Bismil-lahi Rrahmani-Rrahim

 

“Thuaj: “Ne besuam në Allahun dhe në shpalljen që zbriti për ne dhe ajo që iu shpall Ibrahimit, Ismailit dhe Is´hakut dhe Jakubit dhe pasardhësve dhe Musait dhe Isait dhe të Dërguarve të tjerë nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim në mes tyre dhe Ne i nënshtrohemi vullnetit të Tij.” [Kuran 2:136]

 

Mariam Elbornsson, mjeke, lindur më 1973, u bë muslimane në vitin 1998, Suedi.

 

Unë jam një mjeke suedeze, me prindër suedezë. Babai im është prift, kurse gjyshi ka qenë peshkop. Pra, unë rrjedh nga një familje shumë fetare. Unë isha edukuar me Krishterimin dhe e praktikoja në jetë.

Që në moshën adoleshente kishte disa gjëra që kurrsesi nuk mund t’i pranoja rreth Krishterimit: triniteti, mëkati i trashëguar dhe mbi të gjitha viktimizimi. Ishte e vështirë për mua të kuptoja që duhet të vdiste dikush që Zoti t’ua falte të tjerëve mëkatet.

Unë ndihesha shumë keq dhe e kisha ndërgjegjen e vrarë, pasi doktrina e krishterë e paraqet njeriun si shkatërrues dhe mëkatar.

Në rast se bëja ndonjë gabim, më vinte mendimi se natyra ime është shkatërruese dhe mëkatare. Kisha ndërgjegje të vrarë dhe pyesja pse duhet të viktimizohet (të vdesë) dikush për të tjerët. Ky është një pasqyrim i vrazhdë i Zotit dhe njëkohësisht Krishterimi thotë se Zoti është dashuri!

Si mundet që dikush të shpallet si DASHURI e të lejojë që djali i tij të vdesë?

Kjo është në pika të shkurtra jeta ime, para se të njihesha me fenë islame.

Jeta ime e re filloi në pranverën e vitit 1997, kur isha në Francë. Atje fillova të njihem me Islamin përmes miqve të mi muslimanë. Ishte hera e parë që takoja muslimanë. Islami është diçka krejt tjetër, është besim në një e të vetmin Zot dhe kjo gjë më fle në zemër.

Njeriu u krijua pa mëkatin e trashëguar. Nuk krahasohet njeriu (krijesa) me Zotin dhe gjithashtu nuk krahasohet Zoti me njeriun. Njeriu është njeri dhe asgjë tjetër.

Shkaku kryesor që u bëra muslimane ishin pyetjet teologjike, përgjigjen e të cilave e gjeta në Islam. Aty gjeta se Zoti është falës, se e tërë jeta inspirohet nga feja. Njeriu nuk bën dallim mes jetës së përditshme dhe asaj fetare. Prej kohësh dëshiroja të jetoja vetëm për Zotin. Zbulova që me Islamin kjo gjë arrihet.

U bëra edhe më e sigurt sa më shumë e studioja Islamin dhe kur arrita tek pyetja e hixhabit (mbulesa), atëherë i parashtrova disa pyetje një nëne muslimane dhe bijës së saj, që të dyja me mbulesë: Përse mbani mbulesë? Ç’domethënie ka mbulesa për ju? Ato më shpjeguan rreth mbulesës, si e kuptojnë dhe përjetojnë ato.

Doja të dija më tepër dhe sa më shumë që mësoja mbi Islamin, më forcohej ndjenja që kjo fe është për mua. Gjatë asaj kohe iu luta Zotit të më udhëzojë në rrugë të drejtë. Mendoja shumë për gjithçka. Çfarë do të thonë prindërit e mi, shokët e klasës etj…

Kaloi pak kohë e unë vendosa të bëhem muslimane. Një të premte isha në Stokholm dhe po mbahej një konferencë islame. Prita jashtë derisa të përfundonte namazi i xhumasë. Gjatë kohës së namazit u thashë shokëve të mi se pa dyshim pas namazit do të pranoja Islamin.

Njëri prej tyre më tha: “Atëherë le ta pranojmë bashkërisht përnjëherë.” Ishim disa të rinj dhe nuk e dinim se çfarë kërkohej prej nesh. E dinim se duhej thënë dëshmia (shahadeti), por nuk dinim nëse kërkohej diçka tjetër.

