Këtë temë e shohim me rëndësi sidomos për të rinjtë dhe të rejat që kanë ndërmend të martohen së shpejti. Ashtu siç është e rëndësishme për prindërit, të cilët kanë fëmijë për të martuar.
Zgjedhja e shokut të jetës kalon në katër faza:
1. Përcaktimi i cilësive dhe karakterit të shokut të jetës.
2. Si do e kërkosh shokun e jetës?
3. Këshillimi, mbledhja e informacionit dhe falja e istihares.
4. Pëlqimi i familjes.
Siç e shohim dhe më lart, faza e parë është caktimi i cilësive dhe karakterit të vajzës apo djalit. Cilat janë ato kritere që kërkon tek bashkëshortja jote e ardhshme? Si e dëshiron bashkëshorten tënde? Po ti o motër, si e dëshiron bashkëshortin tënd?
Kur Zoti krijoi njeriun mbi tokë, i caktoi një mision të rëndësishëm, adhurimin e Tij dhe jetesën sipas urdhërave dhe dispozitave hyjnore. Ai i krijoi njerëzit me qëllim që jetën në tokë, t’a ndërtojnë sipas sistemit hyjnor.
Thotë Zoti në Kuran: ”Kujto kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë” (Bekare 30)
E veçanta qëndron në atë që familja ishte institucioni i parë të cilit iu ngarkua ky mision, ai i zbatimit të ligjeve të Zotit mbi tokë. Ky mision dhe obligim kaq i rëndësishëm dhe madhështor, iu ngarkua një burri dhe gruaje të martuar, Ademit dhe Havasë. Obligimi i parë nga Zoti, ishte për këtë familje. Gjithashtu, sihariqi dhe përgëzimi i parë me xhenet, ishte për këtë familje. “Bano ti dhe gruaja jote në xhenet…”
Zoti nuk e kishte të pamundur që mbi tokë të krijonte njëherazi një fis, qytet apo shtet të tërë. Me faktin që Zoti fillimisht krijoi një familje, burrë dhe grua mbi tokë, sikur na thotë që kriteri kryesor për zbatimin e ligjeve të Zotit mbi tokë, është familja.
Thotë Zoti në Kuran:”O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.” (Huxhurat 13)
Ky ajet vërteton atë që thamë më lart, që familja është zanafilla e përmbushjes së misionit të njeriut mbi tokë.
I gjithë njerëzimi është krijuar me qëllim që në tokë të zbatohen dhe respektohen ligjet e Zotit dhe është familja bërthama dhe katalizatori kryesor me anë të cilës do të arrihet kjo.
Kurdo që të martoheni o motër dhe o vëlla, kijeni parasysh këtë fakt. Me anë të kësaj lidhjeje të shenjtë, ju do të kontriboni në zbatimin e ligjeve të Zotit mbi tokë.
Mbyllja e ajetit të mësipërm është:” Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij.”
Duke krijuar familje dhe plotësuar misionin e ngarkuar, ti o vëlla dhe o motër e shtoni devotshmërinë ndaj Zotit të madhëruar.
Mos u marto o vëlla dhe o motër thjesht se të gjithë martohen. Mos u marto vetëm për të thënë që je i martuar, por martohu me synimin e përmbushjes së misionit që je ngarkuar.
Kriteret e të rinjve për shokun\shoqen e jetës
Të rinjtë dhe të rejat kanë kritere të ndryshme, përsa i përket shokut dhe shoqes së jetës. Disa prej tyre nuk e dinë se si e duan, thjesht thonë që dua të jetë e mirë. Ka disa prej tyre që shoqen e jetës e duan të ndjekë modën, të jetë elegante, e shoqërueshme dhe e hapur, fjalë ëmbël, shumë e bukur etj…
Kurse kriteret e të rejave, janë të tilla si jonevrik, të veshur mirë, i hijshëm, i kulturuar, ambicioz, të më dojë dhe të më mbajë pranë, të jetë i pasur, të ketë makinë të mirë, të mos jetë koprac etj…
Prej të rinjve ka dhe fetarë të cilët si kriterin më kryesor kanë fenë dhe përkushtimin në fe. Pas këtij kriteri, shumë prej tyre kërkojnë dhe bukurinë e saj.
