Një çështje kyçe e të qenit produktiv është të fokusuarit e mendjes tënde në atë që është dobiprurëse dhe lirimi i mendjes nga mendimet joproduktive.
Nëse ne do të ishim në gjendje që ti incizojmë mendimet tona të brendshme dhe t‟ia përsërisim ato vetes tonë çdo ditë, do të çuditeshim se sa bërllok ka në to dhe se sa energji nga truri ynë ne shpenzojmë në gjëra të kota të cilat as na bëjnë dobi e as na dëmtojnë neve. Këto mendime mund të vijnë në formën e “rishikimit të filmave të vjetër” në kokat tona rreth gjërave të cilat na kanë ndodhur në të kaluarën ose (nëse shkojmë pak në ekstrem) ëndrra të së ardhmes të cilat as nuk janë të arritshme kurrë e as nuk janë pjesë e realitetit; ose mbajtja e mendimeve të cilat nuk do të ndiheshim mirë t‟ia tregonim ndokujt, qoftë kjo edhe dyshim se a mos kemi përgojuar dikë, gjëra që nuk na nevojitet fare …

Të gjitha këto mendime duhet të shlyhen nëse dëshirojmë ta lirojmë veten tonë dhe ta rregullojmë mendjen tonë.
Si mund ta dish se ti posedon kaq shumë rrëmujë? Llogariti veprat tuaja dhe fjalët. Nëse e vëren se ato janë mjaft të fokusuara, mjaft produktive, mjaft të matura, dhe përmbajnë pak thashetheme, atëherë sigurisht mendja jote është më e përqendruar sesa e të tjerëve! Nëse jo, dhe e sheh se je i shpërqendruar andej këndej dhe nuk ke kontroll as në gjuhën tënde, atëherë sigurisht se mendja jote ka nevojë për ushtrim të një pastrimi në të.
Fatkeqësisht, ne nuk iu kushtojmë shumë rëndësi mendimeve tona dhe asaj se çka ndodh brenda mendjeve tona, edhe pse është kjo vendimtare në mirëqenien tonë, produktivitetin dhe përfundimisht edhe mënyrës së sjelljes sonë si musliman.

Ibn Kajjim ka një thënie thellësisht të fuqishme në librin e tij “El-Fewaid” rreth mendimeve negative dhe mëkatare. Ai thotë:“Ju duhet të refuzoni një mendim. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë ai do të shndërrohet në dëshirë. Dhe atëherë ju duhet ti shpallni luftë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë do të shndërrohet në rezolutë dhe qëllim të vendosur. Nëse nuk e refuzoni këtë, atëherë do të shndërrohet në vepër. Nëse nuk e mohoni këtë duke vepruar të kundërtën e saj (të kundërtën e veprës së keqe), atëherë kjo do të shndërrohet në shprehi. Dhe atëherë do të jetë shumë e vështirë që të hiqni dorë nga ajo.”
“Duhet ta dini se faza fillestare e çdo dije që gjendet në mundësinë tuaj të zgjedhjes janë mendimet dhe nocionet tuaja.
Këto mendime dhe nocione të udhëheqin drejt fantazive. Këto fantazi të dërgojnë drejt të dashurit dhe dëshirës për ti vepruar (ato fantazi). Këto qëllime dhe dëshira kërkojnë që të zbatohen
në realitet. Veprimi i këtyre veprave në vazhdimësi shkakton shndërrimin e tyre në shprehi. Kështu që mirësia e këtyre etapave qëndron në mirëqenien e të menduarit dhe të nocioneve, dhe e ligësia e këtyre etapave qëndron në ligësinë (prishjen) e mendimeve dhe nocioneve.” (El-Fawaid, Ibn Kajjim)

