Njerëzit e mirë e duan hixhabin për bijën e tyre, bëjnë kujdes që të jenë të mbuluara dhe t’ua bëjnë të dashura ibadetet dhe veprat e mira. Mirëpo, ndokush mund të gabojë në këtë drejtim dhe përdorë ashpërsinë apo e lë si asgjë duke lëshuar pe… të dyja metodat duhet drejtuar, prandaj po të sjell dhjetë metoda praktike nëpërmjet të cilave hixhabin do t’ia bësh të dashur bijës tënde, asnjë nga ato nuk përmban rrahjen, presionin, piskamën… nuk ka nevojë të përmendim se këto hapa mund t’i zbatojë babai dhe nëna së bashku, por edhe vet a vet, sikurse mund t’i zbatojë e tërë familja…

1. Fillo me bijën tënde që nga fëmijëria e mos prit që të rritet për ta urdhëruar të vendosë mbulesën. Nëse ti e pret derisa të rritet, bindjet e saj tashmë kanë filluar të kristalizohen dhe do ta kesh vështirë t’ia kumtosh atë që ti dëshiron, sidomos nëse asaj nuk i pëlqen. Ndiq shkallëzimin në këtë fazë sepse ajo ende është e vogël.

2. Shfaqe pëlqimin për mbulesën e saj, fol shumë për të në prezencë të saj dhe thuaji se mbulesa është qetësi; mbulesa është lavdi dhe nur për vajzën; ato që veshin mbulesën me dukjen që kanë aludojnë se kanë edukatë të bukur dhe familje të mirë.

3. Tregoji që mbulesa është urdhër i Allahut, që ajo mbulesën duhet ta mbajë për hir të Allahut dhe jo për njerëzit; që Allahu e sheh në çdo kohë dhe çdo vend; tregoji se Allahu do të kënaqet me vajzën e cila është e mbuluar dhe që zbaton urdhrin e Tij, subhanehu ue teala; lexoji asaj ajetet e mbulesës nga Kurani Fisnik dhe përforco bisedën me te për rëndësinë e arritjes së kënaqësisë së Allahut.

4. Prezantoji asaj shembuj të grave të mbuluara që ishin të suksesshme, të nderuara dhe të virtytshme duke filluar nga bashkëshortet e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, besimtaret që erdhën pas tyre, pastaj besimtaret e gjeneratave në vijim dhe pastaj shembuj të shkëlqyer me besimtaret e suksesshme të sotshme.

5. Bëj krahasime mes atyre shembujve të mirë dhe të tjerave që janë pa mbulesë, të cilat nuk u përulën para urdhrit të Allahut dhe sesi dalja pa mbulesë i bëri të bijnë në shkatërrime.

6. Foli asaj për sjelljen e gruas së mirë, për sevapet e veprave të mira, për shpërblimin e grave të ndershme dhe sesi gruaja e mirë çdoherë bëhet shkak për mirësinë dhe udhëzimin e shoqeve tjera.

7. Bëj kujdes që bija jote të shoqërohet me vajza të mira, modeste dhe me mbulesë e mos e lejo me ato të lakuriqësuara dhe të pavëmendshme, sepse të mirën ajo do ta merr nga ata që janë të mirë.

8. Bëj që bija jote ta ketë shembull nënën e saj lidhur me mbulesën dhe modestinë. Bëj që ajo dhe nëna e saj të kenë ndeja të veçanta për të biseduar rreth mbulesës dhe sesi u mbulua ajo, por edhe shembuj të grave tjera sesi u mbuluan.

9. Bëj që nëna e saj ta merr bijën me vete në takimet e mirëfillta, në derse, në mësimet e Kuranit në xhami, meqë në ato raste do ta mbajë mbulesën dhe në këtë mënyrë do të stërvitet, do ta dojë dhe do t’i duket krejt normale.

10. Përdor dhuratat dhe shpërblimet inkurajuese kur ajo mban mbulesën dhe është modeste por tregoji se shpërblimi më i madh është tek Allahu, i cili shpërblen me xhenetin e lartë.

Përktheu: Omer Berisha

f.qytetiislam

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version