Allahu i Plotëfuqishëm i ka begatuar gratë e martuara me shtatëzani dhe edukim të fëmijëve për ta shtuar umetin. Pasi që e kuptova për shtatëzaninë time të papritur, do të doja ta ndajë me ju ditarin tim të shtatëzanisë! Shpresoj t’ua jap një pasqyrë të momenteve të bukura dhe të vështira dhe emocioneve që mund t’i përjetojmë gjatë kësaj periudhe të bekuar, in sha’Allah.
Do të doja të filloj duke iu uruar të gjitha nënave të kenë një shtatëzani të lumtur dhe të mbarë! Dhe ja ku është – ditari i shtatëzanisë, ku do të mund të lexoni për çdo muaj të shtatëzanisë deri në momentin e shumëpritur të lindjes!
Lajmi!
Ishin ditët e para të muajit të bekuar të Ramazanit dhe sapo kishim filluar agjërimin. Gjatë ditëve të para, gërditesha shumë dhe kisha pak marramendje. Unë nuk ia vura veshin kësaj dhe i lashë simptomat mënjanë me arsyen se ne sapo kishim filluar me agjërim dhe trupi nuk ishte mësuar akoma të qëndroi pa ushqim.
Unë isha ende duke e ushqyer me gjidhënie birin tim 2 vjeçar, kështu që nuk kishte mundësi që të isha përsëri shtatëzënë… së paku këtë ia thoja vetes vazhdimisht. Unë tashmë kam tre fëmijë: vajza ime e madhe që sapo kishte mbushur 6 vjeç, djali im i parë 4 vjeçar dhe djali i dytë ishte vetëm 2 vjeç. Të kemi fëmijën e katërt ishte diçka për të cilën unë dhe bashkëshorti im nuk e kishim në plan e as që e kishim menduar. Megjithatë, Allahu është Planifikuesi më i mirë.
Kur po i afroheshim ditës së shtatë të agjërimit, mua sa vinte e më shtohej marramendja, gërditja dhe isha shumë e uritur. Bëra një test për shtatëzani dhe kuptova që po prisja një fëmijë Elhamdulilah, por fillova të brengosem se si do t’ia dilja me katër fëmijë të vegjël. Bashkëshorti im më këshilloi që ne kurrë nuk duhet të shqetësohemi pse kemi shumë fëmijë apo se do të na zvogëlohen të ardhurat. Çdo gjë duhet ta lëmë në dorë të Allahut Fuqiplotë, ngase fëmijët janë nga mirësia e Tij dhe Ai gjithmonë na jep rrugëdalje in sha’ Allah. Mendoj që është e rëndësishme ta kujtojmë se sado e vështirë të jetë të qenët prind, megjithatë ka shumë shpërblime dhe mirësi nga rritja e fëmijëve, dhe kjo ishte ajo për të cilën mendova pasi u qetësova.
Pasi kisha pasur një abort para kësaj shtatëzanie, fillova të brengosem se mos fakti që isha e sëmurë gjatë agjërimit mund të ndikojë në beben time. Mu kujtua hadithi i Pejgamberit tonë alejhi selam, ku ai thotë:
“Allahu e ka liruar udhëtarin nga agjërimi dhe gjysma e namazit si dhe e ka liruar shtatëzënen apo gjidhënësen nga agjërimi. ” (Albani e cilëson të saktë)
Allahu i Madhëruar ka bërë përjashtim për shtatëzënen dhe gjidhënësen në agjërim, me detyrimin për t’i kompenzuar me lëmoshë apo t’i agjëroi ato ditë gjatë vitit. Sidoqoftë, unë u përpoqa të vazhdoj të agjëroj, por të vjellurat më shtoheshin dhe nuk mund të vazhdoja më. Ndihesha shumë keq për lënien e agjërimit, sepse mezi kisha pritur për ato ditë, por mendimi që kjo mund të ishte e dëmshme për shëndetin e bebes ishte krejtësisht kundër parimeve të islamit.
Vjellja gjatë shtatëzanisë
Shumë gra shtatëzëna përjetojnë të vjellura gjatë tremujorit të parë të shtatëzanisë, të cilat mund të jenë nga ato të lehtat deri më të rëndat. Këtu janë disa forma që më janë dukur të dobishme për ta tejkaluar më lehtë këtë gjendje:
1. Një filxhan i nxehtë me çaj xhenxhefili
Kjo si duket më jepte energji dhe ndimonte në qetësimin e të vjellurave. Provoni të zieni në ujë disa copa të vogla të xhenxhefilit të freskët për disa minuta dhe pastaj shtoni pak mjaltë për t’i dhënë ëmbëlsi natyrale.
2. Rregulloni nivelin e energjisë me hurma
Hurmat përmbajnë sheqerna natyrale që japin energji shtesë, dhe janë të dobishme edhe për nënën edhe për beben.
