Besimi apo imani është një çështje shumë delikate, andaj edhe duhet pasur kujdes të veçantë se si i plasohet dhe i servohet fëmijës.

Për këtë, nga ana e pedagogëve dhe psikologëve të fesë, parashihet të ndiqen këto parime bazë:

a. Të merret për bazë dashuria ndaj All-llahut xh. sh.

Një prej parimeve të Islamit është që fëmijët të trajtohen me dashuri në çdo kohë e në çdo situatë. Sidomos në mësimin e imanit duhet ndjekur një metodë mësimore që mbështetet në dashuri, sepse siç pamë më lart, një prej ndjenjave bazë të fëmijës është edhe ndjenja e dashurisë, e shpresës dhe e lidhshmërisë. Andaj edhe gjatë mësimit të parimeve të fesë duhet përdorur këto ndjenja fisnike, sepse kjo i jep fëmijës gëzimin e papërshkrueshëm pse ai jeton.

J.J. Rousseau lidhur me këtë thotë: “Ndjenja e parë e një fëmije është që ai ta dojë vetveten.

Ndjenja e dytë që lind nga kjo e para është t’i dojë ata që i afrohen atij…”15

Njeriut, për nga natyra dhe psikologjia e tij, i pëlqejnë sjelljet e buta, fjalët e mira dhe gjuha e ëmbël. Këtë na e bën me dije edhe ajeti kur’anor në të cilin All-llahu i drejtohet Muhammedit a.s. me fjalët: „Ti ishe i butë ndaj tyre, sepse All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të kishin hequr dorë prej teje…” (Alu Imran, 3:159).

Ajo çka si një gabim i madh shpesh bie në sy është frika e pavend që krijohet te fëmija ndaj Zotit. Një psikiatriste turke thekson se viteve të fundit në klinikat psikiatrike të fëmijëve është rritur dukshëm numri i pacientëve. Simptomat e shfaqura tek ata janë: ndjenja e shqetësimit të thellë, bërtitja, vajtimi, goditja e thyerja e sendeve…Në bazë të analizave të tyre ka rezultuar se faktori kyç që ka ndikuar në paraqitjen e çrregullimeve të tilla ka qenë doza e tepruar e “frikës nga Zoti”.16

Forma më e shpeshtë se si po mbillet gabimisht frika ndaj Zotit ndodh në periudhën kur fëmija dëshiron të sillet i pavarur e nga ana tjetër prindërit besojnë që fëmija duhet të sillet sipas dëshirave të tyre dhe kur insistimi i tyre në këtë drejtim, edhe përskaj kërcënimeve e dënimeve, shkon huq e nuk pi ujë, atëherë ata mundohen ta fusin në kokën e fëmijës frikën ndaj Zotit me fjalët: “Ai fëmijë që nuk e dëgjon nënën e vet, Zoti e bën gurë”, “Ai që e braktis ushqimin në pjatë, Zoti do ta djegë në Xhehennem”, “Ai që thotë fjalë të ndyta e të këqija, Zoti e bën memec, të pagojë”…

Në disa familje zhvillimi i vetëdijes dhe ndërgjegjes nuk bëhet përmes marrjes model të prindërve me sjelljet e mira të tyre, porse përmes frikës prej Zotit dhe përmes presioneve fetare, duke i thënë se All-llahu e shënon në defter (fletore) çdo gabim që bëhet dhe se për këtë do ta dënojë në zjarr.

