Hap pas hapi, muaj pas muaji rritemi, ndryshojmë, na ndryshojnë rrethana të tjera, kërkojmë të ndryshojmë, që nga cm që na bëjnë më të gjatë, rrudhat që na bëjnë më të moshuar, thinjat që na bëjnë më të fisëm. Pësimet tek ne bëhen mësime, derisa vijmë tek lidhja jetike e këtij zixhiri tek udhëzimet hyjnore na bëhen dritëzime sa herë që iu përgjigjemi atyre ashtu siç kanë ardhur shpalljet e Udhëzuesit të Vetëm në rrugë të Mbarë – Zotit të gjithësisë.
Çdo muaj i vlerësojmë vetes punët e bëra, arritjet, humbjet, të ardhurat materiale dhe e numërojmë veten tek ata që janë përpjekur, por shpresa e pakët na bën të mos shpresojmë shumë, pasi fundmuaji vjen dhe rroga e fituar shteron krahas ditëve të muajit. Krejt ndryshe vjen kjo rrjedhë jete në muajin e Ramazanit, pasi “rroga” e këtij muaji nuk shteron me dietën e muajit, por ajo na shoqëron përgjatë gjithë vitit, deri tek troket sërish ky mysafir në portat tona.
Është universale e vërteta, e drejta dhe realiteti i një muaji të tillë, i asaj çfarë sjell ndër njerëz, i urtësisë që mban, i mirësisë që shfaq dhe i begatisë, të cilën më së shumti e ka ruajtur për të gjithë pa dallime ekstra, përveç atyre që vërtet kanë ditur si ta presin këtë muaj.
Çdo shpallje hyjnore është dalluar për nga urdhëresat ardhur për njërezimin dhe padyshim që dija e Allahut që ka mbizotëruar për çdonjërën prej tyre ka pasur rrezatime drite e udhëzimi. Ka dashur Zoti i Lartmadhëruar që Ramazanin ta shpallë si muaj mëshire për çdokënd, për gjithë njërëzimin, duke qenë se feja me të cilën ai përsosi shpalljet e tjera, libri me të cilin ai përmbylli librat e tjerë, dhe profeti, i cili përmbylli vargun e profetëve, na thonë se ky muaj ka shumë për të dhënë, ndërkohë që njerëzve u ka mbetur shumë pak për të bërë dhe për të përftuar.
Kur e themi këtë është e vërtetë fjala e dijetarëve islamë, të cilët shprehen se në kohët e sotme ka shumë agjërues e pak shpresues, ka shumë agjërues e pak frytëdhënës të punës së tyre, ka shumë punë e që vetëm një pakujdesi i bën ata të mos përfitojnë nga sakrifica që bëjnë gjatë këtij muaji.
Po kush është ky shkak?
Kam parë një margaritar përmes rreshtash kur kam lexuar një thënie të mençur të një dijetari, ku thuhet se vërtet në Islam punët e vogla, të thjeshta dhe banale, në kuptimin e drejtë e jo pezhorativ të fjalës, në Islam vërtet këto punë i ka bërë të “mëdha” nijeti – qëllimi.
Kështu ka punë e gjeste të vogla, ndihma dhe përpjekje të vogla, por është nijeti që i bën ato të mëdha e çudibërëse. Po ç’është ky nijet? Është qëllimi për hir të Zotit, është qëllimi i bërjes apo realizimit të çdo urdhërese për hir të Zotit, për arritjen e kënaqësisë së tij, për shpresën tek shpëtimi, për shpresën tek fitorja e madhe dhe jo thellësisht ajo e momentit, e cila nuk zgjat kurrë sa fitoret e korrura me qëllim që njëson Zotin dhe sakrifikon vetëm për të.
Në këtë drejtim dua të flas për nijetin lidhur me agjërimin e këtij muaji.
Gëzon zemra e besimtarit kur dëgjon muaj para Ramazanit, njerëz që duan t’i bashkangjiten botës që agjëron e që shprehen kudo janë: në rrugë, autobus treg institucion arsimi, spital etj., që: “Unë do agjëroj edhe sivjet, kam disa vjet që agjëroj.” dhe deri këtu të gëzon realiteti i qëllimeve të tyre.
Por më tej të takon të dëgjosh fjalë, si: “Këtë vit do të agjëroj vetëm për mamanë (apo për babin që e kam sëmurë). Për atë që vuan nga kjo sëmundje apo ajo sprovë. Do të agjëroj të shoqëroj shoqen e dhomës (apo kolegen time), pasi jemi mësuar të pimë kafen e mëngjesit jashtë (ose të drekojmë në të njëjtin restorant etj.)”.
Po çuditshëm të dëgjojnë veshët: “Kam dëshirë të agjëroj se dua të bie në peshë. Se kam frikë nga një sëmundje që po më kanoset. Se dua të arrij këtë apo atë performancë në punë, në sport, në modë, në dashuri etj.”.
