Lumturia e shoqërisë është familja e lumtur. Familje do të thotë grua. Gruaja është themeli i shoqërisë dhe shtylla e familjes. Ajo është lidhësja që i bashkon pjesëtarët e shoqërisë njerëzore.

Ajo është edukatorja jo vetëm e fëmijëve të saj, por e gjithë njerëzisë. Ajo është bijë e prindërve fisnikë, është motër e vëllait të moralshëm, është mbesë e gjyshërve besimtarë, është gruaja e burrit me moral të lartë, është nënë e bijve të saj. Ajo iu përngjan akuareleve të mbushura me shpresë, dritë, mall, adhurim. Ajo është kryevepra e krijimit, simboli i virtytit, burimi i pastër i ndërtimit të brezave, është vetë fama dhe nderi. Nga ajo zënë fill gjërat më tokësore e jetësore si: buka, malli, dashuria, gëzimi, paqja, dashuria, drejtësia, humanizmi…

Ajo në moshën e saj vajzërore është si një petale e butë, është si një lule delikate erëmirë, është si një manushaqe kokulur. Është e bukur si një ujëvarë në rënien natyrale, e pastër si një vesë luleje që tringëllon nën petal. Ajo rrezaton flatra bukurie si një engjëllushe që zbret nga qielli i ylbereve, si një zanë diellore që del nga hojet kristalore. Ajo është si një shtojzovalle me një portret të bukur dhe delikat, me një veshje pranverore që bleron degë të gjelbra, nën rrahjet e krahëve të pëllumbave në qiellin e porsalarë mëngjesor. Ajo është si një kopsht me polen lulesh, ku flatrat e fluturave shëtisin ëndrrat e saj të bardha. Atë e ndriçon drita e yjeve të qiellit dhe e shoqëron melodia e këngës së engjëjve.

Ajo është si një perlë me shkëlqim dhe bukuri të pakrahasueshme. Ashtu si perla që qëndron gjithmonë e mbështjellë me guaskën e saj, edhe ajo mbështillet me mbulesën e saj që shkëlqimi i saj të ruhet dhe të mbetet përherë. Në të vërtetë, mbulesa paraqet për të një oazë në hijen e së cilës ajo strehohet. Mbulesa e saj është simbol i një sërë vlerash të larta morale. Allahu ia urdhëroi vendosjen e saj me qëllim që t’i bëhet si një kornizë e pastër përmes së cilës ajo do ta kryejë misionin e saj dhe detyrimet e saj jetësore, me qëllim që pamja e saj dinjitoze e jashtme të jetë në harmoni me brendinë e saj të pastër, me shpirtin e saj të dëlirë e të kthjellët. E kënaqur deri në pejzat e shpirtit, ajo i ngjason rrezatimit të një prizmi që vezullon më shumë nga ajo faqe që i kthehet dritës, si një thesar i vërtetë brilantesh vezulluese.

Ajo është shembulli i vërtetë i dëlirësisë, pastërtisë, krenarisë, dinjitetit, sinqeritetit, fisnikërisë, kryerjes së shumë ibadeteve, sakrificës në rrugën e Allahut, si dhe i kontributit në mësimin dhe gjurmimin e së vërtetës.

Dëshirat e saj të bukura, që mbijnë si fijet e pastra të barit, lëshojnë rreze drite mes reve duke kërkuar ngrohtësinë e diellit. Kur ëndrrat i dallgëzohen, ajo e ndan me duar detin e mbushur me lot që të mos i mbytet ëndrra. Ëndrrat e saj fluturojnë drejt yjeve dhe në këto koordinata qiellore ajo qëndis pëlhurën e saj martesore, të zbukuruar me lulet e besimit, adhurimit dhe ibadetit.

Ajo, pavarësisht nga pasuria, pozita dhe fama e saj, lumturinë më të madhe e gjen në martesë. Martesa është gjëja më e dëshiruar prej saj. Është kjo një ndjenjë e lashtë primordiale, e mbjellë në genet e çdo femre, qoftë ajo mbretëreshë, princeshë, ministre, profesoreshë apo aktore e shquar hollivudi.

Ajo e ndërton që në fillim kështjellën e jetës së vet mbi baza të forta, themelet e së cilës i përforcon me moralin dhe besimin e saj fetar. Ajo e lartëson kështjellën e saj të lumturisë duke vendosur një mbi një gurët e çmuar të fisnikërisë, krenarisë, dinjitetit…

Ajo nuk pret që dikush t’ia shtrojë jetën me petale që të ecë përmbi to, nuk pret që të jetë mes të mirave për të dhënë më të mirën e saj, por është modeste si zambaku i ujit, bukuria madhështore e të cilit nuk krijohet në një lëndinë të blertë apo mbi ujëra kristal, por mbi ujin e ndenjur të ndonjë liqeni që është duke shteruar.

Ajo është tharmi i përhershëm i dashurisë, është një pemë e bukur me degëza plot lule që jep fruta në çdo stinë.

Dhe ja, një ditë ndihet zëri i një foshnje që nxjerr notat e para nga pentagrami i kordave të tij zanore. Si një engjëll vjen në jetë bebja e bukur, të cilën ajo e mban në prehër dhe i këndon ninullën e shpirtit të saj. Drita e syve të saj i sillet pranë si rreze diellore çdo mëngjes dhe shpirti i saj, i mbushur me fijëza lumturie, dridhet nga ndjenja e ëmbël si mërmërima e një liqeni. Të qarat e tij i tingëllojnë si cicërima zogjsh në një qiell maji.

