Koha e qëndrimit në Arafat

Dijetarët islamë kanë mospajtime për fillimin e kohës së Arafatit. Disa mendojnë që koha e qëndrimit në Arafat fillon që nga dalja e agimit në ditën e nëntë deri në daljen e agimit në ditën e dhjetë dhe ky është me n – dimi i medhhebit hanbeli.[8]
Disa të tjerë mendojnë që fillimi i qëndrimit në Arafat është që prej hyrjes së drekës në ditën e nëntë deri në agim të ditës së dhjetë dhe ky është mendimi i hanefive dhe i shafive.[9]

Që të gjithë janë të mendimit që dita e qëndrimit në Arafat përfundon me daljen e agimit në ditën e dhjetë, pra në ditën e Bajramit. Kurse sa i përket fillimit të qëndrimit, si duket mendimi më i saktë është mendimi i dytë, pasi një gjë të tillë e ka vepruar edhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe ka thënë: ”Merrini nga unë dispozitat e haxhit.” [10]

Qëndrimi në Arafat

Qëndrimi në Arafat është ndër shtyllat e haxhit, ashtu siç thotë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Haxhi është qëndrimi në Arafat.” [11] Për atë person që nuk qëndron në Arafat ditën apo natën, qoftë edhe një çast, nuk ka haxh. Për këtë çështje ka konsensus mes dijetarëve islamë.[12] Mirëpo nëse ai nuk arrin të qëndrojë ditën e Arafatit në Arafat (ditën e nëntë), e ka të lejuar të qëndrojë natën e dhjetë deri në agim, ngase Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e zë Arafatin para se të dalë agimi (ditën e Bajramit), e ka zënë haxhin.” [13]

Personi që qëndron në Arafat ditën obligohet të qëndrojë deri në perëndimin e diellit dhe nëse largohet nga Arafati dhe nuk kthehet më derisa të perëndojë dielli, sipas shumicës së dijetarëve ky person obligohet të shpaguajë ngase ka lënë një obligim, bazuar në fjalën e Ibën Abbasit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Kush ka lënë apo ka harruar diçka nga dispozitat e haxhit, le të derdhë gjak.”[14] Kjo do të thotë se ai duhet të therë një dele.

Kushtet e qëndrimit në Arafat

Për të qenë qëndrimi në Arafat i pranuar, dijetarët kanë përmendur disa kushte:
– të qenët musliman (ky kusht është paraprak për çdo vepër të fesë);
– të qenët i mençur, ngase i çmenduri nuk ka qëllim;
– të jetë bërë nijeti për haxh.

Përveç këtyre kushteve për të cilat nuk ka mospajtim mes dijetarëve,[15] ekzistojnë edhe disa çështje të tjera për të cilat dijetarët kanë rënë në mospajtim mes tyre, si p.sh. qëndrimi në Arafat tërë kohën duke fjetur apo qëndrimi gjatë tërë ditës i alivanosur. Pra, ai person që ka njërën nga këto dy gjendje a konsiderohet që ka ndenjur në Arafat dhe kështu haxhi i tij është i saktë apo jo? E sakta për këto dy gjendje është se personit në fjalë i llogaritet që e ka zënë Arafatin, domethënë haxhin, ngase Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush qëndron në Arafat…” Një person i tillë ka qëndruar në Arafat, prandaj edhe haxhi i tij është i plotë in shaa Allah.[16]

Namazi në Arafat

Haxhiu duhet të falë gjatë qëndrimit në Arafat vetëm farzet e drekës dhe të ikindisë të shkurtuara dhe të bashkuara. Pra, ai fal dy rekate farz të drekës dhe dy rekate farz të ikindisë me një ezan dhe dy ikamete, ngase kështu ka vepruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ashtu siç është transmetuar në hadithin e Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.[17]

Abdesti gjatë qëndrimit në Arafat

Nuk është obligim që haxhiu gjatë qëndrimit në Arafat të ketë abdest, ngase për një gjë të tillë nuk kemi argument. Mirëpo s’ka dyshim që qëndrimi me abdest është më i preferuar, ngase kështu ka qenë udhëzimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem gjatë gjithë jetës së tij.[18]

Agjërimi i kësaj dite

Përmendëm në fillim vlerën e madhe që ka agjërimi i kësaj dite, mirëpo kjo nuk është në formë të përgjithshme, për arsye se sipas Sunnetit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është më e preferuar për haxhiun të mos e agjërojë këtë ditë, në mënyrë që të jetë sa më i fortë dhe të ketë energji më shumë që të bëjë dua. Ashtu ka vepruar edhe Pejgamberi
sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili në prezencë të haxhive piu një gotë me qumësht derisa kishte hipur mbi deve.[19] Por vlera e madhe e agjërimit të kësaj dite vlen për atë person i cili nuk gjendet në haxh.

