Pasi që femrat kanë ndikim të madh në edukimin e fëmijëve brenda dhe jashtë familjes së saj, ato duhet të jenë mirë të përgatitura për të qenë një shembull i mirë dhe adekuat. Kjo mund të bëhet vetëm duke i mësuar femrat se si të bëhen edukatore të mira për t’i edukuar fëmijët në një frymë të pastër islame dhe ta përdorin natyrën e tyre të ndjeshme për t’i mbushur zemrat dhe shpirtërat e tyre me besim dhe mirësi, ashtu që këto femra të mund t’i sjellin këta fëmijë në gjeneratën të cilën ajo e rrit dhe e edukon.

Kur shohim fëmijë të ngritur e të edukuar dhe kërkojmë arsyet prapa kësaj, gjejmë se ata kanë një nënë të mirë, të ngritur, të edukuar, edhe nëse babai nuk është ashtu. Ngjajshëm, kur shohim fëmijë të degjeneruar e të devijuar dhe kërkojmë arsyen prapa kësaj, gjejmë se ata kanë një nënë të degjeneruar , edhe nëse babai mund të jetë i mirë dhe i edukuar.

Për shkak të këtyre faktorëve dhe shembujve që ftojnë në rregullimin e edukimit të femrës dhe përmirësimin e sjelljes dhe moralit të saj ashtu që të jenë kujdestare të mira, nuk ka dyshim që islami thërret në edukimin e femrës. Pejgamberi alejhi selam u kushtonte ditë të veçanta për t’i mbledhur gratë, përveç ditëve kur vinin së bashku me meshkuj, në mënyrë që të mund t’ua mësonte diturinë hyjnore që na mëson Allahu i Madhëruar e që kanë të bëjnë vetëm me gratë, veçanërisht me formësimin e tyre fizik dhe psikologjik. Ato patën guxim ta kërkojnë këtë nga Pejgamberi alejhi selam dhe ai iu përgjigj pozitivisht kërkesës së tyre.

Ebu Se’id el-Hudri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:
Erdhi një grua tek Pejgamberi alejhi selam dhe tha, ‘’O i Dërguar i Allahut, burrat i dëgjojnë të gjitha ligjeratat tua, prandaj na kushto një ditë vetëm neve ku do të na mësoje atë çfarë Allahu të ka mësuar ty.’’ Pejgamberi alejhi selam tha: ‘’Mblidhuni në këtë dhe këtë ditë.’’ Ato u mblodhën dhe Pejgamberi alejhi selam erdhi dhe u mësoi atyre atë çfarë Allahu i ka mësuar atij. Më pas, ai tha: “Nuk ka ndonjë grua që i vdesin tre fëmijë e të mos jenë për të perde penguese ndaj zjarrit”. Një grua i tha: ‘’Po dy o i dërguar i Allahut?’’ Ai tha: “Edhe dy”. [Buhari dhe Muslimi]

Kjo ishte një nga gratë e shokëve të Pejgamberit alejhi selam, e çila me mirësjellje dhe guxim shkoi te Pejgamberi alejhi selam, dhe me këmbëngulje iu drejtua duke i thënë, ‘’Burrat i dëgjojnë të gjitha ligjeratat tua, prandaj na kushto një ditë vetëm neve ku do të na mësoje atë çfarë Allahu të ka mësuar ty.’’

Meqë burrat ishin ata që uleshin në fillim në ligjeratat e Pejgamberit alejhi selam, shumica e fjalëve, këshillave dhe referimeve u drejtoheshin atyre. Megjithëse, islami, rregullat, obligimet dhe mësimet e tij trajtojnë edhe meshkujt edhe femrat, disa çështje dhe rregulla janë të veçanta për femrat, dhe disa janë të veçanta vetëm për meshkujt.

