Edukimi i femrës në Islam – I

Disa njerëz paragjykues dhe injorantë deklarojnë se islami nuk përkrahë edukimin e femrës dhe se preferon që femra të jetë injorante apo diçka e ngjashme. Kjo është një akuzë e njëanshme dhe e pabazë kundër Islamit. Në fakt, nuk ka fe apo doktrinë në këtë botë që nxit njeriun në kërkimin e diturisë më shumë se Islami. Islami fuqishëm inkurajon njerëzit, si meshkujt ashtu edhe femrat, në marrjen e diturisë në të gjitha fushat e jetës, si dhe në studimin dhe kërkimin e fakteve.

Islami përkufizon dijen si mënyrën më të mirë të njohjes së Allahut të Plotëfuqishëm, të besimit në Të, dhe të praktikimit të Sheriatit të Tij. A nuk ishin ajetet e para që iu shpallën Pejgamberit alejhi selam, një dëshmi e fuqishme për këtë? Ajetet e para që iu shpallën Pejgamberit alejhi selam, janë ajetet me të cilat Allahu i Plotëfuqishëm i drejtohet të Dërguarit të Tij, duke thënë: ‘’Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi. Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur. Lexo për Zotin tënd Bujar! Është Ai që ua mësoi pendën. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte.’’ ( Kur’an: 1-5).

Ky është një urdhër për të lexuar në emër të Krijuesit, i cili krijoi njerëzimin, burrat dhe gratë, nga një substancë e ngjizur. Kjo nënkupton se krijimi i Allahut të Plotëfuqishëm është fushë që duhet studiuar nga njerëzit, dhe kjo do t’i drejtojë ata në rrugën drejt Allahut. Studimi i krijmit të Allahut është rruga më e afërt dhe më e mirë për kërkuesit e diturisë dhe të vërtetës, kudo që ata mund të ndodhen apo me çfarëdo fushe shkencore merren.

Shpallja ka filluar me urdhërin për të lexuar, sepse të studiuarit është mjeti më i rëndësishëm i shtimit të dijes dhe vazhdimit me të. Të lexuarit vjen pas të shkruarit, dhe për këtë Allahu i Plotëfuqishëm shpalos të mirën që ia dha njerëzimit, sepse Ai i mësoi ata pendën që është mjeti më i rëndësishëm i të shkruarit. Kjo do të thotë se Allahu i Plotëfuqishëm ka mësuar gjithë njerëzimin – meshkujt dhe femrat.
Kjo thirrje e Allahut të Plotëfuqishëm, që fton njerëzit në kërkim të dijes dhe vërtetimin e shkencës, që prej fillimit të Islamit, është dëshmia më e madhe e barazisë mes burrit dhe gruas sa i përket studimit të shkencës, kërkimit të dijes, meditimit për atë që ka krijuar Allahu i Plotëfuqishëm, dhe shfrytëzimit të dy mjeteve të ndërlidhura të dijes: të lexuarit dhe të shkruarit.

Dija është mënyrë e njohjes së Allahut, të besosh në Të, dhe të dish rregullat e obligimeve fetare për të dy palët, meshkujt dhe femrat. Është obligim për çdo musliman dhe muslimane të mësojë çdo gjë që i çon ata drejt njohjes së mësimeve dhe urdhërave të fesë së tyre, të cilave duhet t’iu përmbahen gjithë-secili, sepse çdo burrë dhe çdo grua do të llogaritet për veprat e veta, para Allahut të Plotëfuqishëm.

Njerëzit, meshkujt dhe femrat, sprovohen në këtë jetë. Secili prej tyre do të përgjigjet për veprat e tij, përderisa ai apo ajo janë të aftë, apo kanë mendje të shëndoshë, vullnet dhe aftësi.

Pasi që njerëzit do të përgjigjen për veprimet e tyre, ata janë të obliguar të mësojnë gjithçka që ua mundëson atyre të dallojnë të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja, të dobishmen nga e dëmshmja, dhe të dinë se për çfarë kanë përgjegjësi para Allahut të Plotëfuqishëm.

Islami thërret në atë që femra të mësojë gjithçka që e bën atë një faktor të dobishëm dhe rregullues në një shoqëri islame të sigurt dhe të lumtur që synon të shkojë drejt përsosjes dhe rritjes së pushtetit dhe krenarisë.

Për të arritur këtë, islami nxit femrën në pjesëmarrjen e asambleve islamike, qofshin ato të mëdha apo të vogla. Islami inkurajon femrën të falë namazet me xhemat, të falë namazin e xhumasë dhe të dëgjojë ligjërimin (hutben), poashtu të ndjekë namazin dhe ligjërimin e Bajramit, edhe nëse ajo ndalohet nga falja e namazit. Islami, po ashtu urdhëron femrën ta kryejë haxhin dhe umren, dhe gjithashtu të ndjekë ligjërata fetare. Përveç kësaj, Allahu i Plotëfuqishëm i drejtohet meshkujve dhe femrave së bashku, përveç në disa raste, që tregon urdhërin e Tij për edukimin e tyre, përparimin e tyre, mësimin e çështjeve fetare duke iu lejuar pjesëmarrjen në çështjet me të cilat përballen muslimanët.

Realiteti i kësaj jete tregon sa e rëndësishme është që gruaja të jetë e ngritur, e ditur dhe e edukuar, për hir të familjes së saj dhe pastaj për të mirën e mbarë shoqërisë. Niveli i ngritjes së gruas apo degjenerimit të saj brenda familjes përcakton nivelin e ngritjes apo degjenerimit të fëmijëve të saj.Mbi të gjitha, gruaja ka ndikim të madh tek mashkulli, qoftë ai burri, babai ose vëllau.

Ngritja e gruas është më e rëndësishme për familjen se sa ngritja e burrit, sepse gruaja luan një rol të rëndësishëm në kultivimin apo shkatërrimin e formimit të sjelljeve, parimeve dhe shprehive tek fëmijët e vegjël; ky rol është shumë më i rëndësishëm se sa roli i burrit për shumë arsye:

1.Allahu i Madhëruar e ka krijuar femrën shumë të ndjeshme, me një natyrë të butë dhe me aftësi që të kyçet dhe të jetë pjesëmarrëse në jetën e fëmijëve duke iu përshtatur botëkuptimit dhe natyrës së tyre. Kjo bën që ajo të fitojë dashurinë dhe besimin e fëmijëve, prandaj ata imitojnë sjelljet e saj dhe çdo gjë që thotë a bën.

2.Gruaja është pranë fëmijëve shumicën e kohës kur ata janë duke u rritur. Gjatë kësaj periudhe, fëmija akoma ka një natyrë të pastër dhe është si një brumë i butë që i përshtatet traditave dhe zakoneve.

Burimi: islamweb.net
Përkthyen: D.S. & A.S.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version