Si të bëhesh nënë që e kupton bijën e saj në pubertet? Kjo është një pyetje që e dëgjojmë shpeshherë nga nënat që dëshirojnë t’i kuptojnë bijat e tyre në pubertet.. Dëshira e sinqertë për të kuptuar bijën në këtë periudhë i ndihmon nënës të këtë sjelljen e duhur. Ky kuptim, pa mëdyshje i bën dobi të gjithëve: nënës, bijës, familjes dhe tërë shoqërisë, si dhe ruan shëndetin psikik të të gjithëve.

Shumë nëna pyesin: si të sillem me bijën time, e cila ka hyrë në pubertet? Jam lodhur me të dhe personalitetin e saj të çuditshëm… E ne themi: kjo çështje ka nevojë për kuptim dhe ushtrim, ashtu siç ka nevojë për durim dhe një dozë shtesë të dashurisë e prehjes.

Në këtë drejtim do të japim një propozim për çdo nënë se si të sillet me bijën e saj të dashur nën dritën e fesë tonë të pastër përkitazi me sugjerimet e psikologëve.

Kam frikë për bijën time

Një nënë ka tre vajza. Vajza e madhe ka hyrë në periudhën e pubertetit. Ajo thotë: problemi im i përhershëm me vajzën e madhe është se ajo imiton shoqet e saj në mënyrën e veshjes, shkuarjen në kinema, dëgjimin e këngëve dhe përcjelljen e paskrupullt të telenovelave dhe filmave.

Një nënë tjetër thotë: e di se bija ime ka hyrë në periudhën e pubertetit, mirëpo gjestet e saj me nervozojnë, ajo vazhdimisht imiton shoqet e saj të shkollës. Më kundërshton kur unë i bëj vërejtje insistimit të saj për t’u veshur me rroba që nuk i kanë hije, daljes nga shtëpia vetëm me shoqet. Ajo dëshiron të bëjë gjithë atë që bëjnë shoqet e saj që nuk kanë kapistall, familjet e tyre u lejojnë të bëjnë ç’të duan. Kjo gjë për mua është e papranueshme, ç’të bëj?

Prej gjërave që brengosin nënat në këtë periudhë është mospajtimi në mendime me bijat e tyre.

Një nënë thotë: bija ime, që është në pubertet, nuk pëlqen asgjë përreth saj, as mendimin e nënës. Kur kam qenë në vitet e saj nuk jam sjellë në atë mënyrë, porse respektoja adetet tona.

Shohim shumë nëna që nuk lejojnë në asnjë mënyrë që bijat e tyre të mbajnë lidhje me ndonjë shoqe.

Një nënë lidhur me këtë thotë: bija ime ka një shoqe të emancipuar në një mënyrë apo tjetër, mirëpo nuk më pëlqen sjellja e saj, andaj nuk lejoj që bija ime të shoqërohet me të. E kam urdhëruar t’i ndërpresë lidhjet me të, mirëpo më kot. Bija ime insiston që atë vajzë ta ketë shoqen më të ngushtë dhe si duket kërkesën time e refuzon.

Periudhë e vështirë

Një eksperte e psikologjisë dr. Nimete Ivedullah thotë: “çdo nënë që e ka bijën në periudhën e pubertetit duhet të kuptojë se bija e saj kalon një periudhë të vështirë. Nuk duhet që t’ia shtrëngojë gjërat bijës së saj përnjëherë. Nuk duhet ta sjellë para gjërave të vështira për një çast. Të mos e ndalojë nga televizori dhe dëgjimi i këngëve përnjëherë. Konkretisht në këtë fazë disa penj duhet të lëshohen, domethënë, disa rregulla duhet t’i shohim mes gishtave për të mos na ikur zogu prej dore.

Në këtë periudhë vajza kalon prej botës së fëmijëve në botën e grave. Nëna obligohet t’i përcaktojë disa prioritete që s’guxon të shkelen si: mbulesa islame, dalja vetëm nëpër vende të dyshimta, këto gjëra asnjëherë nuk lejohen. Pas kësaj vijnë disa obligime të tjera, që mund të tolerohen kohë pas kohe. Mund t’i tolerojmë disa gjëra, duke ia bërë me dije herë pas herë se ajo është në buzë të humnerës dhe mund të bjerë në mëkate.”

