Me Emrin e Allahut, Të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut! Atë e falënderojmë dhe prej tij kërkojmë ndihmë dhe falje! Dhe nga Allahu kërkojmë mbrojtje nga e keqja e vetëve tona dhe nga veprat e liga! Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush e humbë atë, ndërsa ai që ka humbur nuk ka kush e udhëzon (përveç Allahut)! Dëshmoj se s’ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut, Një dhe i Pashok! Dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij – Paqja dhe Përshëndetjet e shumta të Allahut qofshin mbi të!
E më pas …
Fëmijët janë një amanet në qafën e prindërve të tyre, dhe prindërit do të pyeten për këtë amanet. Mangësia në edukimin e fëmijëve është një defekt i qartë dhe një gabim i rëndë, është tradhti ndaj amanetit, dhe lëshim në fe. Shtëpia është shkolla e parë për fëmijët dhe tulla e cila së bashku me simotrat e saj merr pjesë në ndërtimin e shoqërisë.
Burrat e këtij umeti [1] dhe gratë, udhëheqësit dhe viganët e mëdhenj, kanë dalë nga familjet e ndershme e të udhëzuara drejt, të cilat i kanë qëndruar besnike ruajtjes së kufijve të Allahut dhe sheriatit të Tij, dhe kanë mbajtur të gjallë dashurinë dhe miqësinë, mëshirën, altruizmin, përkrahjen e njëri-tjetrit dhe devotshmërinë.
Para se fëmijën ta edukojë shkolla dhe shoqëria, atë e edukon shtëpia dhe familja e tij. Ai u është borxhli prindërve të tij për sjelljen e tij të drejtë në shoqëri, ashtu siç edhe prindërit janë përgjegjës në një shkallë të lartë për anomalitë në edukatën e tij.[2]
Ibnul-Kajjim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Sa ka të atillë që fëmijën e tyre, loçkën e zemrës së tyre, e kanë shndërruar në të dështuar (fatkeq) në dynja e në ahiret [3] për shkak të pakujdesisë, dhe lënies pas dore të edukimit të tij, për shkak të përkrahjes që ia dhanë në përmbushjen e epsheve të tij! Pretendon se po e nderon atë ndërsa e ka tradhtuar, dhe se po e mëshiron atë por veç i ka bërë padrejtësi, kështu që e ka humbur dobinë nga fëmiu i tij dhe ia ka humbur fëmiut hisen e tij në dynja dhe në ahiret; dhe nëse i hidhet një shikim shthurjes që ka ndodhur tek fëmijët, e sheh se shumica e kësaj shthurje ka ardhur nga ana e prindërve.” [4]
Tema për të cilën ne do të bisedojmë në këtë takim është rreth mangësive në edukimin e fëmijëve, e kjo duke u bazuar në pikat e mëposhtme:
– Tërheqje e vërejtjes ndaj mangësive në edukimin e fëmijëve,
– Disa pamje nga lëshimet dhe gabimet që bëhen gjatë edukimit të fëmijëve,
– Pyetje,
– Skena të ndritshme të edukimit të fëmijëve nga të parët e muslimanëve (selefit),
– Apelim,
– Metoda ndihmëse mbi edukimin e fëmijëve.
Dhe në fund, e lus Allahun me Emrat e Tij të Bukur, dhe Cilësitë e Tij të Larta, që të na i ndreqë qëllimet tona e të na i përmirësojë pasardhësit tanë; të na ndihmojë ndaj vetëve tona dhe fëmijëve tanë! Vërtetë Ai është i Denjë për këtë dhe i Plotfuqishëm. Allahu e di më së miri. Paqja dhe përshëndetjet e Allahut qofshin mbi të dërguarin tonë Muhamedin dhe mbi familjen e tij!
Dr. Muhamed ibn Ibrahim el-Hamed
Zulfi – Kasim, Arabi Saudite
27/11/1414 h.
(… vazhdon)
Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani./tezkije.com
[1] Populli musliman si një bashkësi e vetme
[2] Shiko “Nadharat fil-usrati el-muslimah” – Analiza rreth një familjeje muslimane, Dr. Muhamed Sibag, fq. 154, si dhe “Akhlakuna el-ixhtima’ijj” – Edukata jonë shoqërore, Dr. Mustafa es-Siba’ijj, fq. 155
[3] Botën e amshueshme, botën tjetër.
[4] “Tuhfetul-mewdud fi ahkam el-mewlud” – nga Ibn Kajjim, fq. 146-147