Nga të rinjtë fetarë, ka të tillë që kriterin e parë dhe të fundit kanë përkushtimin e vajzës në fe. Ata pohojnë se asgjë tjetër nuk ka rëndësi, pas këtij kriteri.
Kriteret që ka caktuar i dërguari i Zotit
I dërguari i Zotit a.s, thotë mbi kriteret në bazë të të cilave bëhet një lidhje martesore. Këto janë katër kriteret më të përhapura mes njerëzve, në përzgjedhjen e shoqes së jetës. Këto kritere janë bukuria e vajzës, pasuria e saj, farefisi (familja) dhe përkushtimi i saj fetar. Kështu, ka njerëz që kriterin kryesor në përzgjedhjen e bashkëshortes kanë bukurinë e saj. Asgjë tjetër përveç bukurisë nuk i hyn në sy. Ka të tjerë që bashkëshorten e duan të pasur dhe të një rangu të lartë, të tjerat nuk kanë rëndësi. Dikush tjetër e kërkon të rrjedhë nga një fis i dëgjuar dhe me famë. Kurse ka të tjerë që duan që ajo të jetë e përkushtuar dhe e lidhur me Zotin.
Pasi i përmend kriteret më të përhapura, Profeti a.s thotë:” Nëse nuk kërkon dhe merr atë vajzë që është e përkushtuar në fe, dije se nuk ke fituar por ke humbur. Mbushja e duarve me dhe, është simbol i humbjes. Nëse ti o vëlla nuk e zgjedh bashkëshorten të përkushtuar në fe, dije se ke humbur. Nëse ti o motër nuk e zgjedh bashkëshortin të përkushtuar në fe, dije se ke humbur.
Hadithi i mësipërm nuk është hadithi i vetëm që flet mbi kriteret e përzgjedhjes së bashkëshortes. Hadithet që flasin mbi këtë çështje janë të shumtë. Thotë Profeti a.s në një nga këto hadithe
Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:“Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër..” (Bekare 201)
Dijetarët thonë se të mirat e botës tjetër janë në xhenet. Kurse mbi të mirat e kësaj bote, thonë se për burrin është gruaja e ndershme dhe për gruan burri i ndershëm.
Thotë Profeti alehis-selam në lidhje me kriterin e përzgjedhjes së bashkëshortit për gratë:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i besueshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.”
Të zgjedhësh një vajzë të përkushtuar në fe, nuk është vetëm një porosi dhe këshillë profetike, por edhe nga vetë përvoja e jetës, është vërtetuar se ajo që të fal më shumë lumturi dhe qetësi shpirtërore, është një grua e përkushtuar në fe dhe e ndershme. E njëjta gjë vlen dhe për femrën në përzgjedhjen e bashkëshortit të saj, i cili duhet të jetë i përkushtuar në fe.
Një prind, vajti tek një i ditur dhe e pyeti:”Kujt duhet t’ia jap vajzën time?”
I dituri iu përgjigj:”Jepja një fetari, pasi nëse do e dojë, do e nderojë. Por nëse do e urrejë, nuk do i bëjë padrejtësi.”
Mos prano për bashkëshort dikë që e din që konsumon alkol o motër. Mos e prano dikë që nuk falet, edhe nëse të premton se pasi të martoheni do të falet. Mos prano që fëmijët e tu t’a shohin babanë e tyre duke konsumuar alkol, apo duke mos u falur. Çfarë do i thuash Zotit Ditën e Kijametit për këtë zgjedhje të gabuar? Çfarë do i thuash për fëmijët e tu që janë edukuar me gotën e rakisë në shtëpi? Çfarë do i thuash Zotit kur të të pyesë:”Kë ke zgjedhur si baba të fëmijëve, që t’i edukojë?”
Përzgjedhja e bashkëshortes dhe e bashkëshortit, duhet të ketë kriterin dysheme, që është përkushtimi në fe. Më pak se ky kriter mos prano o vëlla dhe motër!
