Ndalu që tani dhe analizo sërish vetveten!
Nga gjërat më të shkëlqyera të edukatës së mirëfilltë është llogaritja e vetvetes në mënyrë të vazhdueshme, ngase “I aftë është ai që llogarit vetveten dhe punon për botën tjetër, kurse i paaftë është ai që ndjek epshin dhe shpreson që Allahu ia falë.”
Mejmun b. Mehrani kishte thënë: “Njeriu nuk arrin devotshmërinë për shkak se nuk e llogarit veten ashtu siç llogarit ndonjëri ortakun e tij duke u interesuar prej nga e ka ushqimin dhe rrobat.”
Omër b. Hattabi ka thënë: Llogariteni vetveten para se t’ju llogarisin. Kërkoni të drejtën në veprat tuaja para se t’ju kërkojnë. Matni punët para se t’ua masin, sepse është më lehtë se llogaritja e të nesërmes. Zbukurohuni për ditën e ekspozitës së madhe “Atë ditë ju do të ekspozoheni (para Zotit), duke mos mbetur fshehtë asnjë sekret juaji.”
Hasen Basriu ka thënë: Njerëzit që do ta kalojnë më lehtë llogarinë ditën e kiametit janë ata që për hir të Allahut kanë llogaritur vetveten në dynja dhe janë marrë me punët dhe brengat e tyre. Llogari të rëndë do të kenë ata që gjërat i lanë pas dore dhe e gjejnë se Allahu ua ka shënuar edhe punët më të imta, prandaj do të thonë: “Të mjerët ne, ç’është puna e këtij libri që nuk ka lënë as (mëkat) të vogël e as të madh pa e përfshirë?, dhe atë që vepruan e gjejnë të gatshme – të pranishme, e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt.”
Tani pyetemi: A ka ndonjë të drejtë?
A ka ndonjë baba apo nënë të vetëdijshëm që do të heq dorë nga ankesat, britmat e vajtimet kur janë në pyetje gabimet dhe sjelljet e pahijshme të fëmijëve dhe gjërat t’i shikojë nga një kënd tjetër. Të ndalet dhe të rianalizojë veten..?!
Pse të mos ndalet babai apo nëna për një çast me vetveten, apo që të dy së bashku dhe t’i ndihmojnë njëri tjetrit për të larguar nga supet e tyre këtë barrë të rëndë, për t’i rehatuar zemrat duke pranuar qoftë edhe fshehurazi, duke shkruar në letër tre gabimet më të mëdha që i ka bërë kundrejt fëmijëve të tyre? Ndoshta ky pranim i gabimit do të gjejë vendin e duhur duke ua shpërndarë prindërve të tjerë të hutuar, ndoshta ata mund të përmirësohen dhe nuk do t’i përsërisin gabimet.
Pse të mos mësojmë nga gabimet e tjerëve? Pse të mos përfitojmë nga përvojat e tjerëve? Ky është çelësi i zhvillimit kah më e mira. Që këndej do të fillojë ndryshimi, me lejen e Allahut, qoftë në nivel të individit apo shoqërisë me ndihmën e njerëzve të sinqertë dhe me dëshirë për të bashkëpunuar. Allahu e ndihmon robin e Tij nëse ai e ndihmon vëllanë e vet “Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.”
Gabimet më të njohura dhe më të mëdha të prindërve:
Ishte një përvojë e rrallë dhe e shkëlqyer anketa e fshehtë më prindër që bëri sektori për zhvillim pranë qendrës shëndetësore për fëmijë në Demenhuer. Pyetjet silleshin rreth çështjes se cilat janë tre gabimet më të mëdha që një prind gjykonte se kishte bërë ndaj fëmijëve të vet, për të cilat ishte penduar dhe nuk dëshironte që tjetërkush t’i bëjë të njëjtat?
Përgjigjet silleshin rreth kësaj:
Gabimi i parë: Doket stërgjyshore:
Është fjala për metoda të vjetra të trashëguara të sjelljes që i përdorin prindërit kundrejt fëmijëve të tyre. Ato në fakt janë metoda me të cilat janë sjellë prindërit e tyre (gjyshërit). Madje të njëjtat nuk i kanë pranuar nga prindërit e tyre, qoftë edhe në mënyrë të fshehtë.
Me këto metoda kemi për qëllim ato zakone familjare që na sundojnë nga larg dhe veprojnë mbi ne si Remote Control.
Mënyrat më të shpeshta të shfaqjes së kësaj dukurie?
