Nuk ka njeri që nuk gabon dhe që nuk bën lëshime. Për këtë të gjithë janë të urdhëruar që të pendohen tek Allahu, t’i kthehen Zotit të tyre, t’i lënë mëkatet që i kanë vepruar dhe të kërkojnë falje për ato. Ky konstatim është në përputhshmëri me natyrën e njeriut me të cilën është krijuar. Për të flasin dhe e vërtetojnë Kur’ani dhe Suneti (Tradita) e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të.

Imam Tirmidhiu shënon hadithin, në të cilin i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të, thotë: “Çdo bir i Ademit (njeri) gabon, por më i miri prej tyre është ai që pendohet”. Në një hadith tjetër, të cilin e shënon imam Muslimi nga Ebu Hurejra, thotë se i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, nëse ju nuk do të bënit mëkate, Allahu do t’ju zëvendësonte me një popull, i cili do të bënte mëkate dhe do ta luste Zotin për falje, e Ai t’i falë”.

Pendimi në Islam nuk është ndonjë gjë deri tek e cila është e pamundur të arrihet, as nuk bëhet fjalë për etapa të komplikuara nëpër të cilat i penduari mund të kalojë vetëm me mund dhe përpjekje të mëdha. Pendimi është i thjeshtë dhe i lehtë. Dyert e tij janë gjithnjë të hapura, dhe në to mundë të hyjë kushdo që dëshiron të pendohet. Nga mëshira e Zotit, nuk do ta përzë askush. Mes pendimit të tij dhe Allahut nuk do të ketë asnjë ndërmjetës, pavarësisht sa të mëdha dhe të shumta të jenë mëkatet e tij. Allahu thotë: Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”(Zumer, 53).

Islami nuk e sheh pendimin si një gjë të thjeshtë, ku bërja apo mosbërja e tij nuk kanë shumë rëndësi. Pendimin e kryen vet njeriu për të mirën e tij. Nëse vetes ia dëshiron të mirën, do të pendohet, e nëse dëshiron diçka tjetër, atëherë le të veproj çfarë të dëshirojë.

Islami çdo herë e inkurajon dhe zgjon te njeriu dëshirën për pendim. Besimtari është i urdhëruar që të shpejtojë me pendim dhe lënien e mëkateve para se të vijë Dita në të cilën mëkatari nuk do të mund ta realizojë atë që dëshiron, Dita në të cilën nuk do të mund ta kompensojë atë që i ka ikur, Dita kur nuk do t’i pranohet pendimi. Atë Ditë do të pendohet për mëkatet e vepruara, e vështirë do të jetë gjendja e tij për atë që ka kaluar.

Një numër i madh i ajeteve kuranore dhe haditheve tregojnë për dashurinë dhe gëzimin e madh të Allahut për ata që pendohen. I Lartësuari thotë: “…All-llahu i do ata që pendohen, dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme”. (El-Bekare, 222)

I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të, thotë: “All-llahu më tepër gëz­ohet për pendimin e robit të vet sesa që do të gëzohej ndonjëri prej jush kur do ta gjente devenë e humbur në shkretëtirë, pa ujë dhe fruta”.

Nga personi i cili vepron mëkate, Islami nga ai kërkon braktisjen e menjëhershme të atij mëkati, të ndjejë keqardhje për atë që ka vepruar, të vendosë që asnjëherë më të mos i kthehet atij mëkati dhe të kërkojë falje te Zoti për gjithë atë që ka vepruar. Allahu thotë:

“Kush bën ndonjë të keqe apo e ngarkon veten, pastaj kërkon falje te All-llahu, ai e gjen All-llahun falës dhe mëshirues”. (En-Nisa, 110)

Imam Ahmedi shënon se i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Shpagim për mëkatin e vepruar, është pendimi”.

Nga ky sqarim i shkurtër për pendimin, shohim se sa fe e lehtë është Islami, se sa është tolerante kur është në pyetje pendimi i ndonjë mëkatari dhe se si aspak nuk e vë në vështirësi atë që dëshiron të pendohet dhe t’i kthehet rrugës së drejtë.

Islami nuk është fe e cila mëkatarin e largon përgjithmonë, që nuk i ofron mundësi për pendim, nuk e pranon pendimin e tij përveç nëse ai bën vetëvrasje, bën që të vuajë trupi i tij etj. Jo. Kjo fe nuk dëshiron ta nënçmojë mëkatarin, e as ta bëjë publik mëkatin që e ka bërë ai. Nuk kërkon nga mëkatari që në derën e shtëpisë së tij t’i shënojë gabimet që i ka bërë, siç është rasti i jevrejve. Islami nuk bën shpalosjen e mëkatit të vepruar. Përkundrazi, Ai e inkurajon njeriun që të mos u tregojë të tjerëve për gabimet, mëkatet e bëra.

Për pendimin në Islam nuk janë të nevojshëm “shenjtorët”, ulësja dhe rrëfimi para ndokujt, përpos para Allahut. Në Islam, për një pendim të sinqertë nuk është i nevojshëm privilegji, të cilin mëkatari ia jap “shenjtorit”.

Rruga e Islamit nuk është e paarritshme dhe nuk kërkon nga mëkatari të kalojë nëpër disa procedura të caktuara dhe të komplikuara. Kjo tregon për përsosmërinë e kësaj feje, për drejtësinë dhe lehtësinë e rrugës në të cilën thërret…

Revista “Zëri i Medvegjës”/shembulli

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version