Një rast i këtillë është shënuar në klinikën që u përmend më lart me një fëmijë të moshës 3 vjeçare që tregonte çrregullime në sjelljet e tij. Pas analizave të kryera, konstatohet se gjyshi i fëmijës sa herë kur ka dashur ta largojë fëmijën nga ndonjë veprim i padëshirueshëm, e ka frikësuar atë me dënimin e Zotit.17

Pedagogia Bejza Bilgin thotë: “Kur isha e vogël, Zotin ma paraqitnin (prezantonin) si një qenie prej së cilës duhet frikësuar gjithnjë, duke më thënë: Zoti shikon çdo gjë që e bën ti,prandaj nëse rren e mashtron, Zoti të nëm e të mallkon. Unë duke i dëgjuar shpesh dhe vazhdimisht këto fjalë, zura të mendoj se Zoti është një qenie që di vetëm të dënojë. Mirëpo më vonë pasi u rrita e kuptova se puna nuk ishte ashtu, porse këto fjalë ata m’i kishin thënë për të më heshtur mua ose për mos i shqetësuar ata.”18

Pedagogët dhe psikologët e fesë thonë se është gabim që fëmija të edukohet duke e frikësuar atë me Zotin apo me dënimin e Zotit, sepse kjo shkakton trauma të paparashikueshme për fëmijën dhe mund të lërë pasoja të rënda për në të ardhmen. Para së gjithash te fëmija përveç frikës ndaj Zotit, krijon edhe një hidhërim e zemërim ndaj Tij.

Kjo nuk do të thotë që fëmijës nuk duhet përkujtuar frika e të mos i zihet fare në gojë, sepse kjo shkakton një kundërefekt tek ai dhe e lazdron atë tej mase, mirëpo duhet qenë i matur dhe në plan të parë gjithnjë të vjen dashuria ndaj Zotit e jo frika ndaj Tij. Tekefundit vetë Zoti shprehet se “mëshira ime ia ka tejkaluar hidhërimit e zemërimit Tim”.

Sipas pedagogëve të fesë, fëmijëve Zotin duhet prezantuar më shumë si një Qenie që do, që mbron, që ka mirëkuptim e tolerancë, që fal gabimet, që më shumë shpërblen sesa dënon. Pra ky mendim pozitiv ndaj Zotit duhet të vjen në shprehje më tepër.

Nëse bash duam ta përmendim dënimin e Zotit, atëherë në rast gabimi te fëmija, atij duhet thënë se Zoti njeriun nuk e dënon menjëherë, porse i njeh pak kohë për t’u penduar nga gabimi… Për më tepër pedagogët preferojnë që për frikën ndaj Zotit fëmijëve të fillohet t’u flitet vetëm pasi ata t’i mbushin 10-11 vjet, që në fakt është edhe mosha kur te fëmija fillon të zhvillohet ndërgjegjja dhe është mosha kur mjaftueshëm është kompletuar edhe zhvillimi mendor i cili ndihmon në të kuptuarit më të lehtë të koncepteve: drejtësi-padrejtësi, faj, dënim, sevap, shpërblim, mëkat, xhennet, xhehenem…

b. Të sillemi me tolerancë e mirëkuptim ndaj fëmijëve

Muhammedi a.s. është simboli i mirëkuptimit dhe tolerancës, dhe këtë e ka shprehur sidomos ndaj fëmijëve, madje siç thamë, edhe në momentet kur kërkohet hushuja, koncentrimi më i madh, pra në namaz…

Gjatë zhvillimit të tij mendor dhe gjatë zgjimit të ndjenjës fetare tek ai, fëmija herë-herë parashtron pyetje interesante, herë-herë të pakuptimta po madje herë-herë edhe jo të përshtatshme fetarisht lidhur me Zotin. Në këtë rast menjëherë duhet përkujtuar fjala e

Muhammedit a.s. se “fëmijët deri në moshën madhore nuk janë përgjegjës për punët e fesë…”19 dhe nuk duhet kritikuar fëmijën me ashpërsi të vrullshme.

Këtë tolerancë që Islami ua njeh fëmijëve, duhet përdorë drejtë e në kohë të drejtë. Sidomoskur janë në pyetje disa të meta e gabime të lehta të cilave nuk u ikin dot as edhe të rriturit, nëse këto i bëjnë fëmijët, atyre nuk duhet thënë se keni bërë mëkat, gjynah.

Për ne me rëndësi është ta përmendim edhe faktin se njëri prej emrave të Zotit është edhe Halim (i Butë ndaj robërve të Tij) dhe se kur e urdhëron Musain e Harunin për te Faraoni, i cili ishte zullumqari më i madh në tokë, pasi ai e konsideronte veten për zot, u thotë: „Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij thuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet” (Taha, 20: 43-44).

