Periudha që fillon pas lindjes e që zgjat afërsisht 6 javë quhet lehoni. Trupi i nënës rimëkëmbet nga shtatzënia dhe lindja dhe përgatitet për të ushqyer foshnjën me qumësht.
Gruaja gjatë kësaj kohe ka nevojë për pushim dhe ushqim të mirë për të rimarrë veten.

Zvogëlimi (riformimi) i mitrës, gjakderdhjet pas lindjes

Disa ditë pas lindjes mitra zvogëlohet dhe merr përmasat e saj normale. Ajo zbret nga kërthiza deri në eshtrën që gjendet në fund të barkut (pubis).
Gjatë muajit të parë do të keni gjakderdhje të ngjashme me menstruacionet.
Pas lindjes mund të ndodhë, që kur teshtini, kolliteni apo bëni një sforcim të mos përmbani dot urinën. Nëse kjo vështirësi zgjat më tepër se gjashtë javë duhet të këshilloheni me maminë apo mjekun tuaj.
Në rast se keni dhimbje barku, temperaturë apo gjakderdhje të shumta duhet t‘i drejtoheni mjekut.

Mjekimi dhe shërimi i varrës

Varrët që mund të shkaktohen gjatë lindjes, qoftë kjo kur bëhet vetë ose nga ana e personelit shërohen brenda disa ditëve. Fijet që përdoren për qepje janë të tretshme.
Të qepurat e varrës duhet të mbahen të pastra duke i shpëlarë shpesh me ujë.
Vërejtje: këto materiale janë vetëm për njohuritë tuaja të përgjithshme dhe nuk mund të zëvendësojnë këshillat mjekësore. Ju gjithmonë duhet të kontaktoni mjekun, apo profesionistët e shëndetit rreth shëndetit tuaj, trajtimit apo përkujdesjes shëndetësore.
Periudha e paslindjes fillon nga koha e lindjes së foshnjës e deri kur organet riprodhuese kthehen në gjendjen e para shtatzënësisë. Është një kohë e ndryshimeve të shpejta fizike dhe psikologjike. Ky proces zakonisht zgjat 6 javë.

Mjekimet

Nëse mjeku ju ka përshkruar preparate hekuri, atëherë duhet ta merrni atë gjatë ushqimit. Marrja e këtyre preparateve ua bën jashtëqitjen të errët. Nëse e ushqeni foshnjën me gji, atëherë mund të vëreni se foshnja juaj është më e parehatshme. Mos merrni barna (as mjekësore, as popullore) pa e konsultuar mjekun. Po ashtu mos ndërprisni ndonjë bar, nëse ua ka përshkruar mjeku juaj pa u konsultuar paraprakisht me të.

Zbrazja vaginale

Zbrazja vaginale është një pjesë normale, që ndodh pas lindjes. Do të ndryshojë gjatë ditëve apo javëve të para pas lindjes. Nuk duhet të shqetësoheni në lidhje me atë. Zbrazja vaginale zgjat nga 3-6 javë pas lindjes. Mos përdor tampone gjatë kësaj kohe. Nëse vëren ndonjë aromë të keqe gjatë kësaj kohe, kontakto mjekun.

Kthimi i menstruacioneve

Ovulacioni dhe menstruacionet kthehen kur hormonet e trupit tuaj rregullohen pas lindjes. Është e vështire të thuhet se kur saktësisht do të kthehen. Kjo varet po ashtu edhe nëse e ushqeni foshnjën me gji apo jo.
Tek nënat që ushqejnë me gji fëmijët e tyre kthimi i menstruacioneve ndryshon dhe mund të vonojë më tepër se tek nënat që nuk i ushqejnë foshnjat e tyre me gji.
Pra, procesi i kthimit të menstruacioneve është shumë i ndryshëm mes femrave, tek disa gra menstruacionet kthehen pas 6-8 javësh, ndërsa tek disa ato mund të mos kthehen derisa të ndërpresin gjidhënien. Sidoqoftë gratë që ushqejnë me gji kanë më pak gjasa t’iu kthehen menstruacionet në një kohë shumë të shpejtë, por duhet të kihet kujdes se gjidhënia NUK është metodë e sigurt kontracepsioni, kështu që mund të mbeteni shtatzanë.
Nënat që nuk ushqejnë me gji, pritet që menstruacionet të kthehen rreth 6-8 javë pas lindjes.

Gjinjtë

Pas lindjes së foshnjës në trupin e nënës ndodhin ndryshimet hormonale (estrogjenet dhe progesteronet), e rritet hormoni i prolaktinës. Rritja e këtij hormoni shkakton prodhimin e qumështit. Kështu gjinjtë rriten dhe ju mund të ndjeni se gjinjtë janë të mbushur dhe ndonjëherë ndjeni dhembje, kjo mund të ndodhë edhe tek nënat që nuk ushqejnë me gji.

Pushimi

Pushimi është një nga gjërat më të rëndësishme që ju nevojitet pas lindjes. Pushimi është esencial për juve në mënyrë që të ballafaqoheni me kërkesat fizike dhe fiziologjike.
Duhet t’u shmangeni aktiviteteve të rënda fizike. Ndodh që foshnja juaj të mos ndjehet rehat dhe nuk ju lë të flini, kështu, shfrytëzojeni kohën në të cilën foshnja juaj fle, në mënyrë që të pushoni sa më shumë.

Aktivitetet

Aktivitetet janë të mira për qarkullimin e gjakut dhe tonusin e muskujve. Fillo në mënyrë graduale dhe me perioda të shpeshta.
Mos ngrit pesha të rënda dhe mos u merr me punë të rënda shtëpie, sepse mund të vonojnë përforcimin tuaj.
Ju mund të ngjiteni shkallëve, por shumë ngadalë dhe pa sforcime, varësisht nga gjendja juaj.

Ushqimi dhe dieta

Ushqimi i duhur është i domosdoshëm për forcimin dhe energjinë tuaj. Nëse nuk ushqeheni siç duhet në rastet kur merreni me foshnjën tuaj, atëherë mund të vononi shërimin tuaj dhe të ndjeheni më e dobët.
Nuk duhet kurrsesi të mbani dietë menjëherë pas lindjes deri në 6 javë pa u konsultuar me mjekun tuaj. Pritet që të humbni peshë pas lindjes (pesha e bebes, lëngu amniotik, gjaku dhe lëngjet tjera).
Një pjesë tjetër të peshës do ta humbni me kohë. Ushqimet pas shtatzanësisë nuk kanë nevojë të jenë të shtrenjta. Ato mund të jenë ushqime të thjeshta si sandviçë, supa, djathë, fruta, perime, lëngje dhe qumësht.

Ushtrimet

Pas lindjes së foshnjës muskujt e barkut mund të jenë dobësuar. Ushtrimet e përditshme ndihmojnë në kthimin e forcës së muskujve tuaj në gjendjen e para shtatzanisë. Ushtrimet po ashtu ndihmojnë në reduktimin e lodhjes dhe rritjen e energjisë suaj.
Mos u vishni me gjëra të ngushta.
Para se të vendosni të bëni ushtrime kontaktoni mjekun tuaj.

 

Shkeputur nga libri : Dispozita fetare dhe keshilla mjekesore per te posalindurit 0-4/motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version