugëtimi të gjatë.
Dhe mezi presin që ajo rrugë t’i çojë në destinacionin e tyre. Janë ato zemra që nxiten nga rrahjet e vet zemrës… ata romantikë të pashpresë, kërkues të një historie të dashurisë apo çfarëdo fjale të sinqertë që vie nga një besnikëri e vërtetë. Për ta, të kërkuarit e dashurisë është një obesesion pothuajse i përjetshëm. Por, ky kërkim tragjik ka humbjet dhe përfitimet e tij.
Shtegu i pritjeve dhe i ‘’të rënit në dashuri me vet dashurinë’’ është diçka që vërtetë shkakton dhimbje, por prej nga mund të nxjerrim shumë mësime. Mësimet për natyrën e dashurisë, për këtë botë, për njerëzit dhe për zemrën e dikujt mund ta hapin këtë shteg shpesh të dhimbshëm. Mbi të gjitha, kjo rrugë të mundëson ta njohësh Krijuesin e dashurisë.
Ata që marrin këtë rrugë shpesh e kuptojnë se dashuria njerëzore që e kishin kërkuar nuk ishte destinacioni i vërtetë. Disa forma të dashurisë njerëzore mund të jenë mirësi. Mund të jenë mjete. Por, në momentin që arrin në fund, ti bie. Dhe do e kalosh gjithë jetën duke u përqëndruar në një gjë të gabuar. Dhe ju do jeni të gatshëm të sakrifikoni qëllimin për hir të mjeteve. Ti do ta japësh jetën duke u munduar të arrish në destinacionin e përsosur të kësaj bote, i cili nuk ekziston.
Dhe ai që ngarend pas iluzionit, nuk arrin kurrë aty; por vazhdon të vrapojë pas tij. Dhe kështu do të vazhdosh rrugën, do jesh i gatshëm ta humbësh gjumin, do qani, do lëndoheni dhe herë herë edhe do sakrifikoni pjesë të çmuara të vetes suaj, madje edhe dinjitetin tuaj. Por, ju kurrë nuk do ta arrini atë çfarë kërkoni në këtë botë, sepse ajo që kërkoni nuk është destinacion i kësaj bote. Përsosmërinë që ju kërkoni nuk mund ta gjeni në këtë botë materialiste. Atë mund ta gjeni vetëm tek Zoti.
Pasqyrimin e dashurisë njerëzore që ju kërkoni është vetëm një iluzion në shkretëtirën e jetës. Pra, nëse ajo është çfarë ju doni, do të vazhdoni t’i shkoni pas. Por, pa marrë parasysh se sa i afroheni atij iluzioni, kurrë nuk do arrini ta prekni. Ti nuk e zotëron iluzionin. Ti nuk mund të bësh krijim në kokën tënde.
Prapë se prapë, do ta japësh jetën për të arritur në këtë vend. Dhe vepron kështu, sepse në përralla aty përfundon tregimi. Përfundon me takimin, bashkimin dhe martesën. Pra, gjendet njëshmëria e dy shpirtave. Dhe çdo njeri rreth jush do të bëjë edhe ty të mendosh se rrugëtimi yt përfundon aty: në vendin ku takon shpirtin tënd binjak, gjysmën tënde, atëherë kur ti martohesh. Atëherë dhe vetëm atëherë, ata do të thonë se më në fund jeni kompletuar. Kjo natyrisht është një gënjeshtër, sepse përfundimi nuk ndodhet askund tjetër përveç tek Zoti.
Por, ajo çfarë keni mësuar qysh në fëmijëri, nga çdo tregim, çdo këngë, çdo film, çdo reklamë, është se ju nuk mund të jeni të kompletuar në mënyra tjera. Dhe, Zoti mos e bëftë, nëse jeni prej atyre që nuk jeni martuar akoma, apo jeni divorcuar, atëherë ju do të konsideroheni si e mangët apo jo e kompletuar në disa forma.
Ajo çfarë keni dëgjuar është se gjithçka përfundon me martesë, dhe pastaj atëherë nis parajsa. Atëherë, do të jeni të sigurt, të kompletuar dhe gjithçka që është rrënuar më parë tani do rregullohet. Problemi i vetëm është se këtu nuk përfundon tregimi. Këtu fillon. Këtu fillon ndërtimi: ndërtimi i një jete, formësimi i karakterit tuaj, ngritja e sabrit, durimit, vendosmërisë dhe sakrificës. Ngritja e vetëmohimit. Ndërtimi i dashurisë.
Dhe nisja i rrugëtimit tuaj drejt Tij.
