Se Nata e Kadrit ka një vlerë të madhe kanë dëshmuar Kur’ani dhe Sunneti. Ajo, siç qëndron në Kur’an, është më me vlerë se sa njëmijë muaj (Kur’an: El-Kadr, 3) dhe se falja në të, siç qëndron në hadith (Buhariu dhe Muslimi), i shlyen mëkatet e mëparshme.
Ajo që vërehet në këto tekste, veçanërisht në hadithe, është se madhështore gjithsesi janë dhe veprat e përzgjedhura për tu bërë në këtë natë. Nuk është vetëm falja e namazit, siç u aludua në hadith, ajo që ka një rëndësi të madhe; është dhe lutja, madje një lutje e caktuar.
Tirmidhiu transmeton nga nëna e besimtarëve, Aisheja [radijaAllahu anha] se ajo i paskësh thënë Pejgamberit [alejhis salatu ves selam]: “Thashë:
O i Dërguari i Allahut, çfarë thua nëse e di se cila natë është Nata e Kadrit, çfarë të them – lutem në të? Tha: Thuaj: Allahumme, inneke Afuvvun, tuhibbul afve, fa’fu anni – O Zoti im, Ti je Falës, e do faljen, më fal mua!”
(Albani në Sahihu-t-Tirmidhijj, 3513, e vlerëson autentik.)
Sigurisht, hapësira për tu lutur edhe me lutje tjera është në dispozicion të besimtarëve, porse të përmbajturit kësaj lutjeje, të cilën Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ia mësoi Aishes [radijAllahu anha], e nëpërmjet saj tërë ummetit, ka urtësinë dhe domethënien e vet.
Atëherë, cila është kjo urtësi?
Përse pikërisht kjo lutje me këtë formulim?
Për të kuptuar këtë, do t’i referohemi domethënies së emrit të Allahut “El-Afuvv”, që është përmendur në këtë lutje.
Cila është domethënia e tij?
Përse është përdorur ky emër e jo emri tjetër, Gafir, Gafur ose Gaffar, që po kështu ka kuptimin e faljes?
Përse, për Natën e Kadrit në të cilën siç u përmend në hadith falen mëkatet, u preferua kjo lutje? Çfarë ndikimi ka ajo tek mëkatet?
Çfarë është rëndësia dhe cili është ndikimi i tij edukativ tek besimtari?
Këtyre dhe disa gjërave tjera të ngjashme do të mundohemi tua gjejmë përgjigjet nëpërmjet shtjellimit gjuhësor dhe fetar në vijim, e që kanë një ndërlidhje të madhe, që do t’i bëjmë këtij emri në vijim.
El-Afuvv gjuhësisht ka dy kuptime, që secila prej tyre ka një ndikim të jashtëzakonshëm tek besimtari.
1) Fshirje dhe largim.
Kjo, në kontekst të emrit të Allahut të Madhëruar, përdoret për të fshirë gjurmët e mëkatit. Pra, jo vetëm që falet, porse nuk figuron fare. Kështu, falja e mëkateve në Natën e Kadrit është e veçantë, ngase jo vetëm që e fal mëkatin, por edhe e shlyen atë. Ai nuk figuron fare në listën e verpave të besimtarit.
Ka mëkate që Allahu i fal por që ato vazhdojnë të mbesin në listën e veprave të njeriut. Këtu qëndron pikërisht dallimi ndërmjet këtij emri të Allahut dhe emrave tjerë Gafir, Gafur, Gaffar. Këta kanë kuptimin e faljes por jo edhe të shlyerjes nga lista. (Gazali: El-maksad el-esna, 1/140)
Nga kjo nënkuptohet dhe një nëndarje e besimtarëve, pasi që ka të atillë, që meritojnë t’iu falen mëkatet dhe të mos iu përmenden fare se iu janë falë, ndërsa ka të tjerë, që nuk janë në këtë rang të devotshmërisë, por të cilëve iu falen mëkatet megjithatë iu përmenden. Iu përmenden për t’ua kujtuar mirësinë e Allahut të Madhëruar ndaj tyre dhe se si ata nuk do të mund të shpëtonin po të mos ishte falja e Tij. Për këta na mëson Pejgamberi [alejhis salatu ves selam].
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Omeri hadithin në të cilin Allahu i flet robit të Vet, e kur ky i fundit të pranojë veprat – mëkatet, atëherë Allahu e fal. I thotë, siç qëndron në hadith: “...por, Unë t’i kam mbuluar këto mëkate në dunja dhe sot po t’i fali!”