1. Mbivlerësimi i djemve ndaj vajzave:
Kjo sjellje edhe nëse shfaqet thjeshtë me shikime, me prekje të rëndomta apo buzëqeshje ironike, ato japin mesazhe vrasëse dhe shkatërruese që i kuptojnë fëmijët e mprehtë që më pas i komentojnë nga këndvështrimi i tyre fëmijëror si egoizëm.
2. Mbivlerësimi i më të madhit ndaj më të voglit:
Qoftë edhe vetëm me marrjen e fëmijës më të madh në shumicën e udhëtimeve të prindërve apo me afrimin e tij në ndejat e tyre.
3. Lënia e dialogut apo mënyra e gabuar e dialogut:
Prindërit, ose nuk dëgjojnë prej fëmijëve, nuk flasin dhe nuk bëjnë dialog me ta, ose mënyra e dialogut të tyre kryhet jashtë normave edukative, jo e drejtë dhe zakonore, për shembull: fëmija nuk iu flet prindërve përpos duke qëndruar në këmbë e jo ulur. Kur të flas me ta duhet të qëndrojë larg e jo afër!
4. Vijat e kuqe të shumta:
Madje, edhe nëse janë me pretekst të respektit, shenjtërimit dhe madhërimit. Në kësi lloj ambientesh i sheh fëmijët se nuk guxojnë të flasin me babanë, të rrinë me të, të afrohen. Në këtë shtëpi shenjat e ndalimit dhe vijat e kuqe janë të shumta dhe ajo familje jeton nën ligjin e emergjencave.
5. Gabime tjera të sjelljes prindërore edhe atë si rezultat i shkaqeve që i përmendëm.
Cilat janë shkaqet kryesore të kësaj dukurie:
1. Ambienti i izoluar:
Kjo ndodh kur një familje trashëgon disa doke të veçanta për të pastaj e ka vështirë të lirohet nga ato edhe për një milimetër. Thirren në parullën “Familja jonë është me traditë”. Kjo familje jeton brenda këtyre barrierave që i ka sajuar me duart e veta. Këtë e mbështet me fjalën “Kështu jemi edukuar dhe me këtë kemi shpëtuar”.
2. Kultura e mangët:
Kjo ndodh kur prindërit mbyllen përbrenda një kulture të kufizuar dhe nuk gjejnë motivacion për të lexuar metodat e reja pedagogjike dhe artin e sjelljes me fëmijët. Nëse ua tërheq vëmendjen për rëndësinë e kulturës pedagogjike apo i fton të prezantojnë në ndonjë seminar me tematikë të këtillë të bëjnë ballë me fjalët: “Mos filozofoni dhe mos i komplikoni gjërat, por lini ashtu si janë”.
3. Izolimi nga shoqëria:
Kjo ndodh kur dy prindërit nuk e njohin realitetin në të cilin jetojnë, nuk i dinë rrethanat mes të cilave gjenden fëmijët e tyre, apo kur i lënë pas dore ndryshimet e vazhdueshme në kohë, vend dhe breza.
Medito mirë rreth fjalës së Aliut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Edukoni fëmijët ndryshe nga edukata juaj sepse ata u krijuan në një kohë ndryshe nga koha juaj”.
Një çast me vetveten:
Ne, të gjithë prindërit, e kemi për obligim të ndalemi shumë me vetveten, të rishikojmë vetveten dhe t’i hapim dosjet e gabimeve tona me fëmijët tanë. Le të fillojmë të ecim në rrugën e autokritikës nën hijen e këtyre shkëndijave pedagogjike:
1. Kur’ani zmbraps doket stërgjyshore dhe qorton sjelljet e tyre të këqija:
“A pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij: “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre”
“Ata i gjetën dhe shkuan pas prindërve të tyre të humbur. Ata u ngutën dhe shkelën hapave të tyre (pa menduar).”
