Hulumtime të ndryshme botërore dëshmojnë se nuk ekziston ushqim që e zëvendëson qumështin e gjirit të nënës.
Ndër mirësitë dhe ligjet juridike me të cilat Islami veçohet nga fetë e tjera është edhe ligji që ka të bëjë me dhënien gji. Mirësitë e Allahut janë të shumta dhe të panumërueshme. Islami i ka garantuar njeriut siguri, harmoni dhe përkujdesje të veçantë që nga momenti i fekondimit në mitër të femrës e deri në frymëmarrjen e fundit të tij në jetën e kësaj bote.
Ndër mirësitë me të cilat kurorëzohet periudha e parë e jetës së njeriut është edhe të ushqyerit me gji, çka aludon për një përkujdesje të veçantë nga Allahu xh.sh. për njeriun, i Cili i siguron kësaj foshnje shumë të dobët e të ndjeshme këtë ushqim shumë të përshtatshëm dhe të pazëvendësueshëm për moshën e tij. Allahu xh.sh. është më i mëshirshëm ndaj krijesave të Tij sesa vetë nëna për fëmijën e saj.
Ai e ka detyruar nënën ta ushqejë fëmijën me qumësht gjiri sepse natyra e fëmijës e kërkon një gjë të tillë. Kjo nuk është çudi për ne, ngase Allahu xh.sh. ka porositur që të përkujdesemi për fëmijët tanë për çdo çështje në jetën e tyre, siç thotë në Kuran: “Allahu ju urdhëron ju për sa i përket (trashëgimisë së) fëmijëve tuaj.” (En-Nisa’ë, 11)
Studimet shkencore botërore në dekadat e fundit pohojnë se qumështi i gjirit të nënës është i pazëvendësueshëm për fëmijën dhe u bëjnë thirrje nënave që doemos t’i ushqejnë fëmijët e tyre me këtë lloj qumështi dhe t’i shmangen çdo lloj ushqimi tjetër, kur është e mundshme. Kështu deklaron Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i gjatë vendimeve të tyre të përbashkëta në vitin 1989. Revista amerikane “Pediatric Clinic of North”, mars 2001, ndër të tjera porosit që “të ushqyerit me qumësht gjiri të jetë detyrimisht dy vite”.
Zëri i organizatave dhe i shoqatave të ndryshme shëndetësore për të drejtat e njeriut nuk rresht së thirruri që femrat t’i ushqejnë me qumësht gjiri fëmijët e tyre për vetë faktin se fëmijët që nga momenti i lindjes janë të rrezikuar nëse nuk ushqehen me qumësht gjiri, por rrezikut nuk i shmangen as femrat gjatë periudhës së lehonisë dhe jetës në vazhdimësi.
Kjo iniciativë ka filluar shekullin e fundit, kurse feja islame prej 14 shekujsh bën thirrje që nënat në mënyrë të detyrueshme t’i ushqejnë fëmijët me gji që nga lindja deri në moshën dyvjeçare, madje edhe më tepër nëse e kërkon nevoja. Thotë Allahu në Kuran: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota.” (El Bekare, 233)
Citati sqaron se gjidhënia deri në periudhën dyvjeçare nuk është e detyrueshme, por mund të ndërpritet edhe para kësaj periudhe nëse bëhet me konsultën e të dy prindërve, siç thotë Allahu: “E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi (prindërit) shfaqin dëshirën për ndërprerjen (më herët) e gjirit, nuk është ndonjë mëkat për ta.” (El Bekare, 233)
Ky ligj juridik ka ardhur si lehtësim i kësaj çështjeje krahasuar me të kaluarën e hershme. Lidhur me këtë na njofton Katade duke thënë: “Gjidhënia ka qenë e detyrueshme dy vite të plota dhe ka qenë e ndaluar rreptësisht ndërprerja e gjidhënies para kohe, e më pas erdhën lehtësimet dhe u lejua gjidhënia edhe më pak se për dy vite të plota, në bazë të citatit kuranor: “Nëse ata (prindërit) shfaqin pëlqimin për ndërprerjen e gjirit…” (El Bekare, 233)
Feja islame jo vetëm që e favorizon gjidhënien, por madje e inkurajon prindin që të paguajë ndonjë mëndeshë për t’i dhënë gji fëmijës në rast të pamundësisë së nënës për ta ushqyer fëmijën e saj, në mungesë të qumështit të gjirit apo për shkak të ndonjë sëmundjeje eventuale. Thotë Allahu xh.sh. në Kuran: “Nëse (ju baballarët) për fëmijën tuaj dëshironi mëndeshë (gjidhënëse) tjetër, nuk është ndonjë mëkat.” (El Bekare, 233)
Kjo është një garanci nga ana e Allahut xh.sh., që i siguron fëmijës ushqimin e tij që nga lindja. Në të kundërtën, çdokush që ia cenon këtë të drejtë fëmijës do të japë llogari.
