Shumë kultura dhe civilizime nga e kaluara, nuk i kanë dhënë vendin e merituar gruas në shoqëri. Madje kishte prej tyre që nuk e kanë llogaritur atë as si krijesë dinjitoze njerëzore. Të drejtat e saj ishin të cenuara skajshmërisht, deri në vrasje të paarsyeshme apo varrosje të gjallë. Kështu ishte te grekët e vjetër, në ligjin romak, në civilizimin kinez e indian, në traditën arabe paraislamike etj.

Madje edhe në Evropën mesjetare ballafaqohemi me krime të neveritshme ndaj grave, siç ishte rrahja dhe shitja e tyre. Një kohë të gjatë në qarqet kishtare është polemizuar nëse gruaja posedon shpirt. Deri vonë gruaja evropiane është shikuar si e paaftë dhe e padenjë për të qenë e barabartë me burrin.

Për dallim nga kjo që thamë më lartë, e kemi qëndrimin fisnik të cilin ndaj qenies njerëzore të quajtur grua, e mban Feja Islame. Islami, me madhështinë dhe drejtësinë e vet, manifeston barazinë e përgjegjësive, detyrave dhe të drejtave të të dy gjinive, burrave dhe grave, njëlloj.

Thotë Allahu i Plotëfuqishëm në Kuranin Famëlartë: “Nuk ka dyshim se për Muslimanët (burra) dhe Muslimanet (gratë), besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përvuajturit dhe të përvuajturat, sadakdhënësit dhe sadakdhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, (për ta) Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (Ahzab, 35)

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97)

Në Kuran gjenden edhe shumë ajete tjera që tregojnë shumë qartë se burrat dhe gratë janë të barabartë në lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, dhe në kthim edhe me shpërblimet apo dënimet e tyre. Gjithsesi, Kurani Fisnik ka parasysh edhe dallimet natyrale dhe ato sociale mes dy gjinive, por e tërë kjo në frymën më pozitive, që t’i shërbejë ngritjes dhe mbrojtjes së gruas, e jo shkeljes apo nëpërkëmbjes së saj.

Por, çfarë është gjendja jonë aktuale sot, në trojet tona ku jetojmë e veprojmë, vende të cilat me shekuj ishin pjesë e Perandorisë Osmane, pastaj me dekada iu nënshtruan ideologjisë komuniste, për të jetuar aktualisht atë që e quajnë demokraci liberale? Çfarë është pozita e gruas muslimane, në ç’nivel respektohen të drejtat e saj, sa i është mundësuar asaj të përfshihet në jetën publike dhe institucionale? Përgjigjja e parë që më vije ndërmend është: gruaja muslimane aktualisht, në të gjitha viset e Shqipërisë Natyrale, gjendet në pozitë të rëndë e të pa lakmueshme, të drejtat e saj shkelen në mënyrë të vrazhdë në emër të laicizmit të shtrembëruar, përfshirja e saj në jetën publike është barazi me zero.

Në Shqipëri, një numër i konsiderueshëm i vajzave muslimane u larguan nga procesi arsimor për shkak të shamisë që mbanin në kokë. Edhe në projektligjin e ri për arsimin parauniversitar parashikohet që asnjë nxënës nuk duhet të paraqitet në shkollë publike me simbole fetare.

Në Kosovë po ndodh e njëjta gjë: drejtorët e disa shkollave të mesme ua kanë ndaluar vajzave me shami vijimin e shkollimit, këtë të drejtë të garantuar me të gjitha konventat dhe ligjet ndërkombëtare. Ishim dëshmitarë të një sërë protestave të qytetarëve në drejtim të mbrojtjes së kësaj të drejte elementare njerëzore. Në Kosovë, po ashtu, ka ndodhur edhe përjashtimi nga puna të disa mësueseve dhe pedagogeve që bartin mbulesën islame.

Në Maqedoni, për fat të mirë, vajzat muslimane me hixhab nuk kanë probleme të kësaj natyre, ato kanë mundësinë që ta vijojnë mësimin me veshjen e tyre islame. Rastet individuale nëpër disa shkolla të mesme, kur drejtorë të caktuar tentonin të vendosin një pengesë, janë zgjidhur shumë shpejt në favor të nxënëseve me shami. Po ashtu, kemi edhe raste kur femra të mbuluara punojnë nëpër institucione të ndryshme arsimore dhe shtetërore. Pra, një pengesë ligjore nuk ekziston. Por, për fat të keq, akoma e kemi të pranishëm kompleksin e ngulitur te burrat që bartin emra muslimanë nëpër institucione, të cilët sikur nuk e shohin të denjë një vajzë myslimanë për t’u avancuar edhe më tej dhe për të marrë një post me përgjegjësi shoqërore.

Situata bëhet edhe më e rëndë me tendencat negative dhe fushatat e ndyta që po shfaqen gjithnjë e më shpesh kohëve të fundit, nëpër media e forume të ndryshme të vendeve tona, e të cilat kanë për qëllim etiketimin, njollosjen dhe përbuzjen e femrave muslimane në përgjithësi dhe mbulesës islame në veçanti. Të inkurajuar nga polemikat që kohëve të fundit po zhvillohen edhe në disa vende evropiane lidhur me hixhabin e nikabin e gruas muslimane, shumë pseudo intelektualë e pseudo analistë shqipfolës i japin të drejtë vetes që pa fije turpi ta diskutojnë e kontestojnë identitetin e gruas muslimane shqiptare dhe rolin e pozitën e saj në shoqëri.