2. Përse i mëshojmë me ngulm prerjes së kokës dhe bishtit të peshkut?
Është një tregim interesant, ku thuhet se një njeri hëngri peshk te shoku i tij. Atij i pëlqeu shumë dhe kur u kthye në shtëpi ia lavdëroi shumë bashkëshortes së vet ushqimin e peshkut dhe mënyrën se si ishte përgatitur, sidomos faktin se kokën dhe bishtin e peshkut e pritnin. Bashkëshortja e tij shkoi menjëherë te bashkëshortja e shokut të burrit për ta pyetur për fshehtësinë e ndikimit të prerjes së kokës dhe bishtit në shijen e peshkut. Ajo i tha se e kishte mësuar prej një shoqeje të saj. Bashkëshortja i shkoi edhe kësaj shoqeje, mirëpo ajo i tha se e kishte mësuar nga nëna e saj. Kur e thirri nënën për ta pyetur, ajo i tha se e kishte mësuar nga nëna e saj! Iu lajmërua edhe gjyshes së nderuar e të mençur dhe kjo e fundit ia zbuloi sekretin e madh që të gjithë brezat e kërkonin, pa u munduar të pyeste për shkakun. Gjyshja filloi t’u tregonte se nuk kishte pasur pos një tavë të vogël që s’kishte mundur të fuste të tërë peshkun.
Kështu e kuptuam fshehtësinë e madhe në këtë imitim zinxhiror dhe ngurtësim mendor që përsëritet përjetshëm: doket stërgjyshore të shumëformshme: pra është një imitim i verbër që nuk lë ndërmend të pyes për arsyen.
3. A jemi të marrë?
Këto doke paraqesin formën më të qartë të marrëzisë, për këtë arsye Albert Ajnshtajni e përkufizoi marrëzinë kështu: “Të vazhdosh të bësh një gjë të njëjtë, në mënyrë të njëjtë dhe të presësh që për çdo veprim të arrish rezultate të ndryshme”.
Më thuaj për Zotin tënd: si do të zhvillohemi, si do të përparojmë, si do të ndryshohemi dhe si shpresojmë të kemi breza më të mirë për një të ardhme më të mirë kur ne i përsërisim gabimet e njëjta?
Lari Kjung, një themelues i shumicës së forumeve më të njohura ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kujdesin ndaj fëmijëve thotë: Një prej shtatë gabimeve themelore më të rrezikshme që i bëjnë prindërit kundrejt fëmijëve të tyre është: mosmarrja shembull nga gabimet e kaluara.
4. Pse kafshohemi nga e njëjta zgavër dy herë?!
Kjo është marrëzi. Është shkak i zi për çdo gabim që përsëritet. Për këtë arsye Pejgamberi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, tërhiqte vërejtjen nga kjo gjë, duke thënë: “Besimtari nuk kafshohet dy herë nga e njëjta zgavër..” E përse, pra, të vazhdojmë të kafshohemi, madje, nga e njëjta zgavër?
5. Shërimi me njohjen e shkaqeve:
Të kërkojmë te vetvetja shkaqet që përmendëm, në mënyrë që së bashku t’i shërojmë.
Të pyesim vetveten:
a) a jemi robër të një ambienti të izoluar që na ka mbyllur mendjet dhe na ka prangosur mendimet. I kemi bërë padrejtësi vetvetes dhe i kemi lodhur të dashurit tonë? Përse të mos i thyejmë këto pranga..?
Përse të mos lirohemi nga ato..?
Pse të mos lirojmë vetveten dhe kështu të lirohen fëmijët tanë..?
b) a kemi kulturë të cekët..?
pse nuk e ndryshojmë vetveten..?
pse të mos prezentojmë në ndonjë seminar që ka të bëjë me edukimin e fëmijëve dhe kështu të zhvillohemi dhe ripërtërihemi?
Pse nuk lexojmë madje asnjë libër mbi edukimin e fëmijëve dhe të ngremë kulturën tonë të cekët?
c) vallë, akoma kundërshtojmë atë që zbulon realitetin tonë dhe nuk pranojmë ndryshimin?
Pse nuk kuptojmë gjërat që na rrethojnë neve dhe fëmijët tanë dhe të bashkëveprojmë me to me zhdërvjelltësi dhe butësi. Të kuptojmë epokën e fëmijëve tanë, sjelljen e tyre?
d) pse nuk strehohemi nën shtyllën e palëkundshme?
Tani, pasi që i mësuam gabimet, format e shfaqjes së tyre, shkaqet, le t’i veprojmë shkaqet për të rianalizuar vetveten dhe t’i shërojmë gabimet tona? Mirëpo këtë guxim për të kritikuar vetveten nuk e arrijmë pos duke lutur vazhdimisht Allahun e madhëruar: “Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit jobesimtar!”
Falënderimi i takon Allahut me ndihmën e të cilit plotësohen veprat e mira.
DR. HAMDI SHUAJB
Shqipëroi: Agim Bekiri
albislam\MotraIme