Feja Islame këshillon se një besimtar i vërtetë duhet të lutet për të patur familje e pasardhës të mirë. Këtë gjë e gjejmë edhe në Kuran ku thuhet: “Edhe ata që thonë: “Zoti ynë na bën që të jemi të gëzuar me punën e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit.” (Furkan, 74)

Ashtu siç janë urdhëruar fëmijët që t’u binden prindërve të tyre, ashtu edhe prindërit janë të obliguar që t’i respektojnë e t’i zbatojnë detyrat dhe obligimet që kanë ndaj fëmijëve të tyre. Në mesin e detyrave të prindërve kundrejt fëmijëve, krahas dashurisë, trajtimit në mënyrë të sjellshme, dhembshurisë e përkrahjes, duhet të përfshihet edhe kujdesi e edukimi i tyre, rrënjosja e vlerave të mira tek to e kështu me radhë.

Le të përmendim disa prej tyre:

• E drejta për të jetuar

Islami e ka ndaluar vrasjen e fëmijëve, duke e deklaruar këtë akt si një mizori e tmerrshme e një krim rrënqethës e të urryer. Përgjegjësia kryesore për të mbrojtur dhe ruajtur jetën e fëmijëve bie mbi prindërit, e nëse ata i mbysin për shkaqe ekonomike, kjo është një prej mëkateve më të mëdha e që feja islame i ndëshkon. Në Kuran thuhet: “S’ka dyshim se kanë dështuar keq ata që mbytin fëmijët e tyre nga mëndjelehtësia e pa kurrfarë dije dhe ata që duke i shpifur Zotit, shpallën të ndaluar atë që Zoti u kishte dhuruar.” (En’am, 140)

Një nga sahabet e pyeti profetin Muhamed (a.s.): “Cili është mëkati më i madh?” Profeti iu përgjigj: “T’i bësh shirk Zotit”. Pastaj ai e pyeti përsëri: Po pas kësaj? Profeti (a.s.) i tha: “Kur ti vret fëmijën tënd nga frika se mos ai të merr pjesë (hise) nga ushqimi yt”.

• Zgjedhja e një emri të mirë për të

Pikërisht, me ardhjen e një fëmije në këtë botë, atij apo asaj duhet t’i vihet emër i mirë (musliman).

Dëshmi për këtë është fakti se i dërguari i Allahut (a.s.) i ndryshonte emrat e turpshëm dhe i nxiste pasuesit e tij të zgjidhnin emra të mirë (për vetet e tyre dhe për fëmijët e tyre).

Ebu Derda thotë se Profeti (a.s.) ka thënë: “Me të vërtetë në Ditën e Gjykimit do të thirreni me emrat tuaj dhe me emrat e baballarëve tuaj, kështu që vendosni emra të bukur.” (Ebu Davudi)

Në fakt, emri duhet t’i vihet pasi t’i thuhet ezani në vesh (d.m.th. ezani në veshin e djathtë dhe ikameti në të majtin). Ebu Raifi thotë: “E kam parë se si Profeti (a.s.) ia këndonte ezanin në vesh Hasan ibn Aliut në vesh, menjëherë pas lindje së tij.” (Ebu Daudi)

• Bërja e akikës

Profeti (a.s.) ka thënë: “Çdo foshnje është peng i akikës së saj, e cila theret për të në ditën e shatë të lindjes, atë ditë i vendoset emri dhe i rruhet koka” (Tirmidhiu)

Aishja transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Për fëmijën mashkull theren dy dele, përafërsisht të ngjashme, ndërsa për fëmijën femër theret një dele.”

• Bërja synet e fëmijës së vogël mashkull

Ebu Hurejre transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Pesë obligime janë që prej lindjes: synetimi, heqja e qimeve nga vendet e turpshme, shkurtimi i mustaqeve, prerja e thonjve, heqja e qimeve nën sqetulla.”

• Dhënia e gjirit

Kjo është e drejta fillestare që fëmija merr pas lindjes. Kurani Fisnik e ka vërtetuar këtë dhe e ka përkufizuar kohëzgjatjen maksimale për të, duke thënë: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota…,” (Bekare, 233). Kjo ka të bëjë me ata prindër që dëshirojnë ta plotësojnë afatin e dhënies së gjirit.

• Pagimi i shpenzimeve të fëmijës

Allahu (xh.sh.) ka thënë: “Babai i fëmijës do të mbartë harxhimet e ushqimit të nënës dhe të veshjes aq sa është e arsyeshme. Asnjë person nuk do të ngarkohet përtej mundësive të tij.” (Bekare, 233)

“Mos i vritni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë. Ne do t’i furnizojmë ata dhe juve. Vërtet, vrasja e tyre është mëkat i madh” (Isra, 31)

Po të mos ishte për faktin që harxhimi për ta është një obligim, ata s’do të kishin frikë nga varfëria. Mirëpo, Allahu e ka vërtetuar këtë dhe u tregon atyre që Ai është i cili i furnizon ata dhe fëmijët e tyre.