Por derti ynë nuk mbaron me kaq. Sepse, që tragjedia të jetë edhe më e madhe, edhe në mesin e muslimanëve ka njerëz të tillë që mundohen ta largojnë gruan nga angazhimet shoqërore dhe në një formë ta burgosin brenda katër mureve, duke i ndaluar asaj të drejtën e lëvizjes, arsimimit dhe aktiviteteve publike. Disa madje pohuan se gruaja e mirë del nga shtëpia vetëm në dy raste: gjatë transferimit për në shtëpinë e bashkëshortit të saj dhe kur të dërgohet për në varreza. Të tillët munduan që pohimet e tyre t’i argumentojnë me hadithe të trilluara dhe të dobëta. E, në të vërtetë, ata harruan sjelljen fisnike të Pejgamberit Muhammed [alejhis-selam] ndaj grave dhe nxitjen që ai ua bënte atyre për të kontribuar në shoqërinë islame. Ata, po ashtu, harruan rolin e grave të para muslimane, sukseset dhe influenca e të cilave gjendet pothuajse në çdo fushë të asaj periudhe të artë të historisë. Ato ishin aktive edhe në thirrje islame, edhe në politikë; në fushën e edukimit, edhe në biznes; të guximshme në luftë dhe të palodhshme në kohëra paqeje. Prej nënës së besimtarëve, Aishes (radijall-llahu anhu), edhe sahabët e mëdhenj e morën diturinë e hadithit.

Gjatë luftës së Uhudit, në etapën më kritike të saj, ishte sahabija Ummi Ammara [radijallahu anha] ajo e cila e mbrojti me trupin e vet Pejgamberin [alejhis-selam] dhe luftoi armikun me shpatë e shigjetë. Inteligjenca politike dhe ekonomike e gruas Shifah bint Abdullah [radijallahu anha] bëri që halifi i dytë i muslimanëve, Omeri [radijallahu anhu], t’i jepte asaj shpesh përgjegjësinë e mbarëvajtjes së punëve të shtetit përsa i përket tregtisë dhe biznesit.

Nga kjo që thamë më lartë, pra pengesat me të cilat ballafaqohet gruaja muslimane dhe mundësitë e kufizuara që i ofrohen, mund të konstatojmë se pozita e saj në trevat tona akoma mbetet e margjinalizuar dhe shumë pak i jepet rasti për të treguar potencialet e veta dhe për të kontribuar në promovimin e vlerave të mirëfillta në shoqëri. Në këtë drejtim, mbetet obligim yni që të angazhohemi me mish e shpirt kundër këtyre ligësive dhe të kundërshtojmë hapur e në mënyrë të argumentuar shpifjet që po bëhen mbi gruan muslimane dhe hixhabin e saj. Ne duhet të jemi ato që zëshëm do të protestojmë për padrejtësitë që shoqëria po ushtron ndaj nesh. Kundër mohimit të drejtës elementare të shkollimit e arsimimit, kundër pengesave me të cilat ballafaqohemi në drejtim të angazhimit dhe afirmimit tonë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore. Atyre që tentojnë të na shkelin e nëpërkëmbin, t’ju tregojmë aftësitë dhe epërsitë tona. Atyre që pëshpëritin e flasin kundër hixhabit tonë, t’ju flasim për bukurinë dhe madhështinë e tij përmes sukseseve dhe arritjeve tona. Atyre që dyshojnë në mundësitë dhe aftësitë tona, t’ju dëshmojmë me angazhimin tonë se nuk jemi aspak inferior ndaj askujt. Atyre që përmes interpretimit të shtrembëruar të mësimeve islame duan të na largojnë nga përgjegjësia e thirrjes islame dhe obligimet tjera shoqërore, t’ju sqarojmë në mënyrën më njerëzore se puna jonë është në përputhje me traditën pejgamberike, se shembulli ynë më i mirë janë gratë e të Dërguarit të fundit të Allahut, sahabijet e ndershme dhe gratë e ditura e të devotshme të Ummetit.

Dhe, me ndihmën e Allahut, besoj se do t’ia arrijmë kësaj, në rend të parë përmes veprimit tonë të organizuar në organizata joqeveritare dhe shoqata të grave në vendet ku jetojmë, përmes bashkëpunimit tonë të përafërt dhe këmbimit të ideve e përvojave, përmes vizitave reciproke dhe organizimeve të ngjashme sikur ky i sodit. Vetëm në këtë mënyrë do të tregojmë kapacitetet dhe aftësitë tona për të qenë pjesë aktive e shoqërisë dhe se meritojmë një mundësi për përfshirje më të madhe në jetën publike e institucionale.

Në këtë drejtim, ne gjithsesi shpresojmë edhe në ndihmën e vëllezërve tanë muslimanë, në mbështetjen që do na japin për arritjen e objektivave tona, qofshin ata të bashkësive të respektuara fetare islame, qofshin nga organizatat e ndryshme joqeveritare, qofshin nga jeta publike e institucionale. Sepse, vetëm bashkërisht, do të arrijmë ta kryejmë në mënyrë të duhur mision fisnik që kemi marrë mbi supet tona, përmirësimin e gjendjes në familjet dhe shoqëritë tona.

nga Sumeje Murtezi

REVISTA “FAMILJA”

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version