Falënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka më profetë të tjerë, Muhamedin, familjen e tij shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Kiametit.
Ka thënë Allahu i madhëruar nëpërmjet Isait alejhi selam: “Tha: Unë jam rob i Allahut më ka dhënë mua librin e tij e më ka bërë nebij (të dërguar). * Më ka dhënë bereqet kudo që të jem e më ka porositur për faljen e namazit e dhënien e zekatit sa të jem gjallë”.
Bereqeti: Shumë përmendet kjo fjalë në gjuhët tona, e në çdo kohë kërkojmë bereqet. Pra ç’do të thotë fjala bereqet? E si të realizohet kjo fjalë në shtëpitë e familjet tona?!
Ç’do të thotë bereqet?
Bereqet do të thotë shtim dhe zhvillim. Bereqet në pasuri, pra shtim i pasurisë e bereqet në shtëpi do të thotë lumturia, harmonia, qetësia etj. Ndërsa në ushqim do të thotë edhe pse është pak, por të ka duk si i thonë. Shpenzimi i tij ka bereqet.
Bereqeti në fëmijë është shumica e tyre e morali i tyre i lartë. Në familje mirëkuptimi e dashuria ndërmjet tyre, në kohën, koha e lirë, zgjerimi, e kryerja e planeve të bëra. Në shëndet, shëndeti i plotë. Në jetën, zgjatja e saj dhe veprat e mira gjatë jetës. Në dije, thellimi e njohja e saj. Pra, bereqeti përmbledh të gjitha anët e mira, e mirësitë e shumta. Nuk është diçka jonormale që të kërkojmë bereqetin e të kërkojmë atë… por si?!
A fitohet bereqeti ashtu sikur fitojmë për të jetuar? Apo kjo është dhuratë nga Allahu ia jep disave e disave jo?! Apo e ka bërë Allahu i madhëruar të përgjithshme çdokush mund ta arrijë atë?! Apo i ka zgjedhur disa prej robërve të tij e i ka veçuar e nuk i takon askujt tjetër përveç tyre?!
Mrekullitë e Isait birit të Merjemes alejhi selam
Isait alejhi selam i dhuroi Allahu bereqet “më ka dhënë bereqet”. Le të shikojmë bereqetin që Allahu i ka dhënë këtij të dërguari të ndershëm. Nga bereqetet që i ka dhënë është zbritja e sofrës nga qielli, në të cilën hëngrën populli i tij. I ka dhënë mundësi të ngjallë shpendë nga balta me lejen e Allahut, i shëron memecët dhe të verbrit, me lejen e Allahut. I ngjallë të vdekurit me lejen e Allahut, e në fund ngrihet për të zbritur përsëri në tokë, të vërë drejtësi e t’i japë fund padrejtësisë e fitneve. Të thyejë çdo kryq e të vrasë derrat dhe se ai nuk është vrarë e as kryqëzuar sikur thonë të krishterët, porse Allahu subhanehu ue teala e nderoi dhe e ngriti pranë Tij. E Ditën e Gjykimit do të jetë dëshmitar kundër atyre të cilët gënjyen për të e shpikën ndaj tij.
Çështje të cilat sjellin bereqet
I kemi shkurtuar, e nderuara edukuese, këto në 16 pika:
1. Kurani.
Allahu i madhëruar e ka quajtur atë të bereqetshëm kur ka thënë: “Ky është libër të cilin e kemi zbritur të bereqetshëm…” Ndërsa Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mos i bëni shtëpitë tuaja varre, shejtani largohet nga ajo shtëpi e cila lexohet në të surja Bekare” (Sahih El-Xhamia, 7227)
2. Devotshmëria dhe imani.
Nuk ka dyshim se imani dhe devotshmëria janë nga çështjet të cilat sjellin bereqet. Allahu i madhëruar thotë: “Edhe sikur banorët e fshatrave do të besonin e do të bëheshin të devotshëm, do t’u hapnim atyre bereqet nga qielli dhe toka”.
