Pyetja: E dijë që gënjeshtra lejohet në tri raste: ndaj gruas, për t’i pajtuar njerëzit dhe kundër armikut, a është kështu? dhe gjithashtu: cilat janë kufijtë e gënjeshtrës ndaj gruas?

Përgjigja:

Falënderimi i takon Allahut …

Gënjeshtra është e lejuar në tri raste sikurse që është transmetuar në hadithin e Esma bint Jezid (Allahu qoftë i kënaqur me të) e cila ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “ Nuk lejohet gënjeshtra vetëm se në njërën nga tri rastet: Njeriu i flet gruas së tij me qëllim që ta pajton atë, gënjeshtra në luftë dhe gënjeshtra me qëllim të pajtimit të njerëzve.” 1

Transmeton Muslimi nga Ummu Kulthum bint Ukbe bin Muajt (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë): “Nuk është gënjeshtar ai që i pajton njerëzit dhe e rrëfen ndonjë të mirë apo flet diçka të mirë.” Thotë Ibn Shihabi: Dhe nuk e kam dëgjuar duke lejuar diçka prej asaj që njerëzit e konsiderojnë gënjeshtër vetëm se në tri raste: Pajtimit mes njerëzve, luftës dhe bisedës së njeriut me gruan e tij dhe bisedës së gruas me burrin e saj.” 2

E qëllimi i gënjeshtrës mes bashkëshortëve është: Gënjeshtra në shfaqjen e afërsisë, dashurisë me qëllim të vazhdimësisë së afërsisë dhe stabilitetit të familjes, sikurse i thotë asaj: Ti je e shtrenjtë, ose askush nuk është më i dashur te unë se ti, ti je gruaja më e bukur ne sytë e mi e të ngjashme me këtë. E nuk është për qëllim me gënjeshtrën diçka që shpie në zhvleftësimin e të drejtave apo ikja nga obligimet, e të ngjashme.

Begaviu (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Sherhus Sune” 13/119, ka thënë: “Ebu Sulejman El Hattabi ka thënë: Këto janë disa raste që njeriu detyrohet t’i shtojë fjalët (të gënjejë), dhe ta lë anash besnikërinë në kërkim të sigurisë apo për ta larguar dëmin. Rrena është lejuar në disa raste kur ka mospajtime të lehta për shkak të shpresës për pajtim. Kështu që pajtimi mes dy personave: kryhet përmes kumtimit të lajmeve të mira nga njëri deri te tjetri dhe i tregon diçka pozitive edhe nëse nuk e ka dëgjuar prej tij. Krejt kjo me qëllim të pajtimit.

Ndërsa gënjeshtra në luftë: kryhet duke shfaqur fuqinë dhe ju flet shokëve të tij me diç që i inkurajon ata dhe i përshkruan kurthat e armikut. E nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është transmetuar se ka thënë: “Lufta është mashtrim.”
Ndërsa me rrenën e burrit ndaj gruas së tij është për qëllim që t’i premtoj dhe t’i thotë asaj fjalë të mira dhe i shfaq asaj dashuri më tepër se sa e ndjen në veten e tij apo e lavdëron krijimtarinë e saj. Allahu e dinë më së miri.

Sufjan b. Ujejne ka thënë: Nëse një njeri i arsyetohet një tjetri dhe i ndryshon fjalët dhe i zbukuron ato me qëllim që ta pajton nuk është gënjeshtar nëse me këtë e praktikon hadithin: “Nuk është gënjeshtar ai që pajton mes njerëzve”, sepse përfundimi i mosmarrëveshjes mes tij dhe shokut të tij është më me rëndësi se pajtimi mes njerëzve.

Është transmetuar se në kohën e Umerit një njeri i tha gruas së tij: “Kërkoj nga ti të më tregosh për Allahun, a më donë mua? Ajo i tha: Përderisa më je betuar në Allahun, nuk të dua. Burri doli gjersa erdhi dhe ia rrëfeu ngjarjen Umerit, e ai e thirri gruan dhe i tha asaj: Ti je që po i thua burrit tënd: Nuk të dua? Ajo i tha: O udhëheqës i besimtarëve; më është betuar në emër të Allahut, a të gënjej? Ai i tha: Po, gënjeje atë. Jo të gjitha shtëpitë(familjet) janë të ndërtuara mbi dashuri, por njerëzit sillen mirë ndaj njëri tjetrit për shkak të Islamit dhe pozitës familjare të tyre.”

Neveviu (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Sherh Sahih Muslim” thotë: “Ndërsa gënjeshtra e tij ndaj gruas dhe gënjeshtra e saj ndaj tij: Është për qëllim në shfaqjen e dashurisë dhe premtimit me diçka që nuk obligohet me të, e të ngjashme. Ndërsa mashtrimi i ndërsjellë për privimin e saj nga të drejtat apo privimin e tij nga të drejtat e tij apo marrjen e diçkaje që nuk është e tij apo e saj, kjo është e ndaluar me konsensusin e tërë myslimanëve. Allahu e dinë më së miri.”

Hafidh Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Fethul Bari” ka thënë: “Dijetarët janë pajtuar se qëllimi prej gënjeshtrës ndaj gruas apo burrit në të vërtetë vjen në shprehje nëse nuk eliminohet ndonjë obligim i tij ndaj saj apo ndonjë obligim i saj ndaj tij apo marrjen e diçkaje që nuk është e tij apo e saj.”

Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) në librin e tij “Sherh Rijadus Salihin – 1/1790” ka thënë: “Gjithashtu prej interesit të ligjshëm është: biseda e burrit me gruan e tij dhe biseda e gruas me burrin e saj në atë që e dikton afërsinë dhe dashurinë sikurse t’i thotë asaj: Ti te unë je e shtrenjtë, ti je më e dashur te unë se gratë e tjera e të ngjashme, edhe nëse është gënjeshtar në këtë por, me qëllim të shfaqjes së dashurisë dhe interesi i ligjshëm e dikton këtë.”

E Allahu e dinë më së miri.

1 Transmeton Tirmidhiu me nr: 1939 dhe Ebu Davudi me nr: 4921 Hadithin e konsideron të saktë Shejh Albani në Sahihun e Tirmidhiut.
2 Muslimi me nr: 2605.

Muhamed Salih El Munexhid

Përktheu : Driton Lekaj/islamhouse/motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version