Kjo është një pyetje që e ka bërë një herë një thirrës, përgjigja e së cilës është shumë e vështirë për njeriun: Sikur dikush të trokiste në derë dhe pasi ta kesh hapur të shohësh të Dërguarin e Allahut sal-lallahu alejhi ue selem në derë, cili do të kishte qenë reagimi yt?!… A do t’i shprehje mirë se ardhjen dhe do të gëzoheshe me vizitën, për shkak se e dije që i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem do të gëzohej për jetën tënde, që është ndërtuar mbi programin që ka vendosur Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe se do të mësonte, se sakrifica dhe durimi që ai sal-lallahu alejhi ue selem ka bërë, i ka dhënë frytet e veta tek ti?…
A do të kërkoje prej tij që ta shtynte vizitën dhe të të jepte edhe një herë rastin për të korrigjuar veprat e tua dhe për të kompensuar ato që nuk i ke bërë?!… A do të jesh prej atyre që do të dëshironin që t’i përpinte toka apo të ishin dhe’ nga turpi i pranisë së Profetit sal-lallahu alejhi ue selem pasi më parë ke humbur fenë dhe Sunetin dhe je treguar neglizhent në to?!
Pavarësisht se pyetjet janë hipotetike, pra, është e pamundur që të bëhet realitet, e vërteta qëndron se një trajtë e saj do të bëhet realitet në Ditën e Gjykimit, kur engjëjt do të shkojnë bashkë me gjynahqarët për t’i paraqitur për llogarinë, ndërkohë që i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem do t’i mbrojë ata dhe engjëjt do t’i drejtohen atij me fjalët: “Ti nuk e di se çfarë kanë shpikur pas teje”. Pavarësisht kësaj, përgjigja për këtë pyetje do të garantonte ndryshime të shumta në jetën tonë, do t’i vendoste gjërat në vendin e duhur dhe gjërat do të peshoheshin me peshën e Sunetit: Çfarë do të bënte i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem dhe shokët e tij në këtë apo atë situatë?!
Ata që dëshirojnë të ndërtojnë një jetë në këtë mënyrë janë ata që shpresojnë të rikthejnë edhe një herë përparësinë në mirësi dhe pozitë që kishin yslima, kur i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem u tha: “Shekulli më i mirë është shekulli im. Sahabet janë mbrojtësit e ysli tim.” Këto fjalë janë thënë në ditët kur umeti i tij ishte umeti më i mirë që ka njohur njerëzimi “Urdhëroni për mirë, ndaloni të keqen dhe besoni tek Allahu.”
Sahabet ishin njerëzit e parë që ndoqën rrugën e shembullit të plotë, sidomos pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem. Ata shkonin tek nënat e besimtarëve për t’i pyetur se si vepronte i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem në situata të caktuara dhe të shumta, madje Abdullah ibën Omeri i ndiqte hapat e të Dërguarit të Allahut dhe ecte në rrugët në të cilat ecte ai dhe thoshte: “Ndoshta këmbët e mia bien mbi ndonjë nga gjurmët e këmbës së tij”. Këtë e bënte duke shpresuar se do t’i faleshin gjynahet.
Gratë sahabe përfituan nga mirësia e dijes dhe e nxënies, nga shoqërimi dhe qenia e tyre sahabe aq shumë shpërblime sa ia kaluan edhe burrave. Ata që hamendësojnë se gruaja në kohën profetike dhe kalifatet islame ishte e burgosur brenda katër mureve janë injorantë. Gjithashtu janë edhe ata që mendojnë se ajo dilte nga shtëpia vetëm kur shkonte për në varr, apo se roli i saj ishte i kufizuar vetëm në lindjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre, edhe pse këto të fundit janë vepra me mirësi të shumta. Në mesin e këtyre grave ka pasur nxënëse dijeje, siç ishte Aishja, tregtare dhe biznesmen siç ishte Hatixheja dhe Hindi, e bija e Utbes, ka pasur luftëtare siç ishte nëna e Amrit dhe Esmaja dhe Hasnaja, ka pasur infermiere siç ishte Refide el Eslemije, ka pasur ministre finance siç ishte Shefa el Kurejshie, ka pasur poete siç ishte Sekineja, e bija e Husejnit dhe Mejsun Bahdeliej.
