Shkatërrimi i martesave është nga ju, o vajza!
Po të mos ishin të pamoralshmet nga mesi juaj, nuk do të prisheshin martesat e as nuk do të shtohej tregu i amoralitetit. E atëherë pse nuk punoni ju femrat e ndershme në luftimin e kësaj të keqeje?
Ju duhet të prini në këtë, ngase jeni më të afta se meshkujt në këtë çështje, ngase ju e dini më mirë gjuhën e femrave dhe mentalitetin e tyre. Dhe, për shkak se askush nuk do të humbë më shumë se ju, femrat e ndershme, të edukuara dhe fetare. Në shumë shtëpi tani gjejmë femra, të cilat janë për martesë por nuk e gjejnë dot atë me të cilin do të martoheshin, për arsye se të rinjtë kanë gjetur shoqe të interesit, të cilat ua plotësojnë nevojat, andaj nuk kanë nevojë për martesë.
Andaj, ju duhet që të formoni shoqata të femrave të përbëra nga shkrimtare, mësuese, studente dhe intelektuale të tjera, që të përpiqeni për t’i kthyer motrat tuaja të devijuara në rrugë të drejtë.
Frikësojini ato duke ua përkujtuar Zotin, e nëse nuk frikësohen atëherë ua tërhiqni vërejtjen nga sëmundjet e ndryshme. Nëse edhe pas kësaj nuk ndryshojnë, atëherë u folni atyre me gjuhën e realitetit dhe thuajuni: Ju jeni vajza te bukura, andaj meshkujt vijnë dhe sillen vërdallë.
Por, athua rinia dhe bukuria juaj janë të përhershme dhe do të zgjasin përgjithmonë? Si do të jetë puna juaj kur të plakeni e t’ju shtrembërohet shpina dhe t’ju rrudhet fytyra?! Kush do të interesohet për ju? Kush do të pyet për ju?
A e di kush interesohet për plakat dhe kush i nderon ato? Djemtë dhe vajzat e tyre, nipat dhe mbesat e tyre. Disa plaka janë mbretëresha në familjet e tyre duke qëndruar ende në fronin e tyre, e janë edhe disa të tjera me të cilat ju e dini mirë se ç’bëhet. Prandaj, a mund të krahasohet kjo kënaqësi me atë mjerim?
Dhe, a do të kishe blerë me këtë fillim një përfundim të tillë? Shembuj të tjerë të tillë nuk ka nevojë të tregojmë. Prandaj, punoni që t’i udhëzoni motrat tuaja të mjera e të devijuara e nëse këtë nuk mund ta bëni, atëherë punoni në ruajtjen e femrave të shëndosha nga sëmundja e tyre dhe të tinejxhereve të reja pa përvojë që të mos e ndjekin rrugën e tyre.
Unë nuk them që muslimanja mund të bëhet menjëherë ashtu si duhet të jetë muslimanja e vërtetë. Assesi.Unë e di se kthimi i përnjëhershëm zakonisht është i pamundur, por dëshiroj që të ktheheni nga e mira hap pas hapi, sikur që kishit shkuar nga e liga hap pas hapi. Ju i shkurtuat teshat tuaja copë pas cope dhe e larguat mbulesën dhe tërë këtë ndryshim e bëtë me durim pas një kohe të gjatë!
Burrat e ndershëm nuk e kishin ndier menjëherë këtë ndryshim. E revistat e ndryshme e nxisin këtë amoralitet së bashku me të pamoralshmit, kështu gjersa arritëm në këtë gjendje me të cilën Islami assesi nuk është i kënaqur, me këtë gjendje të cilën edhe shtazët do ta refuzonin. Nëse dy gjela do të ngatërroheshin për një pulë, ata do ta mbytnin njëri- tjetrin nga xhelozia dhe dëshira për ta mbrojtur pulën.
Ndërsa sot, burrat muslimanë fare nuk xhelozojnë në gratë e tyre muslimane, të cilat ecin të zbuluara plazheve dhe rrugëve tona! Ata nuk xhelozojnë as nëse ndonjë i huaj ua shikon fytyrat, krahërorin dhe gjoksat e grave të tyre. Me një fjalë, edhe nëse shikojnë çdo gjë të turpshme në to. Por, përkundrazi gjen burra muslimanë, të cilët nëpër klube dhe kafene të ndryshme të elitës, ua afrojnë gratë e tyre muslimane të huajve që të vallëzojnë me to, ku ajo përballet me ata gjoks për gjoksi, bark për barku…, e krahu i burrit është i lidhur me trupin e saj dhe ndaj tërë kësaj askush nuk thotë asgjë.
Nëpër universitete të rinjtë muslimanë rrinë me vajza të reja muslimane, të cilat pjesët e turpshme të tyre i kanë të zbuluara dhe askush për këtë të keqe nuk bën vërejtje, madje as etërit dhe nënat e këtyre vajzave muslimane.
