Unë jam një njeri që ka hyrë në dekadën e pestë të jetës. Jam përshëndetur me rininë dhe ëndrrat e saj. Kam shëtitur nëpër vende të ndryshme dhe jam takuar e njohur me shumë njerëz. Andaj, dëgjoji nga unë disa fjalë të vërteta dhe të sinqerta nga përvoja e jetës sime, të cilat nuk do t’i dëgjosh nga të tjerët!
Kemi shkruar dhe kemi ftuar në përmirësimin e moralit, që njerëzit të largohen nga epshet dhe ngatërresat, saqë na janë lodhur lapsat dhe gjuhët tona, por e tërë kjo nuk pati rezultat. Gjërat e shëmtuara jo që nuk u larguan, por përkundrazi u shtuan dhe ngatërresat edhe më u përhapen. Zbulimi i bukurisë te femrat vazhdoi të shtohej dhe të zgjerohej prej një vendi në vendin tjetër, saqë me këtë gjë të shëmtuar nuk mbetën pa u prekur as shtetet islame. Nuk patën sukses dhe nuk mendoj se do të kemi sukses.
A e dini pse?
Ngase ende nuk ia kemi mësyer dyerve të përmirësimit, e as nuk e dimë rrugën për tek ai. Përmirësimi është në kthimin në Rrugën e Shpëtimit. Rruga e shpëtimit është para teje, bija ime. Çelësat janë në duart e tua, e nëse ti beson në ekzistimin e asaj rruge dhe punon për tu kthyer në të, gjendja do të përmirësohet.
Është e vërtetë se mashkulli është ai i cili e bën hapin e parë të mëkatit dhe këtë nuk e bën femra, por po të mos ishte dëshira jote, butësia jote, ai nuk do të insistonte. Ti ia hape derën e ai hyri. I the hajnit urdhëro, e kur ai të vodhi, fillove të bërtasësh: “Ndihmë, më vodhën!” Sikur ti ta dije se ata të gjithë janë hajna, do të ruheshe prej tyre sikur që ruhet viktima prej hajnit.
Ujku e do qengjin vetëm për mishin e tij, e atë që do mashkulli nga ti është më e vlefshme për ty sesa mishi për qengjin. E përfundimi është më i keq për ty sesa vdekja për qengjin. Ai do nga ti gjënë tënde më të shtrenjtë-nderin tënd, me të cilin ti krenohesh dhe për të cilin jeton. Ngase, jeta e vajzës, nderin e së cilës ia ka marrë mashkulli, është njëqind herë më e rëndë sesa vdekja për qengjin mishin e të cilit e ka ngrënë ujku. Po, për Zotin!
Nuk e shikon një i ri një femër ndryshe pos duke e paramenduar si të zhveshur. Po të betohem për herë të dytë, mos i beso asaj çfarë thonë disa meshkuj se ata në femër nuk shohin asgjë tjetër pos moralit dhe sjelljeve të saj dhe se ata bisedojnë me të si shoqëri dhe si të tilla edhe i duan. Po të betohem se kjo është rrenë! Po t’i dëgjoje bisedat e të rinjve kur janë vetëm, do të dëgjoje fjalë të trishtueshme! I riu nuk të buzëqeshë, e as nuk të folë fjalë të buta ose nuk të bën ndonjë shërbim për asgjë tjetër pos duke bërë parapërgatitje për t’ia arritur qëllimit.
Çfarë pas kësaj, çfarë, moj bijë? Mendo!
Bashkoheni në kënaqësi për një moment, e kur pas kësaj ai të harron, ti përgjithmonë do t’i ndjesh pasojat e saj. Ai do të vazhdojë të kërkojë ndonjë femër tjetër të pakujdesshme dhe ta vjedhë nga ajo nderin e saj, e te ti në barkun tënd do të mbetet pjella e tij. Me ty do të mbeten brengat dhe turpi. Kjo shoqëri zullumqare do t’ia falë atij dhe do të thonë:
“Ka qenë i ri, kishte gabuar pak, por është penduar”. E ti do të mbetesh me mërzinë tënde dhe turpin tënd gjatë tërë jetës, shoqëria ty ndoshta nuk do ta falë kurrë!
Andaj, nëse e takon, ule kokën dhe shikimin tënd dhe bëja me dije refuzimin tënd. E nëse në këtë mënyrë nuk largohet, por gjen guxim të të afrohet dhe të hedhë fjalë, atëherë lirisht mund ta nxjerrësh këpucën prej këmbës dhe ta godasësh në kokë. Nëse do ta kishe bërë një gjë të tillë do ta kishte vërejtur secili i cili kalon atypari dhe do të të ndihmonte ty, e të pamoralshmit e tjerë nuk do të kishin pasur guxim që ta bënin një gjë të tillë. E, nëse është i mirë dhe pendohet për gjestin e bërë, atëherë ai do të kërkojë lidhjen në mënyrë të lejuar, do të kërkojë martesë me ty.
E femra, pa marrë parasysh pasurinë, pozitën dhe famën që ka, shpresën dhe lumturinë më të madhe e ka në martesë, ku do të bëhej grua e mirë, nënë e kujdesshme si dhe edukatore e shtëpisë. Në këtë dëshirë janë të njëjta edhe mbretëreshat, princeshat dhe artistet e Hollivudit, të cilat janë të famshme dhe me ndikim.
Martesa është dëshira dhe privilegja më e madhe e femrës, qoftë ajo edhe deputete në parlament. Prostitutën nuk e marton askush. Edhe ai i cili e mashtron femrën e ndershme duke i premtuar martesë, e pastaj e len dhe shkon, e marton ndonjërën prej femrave të ndershme për arsye se ai nuk pranon që zonja e shtëpisë dhe nëna e vajzës së tij të jetë prostitutë.
E mashkulli nëse është i pamoralshëm, nëse nuk gjen në tregun e kënaqësisë femër që do të pranonte t’ia dorëzojë nderin e saj atij dhe të jetë lodër në duart e tij dhe nëse nuk gjen femër të pakujdeseshme që do të jetonte me të sipas fesë së Iblisit (shejtanit), atëherë do të kërkojë ndonjë femër që do të jetë grua e tij sipas parimeve islame. (vazhdon…)