Bashkëshorti gjen bereqet me devotshmërinë e tij në bashkëshorten, fëmijët e rrëskun e tij.
3. Përmendja e Allahut.
Në fillim të çdo pune përmendim Allahun. Ka thënë Pejgamberi sallahu alejhi ue selem: “Nëse futet njeriu në shtëpi të tij, e përmend Allahun e madhëruar, gjithashtu edhe tek ushqimi i tij, thotë shejtani: ‘Nuk keni sot as vend për të fjetur e as darkë’. E nëse futet në shtëpi e nuk e përmend Allahun e madhëruar, shejtani thotë: ‘E gjetëm vendin e fjetjes’. Gjithashtu edhe tek ushqimi i tij nuk e përmend Allahun shejtani thotë: ‘E gjetëm darkën’.” (Sahih El-Kelim)
4. Grumbullimi rreth ushqimit.
Është bërë i bereqetshëm ai ushqim i cili grumbullohen rreth tij njerëzit. Ka thënë salallahu alejhi ue selem: “Ushqimi i dy vetave mjafton për tre, e i tre vetave mjafton për katër.” (Sahih Et-Tergib, 2129)
E shikojmë këtë më shumë në iftarin e muajit Ramazan për arsye se numri i të grumbulluarve shtohet.
5. Syfyri.
E kjo për thënien e të Dërguarit salallahu alejhi ue selem: “Me të vërtetë në syfyr ka bereqet” e bereqeti i kësaj është shpërblimi i këtij agjërimi, sevapi i madh, mbajtja e agjërimit me lehtësi, dhe devotshmëri në adhurim të Allahut.
6. Uji i zemzemit.
Ky burim i dalë nga brendësia e shkretëtirës, nga një tokë e thatë e cila nuk kishte asnjë lloj uji, e as ndonjë mal me burime afër asnjëherë nuk është ndërprerë. Ky është një burim i bereqetshëm. Ka thënë për të Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Allahu e mëshiroftë Umu Ismail, sikur të kishte lënë burimin zemzem, -apo ka thënë- sikur të mos e kishte mbledhur do të ishte bërë burim i përhapur.” (Sahih El-Xhamia, 8079).
7. Vaji i ullirit.
Pema e ullirit është pemë e bereqetshme e ka thënë këtë Allahu i madhëruar në Kuran kur ka thënë në suren Nur: “ …e llamba e futur në një ene qelqi, ena e qelqit si të ishte yll që shkëlqen i ndezur nga një pemë e bekuar, nga ulliri, as nga lindja e as nga perëndimi (nuk i merr rrezet) vaji i të cilit digjet vetvetiu edhe pse nuk e ka prekur zjarri fare”. Ashtu sikur e dimë se vaji i ullirit është shërues i një sërë sëmundjesh.
8. Nata e Kadrit.
Çdokush prej nesh e di se çfarë bereqeti ka kjo natë. I mbledh pjesëtarët e familjes kujdestari i tyre e u flet për bereqetin e dobitë e mëdha që ka kjo natë. Ka thënë Allahu i madhëruar: “Me të vërtetë ne e zbritëm (Kuranin) në një natë të bereqetshme e Ne me të vërtetë ua kemi tërhequr vërejtjen.”
9. Dy festat e bajrameve.
Të cilën e fillojnë me faljen e namazit të Bajramit e falënderojnë Allahun për mirësitë e shumta që u ka dhënë, u jep bereqet në këto mirësi, ua shton e ua zgjeron ato. Për këtë ka thënë Umu Atijeh radiallahu anha: “Ishim të urdhëruara që të dilnim ditën e Bajramit, edhe shërbëtoret, edhe femrat me të përmuajshmet, qëndrojnë mbas njerëzve, bëjnë tekbir kur ata bëjnë tekbir, bëjnë dua kur ata bëjnë dua, shpresojnë bereqetin e kësaj dite dhe pastërtinë e saj”. (Sahih El-Bukhari).
