Halid Abdul-Kerim Muhamed el-Lahim

Duhet patjetër që të jemi të bindur se ndikimi i shejtanit ka efekt në dëshirat e njeriut, shejtani e pengon njeriun nga veprimi i të mirave, të atyre që i bëjnë dobi, ndërsa e stimulon dhe inkurajon atë në veprat e këqija, të atyre që e dëmtojnë.

Pra, për këtë rëndësia e trajtimit apo mjekimit të dëshirës dhe vullnetit kërkon përpjekje dhe orvatje shtesë duke e ditur që ekziston dikush që të kundërshton vazhdimisht në dëshirat tuaja. Me ç’rast shejtani i mallkuar mundet që përmes armës së tij të pëshpëritjeve dhe vesveseve[1] që të këtë ndikim në sjelljet dhe veprimet e njeriut, ku e urdhëron dhe e ndalon atë, ia zbukuron atij dhe e mbështet në veprat e këqija, saqë ia lëviz të gjitha gjymtyrët përmes mbretit të gjymtyrëve (zemrës), aq sa ka mundësi p.sh., që t’ia dekorojë dhe zbukurojë atij gjërat që mund të jenë shkak për sëmundjet shpirtërorë apo dhe fizike të njeriut, madje mund ta shpijnë ato gjëra deri tek vdekja e tij.

Në të vërtetë konflikti në mes të shejtanit dhe njeriut ka filluar prej që nga krijimi i Ademit (a.s):

20:116. Përkujto kur Ne u thamë engjëjve: “Bëni sexhde ndaj Ademit, ata i bënë, pos Iblisit, i cili nuk deshi”.
20:117. E Ne i thamë: “O Adem, ky është armik yti dhe i bashkëshortes tënde, pra mos t’ju nxjerrë kurrsesi nga xhenneti, e t’ju vë në vështirësi (për të siguruar mjetet e jetesës)”.

Gjithashtu thotë Allahu ﷻ:

18:50. (Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet”. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj?” Sa këmbim i shëmtuar është ai i jobesimtarëve!

Pra, shejtani i mallkuar është armik i njeriut, i pëshpëritë atij me vesvese dhe dyshime, pa ndërprerë, nuk lodhet dhe as nuk e kap plogështia, ia do njeriut të keqen dhe e urren atë për çdo të mirë që e vepron, siç e ka cekur Allahu ﷻ:

2:268. Djalli ju frikëson nga varfëria dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm.

Atëherë dijeni se ju në këtë jetë përpara e keni një armik të vërtetë, Allahu e ka bë të qartë armiqësinë e tij për ty në shumë vende në librin e Tij fisnik, siç është fjala e Tij ﷻ:

36:60. O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ua dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?
36:61. (Ju porosita) Të më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt!
36:62. Vërtet, ai ka humbur shumë njerëz prej jush, a nuk mblodhët mend?

po ashtu Allahu ﷻ thotë:

35:6. Djalli është armik i juaji, pra edhe ju konsiderojeni armik, ai e thërret atë grupin e vet, vetëm për t’i bërë banues të zjarrit.

Shejtani është betuar duke premtuar xhelozi dhe urrejtje për bijtë e Ademit, përpjekje që ti ndalojë ata nga çdo e mirë:

38:82. Ai tha: “Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë.
7:16. (Iblisi) Tha: “Për shkak se më humbe mua, unë do t’u ulem atyre (do t’u zë pusi) në rrugën Tënde të drejtë.

Po atëherë çfarë të siguron ty nga armiqësia e shejtanit? Cila është arma e njeriut në këtë betejë të jetës? Përgjigjja është në fjalën e Allahut ﷻ:

20:123. Ai (All-llahu) u tha: “Zbritni prej aty që të gjithë, do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse u vjen nga Unë udhëzim (libër e pejgamber) kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur (në Dunja) e as nuk ka për të dështuar (në jetën tjetër)”.
20:124. E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër.

Pra, arma e njeriut dhe mbrojtja e tij në këtë betejë është udhëzimi të cilin e zbriti Allahu ﷻmbi të të Dërguarit e tij ﷺ, udhëzimi është Kurani, Kuranin të cilin e kemi në mes duarve tona. Mirëpo, jo çdo njëri mund ta përdorë atë dhe ta arrijë fitoren, nuk mundet ta arrijë suksesin askush pos atij që i mbledh shkaqet, e pason të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta) në sjelljen e tyre me Kuranin, dhe kjo është ajo që do të trajtohet në këtë libër. Ndërsa kush ngec dhe humb mos ta fajësoj askënd tjetër pos vetes së tij, pra le ti mësojë se cilat janë shkaqet e humbjes dhe dështimit në jetë.

[1] Janë përmendur vesveset e shejtanit në Kuran: “7:20. Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t’ua zbulojë atyre pjesët e turpshme që u ishin të mbuluara dhe tha: “Zoti juaj nuk ua ndaloi juve dyve atë pemë vetëm që të mos bëheni meleqë (engjëj), ose të mos bëheni prej të përjetshëmve.” dhe “20:120. Por, atë e ngacmoi djalli duke i thënë: “O Adem, a do të të tregoj për pemën e pavdekshmërisë dhe të sundimit të pazhdukshëm!” Kush i lexon këto dy ajete e kupton se arma e Iblisit në mashtrimin e Ademit ishin vesveset apo cytjet, dhe ende vazhdon prej atij çasti e deri në Ditën e Kiametit, t’i pëshpëritë njeriut dhe ta nxitë apo cytë që ta shpie në humbje.

vazhdon… Tema e katërt: Ngritja me Kuran është rruga për tek besimi dhe fuqia

(Përktheu dhe përshtati, Blerim Rexha)/tezkije.com/motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version