Pre-eklampsia është shumë më e përhapur se ç’mendohet – në të vërtetë është ndërlikimi më i
zakonshëm mes ndërlikimeve serioze të shtatzanisë. Pre-eklampsia mund të marrë trajta të një
sëmundjeje të rrezikshme, madje edhe kërcënuese për jetën, edhe pse sot për sot nuk është
studiuar aq mirë sa të mund të parandalohet.

Disa të dhëna kyç për pre-eklampsinë

Çfarë është?

Është një sëmundje që shfaqet vetëm gjatë shtatzanisë dhe mund të prekë njëkohësisht nënën
dhe fëmijën e palindur. Në më të shumtën e rasteve sëmundja është e lehtë, por ka edhe një
formë serioze, që mund të jetë e rrezikshme. Mes ndërlikimeve më serioze, meritojnë të
përmenden konvulsionet, të njohura me emrin “eklampsi”; që këtej edhe emri pre-eklampsi.

Kë prek?

Në formën e saj më të zakonshme, pre-eklampsia prek përafërsisht një në 10 gra. Nga gratë
shtatzana, më në rrezik janë ato që bëhen nëna për herë të parë; gratë mbi 40 vjeç; gratë me
një BMI mbi 35; gratë me një histori familiare të pre-eklampsisë; kur kanë kaluar dhjetë vjet
ose më shumë nga shtatzania e mëparshme; gratë që vuajnë nga tensioni i lartë arterial,
diabeti ose sëmundje të veshkave; ato që kanë binjakë ose trinjakë ose më shumë dhe ato që
kanë vuajtur nga pre-eklampsia më parë.

Çfarë e shkakton?

Një problem në placentë, që e pakëson ushqimin e fëmijës me gjak. Ky problem shfaqet herët
gjatë barrës, por nuk shkakton sëmundjen veçse shumë më vonë – zakonisht gjatë pak javëve të
fundit.

Cilat janë shenjat?

Tension i lartë arterial, proteina në urinën e nënës dhe, ndonjëherë, rritje e pamjaftueshme e
fëmijës – shenja të cilat të gjitha duhet të diktohen gjatë kontrollit të zakonshëm para lindjes.

Si mjekohet?

Gratë me pre-eklampsi duhen mbajtur nën kontroll – zakonisht në spital ose në një klinikë
ditore – dhe mund të duhet të marrin barna për të ulur tensionin arterial.

A mund të kurohet?

Pre-eklampsia zhduket vetvetiu, pas lindjes së fëmijës dhe largimit të placentës nga trupi,
meqë problemin e shkakton pikërisht placenta. Për këtë arsye, shumë grave me pre-eklampsi u
kërkohet ta lindin fëmijën herët. 

A do të shfaqet përsëri?

Në disa gra – mesatarisht një në 20 – do të shfaqet përsëri.

A mund të parashikohet herët gjatë barrës?

Ende jo – prandaj ka aq shumë rëndësi që gratë të vizitojnë rregullisht klinikat e kujdesit për
shtatzaninë – por është e mundur të identifikohen ato gra që janë më të ekspozuara ndaj
rrezikut.

A mund të parandalohet?

Jo mirë – megjithëse disa mjekë mendojnë se doza të vogla aspirine të marra çdo ditë nën
mbikqyrjen e mjekut mund të ndihmojnë në disa raste.

Çfarë mund të bëjnë ato gra që e kanë pasur më parë?

Të këshillohen me ekspertë, të kërkojnë kontrolle të shpeshta gjatë shtatzanisë, të paraqiten
rregullisht për vizita dhe të njoftojnë maminë ose mjekun për të gjitha shenjat dhe simptomat
që vënë re te vetja.

Shenja për t’u pasur parasysh

Dhimbje koke të forta e të zgjatura

• Turbullim i pamjes, njolla drite ose njolla të tjera në fushëpamje

• Dhimbje të forta poshtë brinjëve, sidomos në anën e djathtë

• Të vjella (por jo të vjellat gjatë muajve të parë të shtatzanisë)

Këto simptoma nuk janë gjithnjë të pre-eklampsisë, por për të qetësuar veten, është mirë që
po t’ju shfaqen pas 20 javësh shtatzanie të njoftoni menjëherë mjekun ose maminë.

Shoqata: Action on Pre-Eclampsia  /motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version