Shembuj të këtillë kemi shumë. Këta shembuj nuk largohen për një ditë, as duke nxituar, por vetëm nëse i kthehemi të vërtetës nga e njëjta rrugë, me të cilën kemi shkuar nga e liga, edhe nëse tani këtë rrugë e shohim të largët, ngase ai që nuk shkon rrugës përveç së cilës nuk ka rrugë tjetër, asnjëherë nuk e arrin qëllimin.
Nëse zbulohen fytyrat ashtu siç i ka krijuar Zoti, e pranojmë një gjë të tillë. Por, të përzihen femrat me meshkuj të huaj, kjo është krejt tjetër gjë. Femra e zbuluar nuk guxon të jetë vetëm në shtëpi me shokun e burrit, ose t’ia japë dorën kolegut të vet në universitet, ose ta zgjas bisedën dhe të shëtis me të rrugëve, të përgatitë me të së bashku provimet dhe të harrojnë se Zoti e ka krijuar atë femër e atë tjetrin mashkull dhe se të dy gjinive u ka krijuar epshe ndaj njëri-tjetrit. Këtë gjë të krijuar nuk mund ta ndërrojë as ajo, as ai e as tërë njerëzit e këtij planeti, pra askush nuk mund t’i barazojë gjinitë dhe t’i fshijë këto emocione nga ata.
E ata të cilët thërrasin në barazinë dhe përzierjen e dy gjinive, janë gënjeshtarë nga të dy anët, për arsye se ata me këtë nuk dëshirojnë të arrijnë gjë tjetër përveçse të shkaktojnë kënaqësi të gjymtyrëve dhe të epsheve të veta, t’i kënaqin sytë e tyre, por ata nuk gjejnë guxim ta thonë këtë haptazi, andaj fillojnë t’i maskojnë qëllimet e tyre me këso fjalë tërheqëse, pas së cilave nuk qëndron asgjë.
Prosperiteti, civilizimi dhe jeta në universitet (jashtë rregullave islame) nuk janë asgjë pos fjalë boshe. Ata gënjejnë, nuk e njohin të vërtetën. Për ata e vërteta është ajo e cila vjen nga perëndimi, qoftë vallëzim a lakuriqësi, përzierje nëpër universitete, zbulimi i tërë trupit nëpër fusha sportive a plazhe. Ndërsa e keqe është çdo gjë që vjen nga feja, xhamia dhe nga studimet fetare, edhe nëse nderi, udhëzimi, etika dhe pastërtia, ajo e zemrës dhe ajo e trupit mësohet aty.
Në shtetet perëndimore ka shumë familje të cilat me një përzierje të këtillë të gjinive jo vetëm që nuk pajtohen, por edhe e kundërshtojnë atë. Ka shumë prindër atje, të cilët nuk lejojnë që vajzat e tyre të rritura të dalin me djem ose që ai ta shoqërojë vajzën e tyre deri në kinema dhe nuk e lëshojnë atë gjersa nuk vërtetohen në përmbajtjen e filmit. E nëse e dinë përmbajtjen e tij dhe binden se filmi nuk ka skena të fëlliqura, atëherë i lëshojnë të shkojnë në kinema.
Unë me këtë nuk po ju mbaj ligjëratë të rinjve, unë e di se ata mund të më kundërshtojnë dhe të mos e pëlqejnë mendimin tim, për arsye se shumë kënaqësi, të cilat i kanë në dorë po ua përqesh dhe po ua ndaloj. Unë po ju drejtohem juve femrave të reja. Askush nuk do të pësojë më shumë se ju! Mos u bëni viktimë e Ilisit (shejtanit)!
Mos i dëgjoni fjalët e atyre të cilët ua zbukurojnë jetën e përzier me meshkuj në emër të lirisë, qytetërimit, prosporietit dhe shpirtit universal, ngase shumica e tyre nuk janë të martuar dhe nuk kanë fëmijë dhe nuk u intereson asgjë tjetër, pos kënaqësisë trupore! Unë jam baba i pesë vajzave dhe kur ju mbroj juve, i mbroj edhe vajzat e mia dhe ua dua të mirën sikur që ua dua vajzave të mia.
Askush prej tyre nuk do të kujdeset që ta kthejë nderin e humbur të femrës. E nëse femra bie moralisht, nuk mund ta gjesh askënd t’i ndihmojë asaj dhe ta ngrejë nga ajo ndytësi, por përkundrazi i sheh të gjithë se si vrapojnë pas bukurisë së saj. E nëse ajo refuzon, largohen prej asaj, sikur që ikin qentë nga ngordhësira, në të cilën nuk ka mbetur copë mishi.
Kjo është e vërteta. Mos i dëgjo të tjerët! Dhe, dije se çelësat e përmirësimit janë vetëm në duart e tua e assesi në duart tona, meshkujve. Nëse ti do, mund të përmirësohesh e me ty të përmirësohen edhe të tjerat.
PAQJA DHE SHPËTIMI I ALL-LLAHUT QOFSHIN MBI JU!
Autor: Ali Tantavi
Përktheu: Irfan Salihu
Shkroi: Imrane Asani/pertymoter