Përse ti, një musliman i ri, duhet t’i afrosh shokët e tu më pranë Allahut?
Në fund të fundit, ti ke telashet e tua për të përballuar: t’u shpjegosh profesorëve të ashpër përse falesh, të luftosh diskriminimin e hixhabit (ndaj vajzave), të kundërshtosh hapur kur profesori sulmon Islamin, të merresh me prindërit, të cilët mendojnë se je çmendur pasi po mban mjekër dhe të gjitha vështirësitë e tjera që po hasin një pjesë e muslimanëve praktikantë…
Islami kurrë nuk ka qenë një fe individualiste, e rezervuar për ata pak “të zgjedhurit”. Muslimanët e kanë detyrë ta përhapin Dinin, dhe muslimanët praktikantë, qofshin fillestarë, aktivistë ose udhëheqës, kanë një rol vendimtar për të luajtur.
“Allahu i ka vënë ata në një pozicion që nuk e ka pasur ndoshta askush tjetër”, thotë Sheema Khan, ish-këshilltare e Rinisë Islame të Amerikës Veriore për Kanadanë. “Ata kanë mundësinë të komunikojnë me shokët e tyre, e kuptojnë se çka po përjetojnë dhe plus janë të udhëzuar në Islam.”
Kujt do t’ia vinte veshin shoku yt i fëmijërisë, i cili më i gatshëm do të ishte t’i kalonte të premtet në MacDonald’s sesa në Xhami, ose shoku i klasës, i cili është musliman vetëm me emër dhe e di se muslimanët nuk e hanë mishin e derrit? Mos ndoshta imamit të këndshëm të xhamisë, i cili do të kapej nga paniku nëse do të shihte mënyrën se si vishen dhe si flasin, apo ty, që jeni rritur bashkë, keni bërë shaka së bashku dhe që takoheni përditë në shkollë?
Përgjigjia është: Ti. Mos u tremb. Më poshtë po japim disa këshilla dhe ide që mund të të vijnë në ndihmë, të vëna në praktikë nga muslimanë të tjerë:
Këshilla nr. 1: Qëllimi yt të jetë i sinqertë
Çdo punë që bëjmë, të jetë për hir të Allahut. Kjo nënkupton edhe detyrën e afrimit të dikujt pranë Allahut. D.m.th. kjo gjë të mos lidhet me arrogancën, të menduarit se ti je mësuesi dhe se të tjerët duhet të ndjehen të lumtur që ti iu fute punës me themel dhe i shpëtove. Udhëzimi vjen prej Allahut!
Këshilla nr. 2: Praktiko atë që predikon
Mospraktikimi i asaj që predikon është gjë e gabuar dhe ke për të humbur besimin e të gjithëve, të rinj ose të moshuar, kur ta marrin vesh këtë. Ki kujdes!
Këshilla nr. 3: Përdor Kur’anin dhe Siren (biografinë e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) si udhërrëfyes të Da’ves
Lexo dhe kupto ato sure të Kur’anit që tregojnë se si Pejgamberët e prezantuan mesazhin e Islamit para popujve të tyre. Lexo Siren për të kuptuar veçanërisht mënyrën se si Pejgamberi Muhammed, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, futi në Islam kaq shumë njerëz të ndryshëm, përfshirë edhe të rinjtë.
Fol me aktivistë të Da’ves dhe hidhi një sy manualeve që kanë shkruar ata.
Këshilla nr. 4: Fol me njerëzit sikur në të vërtetë të mos i njihje
Mos mendo se njeh këdo vetëm duke e vështruar. Ti nuk e di se ajo muslimanja në klasën tënde, e cila ecën nëpër korridoret e shkollës sikur të ishin pasarela mode, është me të vërtetë një njeri që nuk mund t’i flasësh për Allahun, meqë hiqet snob. Apo se ai studenti musliman, që nuk ta ka zënë kurrë syri në xhuma, është një “musliman i keq”. Ndoshta nuk ka mësuar kurrë diçka mbi Islamin dhe nuk e ka idenë për rëndësinë e xhumasë në Islam, sidomos për meshkujt.
Këshilla nr. 5: Buzëqesh
A e ke ditur se Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem buzëqeshte shpesh? Por shumë muslimanë “praktikantë” duket sikur i kanë “fytyrat mbrapsht”, të vrenjtur dhe serioz.
Të buzëqeshurit, të qenurit i sjellshëm dhe i butë janë të gjitha ndër mënyrat e Pejgambert sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të cilat duhet t’i jetësojmë përditë. Nëse duam t’i afrojmë të tjerët me Islamin, duhet të jemi të afrueshëm. Buzëqeshja është çelësi për këtë.
Por dije se të jesh i afrueshëm nuk do të thotë të jesh flirtues me gjininë tjetër.
Rregullat islame mbi sjelljen e ndërsjellë të mashkullit me femrën duhet të respektohen. Thirrja në Islam nuk justifikon bisedat e gjata dhe private, si dhe takimet me gjininë tjetër. Formo një sistem ku dikush i interesuar për Islamin t’i drejtohet dikujt tjetër të së njëjtës gjini.