3. Pushoni për pak kohë
Vrapimi pas fëmijëve mund të jetë plot tension dhe shpesh mund t’iu dërrmoj. Do ju bënte mirë një pushim i shkurtër në divan apo në shtrat derisa të fitoni energji përsëri.
4. Një lugë mjaltë
Një lugë me mjaltë mua më ndihmonte kur kisha të vjellura, më jepte energji dhe ka veti ushqyese për nënën dhe beben. Është gjithashtu e mirë për ato motra që iu pëlqen të hajnë gjëra të ëmbla.
Ndërprerja e gjidhënies gjatë shtatëzanisë
Doktori më ka këshilluar që gradualisht ta largojë djalin tim dy vjeçar nga gjidhënia, por nuk kam menduar që do të ishte kaq e vështirë. Në fillim, djali nuk donte asgjë tjetër përveç qumështit tim. Gradualisht me vendosmëri, përpiqesha ta ndaj nga gjidhënia dhe dalëngadalë ia arrita. Nëse jeni gjidhënëse dhe pret fëmijën tjetër, mundohuni të mos e ndërpreni përnjëherë gjidhënien.
Mu duk se është më e dobishme të ndërpritet gjidhënia gradualisht, në mënyrë që fëmija mos ta vërej që është duke u larguar nga gjiri dhe kështu i jep kohë edhe fëmijës për tu adaptuar me qumështin e paketuar ose edhe me biberon. Kjo mund të shkaktojë të qara dhe sprova të tjera, por këmbëngulja është çelësi dhe në fund ata do të adaptohen.
Ramazani, familja dhe shtatëzania!
Ramazani është vërtetë një muaj i bekuar, prandaj edhe dëshirojmë t’i vjelim të mirat e tij. Fakti që nuk mund të vazhdoja agjërimin nuk më pengoi në kryerjen e obligimeve tjera fetare. Gratë shtatëzëna mund ta arrijnë këtë duke vepruar si më poshtë:
1. Shkuarja në teravi me familjen
Ramazani është muaji i vetëm ku mund të përjetojmë këtë namaz, prandaj kini vullnet për të shkuar në teravi dhe kështu krijoni një lidhje shpirtërore duke shkuar së bashku me familje.
2. Leximi, mësimi dhe dëgjimi i Kur’anit
Është shumë e dobishme për nënat shtatëzëne të lexojnë, dëgjojnë dhe të mësojnë Kur’an, veçanërisht gjatë Ramazanit ku mund të kemi më shumë mirësi dhe shpërblim in sha’Allah.
3. Ta forcojmë lidhjen shpirtërore duke kërkuar dituri
Është kohë ideale për të kërkuar dije, për të mësuar shembuj nga hadithe apo ndodhi të grave të Pejgamberit alejhi selam. Të shikuarit e videove në YouTube është mjaftë e dobishme përderisa jemi duke gatuar, pastruar apo duke u marr me fëmijë.
4. Të ftuarit e të tjerëve në iftar dhe shkuarja në iftare
Nëse ke mundësi, është mirë t’i ftosh për iftar ata që agjërojnë. Gjithashtu, mund të shkosh në iftar, ngase kjo i forcon edhe më shumë lidhjet familjare.
5. Përgaditja e ushqimit më herët
Pasi që unë jetoj në Skotlandë, iftari ishte mjaftë vonë, ndërsa syfyri shumë herët në mëngjes, prandaj nuk kishte shumë kohë ndërmjet tyre. Ishte më lehtë për mua ta përgadisja më herët ushqimin për syfyr dhe pastaj ta lë në frigorifer për ta nxehur më vonë. Gjithashtu iftarin e përgadisja më herët, ashtu që të kisha më shumë kohë për aktivitete tjera fetare me burrin dhe fëmijët.
Është gjithmonë brengosëse periudha e 12 javëve të para të shtatëzanisë. Unë kam pasur një abort para kësaj shtatëzanie, prandaj i lutesha Allahut të ma lehtësoi shtatëzaninë në tremujorin e parë. Duaja është diçka prej të cilës mund të përfitojmë të gjithë dhe është një armë e fuqishme për t’ia shfaqur hallet dhe brengat Allahut të Plotëfuqishëm.
MashaAllah tani ka kaluar tremujori i parë, dhe elhamdulilah gjatë kontrollit doktori më tha se çdo gjë është në rregull. In sha’Allah do të përpiqem të ndaj me ju momente të bukura dhe të vështira, sprova dhe këshilla përgjatë tremujorëve të tjerë deri në kohën e lindjes. U dëshiroj të gjitha motrave shtatëzëna një rrugëtim plot lumturi përgjatë kësaj periudhe të vecantë.
Lexoni artikujt e radhës nga ditari i shtatëzanisë!
Autore:Tasnim Nazeer
Burimi ne anglisht : productivemuslim
Perkthyen ne shqip : D.S dhe A.S /motraime