Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: 

“Është Ai që ju ka krijuar juve nga një njeri i vetëm (Ademi) dhe prej tij Ai krijoi bashkëshorten e tij (Havanë) me qëllim që ai të shijonte kënaqësinë e jetës me të”. (A’rafë, 189).

Nga mirësitë e Allahut për njerëzimin është që Ai vendosi në natyrën e tyre dëshirën për martesë për arsye që të mos shuhet ajo dhe të mbetet trashëgimia.
Qëllimi i krijimit të njeriut në këtë botë është që ai të adhurojë Allahun të vetëm e pa shok. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë:  

“Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhinët, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua”. (Dharijatë, 56).

Vazhdimi i trashëgimisë njerëzore vjen vetëm me martesën. Ndërsa, martesa ka një parim tjetër në të cilën të dy bashkëshortët gjejnë në të qetësinë, forcën, vendosmërinë për jetën, gjejnë në të gjithashtu qëndrueshmërinë dhe ndërgjegjen. Qetësia shpirtërore në martesë midis burrit dhe gruas i shtyn ata që të formojnë një jetë të re, e cila paraqitet si një brez i ri. Martesa është një begati prej begative të Allahut të Madhëruar që ua ka dhuruar robërve të Vet, siç e ka përmendur në Kur’anin Famëlartë ku thotë:

“Dhe nga faktet (e madhështisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëz që mendojnë.” (Rrum, 21).

“Edhe ata që thonë: Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit.” (Furkan, 74).

Ata që i ka begatuar Allahu i Madhëruar me këtë begati, po ashtu edhe atyre që ua ka mundësuar Allahu martesën do t’u japim disa këshilla:

1. Sinqeriteti i nijetit
Nijeti është baza e një vepre, në të cilën njeriu mund t’i shndërrojë veprat e tij të zakonshme në ibadet, duke e bërë nijet që me këtë vepër ta arrijë shpërblimin e Allahut të Madhëruar. Nëse në këtë rast të dy bashkëshortët e bëjnë nijetin e martesës së tyre për njërën prej këtyre shkaqeve do të jetë e tërë jeta e tyre bashkëshortore ibadet dhe do të kalojnë një jetë të lumtur dhe do ta meritojnë shpërblimin tek Allahu i Madhëruar. Do të përmendim disa prej shkaqeve:
a) Ta bëjnë nijetin për t’iu nënshtruar urdhrit të Pejgamberit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të që e ka urdhëruar rininë të martohet. Transmetohet nga Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të se ka thënë: “O ju rini: Kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet, sepse në të vërtetë kjo do t’ia ruajë sytë nga harami dhe do t’ju mbrojë nga kurvëria.” (Shënon Buhariu).
b) Për të krijuar një familje muslimane, një familje e cila do ta adhurojë Allahun e Madhëruar, e cila do ta ketë dertin e Islamit. Një familje, e cila do të jetojë me Islamin, duke shpresuar shpërblimin e Allahut të Madhëruar.
c) Për të lindur pasardhës të devotshëm, të cilët do t’i nënshtrohen urdhrave të Allahut të Madhëruar dhe të Pejgamberit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Duke i edukuar ata me frymën islame që një ditë nëse do Allahu, të jenë prej atyre që do ta ngrenë fjalën e Allahut të Madhëruar me fjalë dhe vepra. Nëse të dy bashkëshortët i lidhin zemrat e tyre me këto qëllime, atëherë çdo sekondë e jetës së tyre do të llogaritet ibadet, gjë për të cilën do të shpërblehen në Ditën e Gjykimit, plus që do të jetojnë një jetë të begatë në këtë botë, por edhe pas vdekjes do t’u shkojnë sevapet nëse le fëmijë të hajrit siç transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kur vdes njeriu, puna e tij ndërpritet, përveç tri gjërave: sadakasë së përhershme, dituria prej së cilës kanë dobi të tjerët dhe nga pasardhësi i mirë, i cili lutet për të vdekurin.” (Shënon Muslimi).
Allahu na mundësoftë që të lëmë mbrapa pasardhës të devotshëm, të cilët të luten për ne! Pra, nijeti i martesës duhet të jetë për këto qëllime e jo me qëllimin e bukurisë, pasurisë etj., dhe ata do të kalojnë një jetë bashkëshortore të mirë. Transmetohet nga Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të se ka thënë: “Gruaja merret për katër shkaqe: për shkak të pasurisë, për shkak të sojit të mirë, për shkak të bukurisë dhe për shkak të devotshmërisë. Zgjidhe për shkak të devotshmërisë dhe asnjëherë nuk do të jesh i zhgënjyer.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi).

2. Ndihmesa në ibadete
Bashkëshortët janë të detyruar që ta urdhërojnë njëri-tjetrin për mirë dhe ta nxisin njëri-tjetrin në punët e mira, siç transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Allahu e mëshiroftë burrin, i cili ngrihet natën për të falur namaz, dhe e çon nga gjumi gruan e tij për të falur namaz, e nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën asaj me ujë, dhe Allahu e mëshiroftë gruan, e cila ngrihet natën për të falur namaz, dhe e çon nga gjumi burrin e saj për të falur namaz, e nëse nuk çohet ia fërkon fytyrën atij me ujë.” (Shënon Ebu Davudi, Nesaiu, Ibën Maxhe dhe Ahmedi).