Rëndësia dhe dobitë e qumështit të gjirit
Hulumtime të ndryshme botërore dëshmojnë se nuk ekziston ushqim që e zëvendëson qumështin e gjirit të nënës. Kështu deklaron edhe Dr. Roch Lurins, profesor i pediatrisë në Universitetin Ronshister në Nju-Jork të SHBA-së, duke thënë: “Duhet ta dinë femrat se qumështi i gjirit është ushqimi më i preferuar i fëmijës dhe e mbron atë nga shumë epidemi. Me gjithë zhvillimin teknologjik, askush nuk ka arritur të zbulojë ushqim të ngjashëm me qumështin e gjirit. Nuk ekziston në sipërfaqe të tokës ushqim biologjik që zëvendëson qumështin e gjirit.”
Shtypi britanik pohon duke thënë: “Qumështi i gjirit vazhdon të jetë më i leverdishmi për fëmijën deri në moshën dyvjeçare, duke e ndihmuar fëmijën edhe me ndonjë ushqim përkatës që nga mosha katërmuajshe.”
Profesor Sejid Kutbi, Allahu e mëshiroftë: thotë: “Allahu i detyroi femrat t’i ushqejnë fëmijët e tyre në një fazë dyvjeçare, ngase Allahu i Lartësuar e di se kjo fazë zhvillimore e fëmijës është shumë e dobishme për fëmijën nga aspekti shëndetësor dhe psikik. E kanë vërtetuar shumë hulumtime shëndetësore dhe psikiatrike botërore se faza dyvjeçare zhvillimore është faza e detyrueshme e zhvillimit për shëndetin e fëmijës. Allahu është i Gjithëmëshirshëm ndaj robërve të Tij e sidomos ndaj këtyre fëmijëve të vegjël, të cilët kanë nevojë për mëshirë dhe përkujdesje.”
Dobitë nga përdorimi i qumështit të gjirit dhe dëmet nga qumështi artificial mund t’i ndajmë në disa lloje:
Një: Dobitë shëndetësore nga qumështi i gjirit për vetë foshnjën:
-Qumështi i gjirit është i sterilizuar, i gatshëm dhe nuk përmban mikrobe.
-Me qumështin e gjirit nuk mund të krahasohet asnjë qumësht artificial, qoftë edhe qumështi i lopës, deles apo i devesë, ngase qumështi i gjirit është i përgatitur që t’i mbulojë të gjitha nevojat e foshnjës që nga lindja e deri në kohën e vetushqyerit.
-Qumështi i nënës përmban proteina dhe sheqer të mjaftueshëm për moshën e foshnjës, kurse proteinat që përmban qumështi i kafshëve i dëmtojnë organet e tretjes te foshnjat, ngase qumështi i kafshëve është i përgatitur që t’u përshtatet të vegjëlve të kafshëve. Këto lloje qumështi përmbajnë elemente të cilat nxisin alergjinë dhe bëjnë që fëmija që nga mosha dymujore të fitojë alergji, kurse qumështi i gjirit dobëson alergjinë në lëkurë, diarre, etj..