Drejtimi nga kibla gjatë duasë

Është sunnet që haxhiu gjatë bërjes së duasë ditën e Arafatit të drejtohet nga kibla, ashtu siç ka vepruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, sipas transmetimit të Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij.[20]

Disa gabime që bëhen në këtë ditë:
1. Disa haxhi nuk kanë kujdes gjatë qëndrimit në Arafat, prandaj edhe ka mundësi të qëndrojnë jashtë kufijve të Arafatit duke mos e hetuar dhe kështu u humb haxhi pa e vënë re. Ata duhet të jenë të kujdesshëm që të mos i kalojnë shenjat e kufijve të Arafatit.
Për këtë arsye janë vendosur shenja të mëdha që tregojnë kufijtë e Arafatit, shenja të cilat shihen shumë qartë.

2. Disa haxhi në vend që të drejtohen nga kibla kur bëjnë dua, drejtohen nga Kodra e Arafatit ngase kanë dëgjuar që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është drejtuarashtu. Është e vërtetë që Pejgamberi sal-lAllahu
alejhi ve sel-lem është drejtuar nga kodra, por i tillë ka qenë drejtimi i kiblës së tij, ngase ai ishte mbrapa kodrës dhe në drejtim të kiblës kishte edhe kodrën.

3. Disa haxhi mundohen të gjejnë vendin ku ka qëndruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe kështu lodhen dhe humbin kohën duke e kërkuar. Kjo vepër është teprim, ngase Pejgamberi sal-lAllahu alejhi
ve sel-lem, kur është ndalur në Arafat, ka thënë: ”U ndala këtu, edhe pse i gjithë Arafati është vend për qëndrim.” [21]

4. Disa haxhi mendojnë që kodra në të cilën është ndalur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka një shenjtëri të veçantë, edhe më keq kur disa shkojnë tek ajo kodër dhe marrin guralecë apo pjesë të drurëve nga bindja
se ato kanë një vlerë të veçantë. E gjithë kjo është e ndaluar rreptësisht, pasi çdo musliman duhet të ketë bindjen që asgjë nuk mund t’i bëjë dobi e as dëm, përveç nëse do Allahu. Prandaj kjo kodër është si çdo kodër tjetër dhe nuk ka ndonjë shenjtëri apo vlerë të veçantë.

5. Disa haxhi nga nxitimi dalin nga Arafati para perëndimit të diellit. Kjo vepër është e ndaluar dhe është përngjasim me politeistët, të cilët largoheshin nga Arafati para perëndimit të diellit, kurse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e kundërshtoi veprën e tyre duke ndenjur në Arafat deri në perëndimin e diellit.

6. Disa haxhi e kalojnë këtë ditë si çdo ditë tjetër, duke biseduar ose duke dalë për të blerë gjëra ushqimore, a thua se do të rrinë disa ditë në atë vend! Ata harrojnë që ajo është dita më e mirë dhe duatë e asaj dite pranohen
nga Allahu. Kështu ata i humbin këto dobi të mëdha, që ndoshta nuk u përsëriten më kurrë në jetën e tyre.

7. Disa haxhi falin namaz nafile, qoftë mes drekës dhe ikindisë qoftë edhe pas ikindisë. Një gjë e tillë është në kundërshtim me Sunnetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sellem, pasi ai nuk ka falur asnjë namaz tjetër përveç drekës dhe ikindisë, të cilat i ka falur të shkurtuara dhe të bashkuara.

8. Disa haxhi qëndrojnë në heshtje duke medituar dhe kështu e humbin rastin të bëjnë dua.[22]
______________
[8] “El-Mugnij” (3/432), Ibën Kudame el Makdisi.
[9] Shiko “Bedaius-Sanai’”(2/125-127) Kasanij el hanefi, “Nihajetul Muhtaxh”(2/422-423) Shemsud-din Erremli.
[10] “Sahihu Xhami’is-sagir we zijadetuhu” (9192).
[11] Transmeton Nesaiu (3016), Tirmidhiu(889), Ibën Maxheh (3015). Shejh Albani e ka konsideruar të vërtetë.
[12] Shiko “Et-temhid”(10/20) Ibën Abdul-Berr, “Bidajetul Muxhtehid”(1/335) Ibën Rushd.
[13] Transmeton Tirmidhiu (2975). Shejh Albani e ka konsideruar të vërtetë.
[14] Transmeton Imam Maliku “El Muvetta” (890).
[15] Shiko “Silsiletud-davabitil Fikhije”, Velid ibën Nasir Essuajdan.
[16] Shiko më gjerësisht këtë çështje dhe mospajtimin e dijetarëve në të si dhe argumentet e tyre në “El-Mugnij” i Ibën Kudames (7/155), “El-Mexhmu’ul
Muhedh-dheb” i Imam Neveviut (8/118), “El-Mebsut”(5/62) i Serahsiut.
[17] Hadithin e Xhabirit e transmeton Imam Muslimi (3009).
[18] Shiko “El-Mugnij” (7/155).
[19] Transmeton Imam Buhariu (1661) dhe Imam Muslimi (2688).
[20] Transmeton Imam Muslimi (3009).
[21] “Sahihu Xhami’is-sagir” (11694).
[22] Shumica e këtyre gabimeve jane marrë nga shpjegimet e Shejh Uthejminit në faqen (http://islamqa.com/ar/ref/34293).

(e huazuar)

 
Share.

Comments are closed.

Exit mobile version