Edhe pse ne kërkojmë që kriteri kryesor në përzgjedhjen e bashkëshortit apo bashkëshortes të jetë përkushtimi në fe, kjo nuk i hedh poshtë kritere të tillë si bukuria, pasuria, familja dhe farefisi, kultura etj.. Ti o vëlla mund t’a zgjedhësh gruan të bukur, e pasur, të fisshme… por fillimisht të jetë e përkushtuar në fe. E rëndësishme është që kriteri i parë dhe më kryesori të jetë feja, pastaj të vijnë kriteret e tjerë.
Gjatë kohës që Umer ibnul Hattabi ishte Halife i muslimanëve, shprehu dëshirën për t’u martuar me Ummu Kulthumin, vajzën e Ebu Bekrit. Për t’a realizuar këtë lidhje, ai vajti dhe i tregoi Aishes, motrës së Ummu Kulthumit.
Aisheja i premtoi se do të bëjë ç’mos që kjo lidhje të realizohet dhe vajti tek e motra të cilës i tha:”E lumja ti! Prijësi i besimtarëve, Umer ibnul Hattabi ka kërkuar dorën tënde.”
Ummu Kulthumi iu përgjigj:”E çfarë të bëj tek Umeri! Ai jeton në kushte të vështira, është shumë xheloz dhe mendja i rrin vetëm tek popullata. Ndërkohë që unë jam e re dhe kam nevojë për dikë që të më mbulojë me dashuri dhe njëkohësisht të adhurojë Zotin.”
Aisheja u ndje keq nga ky refuzim i motrës së saj dhe nuk dinte si t’ia thotë Umerit. Kështu, ajo thirri Amr ibnul Asin dhe i kërkoi atij që t’ia transmetojë refuzimin e Ummu Kulthumit.
Amr ibnul Asi vajti tek Umeri dhe i tha:”O Prijës i besimtarëve, përse nuk martohesh?!”
Umeri ia ktheu:”Po, së shpejti në dashtë Zoti.”
Amr e pyeti:”E kush është ajo?”
Umeri iu përgjigj:”Është Ummu Kulthumi, vajza e Ebu Bekrit.”
Amr i tha:”Përse ngatërrohesh me këtë vajzë të njomë?! Nuk kanë kaluar veçse disa muaj nga vdekja e të atit dhe vajtimet për të atin do i dëgjosh natë e ditë.”
Umeri e pa me vëmendje dhe e pyeti:”Mos të ka thënë gjë Aisheja?!”
Amr i tha:”Po.”
“Atëherë lëre fare këtë punë!” iu përgjigj Umeri.
Ummu Kulthum, u martua me Talha ibnu Ubejdullah. Ai ishte një nga shokët e Profetit a.s, ishte i pasur, tregtar i shquar dhe një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet.
Siç shihet dhe nga kjo histori, ti o vëlla dhe o motër mund t’a zgjidhni bashkëshortin\en edhe të hijshëm, të pasur, të fisshëm… por pasi të ketë plotësuar kriterin më kryesor, fenë dhe përkushtimin.
Sot ka shumë të rinj që thonë:”Do të martohem me filanen pasi është e bukur, elegante… dhe pasi të martohem do e bind që të përkushtohet në fe.”
Ka edhe vajza të cilat kanë simpati për një djalë dhe pranojnë të martohen me të me synimin se pas martese do të ndryshojë dhe do të përkushtohet në fe.
Në fakt, një i ri ose e re që mendon në këtë mënyrë, nuk e dëshiron që bashkëshorti të jetë fetar.