Kështu fillon kënga e saj, kënga e amshueshme e së bukurës. Zëri i saj rrjedh si dritë e lëngshme mbi dete koralore. Ajo iu këndon ndjenjave të holla dhe të kristalta njerëzore. Frymëzimi i saj buron nga flukset më të bukura jetësore.

Ajo ka një kod të veçantë lirizmi, një lirizëm të hollë që vjen pikërisht nga mënyra se si ajo e percepton të bukurën. Është bukuria e dashurisë universale që ajo rrezaton pafundësisht plot freski. Ajo bën lidhjen e magjishme të dashurisë së saj me trashëgimtarët dhe shtrin një urë bashkimi dhe komunikimi mes së kaluarës dhe të sotmes dhe të sotmes me brezat që do të vijnë.

Është vatra familjare që formon kjo grua vendi ku fëmija i saj sheh dritën e jetës dhe hedh hapat e parë, është vendi ai ku qesh dhe ku qan, është vendi ku ai luan dhe ëndërron, është hapësira e kësaj shtëpie që ruan në eter fjalët e tij të para. Kjo strehëz e ngrohte familjare është parajsa e mbretërisë fëmijërore që kapërcen kohësinë konkrete dhe ndërtohet në kohën e përjetshme.

Është gruaja, fytyra e së cilës reflekton dritë, që i përcjell me fjalët e ëmbla nektar fëmijët e saj në mësim, provim, punë e kudo… Është ajo që i ujit me lotët e saj trëndafilat për të ndierë dhimbjen e gjembave të tyre si dhe prekjen e ëmbël të petaleve. Është ajo që i nxjerr akujt e urrejtjes nga zemra dhe i ia lë diellit të ngrohtë t’i shkrijë.

Është ajo që kujdeset për fëmijën e saj ashtu siç kujdeset për një fidan të vogël zambaku e trëndafili. Është ajo që nuk kursen asgjë për t’u përkujdesur për fëmijët e saj ashtu si një nikoqire e mirë që vadit pa u lodhur lulet e shumëllojshme: lulevjollcat, dorëzonjat, karafilat që të rinojnë me parfumin e tyre të mrekullueshëm dhe me bukurinë e petaleve të puthura nga vesa e mëngjesit.

Është ajo që tregohet e dhembshur dhe e durueshme gjatë edukimit të fëmijëve të saj duke mbjellë tek ta ndjenjën e butësisë, mirësisë, dashurisë, qetësisë, fisnikërisë, paqes, mëshirës. Është ajo që i dhuron shoqërisë dhuratën më të shtrenjtë: fëmijë me dhunti të larta morale, fëmijë të ditur dhe besimtarë, fëmijë të udhëzuar në rrugë të drejtë, fëmijë fisnikë dhe të zellshëm…

Duke bërë këto gjëra ajo fiton mirësjelljen, respektin dhe dashurinë e njerëzve rreth e rrotull saj. A ka vlerë më të bukur se kjo? Mbjellja e respektit, mirësisë, mirënjohjes, dashurisë është e vështirë pasi këto janë vlera me rrënjë të thella që fiksohen në kujtesë dhe që shkojnë në një rrugë më të gjatë, deri në zemër.

Brenda petaleve të kujtesës së saj ruhet blerimi i dashurisë së përhershme… Kjo buron nga vetë natyrshmëria e krijimit të saj që e ka gjenezën te Krijuesi i gjithësisë, e si e tillë nuk mund të ndryshohet e as të tjetërsohet.

Ajo krijon një botë me dashuri të thellë e të virtytshme, të pastër e të kthjellët, si një zjarr përtëritës që nuk i zhurit sendet e kësaj bote dhe shpirtin e njeriut, por, përkundrazi, iu jep atyre një bukuri të veçantë dhe verbuese.

Është ajo që, edhe në moshë të shtyrë, është mbretëresha e familjes dhe qëndron ende në fronin e saj duke dhënë kumte fisnike që ushqejnë së brendshmi botën shpirtërore të fëmijëve, nipërve dhe mbesave të saj të shumtë, të cilët do të jenë ndihmë për të në pleqëri dhe thesar për të pas vdekjes.

Është ajo që edhe kur plaket dhe balli i qëndiset nga rrudhat e margaritarta dhe flokët i qëndisen nga thinjat e mëndafshta, ndonëse e humb bukurinë, nuk i venitet madhështia dhe nderimi nga fëmijët e saj.

Është ajo që nuk rrëzohet kurrë nga vjeshta e trishtimit. Edhe pse nga viti në vit në trungun e saj mbeten më pak “gjethe”, kjo e bën atë më të butë, më të këndshme dhe të dashur për të gjithë. Çdo çast i jetës i është shkruar me kode në qelizat e qenies së saj. Lotët e gëzimit fillojnë t’i çatisin çdoherë sapo kujtimeve u zhvishet cipa mbështjellëse apo çdoherë kur shkunden degëzat e kujtimeve, të cilave i trokasin në memorie si zëra pranverorë, në të cilët ajo ndien tingujt e butë shpirtërorë që e lidhin atë me njerëzit më të afërt e mbi të gjitha me Krijuesin Madhështor.

nga Mimoza SINANI

Revista “Familja”

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version