DUANI FËMIJËT TUAJ, POR ME MENÇURI

Edukimi nuk mund të zhvillohet pa dashuri. Fëmijët, të cilëve edukuesi u ofron dashuri dhe kujdes ndiejnë afërsi më të madhe dhe e dëgjojnë me vesh dhe me zemër. Për këtë është e nevojshme që prindërit të përpiqen t`i duan fëmijët e tyre, e jo të bëjnë veprime që do t`i urrejnë. Nuk duhet t`i nënçmojnë, t`i dënojnë pandërprerë, t`i lënë anash, t`ua kufizojnë lirinë dhe mos t`ua plotësojnë kërkesat e tyre të arsyeshme. Nëse ndonjëherë duhet t`i dënojnë, le ta bëjnë me urtësi, në mënyrë që të mos zhduket dashuria pa të cilën nuk ka edukim. Por kjo dashuri nuk do të thotë se fëmijët duhet të mbizotërojnë me çdo gjë në shtëpi ose shkollë, të bëjnë çdo gjë që dëshirojnë, pa pengesa dhe rend. Kjo nuk është dashuri. Kjo është dobësi dhe parregullsi. Dashuria e Pejgamberit, s. a. v. s., ndaj sahabëve nuk e ka penguar t`u japë detyra të caktuara, por edhe t`i dënojë kur kanë gabuar dhe shkelur rregullat fetare. Por kjo nuk e ka zhdukur dashurinë e sahabëve ndaj Pejgamberit të tyre, por përkundrazi e kanë dashur dhe respektuar.

NDEROJE BASHKËSHORTIN TËND

Për ta fituar njeriu respektin e fëmijëve të tij, duhet ta përjetojë dashurinë dhe respektin e bashkëshortes së tij. Bashkëshortja e mirë është ajo që çdo moment fëmijëve iu bën të ditur se sa i rëndësishëm është babai i tyre. Ajo i nxitë në dashuri dhe respekt ndaj tij dhe vazhdimisht përsërit vlerat e tij dhe cilësitë e bukura. Ajo i thotë fëmijës: “Sillu kështu, se këtë e dëshiron babai juaj”, “Mos e bën këtë se babai juaj do të hidhërohet”.

DHURATA – QOFTË EDHE NJË EURO

Nëse dëshiron të jesh shok me fëmijën tënd, duhet të dish se goja është më e zgjuar se truri. Një kuti ëmbëlsira është më e vlefshme, se një libër i ri. Një palë rrobe janë më të dashura, se një bisedë e bukur. Babai i mençur është ai i cili hyn në shtëpi me dhurata apo ndonjë lodër. Mos të harrojë prindi se në këtë botë ekzistojnë gjëra që janë të parealizueshme, por te fëmija janë të realizueshme. Ne nuk do ta fitojmë shoqërimin e tyre, përderisa nuk do ta shohim botën me sytë e tyre.

DËGJOJE FËMIJËN TËND

Kur vjen fëmija të bisedojë me ty për atë që i ka ndodhur në shkollë, mos e lë anash. Biseda jote në atë moment nga perspektiva e tij është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër që të preokupon ty. Ai dëshiron të thotë çfarë ndien ose të shprehë gëzimin e tij për shkak të lavdërimit që e ka marrë atë ditë në shkollë. Përkushtoja vëmendjen birit tënd kur të thotë se atë ditë ka marrë notën më të lartë në ndonjë provim. Trimëroje që të përparojë, në vend se t`i thuash se kjo nuk të intereson fare. Nëse biri yt, një ditë vjen nga shkolla dhe të thotë se dikush e ka rrahur, ndërsa ti e pyet: “A je i sigurt se mos ndoshta ti e ke filluar rrahjen?”, atëherë ia ke mbyllur dyert e bisedës me birin tënd.

Në sytë e birit tënd je transformuar nga një mik i cili kërkon ndihmë në një gjykatës, i cili gjykon dhe dënon. Bile, biri yt mund të paramendojë si një gjykatës jo të drejtë, i cili dëshiron të akuzojë dhe tregojë pafajësinë e sulmuesit. Kur fëmija u drejtohet prindërve, ata duhet të tregojnë interesim dhe dëshirë për zhvillimin e bisedës. Duhet larguar çdo mundësi të kritikës ose mosinteresimit ndaj asaj që flet fëmija./xhamiaaasburg

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version