Problemi qëndron në faktin se mjetet e informacionit dhe mediat e kanë shpërfytyruar imazhin e një vajze dhe të një djali të përkushtuar në fe. Një vajzë apo djalë i përkushtuar në fe, sipas tyre, është një i\e mbyllur në vetvete, i\e paarsimuar, jo e \ i pashëm etj… Në fakt, një koncept i tillë është i gabuar. Sidomos në kohët e fundit, ne shohin që shumë të rinj rrjedhin nga familje të një rangu të lartë në shoqëri, të kulturuar, intelektualë, të hijshëm, të hapur, sportistë… E njëjta gjë ndodh dhe me vajzat, të përkushtuara në fe, të hijshme, të suksesshme në mësime dhe në punë…
Ti o motër je dëshmitare me atë që po ndodh sot me shumë familje dhe çifte, të cilët i japin fund jetës së tyre bashkëshortore me shumë dhimbje, poshtërime, fyerje, sharje, dhunë… Nëse do të martohesh me një të përkushtuar në fe, ai do të të nderojë nëse të don, dhe nuk do të sillet padrejtësisht nëse nuk të don.
Nëse ti o vëlla je i lidhur me një vajzë dhe ti o motër je e lidhur me një djalë që të pëlqen, por që nuk është i përkushtuar, si duhet të veprosh? Mos duhet t’a refuzosh, apo të martohesh me qëllimin se pas martese do të përkushtohet? Në një rast të tillë, unë u këshilloj që të shihni nëse ky person e ka gatishmërinë e duhur për t’u përkushtuar në fe, gjë e cila dallohet nëse ai ose ajo ndërmarrin hapa praktikë në rrugën e përkushtimit. Nëse nuk ndërmerr hapa praktikë drejt përkushtimit, mos u mashtro nga lotët që mund t’i rrjedhin, nga gjendja shpirtërore etj… Vetëm veprat e tregojnë nëse është i gatshëm të përkushtohet ose jo.
Ti o vëlla dhe o motër duhet të caktosh nivelin më të ulët të përkushtimit në fe të atij që të ka propozuar për martesë. Dhe më e pakëta është që të mos pranosh për bashkëshort dikë që nuk falet. Mos pranosh për bashkëshort dikë që vepron gjynahe të rënda.
Gjithmonë kriteret e bashkëshortes apo të bashkëshortit për femrat, i lidhni me synimet dhe objektivat që i keni vënë vetes në këtë jetë. Nëse ke si synim të forcosh dhe përhapësh fenë e Zotit, kërko një shok jete që do të të ndihmojë. Nëse kërkon që nga barku yt të lindin muslimanë që do të jenë si Salahudin Ejubij, zgjidh për bashkëshort një të përkushtuar në fe.
Dikush mund të thotë me të drejtë: ”Unë e pranova si bashkëshort\e, pasi e pashë të falej në xhami. Por me t’u martuar sjelljet dhe moralet e tij nuk ishin të mira.”
Kriterin e përkushtimit në fe, për të cilin folëm deri tani, ne kemi qëllim përkushtimin e vërtetë në fe dhe jo atë fallco. Kemi synim atë lloj përkushtimi që pasqyrohet tek sjellja, moralet dhe edukata me njerëzit. Kështu, nëse ti kërkon një të përkushtuar në fe, përveç hyrje-daljes nga xhamia, përveç hixhabit, përveç namazit… interesohu dhe për sjelljet dhe moralin e tij në shoqëri.
Një herë Umer ibnul Hattabi pyeti një nga muslimanët për dikë nëse e njihte. Muslimani iu përgjigj: ”Po e njoh dhe është njeri i mirë.”
Umeri, duke dyshuar e pyeti:”A ke udhëtuar me të?”
Muslimani: ”Jo, nuk kam udhëtuar.”
Umeri:”A e ke provuar si reagon ndaj dinarit dhe derhemit?”
Muslimani: ”Jo.”
Umeri:”A ke ndonjë miqësi dhe afërsi me të?”
Muslimani: ”Jo.”
Atëjerë Umeri i tha duke tundur kokën:”Ti nuk e njihke atë.”