Pra, besimtari që bën duanë e lartpërmendur në Natën e Kadrit sikur e lut Allahun e Madhëruar që përveç faljes së mëkateve t’i dhurojë edhe këtë mirësi shtesë, që t’i falen mëkatet dhe t’i shlyhen nga lista.
2) Mirësi e madhe/shumtë.
Emri El-Afuvv nënkupton se Zoti jep shumë, mirësia e Tij është e pakufishme. Pra, besimtari e lut Allahun e Madhëruar që t’i jap më të mirën, atë që ka vlerën më të madh, t’ia mundësojë arritjen e gradave të larta. Kështu na ka mësuar Muhammedi [alejhis salatu ves selam].
Ka thënë: “Kur ta lusni Allahun për xhenetin, atëherë luteni për Firdevsul ala (shkalla më e lartë e xhenetit), pasi ajo është më e larta e xhenetit, është në mes të xhenetit dhe kulmi i tij është Arshi i Mëshiruesit (Allahut).” (Buhariu)
Kështu, në këtë natë të madhe, nuk ka vend të lutet Allahu i Madhëruar për çfarëdo gjëje. Ajo për të cilën duhet ta lutësh Allahun duhet të jetë e shtrenjtë.
Çfarë përfshin ky Emër i Allahut të Madhëruar?
1) Përfshin faljen e të gjitha mëkateve
Besimtari që e lut Allahun në Natën e Kadrit, veçanërisht ai që pendohet, bën istigfar (kërkim falje). Kjo ngase është premtim i Allahut të Madhëruar që t’i fal të gjithë ata që angazhohen për faljen e mëkateve.
“Nuk ka dyshim se Unë e fal atë që është penduar, që ka besuar, që ka bërë vepra të mira dhe që përqëndrohet për në rrugën e drejtë.“ (Taha, 82)
2) Përfshin të gjithë mëkatarët
Pra, askush nuk e ndien vetën në këtë natë se është i përjashtuar, se nuk ka të drejtë të pendohet, se nuk e ka mundësinë t’i kthehet Allahut. Në këtë natë, me thënien e kësaj duaje, thirrjet e Allahut të Madhëruar për t’i falë robërit e Tij bëhen më të fuqishme se kurrë më parë.
“Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Ez-Zumer, 53)
“O biri i Ademit, ty, përderisa ti më lut dhe shpreson në Mua, do të t’i fal mëkatet dhe nuk bezdisem fare…”(Transmeton Timridhiu ndërsa Albani thotë se është hasen li gajrihi.)
Ndikimi edukativ i domethënieve të emrit El-Afuvv tek besimtari
1) Modestia
Besimtari mëson se pa faljen e Allahut, nuk mund të shpëton, andaj shfaq varësinë maksimale ndaj Tij, nuk mashtrohet me atë që ka bërë, përkundrazi, përpiqet shumë e më shumë vetëm që t’i falen mëkatet.
2) Falja
Nëse Allahu na fal neve, pra na bën afv, atëherë pse ne të mos i falim të tjerët. Ose më qartë, nëse fal, harroje të keqen. Mos ia përmend kurrë. Kur hipokritët akuzan Aishen [radijAllahu anha] në moral, ndër ata që foli keq për të ishte dhe Mistah ibn Ethatheh, një i afërm i Ebu Bekrit [radijAllahu anhu].
Kjo gjë e shqetësoi pa masë Ebu Bekrin, andaj u betua se më kurrë nuk do t’i ndihmonte. Atëherë Allahu i Madhëruar shpalli: “Të ndershmit dhe të pasurit nga ju, të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të All-llahut lanë vendlindjet e tyre, po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’u falë ju? All-llahu falë dhe mëshiron shumë.” (En-Nur, 22)
Kur Ebu Bekri dëgjoi këtë tha: Po, pasha Allahun, unë kam dëshirë të më fal Allahu!
3) Krenaria
Falja që iu bëhet njerëzve që kanë gabuar në adresën tonë, nuk iu bëhet pse kemi frikë prej tyre, por pse synojmë një pjekuri. Afv nënkupton falje kur ke mundësi hakmarrje. Për këtë gjë, Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Allahu nuk i shton tjetër robi që fal vetëm se krenarinë.” (Muslimi)
4) Braktisja e mëkateve haptazi
Ndër ato gjëra që pamundësojnë arritjen e afvit (faljes) është edhe bërja e mëkateve haptazi. Besimtari që kërkon afvin, braktisë më pare mëkatet, veçanërisht ato në publik. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Tërë ummeti im janë të falur përveç atyre që bëjnë mëkate publikisht….”(Buhariu dhe Muslimi)
Burimi: sedatislami.com