10. Ushqimi hallall.
Ushqimi hallall është ushqimi më i mirë në të cilin Allahu lëshon bereqet. Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “O ju njerëz, Allahu është i mirë e nuk pranon vetëm se të mirën” (Sahih El-Xhamia, 2744). Në mallin haram nuk lëshon Allahu i madhëruar bereqet e nuk i sjell pronarëve të tij vetëm se fukarallëk e pakësim.
11. Shtimi i falënderimit.
E kjo është e qartë nga thënia e Allahut të madhëruar: “…e po të falënderoni padyshim ne do t’ua shtojmë” e shtim këtu përfshin çdo gjë, qoftë në pasuri, në shëndet, në jetë e të gjitha mirësitë e Allahut të cilat nuk kanë të numëruar e as të llogaritur”
12. Sadakaja.
Të cilën e shumëfishon Allahu i madhëruar nga dhjetë e deri në shtatëqind fish. E ia shumëfishon atij që do. E nuk ka dyshim se sadakaja sjell bereqet në pasurinë e njeriut e shton atë. Ka thënë Allahu i madhëruar: “…shembulli i atyre që shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugë të Allahut është sikur shembulli i një fare e cila çel shtat kallinj në çdo kallinj ka njëqind kokrra, Allahu ia shton atij që do, Allahu është i Gjithëdijshëm.”
Ka thënë Pejgamberi salallahu alejhi ue selem: “Një e mirë është e barabartë me dhjetë të mira deri në shtatëqind fish, edhe e keqja sikur kjo vetëm nëse fal Allahu për të”.
13. Respekti dhe vizita e të afërmve.
Siç ka thënë i Dërguari salallahu alejhi ue selem: “…vizita e të afërmve, e morali i mirë, i ndriçojnë shtëpitë, e shtojnë jetën.” (Sahih Tergib, 2524).
14. Të zgjuarit herët.
E kjo kur njeriu zgjohet herët e i fillon punët e tij qysh në mëngjes herët. Ka thënë i dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem: “I është dhënë bereqet umetit tim në të ngriturit herët.” (Sahih El-Xhamia, 2841).
Shumë persona flasin për shkakun e suksesit të tyre në jetë mbas ndihmës së Allahut të madhëruar, kryerja e punëve të tyre qysh herët në mëngjes.
15. Martesa.
Edhe kjo është një nga shkaqet e sjelljes së bereqetit. Disa nga të parët tanë të mirë (selefus-salih) kërkonin të martoheshin me qëllim që t’u realizohej pasuria e t’ju shtohej rrësku, sepse ata e kuptuan këtë nga thënia e Allahut të madhëruar: “E martoni nga mesi juaj ata që janë të pamartuar, martoni edhe salihunët (të përkushtuarit) dhe robërit e robëreshat tuaja. Nëse janë të varfër Allahu do t’i pasurojë nga begatitë e Tij, Allahu është i Gjithëdijshëm”. Gjithashtu thënien e Allahut të madhëruar: “Mos i vrisni fëmijët tuaj nga frika e rrëskut, Ne ju furnizojmë juve dhe ata”.
16. Planifikimi.
Allahu i madhëruar i premtoi Pejgamberit salallahu alejhi ie selem për fitoren që do të korrnin më parë se të ndodhte. Si ka mundësi që ndonjëri të pengojë planifikimin duke menduar se çdo gjë lehtësohet me bereqet? (pra siç i thonë: hajt kësmet Allah).
A gjejmë sot ne, familje të cilat planifikojnë për të ardhmen e për të ardhmen e fëmijëve të tyre apo i lënë çështjet ashtu? Nuk ka dyshim se ne kemi nevojë ta rishikojmë këtë pikë, kemi nevojë të planifikojmë e të përgatitemi për të ardhmen e pastaj t’i mbështetemi Allahut e të kërkojmë prej Tij subhanehu ue teala bereqetin.
Marrë nga Islamway.com
Përktheu F. Gurra
Burimijetes.com