Dallimet shoqërore
1. Kriteri i parë në përzgjedhjen e bashkëshortit, është përkushtimi në fe.
2. Kriteri i dytë, është barazia shoqërore. Me këtë kriter përballen si fetarët dhe jofetarët. Shumë nga fetarët mendojnë që e rëndësishme është që bashkëshortja e tyre të jetë e përkushtuar në fe, kurse barazia ose dallimet shoqërore nuk kanë rëndësi. Ata mendojnë se islami ka vënë barazi mes të gjithë njerëzve dhe diferencat kulturore, shoqërore, fisnore etj… nuk kanë më asnjë vlerë. Kurse të tjerët mendojnë se është pikërisht barazia shoqërore, kulturore dhe fisnore ajo që ka rëndësi në një lidhje. Kurse përkushtimi në fe është diçka që ka të bëjë me shijen dhe hobin e secilit nga bashkëshortët.
Në fakt, të dy këto koncepte janë të gabuar. Të pretendosh se dallimet kulturore dhe shoqërore nuk kanë rëndësi në një lidhje martesore është e gabuar. Si mund të jenë njëlloj një vajzë që ka kryer universitetin me një djalë me tetëvjeçare? Si mund të jenë të barabartë një djalë që vjen nga shtresa më e ulët dhe e rëndomtë e shoqërisë, me një vajzë që i përket rangut më të lartë në shoqëri?!
Shumica e dijetarëve muslimanë mendojnë se barazia shoqërore dhe kulturore është një garanci për suksesin e një lidhjeje martesore.
Madje, për këtë kriter kemi dhe një ndodhi gjatë jetës së profetit Muhamed a.s. Zejneb bindtu Xhahsh, e cila rridhte nga një familje e fisshme, nga paria e Kurejshëve, ishte martuar me Zejd ibnu Harithe, i cili kishte qenë rob dhe kishte fituar lirinë. Të dy ishin bashkëkohës të Profetit a.s dhe besimin e kishin tepër të fortë. Zejdi pas pak kohësh do të vdesë si shehid, kurse Zejneb do të martohet me vetë të dërguarin e Zotit. Kështu, diferencat shoqërore çuan në prishjen e kësaj martese. Ajo u divorcua nga Zejdi dhe më pas u martua me Profetin alehis-slema
Umer ibnul Hattabi thotë: ”Për vajzat që rrjedhin nga një rang i lartë shoqëror, nuk ka burra më të përshtatshëm për martesë se ata që rrjedhin nga i njëjti rang.”
Ai përmend gratë në veçanti, pasi për gruan është shumë e vështirë dhe e papranueshme që i shoqi të jetë nga një nivel shoqëror më i ulët se i saji.
Kjo nuk do të thotë që niveli shoqëror të jetë ekuivalent 100 %, por të jetë i përafërt. Nëse dallimet shoqërore janë shumë të vogla, besoj se kjo nuk ndikon negativisht në martesë.
Abdullah ibnu Umer thotë: ”Beduinët le të martohen mes tyre, skllevërit le të martohen mes tyre, të gjithë të martohen me ekuivalentët e tyre.”
Nëse niveli kulturor dhe shoqëror janë të barabartë ose të përafërt, pasuria nuk përbën problem. E rëndësishme që niveli shoëror dhe kulturor të jenë të përafërt. Nuk prish punë nëse njëri nga bashkëshortët është i pasur dhe tjetri i varfër.
Diferenca e moshës
Një kriter tjetër i rëndësishëm, i cil shpesh herë bëhet objekt debatesh, konfliktesh dhe polemikash mes familjeve, është dhe mosha. Sot jemi dëshmitarë të lidhjeve martesore ku në shumicën e rasteve është bashkëshorti më i madh në moshë, por ka dhe raste të tilla ku bashkëshortja është më e madhe se i shoqi.
Vetë i dërguari i Zotit a.s u martua me Hadixhen e cila ishte pesëmbëdhjetë vjeç më e madhe. Profeti a.s ishte njëzet e pesë vjeç, ndërkohë që Hadixheja ishte dyzet vjeçe. Por kjo martesë ka të bëjë me një fakt dhe faktor shumë të rëndësishëm, nivelin e pjekurisë së burrit. Psikologët dhe shkencëtarët pohojnë se zhvillimi fizik dhe mendor i femrës deri në moshën njëzet e dy vjeçare, është më i lartë se ai i mashkullit.