Shembuj të tillë ka aq shumë, sa nuk mund të numërohen. Jeta e tyre, ashtu siç pasqyrohet në histori ishte në harmoni, ku nuk kishte dallim mes besimit, ndjekjes së Profetit sal-lallahu alejhi ue selem dhe marrjes së shembullit prej tij, hapjes ndaj shoqërisë, mësimit dhe punës. Koha kur ato jetuan nuk ishte pa sfida dhe pa marrëdhënie të reja dhe emergjente, sipas vendit dhe kohës, por juristët e asaj kohe nuk ishin juristët e ndalimit, vetëpërmbajtjes dhe mburojës. Po të kishte qenë kështu dija e tyre nuk do t’i kishte bërë ballë kohës sonë, së cilës nuk i dallohen këmbët nga koka, për shkak të ndryshimit të saj të shpeshtë, ndërsa ne vazhdojmë të udhëzohemi prej tyre deri edhe në ditët e sotme.
Në vendet tona ne ndahemi në shafi, hanefi, hanbeli dhe maliki dhe ende i trashëgojmë brez pas brezi dhe përhapim lajmin e mirë, se origjina e gjërave është lejimi (d.m.th janë të lejuara) për aq kohë sa nuk është provuar e kundërta me një tekst fetar të prerë.
Jeta e grave sahabe dhe tabi’ine ishte larg ashpërsisë së tepruar apo neglizhencës pakufi. Në atë kohë shoqëria islame nuk e kishte shijuar ende hidhërimin e teprimit sa majtas apo djathtas. Slogani tyre ishte: “Përgëzoni dhe mos i largoni njerëzit, lehtësoni dhe mos vështirësoni.”
Kjo jetë e butë, e pastër dhe e mbushur me arritje e meriton që të jetë një referencë për gratë e kohës sonë. Ne jemi hutuar mes atyre që dëshirojnë të na privojnë nga shoqëria në emër të fesë dhe atyre që dëshirojnë të na largojnë nga ajo që përfaqëson feja dhe përkushtimi ndaj saj, duke e konsideruar këtë të fundit si një kthim në mesjetë dhe në prapambetjen e asaj kohe.
Ata nuk e dinë se mesjeta ishte koha e dijes dhe e zhvillimit për myslimane, ndërkohë që Evropa po mbytej në humnerën e hutimit dhe të shpërbërjes, dhe kjo sipas dëshmisë së armiqve përpara dëshmisë së miqve, me dëshminë e atyre që na urrejnë përpara dëshmisë së atyre që tregohen objektiv.
Ajo ishte një jetë që e meriton të kujtohet, sa herë që ndodhemi përpara një situate të panjohur me të cilën nuk dimë se si të sillemi, a ta marrim apo ta lemë? A të bëjmë përpara apo të stepemi? Të paguajmë taksën e pranimit apo të durojmë pasojat e refuzimit të saj?
Ajo është një jetë që e meriton të kujtohet nga gratë e arabëve, të cilat sulmojnë faqet e Facebookut për së gjëri dhe për së gjati, majtas dhe djathtas, sidomos ato gra të cilat kanë zgjedhur rrugën e Islamit, mirësisë dhe nderit.
Si do të vepronin gratë sahabe në Facebook, nëse do të ishin në vendin tonë?
A do ta refuzonin këtë ide me rrënjë me argumentin se ajo është një faqe spiunimi e shkallës së parë? Apo do të kujtonin traditën e të Dërguarit të Allahut sal-lallahu alejhi ue selem dhe ysliman, që thotë se lufta është dredhi, se shpata që vdes është po e ajo që mbron jetën, se përdorimi i këtij mjeti me urtësi mund t’ia kthejë magjistarit magjinë kundër vetes së tij, se mund t’i kthejë kurthet kundra atij që po i thur ato?
Le të supozojmë, se ato do ta përdorin këtë mjet për të pasur kontakte sociale, një mjet i cili është bërë mjaft i famshëm dhe i përhapur, ndikimi i të cilit ka përfshirë të gjitha anët e globit. Por si do ta përdornin ato? Për të ruajtur marrëdhëniet farefisnore? Për të kontaktuar me familjen dhe shokët? Për t’iu sjellë dobi muslimanëve dhe për t’iu kundërvënë armiqve me të njëjtin mjet dhe me të njëjtën gjuhë?
Çfarë mund të themi për përzierjen elektronike mes burrave dhe grave, që i tejkalon normat, që hap dyert e komunikimit dhe familjarizimit përmes eliminimit të mundit për të komentuar gjithçka të rëndësishme, të kotë, me dobi apo thjesht për kompliment qoftë, pa përmendur këtu reagimet që e shoqërojnë këtë komunikim, siç është zemërimi dhe e qeshura elektronike, këmbimi i urimeve në gëzime dhe ngushëllimeve në fatkeqësi?