-Qumështi i nënës përmban komponentë të ndryshëm e të detyrueshëm për ta ushqyer foshnjën si nga sasia ashtu edhe nga lloji. Elementet që përmban ky lloj qumështi e favorizojnë dhe e zhvillojnë foshnjën fazë pas faze. Qumështi në fazat e para pas lindjes ka shije të ëmbël dhe shuan etjen e foshnjës.
Në këtë fazë qumështi quhet kulloshtër, veprimi kryesor i të cilit është t’u shërbejë organeve tretëse dhe ta mbrojë fëmijën nga alergjia. Sa më shumë rritet fëmija, aq më shumë shtohet edhe përmbajtja e elementeve të qumështit dhe yndyrave, të cilat i janë përshtatur moshës së foshnjës.
-Temperatura ku ruhet qumështi i gjirit është shumë e përshtatshme për të gjitha fazat zhvillimore të foshnjës dhe mund të merret (thithet) nga fëmija në çdo kohë.
-Ndalohet që foshnja e porsalindur të fillojë përdorimin e lëngjeve, si glukoza, çaji i nanës etj., sepse dëmtojnë stomakun e foshnjës dhe bëjnë që foshnja të ngopet, duke larguar foshnjën nga marrja e qumështi të gjirit të nënës.
-Qumështi me shishe (biberon), qoftë edhe i gjirit, e bën foshnjën ta braktisë gjirin e nënës.
-Që nga viti 1939, Dr. Sicil Viljamis e konsideron gjidhënien artificiale krim dhe vrasje. Organizata Shëndetësore Botërore në vitin 1988 në një deklaratë pohon se mbi dhjetë milionë foshnje kanë humbur jetën si rezultat i mosushqimit nga qumështi i gjirit.
-Qumështi i gjirit e furnizon fëmijën me hekur dhe vitamina, të cilat i mundësojnë tretjen e ushqimeve. Qumështi i gjirit është muri mbrojtës nga sëmundje të ndryshme. Ai përmban sulmues të ndryshëm të sëmundjeve, si Macrophage, i cili bën mbytjen e baktereve dhe viruseve.
-Qumështi i gjirit përmban 80% të tyre, të cilat e mbrojnë foshnjën nga sëmundja e anemisë. Nga urtësia e Allahut xh.sh. është se nëna, me ndihmën e Allahut, përmes qumështit të gjirit prodhon antitrupa (trupa imune), të cilat i vijnë në ndihmë fëmijës duke e mbrojtur nga sëmundjet e ambientit rrethues.
-Foshnja gjatë ditëve të para të lindjes është epiqendër e sulmeve të ndryshme si rezultat i baktereve, por qumështi i gjirit është prodhues i disa baktereve kundërhelmuese, që quhen lactobacillus, të cilat ndihmojnë në tretjen e ushqimit dhe përmes saj zvogëlohen sëmundjet e kapsllëkut, barkqitjes, alergjisë, etj..
-Qumështi i gjirit e mbron foshnjën edhe nga diarreja, infeksionet në veshkë, të vjellët, prostata, problemet në frymëmarrje etj..
-Qumështi i gjirit forcon shtresën e zorrëve të fëmijëve të vegjël.
Dy: Dobitë psiko-fizike dhe edukative të qumështit të gjirit
-Fëmija që rritet duke u ushqyer me qumësht gjiri është më i zhvilluar sesa fëmija që rritet me shishe (biberon).
-Gjidhënia është faktor psikologjik, pasi dihet se nëna e cila mban foshnjën në gji për disa muaj me radhë veç ushqimit i jep fëmijës edhe kujdesin dhe përgatitjen, të cilat mjekët i quajnë faktorë që forcojnë lidhjet nënë-fëmijë dhe me ndikime mjaft pozitive pas moshës së fëmijërisë. Përmes gjirit fëmija përfiton cilësitë e nënës. Nga kjo pikëpamje juristët islamë nuk preferojnë që të merret qumështi i gjirit nga çdo femër e sidomos nga ato femra që njihen si mëkatare apo me sëmundje të ndryshme trashëguese. Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Gjiri ndryshon natyrshmërinë.”
