A.Vlera e fëmijëve në Islam

Muhammedi alejhi.selem. si një pejgamber që fillimisht është dërguar në një shoqëri ku vajzat e vogla varroseshin për së gjalli, urdhëronte trajtimin e barabartë të fëmijëve dhe shfaqjen e dashurisë së njëjtë, si ndaj djemve ashtu edhe ndaj vajzave.

Njeriu vetë në Islam quhet si “ahsen-i takvim” (qenie e krijuar në formën më të bukur), po i tillë do të konsiderohet, normalisht edhe fëmija apo i vogli i njeriut. Andaj edhe për fëmijët flitet si në Kur’an ashtu edhe në Sunnet. Kurse Omeri r.a., ishte ai që në cilësi të kryetarit të shtetit islam (halif), fëmijëve deri në moshën madhore u kishte lidhur nga një pagë prej 100 dirhemësh.

1. Vlera e fëmijëve në Kur’an

Kur’ani thekson se prindërit nga brendia dhe që nga lindja ndiejnë një dashuri dhe ngrohtësi ndaj fëmijëve. Kjo kuptohet nga ajo që disa herë në vend të fjalës “fëmijë”, Kur’ani e përdor fjalën “kurratu ajnin” (loçkë, burim ngushëllimi e gëzimi, qetësi e syve)1, e në disa vende të tjera e shpreh atë vajtimin dhe vuajtjen e profetit Jakubit ndaj të birit të tij të humbur Jusufit dhe qorrimin e tij për të2. Po edhe ajetet që flasin për gjendjen shpirtërore të nënës së Musait a.s. kur ajo detyrohet ta hedhë të birin në lumin Nil.3 Pastaj flitet edhe për djelmoshat e Xhennetit, të cilët i përshkruan si „margaritarë të derdhur“4. Në Kur’an drejtpërdrejtë për fëmijët flasin 297 ajete, kurse ajetet që në mënyrë indirekte flasin për fëmijët arrin shifrën prej 342 sosh. Në raportet baba – fëmijë, Kur’ani thuajse gjithnjë e shpreh fjalën „bunejje“ (biri im).5

2. Vlera e fëmijëve në Sunnet

Si rahmet për mbarë njerëzimin, në planin edukativ të fëmijëve, Muhammedi a.s. në fillim e çrrënjosi trajtimin jo të barabartë midis djemve e vajzave, e pastaj e ndaloi mallkimin e fëmijëve dhe përmes hadithit „Kush nuk tregon dhembshuri e rahmet ndaj më të vegjëlve tanë, ai s’është prej nesh“ e ka mbjellë në shoqëri dashurinë dhe ngrohtësinë shpirtërore ndaj fëmijëve. Kur po ndërronte jetë djali Ibrahimi (deri sa akoma pinte gji prej nënës së tij), Muhammedi a.s. e merr në gjoks dhe e puth, ndërsa sytë i rridhnin lot. Abdurrahman bin Aufi e pyet: “A edhe ti po qan, ja Resulallah?”. Ai i tha: “Ky vajtim vjen nga mëshira e dhembshuria. Sytë qajnë, kurse zemra është e dëshpëruar, mirëpo ne e themi vetëm atë me çka do të jetë i kënaqur Krijuesi ynë. Ibrahim, ne jemi shumë të dëshpëruar që po ndahesh prej nesh!”.6

Kur një beduin e sheh Pejgamberin a.s. se si ai i puth fëmijët, si me ironi e pyet Pejgamberin a.s.: “Do me thënë, ju po i puthkeni fëmijët, hë?! … Ne, ne nuk i puthim asnjëherë”. Pejgamberi a.s. i përgjigjet: “Çfarë të bëj unë nëse Zoti ta ka shkulë nga zemra mëshirën e dhembshurinë?!”.7

Ai shpesh i puthte, i ledhatonte fëmijës, i merrte në krah apo edhe në prehër, bënte shaka me ta, luante me ta, i bartte në shpinë madje dhe në namaz…

Kur një ensari e kap fëmijën e quajtur Rafi’ bin Amër se si ky po i shkund me gurë hurmat e tij, e sjell te Pejgamberi a.s. dhe i ankohet për këtë veprim, Muhammedi s.a.w.s. i drejtohet Rafiut duke i thënë: “Or bir, pse po i shkund me gurë hurmat e zotërisë?”, Ai i përgjigjet: “Isha i uritur, ja Resulallah, dëshiroja ta ngopja barkun”. Atëherë Muhammedi a.s. i thotë: “Edhe një herë kur të të hahen hurma, mos i gjuaj me gurë, porse mblidh prej atyre që kanë rënë poshtë dhe haji!”. Pastaj, duke ia ledhatuar kokën Rafiut bëri një dua për të: “O Zot, fryja barkun këtij fëmije!”.8