Hisham ka transmetuar: Babai im ma përcolli nga Aishja se Hind bint Utbeh ka thënë:

– “O i dërguari i Allahut, Ebu Sufjani është një njeri tepër dorështrënguar dhe nuk më jep sa më nevojitet mua dhe fëmijës tim, përveç çfarë marrë prej tij pa e ditur ai!

– Merr çfarë të mjafton ty dhe fëmijës tënd në mirësi, – u përgjigj ai”.

Profeti (a.s.) ka thënë:”Kushdo që i rrit dy vajza derisa ta mbërrijnë moshën madhore, në Ditën e Gjykimit unë dhe ai do të vijmë kështu” – dhe ai a.s. gërshetoi gishtërinjtë.

• Urdhërimi ndaj tyre për t’u falur dhe të qenët i duruar ndaj tyre në këtë

Kjo bazohet në thënien e Allahut: “Urdhëro familjen tënde për namaz dhe ji i qëndrueshëm në kryerjen e tij. Në nuk kërkojmë prej teje të na furnizosh, por ne ju furnizojmë. Dhe fundi i mirë është për të devotshmit.”(Ta Ha, 132)

Profeti (a.s.) ka thënë: “Urdhëroni fëmijët tuaj të falen, kur ata të jenë shtatë vjet, dhe rrihini (nëse refuzojnë), kur të jenë dhjetë vjeç. Dhe ndajini shtretërit e tyre”.

• Nxitja e tyre për të pasur shoqëri të mirë dhe paralajmërimi i tyre kundër shokëve të këqij

Profeti (a.s.) ka thënë: “Shembulli i një shoku të mirë dhe një shoku të keq është sikurse shembulli i një shitësi të parfumit dhe i një farkëtari. Nga i pari ose do të blini parfum, ose do të kënaqeni në aromën e mirë, kurse një farkëtar ose do t’ju djeg shtëpinë a teshat, ose do të përjetoni erë të keqe nga ai”.

• Të qenët i mëshirshëm dhe i dhembshëm ndaj tyre

Aisha r.a ka thënë: “Një grua dhe dy fëmijët e saj më erdhën për lëmoshë, por asgjë nuk kisha me vete, përveç një hurme, kështu që ia dhashë atë. Gruaja e mori dhe e ndau në dysh për dy vajzat e veta. Pastaj, ajo u çua dhe shkoi. Kur Profeti (a.s.) erdhi, i tregova çfarë kishte ndodhur dhe ai tha: “Kushdo që vendoset përgjegjës për këto vajza dhe sillet mirë ndaj tyre, ato do të jenë mburojë për të nga Zjarri.”

Ebu Sulejman Malik bin Huejrithi ka transmetuar: “Erdhëm te Profeti (a.s.) kur ishim të rinj, me moshë të njëjtë dhe qëndruam tek ai njëzet net. Ai (a.s.) vërejti se u mërzitëm për familjet tona, kështu që na pyeti se kë kishim lënë prapa dhe ne i treguam. Ai u tregua i mëshirshëm dhe i dhembshëm ndaj nesh dhe tha: “Kthehuni te familjet tuaja, mësojini dhe urdhërojini ata. Faluni ashtu siç më keni parë mua të falem. Kur të vijë koha e namazit, njëri prej jush le të thërrasë ezanin për të gjithë ju dhe më i vjetri mes jush le të udhëheqë në namaz.”

E drejta për të ndjerë dashuri e përkujdesje

Prindërit duhet që të jenë të dashur me fëmijët e tyre e duhet t’i trajtojnë ata me dashuri, dhembshuri e përkujdesje. Një herë profeti Muhamed (a.s.) puthi nipin e tij Hasanin, në prani të shokut të tij Akra bin Habis. Ai pas asaj që pa, tha: “Unë kam 10 fëmijë, por kurrë nuk kam puthur ndonjërin prej tyre.” Profeti (a.s.) e vështroi dhe i tha: “Cilido që nuk është i mëshirshëm e i butë me të tjerët nuk do të trajtohet me mëshirë e butësi.”