Por, nëse personi me të cilin jeni martuar bëhet përqëndrimi kryesor në jetën tuaj, beteja juaj vetëm sa ka filluar. Tani, partneri juaj do të jetë sprova juaj më e madhe. Përderisa nuk e largon atë person nga vendi që zë në zemrën tuaj, vend që i përket vetëm Zotit, ajo do të lëndojë. Në mënyrë ironike, partneri juaj do bëhet shkaktari i këtij procesi të dhimbshëm, derisa ta kuptosh që janë disa vende në zemrën e njeriut që janë krijuar vetëm nga Zoti dhe vetëm për Të.
Ndër mësimet që nxjerrim gjatë këtij rrugëtimi – pas shumë humbjesh, fitimesh, dështimesh, suksesesh dhe shumë gabime tjera – është se kuptojmë se janë së paku dy lloje të dashurisë. Do të ketë njerëz që i doni për atë se ju përfitoni nga ata: çfarë ju japin juve dhe si ju bëjnë të ndiheni. Kjo përbën pjesën më të madhe të dashurisë – e cila është ajo që bën që dashuria të jetë e lëkundshme.
Aftësia e një njeriu për të dhuruar është e paqëndrueshme dhe e ndryshueshme. Përgjigjja juaj ndaj asaj qe u është dhuruar është gjithashtu e paqëndrueshme dhe e ndryshueshme. Pra, nëse vihesh pas një ndjenje, ju gjithmonë do të jeni në kërkim të saj. Asnjë ndjenjë nuk është e përhershme. Nëse dashuria varet nga kjo, atëherë edhe ajo bëhet e paqëndrueshme dhe e ndryshueshme. Dhe ashtu si çdo gjë tjetër në këtë botë, sa më shumë i afrohesh, aq më shumë do të largohet.
Por, ndonjëherë, hyjnë në jetën tënde njerëz që ti i do jo për atë çfarë ju dhurojnë, po për atë çfarë janë. Bukuria që e gjeni tek ata vie nga Krijuesi, prandaj edhe i doni ata. Papritur, nuk ka më rëndësi çfarë merr, por çfarë mund të japësh. Kjo është dashuri jovetjake. Ky lloj i dashurisë është më i rralli. Dhe nëse ajo mbështetet në dashurinë e Zotit, duke mos i bërë krahasim, atëherë ajo do të sjell kënaqësinë më të madhe. Të duash në ndonjë formë tjetër është dëshirë për të qenë i varur, të jemi në pritje – pra çdo gjë që e bën këtë të tmerrshme dhe zhgënjyese.
Pra, për të gjithë ata, të cilët kanë kaluar jetën në kërkim të saj, dijeni se dëlirësia e çdo gjëje vjen nga vet Burimi. Nëse po kërkon dashuri, kërkoje atë nga Zoti. Çdo mënyrë tjetër që nuk buron nga dashuria e Tij, helmon atë që pi nga ajo. Dhe ai do të vazhdojë të pijë, derisa helmi e vret atë. Ai do të vdes dalëngadalë në brendësi, derisa të ndalet dhe të gjejë burimin e pastër të ujit.
Atëherë, kur fillon që çdo gjë të bukur ta shohësh si burim nga Zoti, ti do të mësosh të duash ashtu siç duhet: për hir të Tij. Çdo gjë dhe çdo kush të cilin e don, kjo dashuri do të jetë për Të, përmes Tij dhe për shkak të Tij. Krijuesi i kësaj dashurie është Zoti. Dhe ajo çfarë keni në brendësi nuk do të jetë më një ndjenjë e përkohshme, një emocion i çastit. Dhe tani ajo çfarë kërkon nuk do të jetë me e përkohshme. Ajo çfarë keni brenda, ajo çfarë kërkoni, ajo çfarë e doni, do të jetë Zoti: I Vetmi I Përhershëm dhe I Qëndrueshëm. Pas kësaj, çdo gjë do shkojë përmes Tij. Çdo gjë që dhuroni, merrni, doni apo nuk doni do të vije nga Ai. Jo për hir të vetes suaj, por për hir të Tij.
Kjo nënkupton se ti do të duash atë çfarë don Ai dhe do të urresh atë që Ai urren. Dhe kur do të duash krijesat, nuk do ta bësh për atë se çfarë do të mund të dhurojnë ty. Ti do të duash, dhe do të japësh dashuri, por ty do të të mjaftojë Ai. Dhe ai që mjaftohet me Zotin, është më i pasuri dhe më zemërgjeri. Dashuria jote do të vij nga Ai, për Të dhe për hir të Tij. Kjo është lirim i vetes nga skallvëria ndaj çdo krijese. Dhe kjo është liri, kjo është lumturi.
Ajo është dashuria.
Autore: Yasmin Mogahed
Perkthyen :A.S dhe D.S/motraime