-Qumështi i gjirit ndikon në rritjen e fëmijëve të shëndetshëm jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht. Shkencëtarët thonë se të ushqyerit e fëmijëve me qumësht gjiri gjatë nëntë muajve të parë të jetës së tyre i bën ata më inteligjentë kur të rriten. Shkencëtarët amerikanë të mjekësisë thonë se rritja e kësaj inteligjence varet nga numri i muajve që njeriu është ushqyer me qumësht gjiri gjatë periudhës së dhënies së qumështit të gjirit nga e ëma.
Pas një studimi me më shumë se një mijë e pesëqind gra që nga periudha e shtatzënisë deri në kohën kur fëmijët e tyre arritën moshën tridhjetë vjeçare, shkencëtarët citojnë disa arsye që personat e ushqyer me qumështin e gjirit gjatë nëntë muajve të parë të foshnjërisë kanë një shkallë më të lartë inteligjence sesa të tjerët.
-Personaliteti i fëmijës fillon të formohet që nga fëmijëria. Njeriu mban në vetvete një grup mendimesh për sende, ndjenja dhe veprime, përmes të cilave percepton gjërat dhe me anë të tyre formon metodë të veçantë të njohjes së ambientit që e rrethon. Këto ndjenja formojnë personalitetin e tij dhe më pas rregullojnë shoqërinë që nga vegjëlia e tij e hershme, atëherë kur fëmija fillon të ketë pamjet e ndryshme dhe lidhjet e tij me të tjerët si dhe të shprehë ndjenjat e tij pranë të tjerëve. Fëmija në muajt e parë fillon të perceptojë disa zëra, tinguj, të cilët më tepër i dallon gjatë muajit të gjashtë të zhvillimit, kohë kur kontakton më shumë me rrethin, kurse gjatë periudhës dyvjeçare fillon kontaktet edhe përmes bashkëbisedimit.
Tre: Dobitë shëndetësore për nënën nga gjidhënia
-Gjidhënia është shumë e dobishme për vetë gjidhënësen (mëndeshën). Ndër këto dobi është edhe pengimi i kancerit në gji dhe mitër. Shkencëtarët suedezë gjatë hulumtimeve të tyre pohojnë se virusi Papilloma shkakton dëme në lëkurë dhe është sëmundje me përmasa të mëdha, mirëpo vendosja e vetëm njërit prej materieve të gjirit në lëkurë, që quhet Namilt, zvogëlon dëmet e këtij virusi. Sipas statistikave botërore, 6.3% të femrave në shtetet e zhvilluara i ekspozohen kancerit në moshën 70 vjeçare, kurse në shtetet e varfra 2.7%.
-Gjidhënia rehabiliton mitrën dhe zvogëlon gjakderdhjen gjatë lehonisë. Gjidhënia e mbron nënën nga dobësimi i eshtrave si dhe ndihmon në shtyrjen e kohës së sterilitetit.
-Mjekët preferojnë që nëna ta ushqejë me gji fëmijën kur të dëshirojë fëmija, ngase thithjet e fëmijës ndikojnë në lirimin e djersëve të nënës. Vëzhgimi i të thithurit ndikon në verifikimin e urinimit të fëmijës. Nëse nëna merakoset për fëmijën se apo ngopet apo jo, atëherë le t’i vëzhgojë urinimin.
-Shkencëtarët në Afrikën e Jugut thonë se kanë gjetur prova se nënat me HIV pozitiv (të infektuara me SIDA), që i ushqejnë fëmijët vetëm me qumështin e gjirit, ka më pak mundësi t’ua kalojnë infeksionin e tyre fëmijëve që pinë qumësht gjiri sesa fëmijëve që i ushqejnë me qumësht në shishe apo me ushqime të tjera. Një studim me më shumë se 2700 gra ka arritur në përfundimin se vetëm 4% e fëmijëve që ushqeheshin vetëm me ushqim gjiri merrnin virusin HIV. Kjo na jep të kuptojmë se 96% e fëmijëve të cilët ushqehen ekskluzivisht vetëm me ushqim gjiri janë të mbrojtur nga virusi HIV.
Hoxhë Sadat Rrustemi/mesazhi.com