Qëllimi i këtij shkrimi është të shpjegojmë çfarë është hiperaktiviteti dhe më pas të ofrojmë disa sugjerime për disiplinimin dhe trajtimin e fëmijëve me ketë problem.

Të japim informacion se si të sillemi me këta fëmijë, në mënyrë që të arrijmë të zbusim lëvizjete tyre të pakontrolluara, të rrisim përqendrimin e tyre në detyrat e shkollës dhe të parandalojmë sjellje agresive që ky fëmijë mund t’i kryejë nesër kur të rritet, duke dëmtuar shoqërinë. Fëmija mund të ketë probleme psikologjike, vetëvlerësim të ulët e deri në depresion, si rezultat i refuzimit nga të tjerët, duke mos i kushtuar vëmendje.

Hiperaktiviteti, i quajtur gjithashtu keqfunksionim minimal i trurit, përkufizohet si lëvizje e tepruar dhe e pakontrolluar. Ai përfshin shpërqendrim, paaftësi për të qëndruar qetësisht i ulur në një karrige. Një pjesë e mirë e kësaj sjelljeje është pjesë e natyrës së këtyre fëmijëve dhe duhet konsideruar e lindur, pra, një mosfunksionim normal i trurit, që mund të ketë ardhur si pasojë e lindjes. Por, edhe faktori social luan një rol shumë të rëndësishëm, si sillen prindërit me të, mësuesit, a përdorin ata forcën, të bërtiturat për të disiplinuar këta fëmijë.

Teknikat që mund të përdorin prindërit:

Teknika e qetësimit me anë të së cilës i mësojmë fëmijës se si të qetësohet dhe të qëndrojë i qetë duke bërë ushtrime frymëmarrjeje dhe duke qetësuar grupe të ndryshme muskujsh.
Gjithmonë këtë bëjeni si një lojë. Meqë fëmija nuk është i aftë të kontrollojë ndjenjat, mund të aplikojmë muskujt e fëmijës. Në qoftë se mundohemi t’i mësojmë ushtrimet e qetësimit, ndjenja e kontrollit rritet dhe problemi zgjidhet. Kur kontrollin e vetëdijshëm të fëmijës e përqendrojmë mbi muskujt, i tregojmë atij se mundet t’i kontrollojë e t’i qetësojë ata.

Modelimi, me anë të së cilës vetë prindi praktikon sjelljen që pret të kryhet nga fëmija. Fëmijamerr si model sjelljet e prindit dhe mundohet t’i aplikojë ato në jetën e përditshme. Gjithmonë prindi, duke i dhënë kurajë dhe, pasi e ka luajtur një herë vetë rolin, i kërkon fëmijës të luajë, duke e pyetur si ndihet kur kryen sjellje të tilla, dhe pastaj, duke parë edhe sjelljen e kundërt të mësuar, do të vërejë se nuk është e pamundur të ndryshojë.

Mund të realizojmë edhe një plan ditor ku të shkruajë sa herë në ditë ka kryer sjellje hiperaktive, si veproi, sa minuta zgjati sjellja, cilat ishin emocionet. Duke parë se sa shumë sjellje të tilla ka kryer gjatë ditës, do të arrijë t’i pakësojë, në fillim duke zvogëluar kohën e zgjatjes, pastaj nga pak duke e eliminuar.

Siguro shpërblime dhe ndëshkime

Shpërble fëmijën kur sillet mirë. Këto shpërblime janë si materiale, ashtu edhe shpirtërore, si: të përqafuarit, të puthurit, etj. Gjithashtu, fëmija ndëshkohet, në qoftë se ai ka dështuar në arritjen e detyrës, por asnjëherë ndëshkim fizik, si të goditurit, shpullat etj, të cilat nuk janë efektive, sepse ata janë shumë të ndjeshëm ndaj këtij keqtrajtimi dhe kjo gjë rrit dozën e
hiperaktivitetit. Flisni me zë të ulët dhe ngadalë, përmbani emocionet. Shmangni qëndrimet negative si: “Ndal”, “Mos e prek atë”, “Jo” etj.

Vazhdo shpërblimet dhe ndëshkimet

Kjo do ta ndihmojë fëmijën që të rregullojë sjelljen e tij, pasi ajo nuk ndryshon për një ditë, por duhet një punë sistematike. Duhet filluar me gjëra të vogla, para se të kërkohet një
kontroll i madh i sjelljes së tij.

Largo shpërqendrimet

Muzika e lartë, lojërat kompjuterike, televizioni janë shumë nxitëse për fëmijën dhe e pengojnë atë të përqendrohet në detyrën kryesore. Duhen vendosur rregulla se kur duhen përdorur ato.
Gjithashtu, kur është e mundur duhen shmangur vendet e zhurmshme, si pazare apo tregje.

Organizimi dhe rregulli në shtëpi

Në qoftë se fëmija ka vende të veçanta për lodrat, detyrat e tij dhe mjetet e tjera, vendosja në vendin e tyre dhe vendosni emërtimin përkatës, kështu që fëmija do ta ketë më të lehtë për t’u mësuar me rregullin.

Zvogëlimi i mundësive

Ndihmoje fëmijën që të marrë vendime të mira, duke i dhënë 2 – 3 mundësi në atë që ai duhet të bëjë, në mënyrë që të zvogëlohet shpërqendrimi i tij.
Shpenzoni më shumë kohë me fëmijën
Nënat duhet të mësohen të kontrollojnë mënyrat se si ato veprojnë me fëmijët e tyre. Është mirë që ato të mbajnë shënime për format e reagimit të fëmijës, që së bashku me këshilluesin,me seancat e ndihmës të vendosen për forma të tjera pune.

Komuniko drejt dhe mirë me të

Teknika e te prekurit ka dhënë rezultat. Më mirë se të bërtasësh mund ta prekësh fëmijën, duke e mësuar dhe drejtuar atë.
Demonstroni detyra të reja ose të vështira duke përdorur veprimin e shoqëruar nga shpjegime të shkurtra, të qarta, dhe të qeta. Përsëriteni demonstrimin derisa ai të mësohet.

I jepni atij përgjegjësi

Detyra duhet të jetë brenda kapacitetit të tij, megjithëse detyra mund të kërkojë shumë mbikëqyrje nga ana juaj. Pranimi dhe dallimi i përpjekjeve të tij nuk duhen harruar.
Si përfundim, mund të them se prindërit nëse duan t’i ndihmojnë fëmijët, kanë në dorë shumë gjëra. Me punë, përkushtim e këmbëngulje gjithçka arrihet, asgjë nuk është e pamundur.
Mendoj se teknikat e shpërblimit dhe e ndëshkimet janë ndihmuesi kryesor për këta fëmijë.

Revista Familja/motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version