Allahu qoftë i kënaqur me të! Një qasje e thellë në një çështje kaq delikate. Ne të gjithë duhet ti mbajmë mend këto fjali dhe ti përdorim ato kurdo që ndihemi të paaftë për ti kontrolluar “Tsunami-të” e mendimeve negative që na pushtojnë mendjet tona.
Kemi një ajet Kuranor që duhet ta rrëqethë trupin e çdo muslimani, në të cilin Allahu (Subhanehu we te‟ala) flet për marrjen në llogari të mendimeve tona të fshehta. Ai thotë: “Vetëm të All-llahut janë gjithëçka ka në qiej dhe ç’ka në tokë, e për atë që e keni në shpirtin tuaj, e shfaqët haptazi ose e mbajtët fshehtë, All-llahu do t’ju marrë në përgjegjësi, e Ai ia fal atij që do dhe e dënon atë që do. All-llahu ka mundësi për çdo send.” (Surja El-Bekare, ajeti nr. 284)
Në një kohë kur njerëzit janë duke luftuar për intimitet, ka njerëz që mund të konsiderojnë ajetin e sipërpërmendur “të çuditshëm/ frikësues”! Por, kush mund të gjykojë Allahun për atë që Ai vepron?! Ne jemi robërit e Tij dhe Ai është Zotëriu ynë! Ai mund të bëjë çfarë të Dojë. Arsyeja pse po e përmend këtë është sepse, besoni ose mos besoni, Shoqëruesit e Pejgamberit a.s. gjithashtu kanë pasur vështirësi në kuptimin e këtij ajeti (por në rastin e tyre, ata e kuptuan domethënien, ndërsa ne fatkeqësisht rebelohemi për shkak të arrogancës sonë). Kështu që ata vrapuan tek i dërguari a.s. me zemër të tronditur nga ky ajet, mirëpo i dërguari a.s. iu përgjigj: “Thuani, dëgjojmë dhe respektojmë”. Sapo e thanë këtë, Allahu zbriti 2 nga ajetet më madhështore të Kuranit:
“I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhërin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.

All-llahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar!”
(Suraj El-Bekare, ajetet nr.285-286)

Pra, dëgjoni dhe respektoni dhe përkushtohuni në përmirësimin e kontrollit të mendimeve tuaja dhe Allahu nuk do të ju mbingarkoj.
Ja ca hapa të thjeshtë që mund ti ndiqni për ta përqendruar mendjen tuaj dhe ti kontrolloni mendimet, mirëpo është kusht që ato të përcillen në mënyrë konstante në mënyrë që të zhvilloni një mendje të disiplinuar:

1. Duaja – e para dhe më e rëndësishmja, lute Allahun për ndihmë dhe udhëzim në këtë çështje. Përkujto: “Vetëm Ty të adhurojmë, dhe Vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë.”
2. Ushtroje fokusimin e mendjes – veçanërisht gjatë namazit –në mënyrë që të mund të arrini përqendrimin e mendjes qoftë edhe përkohësisht.
3. Dëgjo mendimet e tua dhe mos i lejo që vetëm të kalojnë ashtu të pavërejtura. Musliman i fortë është ai që mund ta kontrollojë të brendshmen e tij e gjithashtu edhe gjymtyrët.
4. Kur të vijë një mendim i keq, luftoje! Dhe kur vjen një mendim i mirë, vepro sipas tij ose së paku shënoje!
5. Bëhu mbikëqyrës i mendjes tënde në mënyrë konstante, sikurse një grabitqar (kur pret gjahun e tij) gjithmonë i gatshëm të gjuash në çfarëdo mendimi të padëshiruar dhe të heqësh të keqen me rrënjë. Allahu (Subhanehu we te‟ala) na ndihmoftë ta rregullojmë (përqendrojmë) mendjen tonë dhe ti bëjmë mendimet, veprat dhe fjalët tona sinqerisht për Atë. Amiin. 

“Veprimi i këtyre veprave në vazhdimësi shkakton shndërrimin e tyre në shprehi. Kështu që mirësia e këtyre etapave qëndron në mirëqenien e të menduarit dhe të nocioneve, dhe e ligësia e këtyre etapave qëndron në ligësinë (prishjen) e mendimeve dhe nocioneve.”
[El-Fewaid, Ibn Kajjim]

Manuali: muslimaniproduktiv

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version