Kështu, martesa me një femër më të madhe në moshë, mund të bëhet me dy kushte:
1. Bashkëshortja të jetë e pjekur dhe e arsyeshme. Ajo nuk duhet të ndihet më e privilegjuar se i shoqi dhe të kërkojë t’i besohet asaj administrimi dhe vendim marrja, nëse është më e madhe në moshë.
2. Në të njëjtën kohë, edhe burri duhet të ketë pjekurinë e duhur dhe të mos ndihet në një nivel më të ulët se e shoqja.
Psikologët dhe sociologët pohojnë se diferenca e moshës mes çiftit është e pranueshme deri në dhjetë vjeç, më lart jo. Për këtë, kur Fatimen e kërkoi Ebu Bekri dhe më pas Umeri, Profeti a.s i refuzoi, pasi diferenca e moshës ishte shumë e madhe. Ai pranoi Aliun, i cili ishte vetëm pesë vjet më i madh se Fatimeja.
Kohët e fundit mes shoqërive tona ka filluar të përhapet një fenomen i çufitshëm, ku shumë femra edhe pse të reja pranojnë dhe martohen me burra me një diferencë në moshë shumë të madhe. Edhe pse nuk më vjen mirë që e pohoj, por shkaku i kësaj është se të rinjtë e sotëm nuk janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësitë që lindin nga lidhjet martesore. Këta të rinj, edhe pse duan të martohen, nuk e kanë gatishmërinë të marrin ndonjë përgjegjësi familjare. Është gruaja ajo që punon jashtë shtëpie dhe brenda saj. Është ajo që gatuan, ajo që lan dhe pastron fëmijët, është ajo që blen ushqimet, është ajo që kryen vizitat e duhura, ajo që dërgon fëmijët tek doktori etj… Ndërkohë që ai, nëse punon, ditën është në punë, kurse pasdite deri natën vonë qëndron me shokët në kafe. Fëmijëve nuk u kushton asnjë përkujdesje.
Duke parë çifte të tillë, shumë vajza kanë filluar të preferojnë bashkëshortë më të shtyrë në moshë, por që janë të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm.
Një diferencë të tillë moshe unë nuk ia këshilloj asnjë vajze dhe femre që dëshiron të martohet, pasi përveç diferencës së moshës, ata kanë dhe diferenca dhe raporte të ndryshme në mentalitet dhe mendësi.
Faza e kërkimit të shokut të jetës
Është fakt që shumë të rinj dhe të reja, pasi kanë përcaktuar cilësitë dhe kriteret e duhura në përzgjedhjen e shokut të jetës, befasohen me faktin që nuk gjejnë dot një person të tillë. Kjo ndodh më së shumti me vajzat. Shumë prej tyre i kanë kaluar të tridhjetat dhe askush nuk ka trokitur në derën e tyre, ose ata që u kanë kërkuar dorën kanë qenë të papërshtatshëm.
Mendoj se kjo ndodh më së shumti për tre shkaqe:
1. Kërkesat e shumta të familjarëve të vajzës, gjë e cila padyshim ndikon në ekonominë e dobët të djalit.
2. Të rinj që nuk janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi familjare, gjë e cila i detyron vajzat të refuzojnë.
3. Rastet e kontaktit dhe të njohjes nuk janë në nivelin e duhur. Shumë vajza sot janë detyruar të punojnë në kompani dhe institucione të ndryshme, jo për nevoja, por thjesht për t’u prezantuar dhe për të gjetur një person për t’u martuar. Shumë të tjera shohin internetin si zgjidhje për të gjetur dikë të përshtatshëm. Të tjera pranojnë të shoqërohen me të rinjtë, me shpresën se ndonjëri do pranojë të martohet me të.
Pyetja që lind është: ”Si ia bënin të parët tanë, që rastet për t’u martuar ishin të shumta dhe shumë të lehta?”
Një problem i tillë nuk ekzistonte tek brezat e mëparshme, edhe pse universitete për t’u njohur nuk kishte, as kompani të mëdha ku të punësoheshin dhe gratë nuk kishte. Atëherë si martoheshin?
