Mos më mbuloni me tym të urrejtjes, përçmimit, përjashtimit e injorimit. Pse më bëni të ndihem e pastrehë! Pse më pengoni Krijuesin e jetës të adhuroj. Po pres e vetmuar. Jo s’kam uri e etje. Mos ndihni dhembje kur unë rri e uritur dhe e etur; qëllimi i ekzistencës sime tejkalon kufijtë e tokës. Nuk mund të bëj jetë me vdekje të pakuptimtë. Dua të shijojë përjetësinë, lumturinë e pasosur. Jo, dua të shijoj kënaqësinë e Zotit tim. Dua të shoh Zotin tim!

Pres një buzëqeshje, ndërsa nga gjuha ju dalin fjalë, që sa shumë më bëjnë të ndihem e rënduar, e fyer! Duroj, sepse Atë që adhuroj më porosit për durim e vetëpërmbajtje. Vetëm pse them, Zoti im dhe Zoti juaj, është Krijuesi që krijoi ditën dhe natën, që krijoi tokën, e cila noton në qetësi, e thjesht pse them, që të ç’robëroheni nga krijesat e idhujt, e të mos adhurohet asgjë përveç Zotit, të cilit i takon falënderimi dhe lavdërimi dhe tek i Cili është kthimi i çdo gjëje, më luftoni!

Mos më mbuloni me lotin e vuajtjes dhe shqetësimit, më mbuloni me lotin e dashurisë dhe sinqeritetit. Jam në rrugën e drejtë të Zotit tim! Mos vuani pse unë mbroj nderin tim! Mos u shqetësoni, kur unë shqetësohem për dinjitetin tim. Mos u ndihni të ulët, kur unë me adhurim lartësojë Zotin tim, që më krijoi. Sa shumë do doja të hynit në zemrën time, e të preknit ngrohtësinë dhe qetësinë që kam! Në dorën time është lutja; për ju lutem çdoherë kur lutem për veten. Zoti im më edukoi t’ia dua të mirën të gjithëve.

Loti im është dashuri ndaj jush. Zoti im më urdhëroi me urdhër madhështor, që në fytyrat tuaja të shkaktojë kënaqësi e hare; kurrë të mos ju hidhëroj e as të mos ju shkaktoj dhembje e vuajtje. Dua të shoh Zotin tim, dua edhe ju ta shihni Atë. Ai, që dua ta shoh, më ndaloi me një ndalesë të rreptë, që kurrë të mos ju bërtas e as mos t’jua kthej shpinën. S’dua të ndahem prej juve. S’dua t’ju lë në këtë tym, që e mblodhi djalli i mallkuar.

Sepse unë kundërshtoj krijesën kur Zotin tim kundërshton; kundërshtohem sepse respektoj Krijuesin tim.

Mos më largoni, ju përgjërohem! Dua të jem afër juve. Më lejoni t’ju flas, më lejoni t’ju këshilloj e t’ju thërras, siç më urdhëron Zoti im, me butësi e urtësi. Ju thërras në rrugën e Paqes dhe Mirësisë. A ka fjalë më të bukur se fjala, që buron nga dashuria ndaj Zotit, që krijoi dashuri në zemrat e nënave ndaj bijve të saj! Nuk dua mall e pasuri. E gjithë ajo që ju komunikoj: të jetojmë në paqe, qetësi e dashuri. Jo vetëm në këtë jetë! Mos më përplasni me duart, që Zoti im jua krijoi! Mos më shikoni me sy të mrrolur, që Zoti im jua krijoi. Para se qielli të bëhet si kallaj i shkrirë! Afrohu para se të largohemi prej njëri-tjetrit, në ditën kur do mbulojë tmerri e trishtimi! Kur toka bëhet e sheshtë!

Pres fjalë të bukur, përçmohem. Pres përgëzim, qortohem. Pres afrim, largohem. Pres mirësi, keqtrajtohem. Pres dashuri, urrehem. S’më flisni e s’më respektoni, vetëm pse në Lumturi të Përhershme ju ftoj. Jo, s’e meritoj. Pse kundërshtoni diçka, që s’e njihni! Pse të vërtetën me urtësi s’e kërkoni! Çfarë po ju bën kaq të pamëshirshëm, e çfarë po ju rrëmben me kaq fuqi! Jo, mendjemadhësia juaj tokën s’e çan dot; e as kodrat s’jua arrin dot! Përkujtoni kush ishit në fillim fare, përkujtoni si erdhët në ekzistencë, e dini se gjithçka është krijuar me maturi e urtësi të përkryer; a nuk mendoni, vallë!

Më mjafton Zoti im!

Dua të shoh Zotin tim! Edhe pse më mendojnë të ulët. Edhe pse më mendojnë se kot mbaj uri e etje. Edhe pse më mendojnë të pastrehë. Edhe pse më mendojnë injorante. Edhe pse më përplasin e më përjashtojnë. Edhe pse më fyejnë! Unë jam udhëzuar me udhëzimin e Zotit tim! Edhe sikur të gjitha krijesat të mblidheshin bashkë, nuk mund të ma shuajnë dëshirën time të flaktë për të takuar Zotin tim!

Jo, s’më pikon syri lot, pse kundërshtohem kur Zotin tim respektoj; jo s’më lëngon shpirti dhembje, kur të tjerët më largojnë kur Zotit tim i afrohem; kurrë nuk brengosem pse të tjerët më hapin kurthe kur në rrugën e Zotit tim çdo herë e më tepër forcohem!

Avni Tafili/zgjim.org/motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version