Ne shkuam në xhaminë Rabita. Pas namazit të xhumasë, xhemati qëndronte ende në xhami dhe unë hyra dhe e thashë shehadetin pas imamit. Ishte një ndjenjë fantastike. Të gjithë u gëzuan dhe motrat muslimane erdhën dhe më përqafonin. Asnjëherë nuk kam pritur që të jem e pranuar kaq mirë dhe me madhështi. Ishte një përjetim i mrekullueshëm. Atë ditë kurrë nuk do ta harroj. Ishte dita më e gëzuar në jetën time. Të gjitha gratë e pranishme më përqafonin, këmbenin adresën me mua, më dhuronin mbulesa dhe mbi të gjitha kujtoj gëzimin dhe emocionet e tyre. Ato nuk dinin asgjë për mua, por megjithatë ishin të gëzuara për mua.

Pasi u bëra muslimane, të parët që e morën vesh ishin prindërit e mi. Babai im u mërzit shumë, kurse nëna u hidhërua pa masë. Ky ishte reaksioni i parë. U desh shumë që të më pranonin. Ata deklaruan se do ta respektonin vendimin tim dhe jetën time si muslimane. Pas një kohe të gjatë filluan të më pyesin rreth asaj se pse zgjodha Islamin. Ishte e vështirë të flisje mbi atë temë. Kur unë u mbulova, babai im sa nuk qau. Ndiheshin shumë keq. Unë nuk banoja me ta atë kohe, pasi studioja për mjeke, por i vizitoja dhe isha me mbulesë. Unë dëshiroj që prindërit e mi të bëhen muslimanë. Mendoj që babai im tashmë ka filluar të më kuptojë si muslimane. Verën e kaluar (1999), kur ishim me pushime me dy prindërit e mi, babai im më pyeti mbi Islamin, përse e zgjodha atë dhe disa pyetje të tjera. Unë kam një vëlla, i cili u dëshpërua kur kuptoi se isha bërë muslimane. Nga farefisi im disa ndjenin habi dhe pyesnin sepse u dukej e çuditshme ajo që më kishte ndodhur. Ata kanë paragjykime për Islamin, pasi e shohin si shtypje ndaj grave. Shumica e tyre pyetën si mundet që unë, një perëndimore, të bëhem muslimane?! Si një grua muslimane, unë jam e lirë nga mendimet e ndryshme se si dukem nga jashtë. Sot bëhet një presion i madh mbi femrën rreth pamjes së jashtme të saj. Unë nuk dua të vlerësohem nga pamja ime e jashtme, por nga brendia. Ata nuk dinë shumë mbi Islamin, vetëm aq sa u japin mediat. Unë, elhamdulilah, ndihem krenare dhe e fortë.

Islami më ka dhënë shumë, mes të tjerash siguri dhe bindje. Kam qenë një person që shqetësohesha edhe për imtësitë më të vogla, por tani si muslimane jam bëra e fortë dhe e vendosur. Kam kuptuar se të gjitha çështjet janë në Duart e Allahut, prandaj falem e lutem dhe të gjitha ia lë Allahut. Tani s’kam probleme me prindërit e mi. Ata e dinë që unë nuk e ha mishin e derrit dhe as nuk pi alkool. Me shokët e punës dhe miqtë është e njëjta gjë. Të jetosh si musliman në Suedi është edhe mirë edhe keq. Has një grumbull paragjykimesh. Jam e vetmja me hixhab dhe që falem në vendin e punës. Shumë suedezë nuk e kuptojnë si mundet që njeriu të jetë musliman. Unë u rekomandoj të lexojnë për Islamin dhe sidomos të lexojnë Kur´anin.

Para se të bëhesha muslimane, kisha mendim shumë negativ ndaj Islamit për shkak se nëpër shkolla i jepet një pamje negative. Babai im thoshte se Muhamedi alejhi selam ka qenë një njeri që i ngiste devetë ngjashëm me një shofer kamioni që shëtit nga kafeneja në kafene, që kishte mbledhur tregime të ndryshme dhe kishte formuar një fe të re. Kjo ishte pikëpamja e babait tim rreth Islamit. Ne doemos duhet të dalim e t’u tregojmë njerëzve ç´është në të vërtetë Islami. Në shoqëri shumë gjëra janë kundër Islamit. Ne duhet të arsimohemi me Islamin dhe t’u tregojmë të tjerëve se Islamin e praktikojnë të shkolluarit. Unë jam grua e shkolluar suedeze, por nuk ndihem e shtypur siç më paraqesin mediat. Përkundrazi, Islami më dha lirinë. Gjëja më e shkëlqyer në këtë fe është se i jep femrës identitet të sajin dhe siguri. Ne kemi obligime të ndryshme si njerëz, por para Allahut jemi të barabartë. Të gjithë jemi vëllezër dhe motra.

