Përfitime nga thesari i shejh Abdulaziz et-Tarifit (I)

 

1. Vlera e mbulimit të mëkateve të muslimanëve:

“Ndodh që Allahu ta mbulojë njeriun që ka bërë mëkat të madh, ndërsa ta turpërojë atë që ka bërë mëkat të vogël; për faktin se i pari i mbulon (të metat) e njerëzve, ndërsa i dyti i zbulon ato”. Në hadith është përmendur: “Atij që ia mbulon (një të metë) muslimanit, Allahu do t’ia mbulojë”.

2. Njeriu më mendjemadh:

“Njerëzit me mendjemadhësi më të madhe janë ata që ndaj dashurisë së Allahut janë më larg”.

“Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë”. (En-Nisa: 36)

3. Ndihmoje fenë e Allahut:

“Ai që s’e ndihmon fenë e Allahut, mos ta pret ndihmën e Tij”.

“..nëse e ndihmoni Allahun (çështjen e Tij), edhe Ai do t’ju
ndihmojë…”. (Muhammed: 7)

4. Synimi i mynafikut dhe ai i besimtarit:

“Synimi i munafikut është t’i kënaqë krijesat, ndërsa synimi i besimtarit të sinqertë është të kënaqë Allahun dhe të Dërguarin e Tij”.

“Ata ju betohen për Allahun për t’ju kënaqur, por është më e drejtë të kënaqin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, nëse janë besimtarë”. (Et-Teube: 62)

5. Dëmet e mëkateve:

“Sprovat shtohen dhe pakësohen në varësi të shtimit dhe pakësimit të mëkateve”.

“Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë…”. (En-Nur: 63)

6. Vlera e istigfarit dhe kthimit tek Ai:

“Njeriu më afër mëshirës së Allahut të Lartësuar është ai që më shumë kërkon falje prej Tij (bën istigfar) dhe që më shumë kthehet tek Ai”.

“Përse nuk kërkoni nga Allahu falje (të gjynaheve) që të mund të mëshiroheni?!” (En-Neml: 46)

7. Nuk ka triumf pa sprova:

“Sikur Allahu i Lartmadhërishëm ta realizonte triumfin pa sprova, do ta realizonte atë për Pejgamberët”.

8. Qafirët s’janë të kënaqur me ne:

“Perëndimi kur thotë: “Ne nuk jemi armiq të Islamit”, ose janë duke gënjyer, ose ne nuk jemi në Islamin autentik”.

“As hebrenjtë, as të krishterët nuk do të jenë të kënaqur me ty, derisa të pranosh besimin e tyre”. (El-Bekare: 120)

9. Veçoritë e dhjetëditëshit të Dhul-hixhes:

“Në dhjetëshin e dhul-hixhes, Allahu i foli Musait, alejhi selam, e plotësoi fenë islame, njashtu në të Ai u betua; adhurimi që bëhet në to, është më me vlerë sesa në ditët tjera, në veçanti madhërimi i Allahut (tekbiri) dhe agjërimi, si dhe dita e arafatit është dita më me e mirë e vitit”

10. Allahu i ngrit njerëzit për shkak të drejtësisë dhe e kundërta:

“Ndodh që Allahu qafirin ta ngrit për shkak të drejtësisë së tij, e besimtarin ta poshtërojë për shkak të padrejtësisë së tij”.

 

Përfitime nga thesari i shejh Abdulaziz et-Tarifit (II)

 

1. Nuk ka dobi të jesh i famshëm, e në fund në Xhehenem

“Ç’dobi është që historia emrin tënd të ta përjetësojë në këtë botë, nëse në botën tjetër je i përhershëm në zjarr (të Xhehenemit)?!”

 

2. Rreziku që njeriu ta harrojë Allahun

“Nuk i madhëron simbolet e Allahut, ai që e harron Atë”.

“Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri – tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar. Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë, hipokritët janë keqbërës”. (Et-Tevbe: 97)

 

3. Vlera e praktikimit të dijes

“Dija e pastron mendjen, ndërsa puna e pastron nefsin; e, njeriu më i dobët në kohë vështirësish është dijetari pa vepër, si dhe vepruesi pa dije”.

 

4. Allahu i do muxhahidët (luftëtarët) e bashkuar

“Sa herë që muxhahidi është më afër xhematit, është më pranë dashurisë së Allahut; e, në varësi të largimit të tij – shtohet hidhërimi i Tij”.

“Vërtet, Allahu i do ata që luftojnë në rrugën e Tij, të radhitur si të ishin një ndërtesë solide”. (Es-Saff: 4)

 

5. Mirësia e vepërmirëve

“Nuk shpëton një popull që në mesin e tyre nuk ka njerëz vepërmirë”.

“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit”. (Al-Imran: 104)

 

6. Kur është sprova më e mirë se mirësia?

“Një sprovë e shoqëruar me durim, është më e mirë sesa një mirësi pa falënderim”.

 

7. Durimi dhe devotshmëria

“Durimi dhe devotshmëria janë dy shtylla të stabilitetit”.

“…por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak”. (Al-Imran: 120)

 

8. Vlera e përgjërimit para Allahut në vetmi

“Vepra më madhështore që të afron me Allahun është përgjërimi para Tij në vetmi”.

 

9. Rreziku i përzierjes së dijes me epshin

“Dija që përzihet me epsh (dëshirë) është më e rëndë për të pronarin e saj sesa injoranca”.

“Mendo pak! Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?!” (El-Xhathije: 23)

 

10. Kurani është Dritë

“Kurani është Dritë; ai që s’e sheh udhën e udhëzimit ndërmjet tij, ai në mendjen e tij ka mbulesë, ashtu sikurse s’i bën dobi drita e diellit atij që i mbyll sytë”.

“…nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e dukshme (Kurani)”. (En-Nisa: 174)

 

Zgjodhi dhe përktheu: Burim Koçinaj

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version