Me këtë rast mund të bashkohet fjala e Muhammedit a.s. me të cilën ai e ndalon ndërhyrjen e menjëhershme te fëmija kur ai bën ndonjë problem20 me mendimet e pedagogut më të madh të Perëndimit, J.J. Rousseau-së: “…kur të kenë dëshirë, fëmijët duhet të shpërthejnë, të vrapojnë e të bërtasin. Sepse këto sjellje të fëmijës, janë nevojë e trupit që po zhvillohet e forcohet. … Gjithnjë të keni respekt e mirëkuptim ndaj lojërave, dëfrimeve e instinkteve të këndshme të fëmijës.”21

Edhe Ibni Halduni thotë që nëse jemi të ashpër me rastin e korrigjimit të gabimeve që i bën fëmija, kjo do të shkaktojë dëm te ai e jo dobi. Këto korrigjime e përmirësime duhen bërë duke ia fituar zemrën dhe duke u sjellë me butësi ndaj tij.

Sipas kësaj pra, si në rastet tjera, ashtu edhe në rastin e mësimit të imanit, ndaj fëmijëve duhet sjellë me tolerancë e me butësi. Për shembull, një fëmijë që shpreh fjalë jo të hijshme nga aspekti fetar e moral, menjëherë nuk duhet kritikuar ashpër e të dënohet, porse në vend të kësaj atij duhet sqaruar me një gjuhë që e kupton ai se ato fjalë nuk janë të mira, se janë jo të hijshme për njeriun…

Mirëpo, kur është në pyetje toleranca, nuk duhet tejkaluar dozën edhe këtu, sepse kjo shkakton lazdrimin e fëmijës, ndërkaq lazdrimi i fëmijës ka efekte edhe më të rënda. Me këtë ai e humb besimin ndaj vetvetes dhe, meqë gjithçka po e fiton lehtë e pa vështirësi, fillon të besojë se njerëzit tjerë janë një mjet i thjeshtë që i shërbejnë këtij për realizimin e qejfeve të tij. Ndërkaq kjo do të thotë që ai ta humbasë respektin edhe ndaj vetvetes po edhe ndaj të tjerëve.

c. Parimi i përshkallëzimit (suksesivitetit)

Në mësimin e besimit në Zot, pas parimit të dashurisë e tolerancës, një parim tjetër që duhet pasur parasysh është edhe përshkallëzimi, suksesiviteti. Në pedagogji nuk diskutohet më çështja e ndjekjes së metodës “nga më e lehta drejt më të rëndës”. Në fakt edhe Kur’ani e Sunneti e ndjekin dhe e porosisin e rekomandojnë këtë metodë.

Qysh nga mosha kur fëmija fillon të parashtrojë pyetje për Zotin, atij duhet dhënë përgjigje të sakta, të hapura, të kuptueshme, serioze e larg shakave dhe larg dyshimeve.

Këtë na porosit edhe Muhammedi a.s. në shumë hadithe të tij, ndër të cilat edhe këto:

„Trajtoni njerëzit sipas nivelit të tyre“, „Flituni njerëzve aq sa ata të mund t’ju kuptojnë“,

„Lehtësoni e mos vështirësoni, jepni myzhde e mos mbillni zemërim e pesimizëm“.22

Mutesavvufi (mistiku) i njohur Sehl b. Abdullah et-Tusteriu (v. 237 / 886) ka thënë:

“Isha nja 3 vjeç. Natën zgjohesha dhe e shikoja dajën tim se si falej. Një ditë mu kthye dhe më tha: ‘A s’po e përmend All-llahun?’ Unë i thash: ‘Si ta përmend?’ Ai më tha: ‘Kur të shkosh të flesh, pa e lëvizur gjuhën, me zemër thuaj 3 herë: “All-llahu është dëshmitari im, Ai është me mua dhe më sheh mua”. Unë disa net me radhë e përsërita këtë dhe për këtë e njoftova dajën tim, kurse ai më tha: ‘Tash e tutje përsërite nga 7 herë”. Pasi kaluan disa net përsëri më tha: “Tash e tutje thuaji nga 11 herë”. Fillova ta ndiej në zemër ëmbëlsinë e kësaj fjale. Pasi kaloi një vit, daja më tha: “Ato fjalë që t’i mësova mbaji mend mirë dhe thuaji deri sa të shkosh në varr. S’ka dyshim se këto do të sjellin dobi edhe në dunja edhe në ahiret”. Unë vazhdova kështu me vite të tëra. Kësaj radhe fillova ta ndiej ëmbëlsinë e kësaj fjale në botën time të brendshme. E më pas, daja im më tha: “O Sehl, a i ka hije një personi të bëjë mëkat, nëse Zotin e ka dëshmitar, i cili Zot e sheh dhe është bashkë me të?”.23

Metoda e shkallëshkallshmërisë duhet ndjekur edhe në mësimin e parimeve të besimit, një herë Kelimetu’t-Tewhidin*, pastaj Kelimetu’sh-shehadetin**, pastaj Kushtet e Islamit, pastaj Kushtet e Imanit…

Një metodë e mirë për mësimin e këtyre parimeve është edhe forma “pyetje – përgjigje”.

Shpesh nëpër familjet tona ndodh që gjyshi apo gjyshja t’i mbledhë nipat e mbesat dhe i pyet:

“Sa zota ka?”, fëmijët të gjithë një zërit thonë: “Njëëë!”, “Rob të kujt jemi ne?” , “Të Allllahut”,

“Ummet i kujt jemi ne?” – “Ummet i Muhammedit a.s.” , “Si quhet feja jonë?” –

“Islam”…

ç. Të merret parasysh faktori kohë dhe vend

Me rastin e edukimit fetar një prej çështjeve që duhet marrë në konsideratë është edhe faktori kohë dhe vend. Kjo do të thotë që për këtë qëllim duhet shfrytëzuar edhe ditët e premte (të xhumaja) dhe bajramet si dhe netët që karakterizohen me ndonjë vlerë të veçantë fetare si nata e mi’raxhit, e beratit, e kadrit etj. Në këto kohë fëmijës duhet sjellë ndonjë dhuratë apo diç të ngjashme me çka do t’i tërhiqet vëmendja fëmijës se këto janë kohë e raste të veçanta. Do të ishte mirë që këto dhurata vetë të kenë ndonjë tipar, shenjë apo karakter fetar. Me këtë fëmijës do t’i përgatitet terreni për të parashtruar pyetje rreth dhuratës po edhe rreth ditës apo natës për çka i është sjellë dhurata. Kjo ka ndikim të madh në vetëdijen e fëmijës.

Përpos faktorit kohë, edhe faktori i vendit është shumë me rëndësi. Sidomos xhamia dhe  atmosfera e saj kanë një efekt të veçantë mbi fëmijën. Të merren ata përdore duke i pastruar e veshur solemnisht, të prezantojnë në faljen e namazit me xhemat, si në xhuma, bajram e teravi, të dëgjojnë ezanin e ikametin, po Kur’anin dhe salavatet e sidomos duatë, është një ndjenjë e papërshkrueshme për fëmijën që s’e harron lehtë.24

Nëse e marrim parasysh situatën e muslimanëve këtu në Perëndim ku shumica e xhamive janë thjesht vetëm mesxhide, pa minare e kupola, pa ezan që thirret përmes minares…, duhet organizuar shëtitje të veçanta ose familjare ose grupore nëpër vendet ku ka xhami të mirëfillta dhe duhet treguar atyre pjesët e brendshme dhe të jashtme të një xhamie si dhe funksionet tyre; nëpër shtëpi është mirë të gjenden orë që në kohë të caktuara e thërrasin ezanin; në këto net e ditë të mëdha të dëgjohen bashkërisht me të gjithë anëtarët lexim Kur’ani dhe ilahije, të shikohen njësoj edhe filma apo programe me karakter fetar dhe me këtë rast t’u sqarohen fëmijëve disa nga elementet më interesante e më atraktive për zgjimin e vetëdijes fetare te fëmija. Prindit dhe përgjithësisht të rriturit këto mund t’i duken si sende të pakuptimta e të pavlerë, mirëpo për botën fëmijërore kanë një kuptim e domethënie të madhe e të pamohueshme, çka do të vazhdojë të rrijë e freskët gjatë kohë në kujtesën e fëmijës…