Një kapitull i rëndësishëm në jetën time janë edhe takimet me motrat muslimane. Me disa prej tyre jam aq e afërt, saqë edhe sekretet më të vogla ua tregoj. Ndihmohemi mes nesh në besim e në jetë. Me jomuslimanet nuk guxoj t’i zbuloj fshehtësitë e mia personale, se kanë të bëjnë me imanin tim.

Islami më jep mbështetje të fortë. Me faljen e pesë kohëve jeta ime ka ndryshuar plotësisht. Për mua Islami, feja ime, vjen e para, pastaj të tjerat. Kudo që të jem, në punë, në rrugë apo diku tjetër, namazi është gjëja më kryesore për mua. Pesë namazet e ditës janë si një puls dhe nuk marrin shumë kohë për t’i falur. Ndodh që në punë ndonjëherë të kujdesem për ndonjë pacient urgjent, por menjëherë pastaj mbetet kohë edhe për t’u falur. Kjo nuk ndeshet me punën time, përkundrazi, më jep çiltërsi dhe përqendrim edhe më të madh. Gjatë dimrit është më e vështirë, pasi koha është shumë e shkurtër. Por prapë ka zgjidhje, e bashkoj drekën me ikindinë ndonjëherë.

Namazi më ka lënë përshtypjen më të madhe sepse jam në kontakt të rregullt me Allahun. Për ta mbajtur gjallë imanin tim, unë lexoj dhe diskutoj me burrin tim. Dashuria për mua është të japësh e të marrësh. Bukuria me Islamin është tërësia e tij, besimi në një Zot që ka çdo gjë në Dorën e Vet, që kontrollon çdo gjë.

Vështirësitë

Ndonjëherë bie në sprova, por kjo është e mirë për ty sepse vijnë nga Allahu. Kur ke besimin islam, atëherë vjen bindja dhe syçelësia rreth gjërave që ndodhin në ty dhe rreth teje. Gjersa kërkoja punë, por ende nuk e kisha falur namazin e istihares, më ndodhi që nuk u pranova në punë. U mërzita dhe hidhërova shumë, por kjo më doli për mirë sepse ai vend pune s’kishte qenë i mirë për mua. Kjo është e mira e namazit të istihares. Pasi e bëra, m’u plotësua nga Allahu.

Unë hetoj se me kalimin e kohës përparoj çdo ditë në Islam; flas, komunikoj rreth njohurive të reja, lexoj pandërprerë, sidomos Kur´anin.

Dallimi mes Islamit dhe religjioneve të tjera është se Islami ka ardhur për të gjithë, kurse të tjerat janë vetëm për një popull të caktuar. Islami domethënë paqe, fe që Zoti ua jep atyre që e duan paqen.

Unë mahnitem me Hatixhen, gruan e pare të Profetit Muhamed alejhi selam, që e përkrahu me të gjithë fuqinë e saj.

Muhamedi alejhi selam është udhërrëfyesi im në rrugën e Zotit, se si duhet të jetojmë ne. Jezusi po ashtu është një Profet, bile nga më të zgjedhurit. Vendin që ai zë në Islam e nderon atë si Profet dhe jo si djalë i Zotit, e aq më pak si Zot.

Këshilla ime për ata që kërkojnë kuptimin e jetës është të kërkojnë dituri për religjione të ndryshme dhe ta lusin Zotin t’ua tregojë rrugën e vërtetë.

Atyre që nuk e praktikojnë Islamin u them të kujtojnë ajetet kur´anore. Ju jeni muslimanë, e dini ç´ju pret pas vdekjes. Çfarë përgjigjeje do t’i jepni Allahut kur do t´ju pyesë.

Këshilla ime për ata që praktikojnë Islamin është: Mësojeni edhe më shumë fenë. Unë i këshilloj fëmijët e mi që në të ardhmen të jetojnë si muslimanë. Jeto vetëm për Allahun dhe mos e harro asnjëherë.

Kam shumë dëshirë t’i ndihmoj njerëzit. Islami më ka ndryshuar krejtësisht.

Më parë e vizitonim Zotin vetëm të dielave në kishë, tani në jetën e përditshme si muslimane jam përherë e lidhur me Zotin.

 

 

Përshtati dhe përktheu nga suedishtja: Sabit Mulaku

Malmö, Suedi

më 18.05.2010

 

 

 

Libri në origjinal: “Att inse ändamålet! Intervju med ett 30-tal av de västerlänningar som omfamnade Islam”

Shqip: “Të shohësh qëllimin! Intervista me 30 perëndimorë që përqafuan Islamin”

Autor: Ibrahim Abdallah

Göteborg, Suedi

2001

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version