Sa u takon telenovelave edukative Dr. Nimete thotë: “ndonjëherë telenovelat edukative ngërthejnë në vetvete mësime dhe urtësi që s’do të mund t’i rrënjosim në mendjet e fëmijëve tanë, andaj, nëse ekziston ndonjë e tillë që ka dobi e mësime, nëna duhet të mundohet që ta ndjekë së bashku me bijën, në mënyrë që t’i nxjerrë mësime.. urtësi të mira dhe përvojë të rëndësishme. Madje, duke diskutuar me të rreth filmit, do të njohësh më thellë personalitetin e saj, gjërat që e tërheqin dhe që ka nevojë.”

“Ah sikur të më kuptojë nëna”

Vashat ndihen shumë keq kur qortohen nga prindërit. Atë e shohin si një përçmim të madh për personalitetin të tyre. Një nxënëse e shkollës së mesme thotë: “Ah sikur nëna ime të kuptojë se unë jam rritur dhe të më qortojë në një formë më të mirë.” Një tjetër thotë: “nëna ime vazhdimisht më qorton. اdo lëvizje e imja për të është gabim, madje, çdo fjalë që e them, dhe kjo ma tret vetëbesimin.” Një tjetër, duke qarë thotë: “Ah sikur nëna ime të më kuptojë! Ndihem sikur unë jam në një luginë e ajo krejtësisht në një luginë tjetër. Ajo vazhdimisht më cilëson si e marrë, përtace.”

Rreziku i qortimit

Psikologja Inas AbdulBaki vë në dukje se vasha në pubertet nuk pranon assesi qortimin e prindërve. Ajo shton “në realitet, qortimi në të shumtën e rasteve s’është i domosdoshëm, bëhet për gjëra që mund të përmirësohen më vonë, si qortimi i mënyrës së të folurit, mënyrës së ecjes, ushqimit, gjesteve, kritika kundër shoqeve. Duhet të bëjmë dallimin mes dy mënyrave të kritikës: mes asaj konstruktive, duke u marr aty për aty me gabimin, pa ia drejtuar personalisht qortimin, dhe kritikës së dëmshëm, kur qortimin ia drejton drejtpërsëdrejti, me fyerje dhe nënçmim.”

Dr. Inas mendon se rreziku i kritikës së personalitetit të fëmijës në pubertet dhe sjelljes së tij krijon mendime negative tek ai përsa i përket mendimit që krijon në lidhje me vetveten. Kur e fshikullojmë me cilësitë e marra, të shëmtuara dhe nënçmuese, kjo gjë lë gjurmë negative në shpirtin e tij dhe reagimi i tij do të jetë i vrazhdë, me mllef, urrejtje dhe dëshirë për hakmarrje, apo e kundërta: duke u tërhequr dhe duke u mbyllur në vetvete. Puna më e drejtë në këtë drejtim është mesatarja, siç thuhet: “punët më të mira janë ato mesataret”, që do të thotë: përdorim qortimin dhe lëvdatat sipas situatës, duke bërë dallimin mes personalitetit dhe cilësive gjatë kritikës.

Ajo më tej shton “çdo nënë duhet të kuptojë se bija e saj ka hyrë në një periudhë të re të jetës dhe nuk është më ai fëmijë i cili kthehet te nëna kur haset me çdo problem. Për këtë arsye, nëse dëshiron të fitosh besimin e bijës tënde dhe sinqeritetin e saj, si nënë e ke për obligim të bëhesh ndihma dhe mbështetja më e mirë për bijën tënde. Në këtë fazë duhet që nëna të jetë përgjegjësja e parë për t’i shpjeguar çdo gjë që ka nevojë bija e saj, në të kundërt, vasha do t’u drejtohet shoqeve të saj apo botës së internetit që është në disponimin e të gjithëve.”