Më plotë mirëkuptimin e një intelektualeje, me plot mirëkuptim e një gruaje, e një nëne mundohem të perceptoj çdo dëshirë të këtillë, çdo mendim, opinion a ide që shumëkush ka krijuar për Ramazanin. Dua të hyj në thellësi të ndjesisë së tyre, në brendësi të konceptimit të tyre, të mirësisë së këtij muaji, por sërish kuptoj së ata kanë kuptuar shumë pak rreth kësaj mrekullie që troket një herë në vit. Mrekulli që nuk shfaqet papritmas e që më pas zhduket ose me të mësohen njerëzit, por është festë që zgjat. Me këtë mirësi agjërimi nuk mjaftohen njerëzit në asnjë kohë, në asnjë hapësirë. Është universale urdhëresa, po aq universale është dëshira e përshpirtshme për të qenë pjesë e këtij marshimi një mujor drejt lartësimit të shpirtit duke agjëruar, duke iu përgjigjur ftesës për shpëtim, për pastrimin e zemrave, trupave, mendjeve, e arsyeve.
Shumëkush e mendon si pastrim të trupit kryesisht dhe kanë plotësisht të drejtë, por, me të drejtën e Zotit, ky është marshin për përsosje shpirtërore për dëlirësi nijetesh, për pastrim të nefsit egos, për zbutje zemrash, për falje të Zotit ndaj njerëzve e për falje të njeriut ndaj njeriut. Është maratonë një mujore që çon drejt mëshirës, bashkimit mirëkuptimit e, për më tepër, drejt xhematit, bashkësisë.
A nuk kemi aq nevojë për të, në këtë kohë kur trumbetohet individualizmi, ku mbizotëron egoja, ujitet materialja e thahet e përdigjet shpirtërorja?!
Ky muaj këtë vit vjen me dhjetëditëshin e parë të korrikut. Kryesisht për shqiptarët është një muaj pushimi dhe plazhi, muaj vape, dhe rrjedhimisht plogështie, lodhje e mundimesh. Për botën islame është një muaj mëshire, janë ditë mirësie plot gjallëri e aktivitete plot dritë qiellore e diell shprese, që nuk nxin as nuk lodh, por vjen si çlodhje pas shumë mëkatesh, pas shkujdesjesh e rengatash pas dynjasë.
Tek ky muaj besimtarët agjërojnë nga agimi deri në muzg dhe e veçanta e këtyre dy caqeve nuk është se si çdo vepër, që ka alfën e omegën si cak fillimi dhe mbarimi të një aksioni për ramazanin. Është ndryshe, pasi janë ndaluar veprime të cilat nuk përbëjnë stacione shumë të rëndësishëm të rrugëtimit tonë ditor rutinor, por përkundrazi dhe janë urdhëruar e lejuar veprime të tjera që pasurojnë jetët tona, ndryshojnë qeniet tona, vepra të mira, si: leximi i shumtë, kërkimi i dijes, artikulimi i shumë duave, lutjeve, drejtimi drejt Zotit, leximi i Kuranit, rendja pas veprave të mira. Po ashtu dhurimi prej mirësive që kemi dikujt, i cili nuk i ka ato, ndihma e atij që ka nevojë, përkëdhelja e atij që nuk përkedhelet, dashuria ndaj atij që nuk e duan, falja e atij që edhe nuk fal, harresa e veprave që na lendojnë dhe garimi pas veprave që peshojnë rëndë tek Zoti ynë.
Pastrimi i zemrës, lartësimi i shpirit, të dy këta veprime, të cilat i gjejmë tek dashuria ndaj atij që nuk ka me se ushqehet (e këtë gjë më së shumti e mëson në Ramazan), dhurimi i atij që nuk ka, falja e të tjerëve, kërkimi i faljes, pendimi, dorëzimi i çdo çështje tek Allahu. Këto janë emocione, me të cilat i prezantohemi Zotit të Lartë sipër qiejve, i cili dëgjon në çdo detaj lutjet tona, në çdo muaj e në çdo fraksion kohe, por e zgjodhi këtë muaj. Muaj ku çdo vepër, sado e vogël, është adhurim dhe me shpërblime të shumëfishuara.
Ndaj, edhe duke pasur këtë transmetim nga Zoti i botërave, se çdo vepër e mirë shpërblehet me shumëfishin e saj dhe për dhpërblimin përgjigjet veçse Zoti, shtyhemi dhe i drejtohemi çdo besimtari, çdo agjëruesi: kontrolloni nijetin (qëllimin) tuaj se përse agjëroni.
Pastërtia e nijetit na bën fitimtarë, na bën garues të denjë, udhëtarë të palodhur, pushues mirënjohës e shpresues të drejtë. Kjo sepse Ramazani vjen si muaji i Kuranit, muaji i syfyrit, i iftarit, i teravive, i duave, e deri tek zekati i fitrit, i cili përmbyll agjërimin tonë, por jo shpërblimin.
Qofshim prej atyre që përfitojmë mëshirën rrjedhshëm, siç koha rrjedh shpejt nga Ramazani në Ramazan! Duke u lutur që jeta jonë të jetë Ramazan e fundi ynë të jetë Bajram./familja
nga Albana MUJA
KORRIK-GUSHT 2013