Burrat merrnin njohuritë mbi rregullat që janë të veçanta për ta, sepse ata kishin mundësi që shumë lehtë dhe drejtëpërdrejtë të flisnin me Pejgamberin alejhi selam; ata, gjithashtu, nuk kishin turp për të pyetur për çfarëdo çështje në fe. Ata mund ta pyesnin Pejgamberin alejhi selam në çfarëdo kohe, kurse gratë jo gjithëherë mund të pyesnin për dispozitat fetare që kishin të bënin me to apo për zgjedhjen e problemeve të tyre. Ato, edhe kur mund t’i dëgjonin ligjeratat e Pejgamberit alejhi selam pa u përzier me meshkuj, u vinte turp të pyesnin në prani të meshkujve për çështjet që u takonin vetëm atyre.

Prandaj, për t’i mësuar rreth gjërave që u takonin vetëm atyre dhe për zgjedhjen e problemeve të tyre, mbaheshin ligjerata të veçanta vetëm për to që të diskutojnë për problemet dhe t’i mësojnë rregullat e të pajisen me mësime në përputhje me tiparet e tyre psikologjike, intelektuale, morale dhe shoqërore, ashtu si edhe në përputhje me përgjegjësitë e tyre në jetë, si brenda ashtu edhe jashtë familjes.

Këto ishin arsyet, pse gratë kërkuan një kohë të veçantë që ato të mësonin çështjet fetare që kishin të bënin me to, dhe për të njëjtat arsye Pejgamberi alejhi selam pranoi dhe iu përgjigj kërkesës së tyre.

Kjo është mënyra e duhur që gratë të edukohen dhe të nxirren nga errësira e injorancës në dritën e dijes, ashtu që ato të përmbushin obligimin e tyre në jetë në formën më të mirë dhe më të përsosur.

Poashtu, në këtë mënyrë, ato mund t’i bëjnë ballë përgjegjësisë së tyre duke e ruajtur dëlirësinë dhe turpin, pa iu ekspozuar shoqërisë së përzier që lehtë e pranon degjenerimin, gjë e cila është tipike në shoqëri të tilla, duke shkaktuar tek gratë lakmi që sjellin shenja të mosbindjes, mëkateve dhe forma tjera të imoralitetit.

Dituria e dobishme është mjeti i parë për përmirësimin e një shoqërie, duke përfshirë meshkujt dhe femrat; të vjetër dhe të rinj.
Gratë muslimane, në fillim të periudhës islamike, ishin të etura për mësimin e urdhërave të besimit të tyre dhe dispozitave të veçanta për to. Ato mblidheshin për ligjerata të veçanta, që ua dedikonte Pejgamberi alejhi selam. Pejgamberi alejhi selam vinte në kohë të caktuar; ai u mësoi atyre atë çfarë Allahu ia ka mësuar dhe u shpjegonte çështje të ndryshme. Ato e kërkuan këtë shumë herë dhe ai gjithmonë u përgjigjej.

Disa gra të ensarëve ishin mjaftë të guximshme të pyesnin për çështjet që u takonin vetëm atyre. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i falendëroi ato duke thënë, ‘’Allahu i mëshiroftë gratë e ensarëve; turpi i tyre nuk iu pengoi për të pyetur rreth çështjeve të caktuara të besimit të tyre.’’

Islami përcaktoi sistemin e edukimit të femrës deri në këtë nivel. Duke parë gjitha këto fakte, a do të kenë mundësi armiqtë e islamit të thonë ndonjë gjë për t’i gënjyer njerëzit rreth çështjes së edukimit të femrës, si formë e përpjekjes së tyre për t’i dhënë islamit një imazh të gabuar?

Me tërë këtë barazi të plotë në mes meshkujve dhe femrave si në dije ashtu edhe në vepra, a do të mund që akuzat e atyre, që përpiqen ta prishin imazhin e mrekullueshëm të islamit, të na vrasin veshin me gjëra që shkaktojnë mospranimin e një sistemi të shëndoshë?

Burimi: islamweb.net
Përkthyen: D.S. & A.S./motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version