d. Fëmijës t’i ofrojmë karakter shembullor dhe ideal

Fëmija i moshës parashkollore, i cili tregon prirje për imitim dhe kopjim të sjelljeve e

lëvizjeve të më të rriturve, para së gjithash ka nevojë edhe për një model që do ta imitojë deri në imtësitë më të vogla.25 Prandaj, modelin më të mirë e më pozitiv, mund ta ofrojnë vetë babai dhe nëna e fëmijës. Për atë, në fillim, babai është njeriu më i fuqishëm, më i mençur, më i suksesshëm në botë, kurse nëna gruaja më besnike, më e butë, më e dashur e më e ngrohtë në botë. Këto ndjenja e mendime që fëmija i ka ndaj prindërve të tyre duhet shfrytëzuar maksimalisht për procesin edukativ fetar. Nëse prindërit presin që fëmija i tyre nesër të ketë edukatë fetare e t’i manifestojë në jetë mësimet më sublime të Islamit, ky Islam e këto mësime duhen jetësuar në përditshmërinë e babait dhe nënës.

Në një familje ku nuk ushtrohet dhe praktikohet asnjë nga mësimet dhe porositë fetare, aty nuk pritet që fëmija të del i edukuar fetarisht. Thjesht nga fakti se jeta nuk pranon e nuk njeh zbrazëtirë. Nëse nuk e mbush me fe e me atmosferë fetare, do të mbushet me pafesi e me sjellje tjera që bien ndesh me mësimet e fesë në fjalë.

Fëmija i kësaj moshe ka nevojë të marrë shembull e model më trimin, më bujarin, më fisnikun, më të mençurin, më… më… më… Prandaj, një rol të veçantë në këtë drejtim luajnë edhe tregimet apo përrallat me karakter fetar, si historia e pejgamberëve, historia e Muhammedit a.s. dhe e shokëve të tij fisnikë, ngjarjet e rëndësishme historike ku ndonjë musliman i mirë luan rolin kryesor dhe më të ndershëm, më fisnik e më guximtar, që fëmijës do t’i shërbejë si model, ai të lakmohet pas njeriut trim, fisnik, të drejtë e të ndershëm, me çka në fakt ai pa hetuar do të lakmohet pas vetë vlerës së trimërisë, drejtësisë, ndershmërisë etj….

Tekste me karakter të këtillë pedagogjik fetar, të përgatitur sipas grupmoshave të caktuara, për fat të keq në gjuhën shqipe gjenden shumë rrallë, nëse jo edhe aspak. E kjo do të thotë se mungon edhe leximi i tregimeve apo përrallave të këtilla para se fëmija të shkojë në shtrat, me çka do të kishte përfituar një qetësi të madhe shpirtërore…

e. Duhet shfrytëzuar egocentrizmin e fëmijës

Sipas psikologjisë së zhvillimit të fëmijës, vitet 2-6 janë vitet kur fëmija, nga aspekti i aftësive mendore, e jeton atë që quhet ‘egocentrizëm’. Është periudha kur “fëmija e zbulon mjedisin e tij, kur ai beson se ky mjedis e rreth është krijuar vetëm për të e për t’i shërbyer atij dhe kur ai nuk i përfill njerëzit e tjerë”.26 Me këtë, fëmija vetveten e sheh në qendër të bisedës, të lojës, të dashurisë… Pra, sipas fëmijës së kësaj moshe, gjithçka tjetër sillet e mbështillet rreth tij.

