Fillimi i urtësive është nga vet emri ”Salatul xhummua” namazi i tubimit, grumbullimit të muslimanëve në një vend. Pavarësisht nëse një pjesë e muslimanëve janë në kontradiktë duke marr mendime të dijetarëve të ndryshëm, apo dallojnë për nga statusi financiar, intelektual, shoqëror, fizionomik etj., ata mblidhen në të njejtin vend, me një qëllim, në të njejtën kohë.

O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz në ditën e xhumas, ecni shpejtë për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini. (Xhuma:9)

Xhumaja është festë shpirtërore javore e detyruar, sepse ka festa që njeriu nuk obligohet të festojë si p.sh: namazi i bajramit që është sunet i fortë.

Namazi i xhumas është i domosdoshëm. Pse?! Sepse po të shikojmë me vëmendje fryma e islamit, thelbi i islamit, mesazhi i islamit, gjithmonë na tregon se njerëzit duhet të jenë të bashkuar. Njeriu është qenie shoqërore e cila kërkon të jetojë dhe të shkëmbejë me njerëzit e tjerë, nuk mund të jetë një lloj individi që të marr dhe përfitojë në jetën e tij të përditshme nga vetvetja por i duhet të shkëmbej me të tjerët. Dhe kështu ndërtohen qytete, fshatra, shtete; kështu ecën jeta.

Islami i tubon njerëzit në forma të ndryshme, në tubime ditore ku muslimanët takohen, vëllazërohen (pesë kohët e namazit) brenda lagjes. Kemi tubimet e gjithë qytetit (nëpërmjet namazit të xhumasë), dhe pastaj tubimet e vendeve-shteteve të ndryshme të botës (Umra dhe Haxhi).

Urtësia e tubimit

Po të shikosh me vëmendje, çdo herë tubimi i vazhdueshëm çon në njohjen e njerëzve; në këtë të xhuma njeh dike, në tjetrën xhuma dikë tjetër dhe kështu fillojnë mundësitë e shkëmbimit.

Brenda në xhami ka biznesmen, tregtar, zanatlinjë e kategori të ndryshme; kështu fillon qytetërimi i drejtë pa dallime, sepse nëse neve na lidh diçka shpirtërore atëherë në komunikimin e drejtëpërdrejt do të jemi më të sinqertë me njëri tjetrin, duke dëgjuar në të njejtin vend, dëgjojmë të njejtën hutbe andaj ne vazhdimisht do të bëhemi më modest, më solidar, më vëllazëror dhe kështu njerëzit manifestojnë anën e tyre humane sa me mirë ashtu siq i ka krijuar Allahu. Nëse njihemi me njëri tjetrin, patjetër do të shkëmbejm mes vete, do të ndihmojm njëri tjetrin, madje mund të kuptojmë nëse dikush ka halle, probleme, sëmundje, duke shikuar gjendjen e tij.

Pastaj këto tubime janë edhe paraqitje e forcës shpirtërore, vëllazërore të një feje e cila bashkon fizikisht, shpirtërisht, moralisht, me qellime, vizione të njejta duke adhuruar një Zot të vetem i Cili i krijoi, dhe i furnizon.

Namazi i xhumasë disiplinën e ka në çdo anë deri edhe në shërimin e sëmundjeve shkatërruese të zemres p.sh. ka njerëz që janë mendjemëdhenjë nuk qëndrojn me çdo lloj kategorie të njerëzve, mirëpo kur është fjala në namaz e ulin veten e tyre sepse mund t’i qëlloj në të njejtin saf afër tij pikërisht personi të cilin nuk e do, dhe ky qëndrim, takim i shpeshtë, bën që zemra të zbutet me kalimin e kohës, atëherë vetvetiu dominon thjeshtësia, modestia, afirmiteti.

Urtësia tjetër është se namazi i xhumasë është një thirrje davet, ftesë që iu bëhet jomuslimanëve pa fjalë vetem me pamje. Duke shikuar këtë lloj disipline të pastër, të rreshtuar, levizjet e kordinuara, askush nuk flet, të gjithë degjojnë dhe askush nuk largohet deri në kohën e dhënies së selamit.

Kështu tregohet se vërtetë këta njerëz janë të denjë për të përfaqësuar natyrën njerëzore sepse nuk janë mbledhur aty për asnjë interes individual fitimprurës në këtë dynja por me qëllimin e vetëm t’i binden urdhërave të Allahut, Sunduesit të Botës.

E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam prej muslimanëve?” (Fusilet : 33)

Burimi : Ders i Hoxhë Mustafa Tërniqit

Redaktoi : A.Shabani/motraime

 

 

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version