Bëhu mbështetje shpirtërore për bijën tënde

Nëna e kuptuar duhet t’i bëjë me dije bijës saj se e kupton. E kupton kur hidhërohet, lodhet dhe pikëllohet andaj i ofron ndihmë shpirtërore asaj. Dr. Shahinaze Tal’at thotë: “ti je mbështetja shpirtërore e bijës tënde duke dëgjuar me kujdes problemet e saj, duke iu përgjigjur me dashuri pa gjykuar rastin aty për aty qoftë me lëvdatë apo qortim. Bëhu mbështetje shpirtërore për bijën tënde dhe kupto ndjenjat dhe nevojat e saj (sidomos nevojat trupore dhe emocionale). Vasha në pubertet nëse nuk i ofrojmë dashuri dhe mirëkuptim, ajo do ta kërkojë diku tjetër. Kësaj i frikësohemi dhe e refuzojmë. Kur flasim për dashurinë kemi për qëllim dashurinë mesatare dhe kuptimin e natyrës së saj në këtë periudhë.”

Periudha e pubertetit me karakteristikat e saj konsiderohet kthesa më e rëndësishme nëpër të cilën kalojnë të rinjtë. Mosekzistimi i orientimit dhe dialogut në këtë periudhë mes fëmijës dhe prindërve çon deri te prishja e marrëdhënieve mes tyre. Shumë studime psikologjike kanë vërtetuar se fëmijët në pubertet që vijnë nga familjet me raporte të mira mes anëtarëve të tyre, që bashkërisht marrin vendime, janë me më pak probleme dhe më pozitiv në shikimin e jetës.”

Largoju këshillës së drejtpërdrejtë

Thirrësi islam, dr. Mebruk Atije thotë: “I Dërguari i Allahut na ka mësuar artin e sjelljes me njerëzit. Kur i arrinte ndonjë fjalë prej ndonjërit thoshte: “ç‘është puna me disa njerëz të cilët thonë kështu e kështu” larg publikimit të emrave me një metodë të lartë morale. Këtë metodë e gjejmë edhe në Kur’an. Allahu i Madhëruar thotë: “ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” (Nahël – 125) kjo është metoda e Kur’anit: thirrja me urtësi dhe duke pasur në konsideratë rrethanat e atyre që i thërret në fe, fjalët që ua thotë secilën radhë për të mos i stërngarkuar dhe mënyrën si ju flet. Butësia gjatë këshillimit le gjurmë në zemrat. Qortimi, shpalosja e gabimeve që janë bërë pa dije ose me qëllim të mirë le gjurmë te vashat në pubertet.

Një nga thirrësit islam këshillon çdo nënë dhe baba që të jenë shokë për fëmijët e tyre. Ai thotë: duhet t’i bëjmë shokë fëmijët tanë në periudhën e pubertetit. Duhet të largohemi nga stili i urdhërimit dhe ndalimit të çdo pune të madhe dhe të vogël, të lidhemi me fëmijët tanë si me shokët që kanë respekt dhe dashuri e jo me një lidhje që nënkupton urdhra dhe ndalesa, frikë dhe dënim.”

Respektimi i çështjeve vetjake

Dr. Shahinaze Tal’at thotë: “ndonjëherë të rriturit nuk e perceptojnë se sa keq e ndien veten fëmijët në pubertet kur përmenden dobësitë e tyre. ثshtë e sigurt se nënçmimi i fëmijëve që janë në fazën e pubertetit le gjurmë të thella dhe afatgjate tek ata dhe si rezultat mund të ketë probleme psikike tërë jetën.

Ajo që e rëndon fëmijën në pubertet sjellja me të si me një vogëlush, apo të folurit për të gjëra që i pengojnë para tjerëve. Që këtu le të përkujtojmë fjalën e Allahut: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër” (Huxhurat – 11)

Nëna obligohet të respektojë çështjen vetjake të së bijës pa shkelur parimin e mbikëqyrjes indirekte. Nëna ka për obligim të orientojë bijën drejt formimit të personalitetit të saj. Për t’u bërë një nënë e kuptuar patjetër duhet dhënë bijës një shans për t’u marrë me punët e shtëpisë. Për shembull: hyrja në kuzhinë, puna në të, përdorimi i drejtë i mjeteve të kuzhinës. Nëna duhet ta lavdërojë atë dhe ta kuptojë kur bija e saj gabon. T’i jep vullnet kur korr sukses dhe ta këshillojë kur gabon. Orientimi i mirë dhe i mençur shkakton që fëmija ta pranojë me zemërgjerësi nga më të vjetrit.

Autori: Merva Hamza

nga arabishtja: Agim BEKIRI

Marrë nga revista Albislam nr: 57/psikologjiaislame

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version