Ndonjëherë ne nuk dimë për këtë person apo “persone” të renditur në tabelën e shokëve asgjë tjetër përveç emrit dhe se ata janë shokët e shokëve të shokëve të shokut tim deri në shokun e shtatë. Në traditën e Facebookut konsiderohet një sjellje e paedukatë dhe pashije, nëse ti refuzon një ftesë nga ky shok, të cilin nuk e ke njohur kurrë në jetën tënde.
Dikush mund të thotë: “Por përse gjithë ky shtrëngim ndaj Facebookut? A nuk është kjo natyra e shoqërisë në të cilën jetojmë, përfshi këtu edhe shoqërinë e përkushtuar ndaj fesë? Punët e burrave dhe grave janë shtuar në mënyrë të barabartë në pjesën më të madhe të projekteve fisnike dhe objektive dhe Facebooku nuk është gjë tjetër veçse një reflektim i këtij realiteti.”
Dikush tjetër mund të thotë: “Çfarë është kjo mendësi akuzuese, që supozon se çdo marrëdhënie mes burrit dhe gruas mund të çojë në katastrofa?! A nuk qëndronin rreshtat e grave sahabe pas rreshtave të burrave në xhami dhe në mejdanin e luftës?!... Pavarësisht kësaj historia nuk ka shënuar asnjë rast degjenerimi apo shthurjeje që ta kenë përjetuar arabët në faqet e Facebookut! A janë këta njerëz ndryshe nga ata njerëz, apo dynjaja dhe situatat ka ndryshuar?
A nuk është Islami i përshtatshëm për çdo kohë dhe çdo vend? A nuk është feja aq e fuqishme sa t’i bëjë ballë çdo të ligu, sado e madhe qoftë forca e tij? A nuk themi se feja është e fortë dhe pastaj e ekspozojmë veten tonë ndaj Zjarrit pa zotëruar asnjë mjet për t’u përballur me këtë zjarr, që mund të përpijë identitetin dhe parimet tona? Apo gjendja jonë do të bëhet si gjendja e atij që u zhyt në ujë për të shpëtuar, por që nuk dinte not me mendimin se ishte një mal që nuk mund ta lëkundë era? Apo ashtu siç thotë poeti:
E hodhi në det me duar të lidhura
Pastaj i tha bëj kujdes se mos lagesh.
Por deri kur do t’i trajtojmë zhvillimet e reja, ashtu siç i trajton xhandërmaria dhe forcat anti-rrëmujë popujt arabë, apo më e mira në këtë rast është që të mos dëgjosh dhe as të mos flasësh, të largohesh nga e keqja dhe t’i këndosh asaj këngën, të mbyllësh derën nga vjen era dhe të ecësh anash murit?!
Nëse i Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem do ta shihte faqen time personale, a do të gëzohej për të?! Nëse gratë sahabe do të kishin qenë gjallë në ditët tona, çfarë do të bënin?!…
Përgjigja ka nevojë për një dijetar të shkëlqyer, që do të kishte eksperiencën, njohurinë dhe përvojën e duhur dhe që të mos e kishte të thjeshtë ndalimin, ashtu siç pihet uji. Një dijetar që të hapte horizontet në mënyrë të atillë, që urtësia të ishte sendi i humbur i besimtarit, që kudo që ta gjente ta meritonte më shumë se të tjerët, por pa e humbur atë pjesë të identitetit që ende ka mbetur tek muslimanet dhe edukata e tyre. Ne, gratë arabe kemi nevojë për frena dhe rishikim, kemi nevojë që kontrollori ynë të jetë i ndjeshëm “Mirësia është ajo ku njeriu e ndjen veten të qetë dhe gjynahu është ai që të ngacmon gjoksin dhe nuk dëshiron që ta mësojnë njerëzit”. Me këtë ndërgjegje fetare, a mendon se faqet tona të Facebookut do të mbeten ashtu siç janë?! A do të na mbetet ndonjë faqe?! A është ky debat “hanbeli” më tepër se sa duhet, apo është në vendin e duhur? Të gjithë këto janë pyetje që më paraqiten sa herë që e hap të ashtuquajturin Facebook.
Autore ;Dejma Tehbub
Nga arabishtja: Genc PLUMBI
albislam