Në një rast ai shprehet kështu: “Disa herë bëj nijet ta fali gjatë namazin, mirëpo kur e dëgjoj vajtimin e ndonjë foshnje, e shkurtoj atë, me qëllim të mos i jap siklet nënës së fëmijës”.9 Edhe pse krahas ajeteve kur’anore edhe vetë ai ishte që ua tërhiqte njerëzve vërejtjen për hushu (koncentrim dhe përkushtim) në namaz, mirëpo kur ishin në pyetje fëmijët, ai tregonte një mirëkuptim dhe tolerancë të jashtëzakonshme: i bartte në shpinë, i ulte, i lëshonte…

B. Rëndësia e familjes në edukimin fetar

Ajeti kur’anor që thotë se: “All-llahu është Ai i Cili ju krijoi ju (në një gjendje) të dobët (e nevojtarë për ndihmën e të tjerëve…”10, sot vërtetohet edhe nga shkenca e pedagogjisë dhe e psikologjisë se: “fëmija ka nevojë për kujdes dhe mbrojtje të të tjerëve”.

Muhammedi a.s. thotë: “Secili fëmijë lind në fitrah (i pastër dhe me prirje për ta pranuar të vërtetën), e pastaj prindërit e tij e bëjnë hebre, ose krishter ose mexhusijj (zjarrputist), e nëse prindërit e tij janë muslimanë, ai bëhet musliman”.11

Sipas studimeve psiko-pedagogjike, institucioni i vetëm në moshën e fëmijërisë që fëmijën e drejton rrugës për t’u bërë njeri, është familja. Po ashtu, sipas këtyre studimeve, është përcaktuar raporti midis familjes dhe fesë dhe janë radhitur – sipas rëndësisë – faktorët më relevantë në formimin fetar të fëmijës:

1. familja,

2. idetë e vetë personit fëmijë, dhe

3.shkolla (arsimimi).

Një karakteristikë e kësaj moshe të re të fëmijëve është imitimi. Ata si zakonisht brenda familjes e imitojnë babanë dhe nënën si dhe anëtarët e tjerë, nëse ka. Prandaj edhe mbjellja dhe ngjallja e ndjenjave fetare te fëmijët e kësaj moshe është shumë me rëndësi. Shpesh mund të vërejmë se si fëmija i moshës 3-4- vjeçare, në fillim e shikon babanë ose nënën se si ata falin namaz, i vështron mirë ata e më pastaj mundohet të bëjë sikurse ata, të imitojë faljen e namazit, shtrimin e sexhades, heqjen e tesbihëve, ngritjen e duarve për dua etj.

Prandaj, kjo moshë është shumë vendimtare për edukimin fetar të fëmijës, dhe nga kjo varet nëse nesër fëmija pasi ta kalojë periudhën e fëmijërisë e të futet në periudhën e rinisë, do ta braktisë fenë me gjithë çfarë ka, apo do t’u kapet edhe më shumë parimeve të saj.12

C. Ndjenjat kryesore me rastin e arsimimit të besimit në Zot

Sipas psikoanalizës, e cila ndër të tjera i studion ndjenjat dhe paraqitjen si dhe zhvillimin e tyre, te njeriu ekzistojnë dy ndjenja kryesore: ndjenja e dashurisë dhe ndjenja e lidhshmërisë (varësisë).

Po edhe imani në fakt është një koncept që në të njëjtën kohë e përfshinë edhe shpresën edhe frikën.

Psikologët thonë se zhvillimi sentimental (ndijimor) te fëmijët paraqitet më herët se ai racional apo mendor. Një fëmijë më shumë e do atë që ia ka shprehur dashurinë më parë, sesa ndonjë person tjetër, sado i rëndësishëm të jetë ky i fundit. Andaj edhe duhet përfituar zemrën e tyre (e jo mendjen fillimisht), te ajo zemër duhet futur dashurinë, besueshmërinë, shpresën dhe lidhshmërinë.

D. Parimet kryesore gjatë mësimit të besimit në Zot

Qysh në fillim duhet thënë se disa parime të edukimit të përgjithshëm, si: shmangia nga kërcënimi, kritika, krahasimi kundërshtar, nxitja e xhelozisë etj., vlejnë në të njëjtën kohë edhe për edukimin fetar, gjegjësisht në mësimin e besimit në Zot.

Psikologët e fesë thonë se fëmija ballafaqohet me fenë që nga mosha 2 vjeçare, kurse pas moshës 3-4 vjeçare përmes pyetjeve “si dhe pse?” fëmija fillon ta mësojë bazën e sendeve, ndaj edhe fuqinë krijuese të Zotit.14

Këto njohuri të shkurta na bëjnë me dije edhe një herë se te fëmija ekziston ndjenja dhe mendimi fetar, ndaj dhe me vete e bartin pyetjen se si të kanalizohen këto ndjenja e mendime, çfarë edukimi fetar na nevojitet. Sot pra nuk bisedohet më rëndësia dhe ndikimi që ka feja në jetën e njeriut dhe të fëmijës, kjo pyetje nuk parashtrohet më. Mirëpo sot diskutohet se cilat metoda e mjete duhen përdorë gjatë edukimit fetar, e sidomos gjatë mësimit të besimit në Zot.(vazhdon)…

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version