Tek brezat e mëparshëm ekzistonte një faktor shumë i rëndësishëm, i cili i ndihmonte të rinjtë dhe familjet e tyre në përzgjedhjen e duhur të shokut të jetës. Lidhjet familjare tek brezat e mëparshëm kanë qenë shumë të forta. Familja ishte shumë e lidhur me të gjithë të afërmit, farefisin dhe komshinjtë. Ajo që ndodh sot me familjet, ku nëna kërkon të qëndrojë vetëm me shoqet, babai me shokët dhe fëmijët me shoqërinë e tyre, nuk ekzistonte. Sot secili kërkon të jetojë jetën e tij private, pa u përzierë qoftë dhe me njerëzit më të afërt.
Rrjeti i lidhjeve ndërnjerëzore asokohe ka qenë shumë i fortë. Të gjithë e njihnin mirë njëri-tjetrin. Komshinjtë kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Ndërkohë që sot komshinjtë nuk e dinë kush dhe nga është komshiu i tij përballë.
Vallë ku është familja e cila i ruante lidhjet me të afërmit? Ku është ai baba dhe nënë që i merrnin fëmijët dhe së bashku vizitonin të afërmit? Ku janë komshinjtë dhe detyrimet ndaj tyre?
Veç lidhjeve familjare, asokohe edhe xhamia ishte një institucion që krijonte lidhje të reja, por këtë herë vëllazërore. Si burrat ashtu dhe gratë shkonin në xhami, ku njiheshin me frekuentuesit e xhamisë. Duke u falur për vite të tëra në të njëjtën xhami, padyshim që do të krijoheshin lidhje të reja dhe prezantimi me njëri-tjetrin do të ishte më i detajuar. Vizitat mes familjeve, komshinjve dhe farefisit ishin të shumta, gjë e cila i forconte lidhjet por dhe krijonte mundësi prezantimi mes atyre që kërkonin të martohen.
Kështu, vajzat kishin raste të shumta për t’u martuar, raste të cilat sot nuk ekzistojnë për fat të keq.
Le të përpiqemi t’i kthejmë këto lidhje mes familjeve dhe farefisit.
Asokohe vajza nuk kishte nevojë dhe as nuk përfytyrohej që të kërkojë burrë, pasi ishin këta të fundit që e kërkonin. Ajo ishte e nderuar dhe e respektuar. Edhe atëherë ajo mund të punonte, por për një objektiv dhe qëllim të lartë, jo thjesht për të gjetur burrë.
Ne i injoruam këto lidhje dhe u dhamë pas perëndimit, i cili është ndërtuar mbi individualizmin. Kështu, vajzat dhe motrat tona detyrohen të punësohen dhe të përdorin faqet e shumta të internetit, për t’u martuar me dikë. Këto faqe të posaçme për të krijuar lidhje, kanë një grup pune i cili studion rastet e paraqitura dhe bën lidhjet që i sheh si të përshtatshme. Tashmë janë njerëz që ti as nuk i njeh, ata që marrin në dorë çështjen e martesës tënde o motër dhe jo babai. Madje ka akoma më keq. Sot shohim që shumë vajza dërgojnë mesazhe në televizione të caktuara, ku përshkruajnë veten dhe presin orferta nga burra të ndryshëm.
A ka fyerje më të madhe se kaq për një femër? Kush tjetër e ka nderuar femrën, ashtu siç e ka nderuar dhe lartësuar islami?
Islami të vlerëson dhe të nderon o motër, mos prano të shitesh për lirë. Ti e merriton që të jesh e kërkuar dhe jo të kërkosh.
Le të përpiqemi të gjithë, secili sipas mundësive të veta, që rolin e familjes t’a kthejmë sërish në shoqëritë tona muslimane. Le të përpiqemi që nderin dhe dinjitetin e gruas t’a ruajmë, ashtu siç e ka ruajtur dhe vlerësuar islami. Kjo është shpresa e vetme, që dashuria, respekti dhe harmonia të kthehen sërish në familjet tona.
Përktheu: Elmas Fida/f.qytetiislam/motraime