• E drejta për të ndihmuar ata që kanë nevojë

Fëmijët janë të varur tërësisht nga prindërit e tyre për nevojat e tyre materiale apo ato shpirtërore. Është detyrë e çdo prindi që t’i plotësojë nevojat e fëmijëve në mënyrën më të mirë, duke i marrë në mbrojtje e duke dhënë më të mirën me anë të shembullit të tij personal. Një herë Muavija pyeti Ahnaf bin Kajs: “Cila është mënyra e duhur për të trajtuar fëmijët?” Ahnafi iu përgjigj: “Fëmijët janë fryti i zemrave tona, mbështetje e ndihmë për ne, ne jemi si qielli, furnizues e strehë mbrojtëse për ta, ne jemi si ajo toka e butë dhe e parrezikshme mbi të cilën ata mbështeten, e janë ata të cilët na nxisin e stimulojnë që t’i kryejmë punët e mëdha në mënyrën më të mirë. Prandaj, nëse ata kërkojnë çfarëdo lloj gjëje nga ju, ndihmojini e mbështetini me zemërgjerësi. E nëse ata janë të prekur nga hidhërimi, brenga e mërzia, lehtësojani këtë brengë dhe hidhërim. E për pasojë, ata do t’ju duan e do t’ju çmojnë (vlerësojnë) për shqetësimin tuaj si prindër.”

Profeti a.s. i paralajmëron ndjekësit e tij kur thotë: “Paratë që ju shpenzoni për hir të Zotit, për lirimin e një skllavi, për t’u bërë bamirësi të varfërve apo për gruan dhe fëmijët tuaj, shpërblehen nga Allahu, por shpërblimin më të madh e keni kur shpenzoni për gruan dhe fëmijët tuaj.”

• E drejta për t’u arsimuar

Një tjetër obligim i prindërve është edhe edukimi e arsimimi i fëmijëve. E nëse ata i duan vërtet fëmijët e tyre nuk duhet që t’i lënë ata në stadin e injorancës. Edukimi dhe shkollimi është baza për zhvillimin e personalitetit të tyre, e kjo është dhurata më e çmuar për ta (fëmijët). Profeti (a.s.) ka thënë: “Dhurata më e mirë që një baba mund t’i dhurojë pasardhësit të tij, është dhënia e një edukate të mirë dhe formimi e parapërgatitja për të.”

Në kohët e sotme, prindërit nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i qëndruar pranë atyre, e duke qenë se axhendat i kanë tepër të zëna nuk merren ashtu siç duhet me edukimin e tyre, e për rrjedhojë, fëmijët i humbin edhe ato vlera që kanë. E të gjithë e dimë, se mësuesit më të mirë për fëmijët tyre janë vetë prindërit dhe absolutisht asnjë tjetër nuk mund t’i zëvendësojë ata. Janë po ata që ndikojnë në formimin e personalitetit të tyre, e po ashtu janë ata që ndikojnë në rrugën që ata do të ndjekin. Profeti (a.s.) thotë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e tij, e janë prindërit e tij ata që e bëjnë atë jehudi, kristian apo edhe zjarr-adhurues”.

• Nuk lejohet mallkimi i fëmijëve

Në përgjithësi prindërit mendojnë se është e drejta e tyre për t’i qortuar fëmijët si dhe të jenë brenda kornizave që ata kanë vënë për ta, e jo rrallë ata jo vetëm që i shajnë por edhe i mallkojnë.

Feja islame nuk e aprovon këto lloj metode karshi fëmijës. Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos e mallko veten tënde, e as fëmijën tënd dhe as gjërat e tua personale, sepse ndodh që ky mallkim i yti mund të ndodhë në të njëjtën kohë kur Allahu është duke të të plotësuar dëshirat e të aprovon atë që t’i kërkon.”

• E drejta e barazisë

Prindërit duhet të mbajnë qëndrim të drejtë e jo të njëanshëm ndaj fëmijëve, e të mos shfaqin dallim në mënyrën e të sjellurit duke favorizuar njërin fëmijë nga tjetri. Në një hadith Profeti (a.s.) thotë: “Punoni me drejtësi ndaj fëmijëve tuaj.”

Një tjetër hadith i Profetit Muhamed (a.s.) ku tregohet mbi përkujdesjen e veçantë që duhet t’i kushtohet fëmijës – femër: “Cilido që ka një vajzë, e që nuk e varros atë të gjallë në dhé, nuk e shan dhe e nuk ofendon atë, si dhe nuk favorizon djalin nga vajza, Allahu do ta fusë atë në Xhenet.”

• E drejta për trashëgimi

Sipas Legjislacionit islam të trashëgimisë, fëmijëve u takon e drejta e pronës së parashkruar nga prindërit e tyre, që pas vdekjes, atyre t’u kalojë kjo pasuri dhe ata të mund ta shfrytëzojnë atë. Allahu (xh.sh) thotë: “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma…” (Nisa, 11).

Pa dyshim zbatimi i ligjeve islame në organizimin e jetës familjare, vërteton se Islami është fe që kujdeset për institucionin e familjes, që me të të arrihet përparimi i shoqërisë në përgjithësi.

 

nga Armida PLUMBI

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version