KRITIKONI RRALLË

Keni kujdes, baballarë dhe nëna, të drejtoni sa më pak kritika automatike që nuk janë të domosdoshme. Mundohuni që fëmijëve mos t`iu impononi kontroll të ashpër. Fëmija nuk është send të cilin mund ta drejtojmë si të duam. Ai ka mënyrën e tij të jetës dhe rregullimin e gjërave. Përse ta ngulfatim fantazinë e tyre? Fëmija shpesh ballafaqohet me pyetje dhe urdhëresa të shumta: “Përse po qesh kështu? Përse po ec ashtu? Foli mirë fjalët! Mos luaj me flokët! Shko dhe pastroji dhëmbët!” etj

Të gjitha këto ndikojnë te fëmija dhe shkaktojnë tek ai shqetësim e humbje të vetëbesimit. Shpesh ndodh që fëmija i parë të bartë barrën më të rëndë të edukimit dhe kontrollit të ashpër nga ana e prindërve. Vetëm atëherë prindërit ndiejnë që kanë mësuar mjaft nga përvoja me fëmijën e parë dhe të dytit i japin më shumë liri. Nëna duhet të zhvillojë artin e të folurit të qetë me fëmijën, kështu që do t`i bëjë disa pyetje për të parë se çfarë përgjigje do të fitojë.

Ajo do t`ia kultivojë traditën që të mos e ngre zërin, kur të flasë, të mos e ndërpresë bisedën e tjetrit, etj. Do ta pyesë, p.sh.: “Çfarë do të bësh sikur ta shihje fëmijën e lënduar në rrugë?” Çfarë do të bësh nëse e sheh që vëllai yt i rrah të tjerët?” Fëmijët, me të cilët prindërit bisedojnë rrallë, rriten me më pak vetëbesim, sesa fëmijët, me të cilët prindërit bisedojnë në mënyrë të qetë.

SJELLJA E FËMIJËVE TUAJ ËSHTË SHPREHJE E SJELLJES SUAJ

Kur prindi bërtet se lodhet shumë dhe nuk merr shpërblimin e duhur për atë lodhje dhe nuk e duron padrejtësinë në këtë botë, kjo në trurin e fëmijës do të thotë se njeriu është sakrificë e gruas dhe më mirë është të jesh i pamartuar. Ndërsa kur nëna bërtet që mashkulli është e vetmja qenie që kënaqet në botë dhe shfrytëzon tërë mundin e gruas, kjo për vajzën d.m.th. se femra duhet ta urrejë burrin dhe mos ta respektojë. Për këtë, ajo kur të rritet do t`i shmanget jetës bashkëshortore.

Kur djali e sheh babin se si e nënçmon nënën, mendon se kjo është mënyrë e drejtë e sjelljes ndaj saj. Përderisa, kur vajza e sheh nënën se si e nënçmon babin apo sillet keq me të, themeli i sjelljes së saj ndaj njerëzve do të jetë nënçmues dhe i ashpër.

REZUME:

Sjellja e prindërve ndaj fëmijëve duhet të ketë disa parime të caktuara. Nuk duhet ta lavdërosh djalin për diçka që dje e ke kritikuar; nuk duhet kritikuar për diçka që dje e ke lavdëruar. Bëhu pedagog i vërtetë që ta edukosh në mënyrën më të bukur fëmijën në kohën e sotme.

Përgatiti: Prim.med.dr.sci. Ali Iljazi

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version