Një formë tjetër e kësaj ndjenje të egocentrizmit është edhe finalizmi, sipas së cilës gjithçka e ka qëllimin e vet pse është apo pse vepron ashtu siç vepron: Dielli shkëlqen për të ndriçuar dhe ngrohur, lumi për të lundruar me anije mbi të…

Ndikimi i këtyre ndjenjave vazhdon edhe për shumë vite te fëmija, prandaj është shumë me rëndësi të shfrytëzohet kjo ndjenjë edhe në edukimin fetar të tij. Atij duhet sqaruar se gjithçka që gjendet rreth tij, All-llahu e ka krijuar për t’i shërbyer atij (fëmijës). Me këtë rast ajetet që flasin për këtë të vërtetë do të jenë shumë domethënëse në këtë drejtim.

Për shembull: “Allahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhrin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë. Për ju nënshtroi diellin dhe hënën që në mënyrë të zakonshme vazhdimisht udhëtojnë. Për ju përshtati edhe natën e ditën” (Ibrahim:32-33). Të këtilla janë dhe ajetet 10-17 të sures en-Nahl (16).

Përpos kësaj, fëmijëve të kësaj moshe duhet thënë se All-llahu xh.sh. i do krijesat e Tij, dhe se më shumë prej të gjithëve i do fëmijës, i mbron dhe i ruan nga të ligat. Këto fjalë e të ngjashmet ia lakmojnë shpirtin fëmijës.

Atij duhet thënë se Zoti na ka dhënë shumë të mira sa ne nuk mund t’i numërojmë, se Ai nuk na dënon menjëherë për gabimet tona, porse Ai pret që ne të pendohemi për to, dhe se për punët e sjelljet e mira ai na shpërblen shumëfish…

Është e vërtetë se fëmija ka dëshirat e tij fëmijërore që ai dëshiron t’i plotësojë, andaj edhe në këtë drejtim duaja (lutja) luan një rol shumë vendimtar. Përmes duave, fëmija qetësohet e relaksohet shpirtërisht. Në fillimi fëmija nuk mund të bëjë dallimin se ç’mund të lypet prej Zotit drejtpërdrejtë, andaj edhe pa pra mund të bëjë dua: “O Zot, ma jep këtë e atë…”. Më vonë ai zhvillohet pak dhe fillon ta kuptojë duanë pak më ndryshe, si në shembullin e mëposhtëm:

“Një fëmije të klasës së parë nëna e tij i kishte thënë t’i bëjë dua Zotit dhe t’i lutet për çfarëdo që të ketë qejf. Fëmija që moti kishte pas dashur një lodër aeroplani elektronik. Këtë dua ja se si ia shfaq nënës së vet: “Unë e di se Zoti nuk do të ma hedhë këtë aeroplan nga qielli, mirëpo mund që në zemrën tënde ta japë dëshirën: ‘T’ia marr fëmijës tim një aeroplan elektronik’, dhe ti do të ma blesh”.27

Ashtu siç mund të shihet, fëmija duanë e sheh si një mjet për realizimin e dëshirave të tij egocentrike. Këtu me rëndësi është që fëmija të mësohet t’i lutet vazhdimisht Zotit, ta bëjë shprehi këtë, qoftë edhe për sende të këtilla fëmijërore, sepse kjo do ta mbajë atë në kontakt të përhershëm me Zotin.

Është shumë mirë t’i mësohen disa dua e lutje dhe këto t’i lexojë veçanërisht para se të shkojë në gjumë, ndër të tjera edhe kjo: “O Zot, më ruaj mua, babanë tim, nënën time, vëllezërit dhe motrat e mia dhe të gjithë besimtarët!”, dhe t’i bëhet me dije se pasi ta ketë lexuar këtë dua atë dhe familjen e tij do ta kenë mbrojtur tërë natën melekët që do të qëndrojnë gjithnjë pranë tyre…

Autor:Mr. Rejhan Neziri
Burimi:/psikologjiaislame

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version