Këshilla nr. 6: Merr iniciativë dhe qëndro me ta
Bëje hapin e parë dhe ftoje dikë, me të cilin ke biseduar disa herë, që të uleni të drekoni bashkë, të shikoni një ndeshje futbolli së bashku ose ftoje për iftar gjatë Ramazanit. Gjithashtu, ndaj me të vështirësitë, brengat dhe mërzitjet. Ndihmoje në detyrat e shkollës, bëju krah ku mund të mbështetet e të qajë hallet kur është në depresion, ose thjesht dëgjoje kur është i mërzitur, diskuto problemet e përbashkëta dhe RUAJI SEKRETET E TIJ.
S’ka gjë më të keqe se një spiunim ose një goditje pas shpine. Por, nëse problemi është i një natyre të rëndë, (p.sh. shoku yt ka ndër mend të vetëvritet ose të marrë drogë), lajmëro një të rritur dhe këshillohu me të menjëherë.
Këshilla nr. 7: Bëjua të qartë të tjerëve se Islami ka peshë sot, këtu, tani
Të rinjtë mund të mendojnë se Islami është “demode” dhe jo në hap me kohën moderne. Vërteto të kundërtën. Tregoju se Islami është me të vërtetë lidhja me Allahun, të cilën çdo qenie njerëzore mund ta realizojë, kudo, kurdo. Allahu është gjithmonë më afër teje se vena jote e qafës dhe se Ai dëgjon dhe di gjithçka.
Nxiti shokët të kërkojnë ndihmën e Allahut gjatë testeve, provimeve dhe për zgjidhjen e problemeve me prindërit dhe moshatarët. Gjithashtu thekso se si Islami lidhet me adoleshentët: Islami përqendrohet te ti dhe të pajis me një kuptim të qartë se kush je dhe ku po shkon, të cilën “kultura adoleshente” nuk ta mundëson.
Këshilla nr. 8: Aktivizoji edhe ata në punë vullnetare
Nëse ti je tanimë pjesë e komunitet që punon, bëje dhe shokun të tillë. Kërkoji të bëjë një balonë për njërën prej aktiviteteve të grupeve rinore, ose të gjejë ndonjë ide për ndonjë aktivitet shkollor. Kjo përfshirje e bën të ndihet pjesë e komunitetit musliman dhe e thellon miqësinë tuaj, duke qenë se tashmë po punoni së bashku për diçka me dobi për të dy. Mos harro ta falënderosh për kontributin e tij.
Këshilla nr. 9: Bëja 4 pyetje themelore
Ndërkohë që miqësia juaj merr hov, do të vëresh se temat që bisedoni bëhen më serioze. Për shembull mund të gjendeni duke biseduar për qëllimet dhe synimet e së ardhmes. Ja 4 pyetje, të cilat mund ta orientojnë temën e bisedës drejt Allahut dhe Islamit:
a. Ku po shkoj në jetë dhe çfarë do të më bëjë realisht të lumtur në brendësi të shpirtit?
b. Çfarë besoj?
c. Kujt duhet t’i jem mirënjohës?
d. Deri këtu ku kam arritur, a erdha pa ndihmën e askujt?
Këshilla nr. 10: Thekso faljen e pesë namazeve të përditshme më shumë se çdo aspekt tjetër të Islamit
Lidhja kryesore e një njeriu me Allahun, për çdo ditë, është nëpërmjet pesë namazeve ditore. Mos thekso asnjë aspekt tjetër të Islamit derisa shoku yt të nisë të përpiqet serizisht për t’u falur. Thekso lidhjen e drejtpërdrejtë me Allahun nëpërmjet faljes së pesë namazeve ditore.
Nëse ata përballen me ndonjë problem, thuaju të falen dhe t’i kërkojnë Allahut ndihmë në namazin e tyre dhe jashtë tij. Kur duhet, jepi rëndësi faljes së bashku gjatë kohës së lirë. Nëse shoku juaj nis të falet, ky është hapi i parë drejt aspekteve të tjera të Islamit, si: lënia e sharjeve dhe trajtimi i prindërve me respekt dhe veshja në mënyrë islame.
Këshilla nr. 11: Ndihmo në rrënjosjen e konfidencës te të rriturit
Të rriturit, si Bart Simpson’s, babai i Homerit, shihen si idiotë të paaftë në sytë e “kulturës së adoleshentëve”. Detyra jote si musliman i ri është ta ndryshosh këtë mendim të gabuar dhe joislam. Ajo që duhet të bësh është: Kur një musliman i rritur bën diçka të mirë (p.sh. shpëton jetën e dikujt, jep para për një çështje të dobishme, imami mban një hutbe të mirë, dikush përkujdeset për familjen etj.) përmende në bisedë e sipër me shokun tënd dhe lavdëroje personin që ka kryer një vepër të tillë.
Përsëritja e shpeshtë e kësaj mund të ndryshojë perspektivën e shokut tënd dhe të bëjë që t’i shohë prindërit e vet në mënyrë më të respektueshme.
Këshilla nr. 12: Përkrahe kur bëhet më shumë praktikant
Mbaje mend, fakti se një person ka filluar të praktikojë Islamin më rregullisht nuk do të thotë se çdo gjë do të jetë në rregull këtej e tutje. Do të vijnë kohë të vështira, me probleme. Mund të ketë çaste kur shoku yt mund të ketë dyshime për praktikimin e tij të tanishëm të Islamit. Qëndroji pranë për t’i dhënë kurajo.
Autore: Shahina Siddiki
(Nga anglishtja: Arian Koçi) mesoislamin /motraime