3. Formimi i një shtëpie muslimane
Formimi i një shtëpie muslimane dhe i familjes muslimane me një besim (akide) të pastër ashtu siç na ka urdhëruar Allahu i Madhëruar dhe Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke mos bërë asnjë hap pa kontrolluar se çfarë është vendimi i Sheriatit mbi një çështje, e nëse kjo vepër është e ndaluar, i largohen asaj.

4. Kalimi i një jete me dashuri
Kalimi i një jete me dashuri, mëshirë dhe marrëdhënie të mira mes tyre duke marrë shembuj nga urdhrat e Allahut të Madhëruar ku thotë:

“Çoni jetë të mirë me to…”. (Nisaë, 19).

5. Sjellja midis dy bashkëshortëve
Dy bashkëshortët duhet të sillen ndërmjet vete, ashtu si janë sjellë me njëri-tjetrin Ebu Derda dhe gruaja e tij Ummu Derda, ku transmetohet se kur hidhërohej Ebu Derda, ka heshtur gruaja e tij dhe është munduar që ta pajtojë dhe ta qetësojë atë, dhe kur është hidhëruar Ummu Derda ka heshtur burri i saj dhe është munduar që ta pajtojë dhe ta qetësojë atë. Kjo është sjellje e mirë që duhet të jetë shembull për shtëpitë tona, sa e sa njerëz që i njohim i lëshojnë gratë e tyre për shkak të moskontrollit të vetvetes gjatë hidhërimit ndaj grave të tyre, apo ndaj dikujt tjetër, e lusim Allahun e Madhëruar që t’i përmirësojmë sjelljet tona ndaj grave dhe burrave tanë.

6. Falja
Duhet ta dimë se çdo njeri gabon, kështu që ne nuk duhet të bëhemi mjet i shejtanit, qëllimi i të cilit është shkurorëzimi i dy bashkëshortëve. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an:

“E, mësonin (njerëzit) prej tyre dyve atë (magji) me të cilën ndanin burrin prej gruas së vet…”. (Bekare, 102).
Prandaj nuk duhet ta ndihmojmë shejtanin, por duhet që të jemi të mëshirshëm dhe falës ndaj njëri-tjetrit.

7. Problemet
Problemet, mangësitë dhe gabimet e njëri-tjetrit duhet të mbesin mes dy bashkëshortëve, e mos të përhapen problemet dhe mangësitë e të dy bashkëshortëve tek të afërmit e tyre. Sepse nëse këto probleme përhapen tek te afërmit, sado i vogël që të jetë problemi, do të rritet e mund të vijë deri te shkurorëzimi i të dy bashkëshortëve.

Dasma është një sunet shumë i inkurajuar, por jo i detyruar. I Dërguari i Allahut paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të i ka thënë Abdurrahman bin Avfit: “Bëje dasmën qoftë edhe me një dele.” (Shënon Buhariu dhe Muslimi)
Është transmetuar se ai vetë i ka ushqyer njerëzit me bukë dhe mish për martesën me Zejneben, por për shkak të rrethanave të vështira, disa nga martesat e tij u festuan vetëm me një gjellë me majdanoz, ose vetëm me hurma arabe. Kështu, lloji dhe cilësia e ushqimit i është lënë mundësive të burrit, duke patur parasysh që ekstravaganca, shpërdorimi dhe të shfaqurit për sy e faqe është e ndaluar. Dasma mund të mbahet në kohën e kontratës ose pastaj, ose në kohën e konsumimit ose pastaj, sipas rrethanave dhe zakonit. Është e papëlqyer për të ftuar vetëm të pasurit dhe për t’i përjashtuar të varfrit. Ebu Hurejre, ka raportuar që Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Ushqimi më i keq është dasma, në të cilën ata që do të vinin pengohen dhe ata që do të refuzonin do të thirren.” (Shënon Muslimi).
Dhe:
“Ushqimi më i keq është ushqimi i dasmës në të cilën thirren të pasurit dhe anashkalohen të varfërit.”
Ai që ftohet personalisht në një dasmë, është i detyruar t’i përgjigjet ftesës, përveç kur ka një arsye të vlefshme për të mos shkuar. Pejgamberi paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Kur ndonjëri nga ju është i ftuar në një dasmë, ai duhet të marrë pjesë”. (Shënon Buhariu).
Dhe:
“Kushdo që nuk i përgjigjet ftesës, nuk i është bindur Allahut dhe të Dërguarit të Tij”.
Një arsye e vlefshme për të mos shkuar në dasmë përfshin edhe ftesën më parë në një vend tjetër së pari, vështirësitë personale, ose sëmundja, ose duke e ditur se ndonjë gjynah mund të ndodhë, të tillë si përjashtimi i njerëzve të varfër, përgojimi, shërbimi i ushqimeve të palejuara, ose pijeve etj.. Në këtë rast ai nuk duhet të marrë pjesë, vetëm nëse ai është i aftë t’i influencojë njerëzit që të frenohen nga këto gjynahe.

Së fundi i këshilloj të martuarit dhe ata që dëshirojnë të martohen, t’i mësojnë këto këshilla dhe t’i praktikojnë ato sipas mundësive të tyre që të kalojnë një jetë më të mirë dhe më të lumtur.

Marrë nga libri:
“Senetu ula ez-zevaxh”
Xhavahir bint Muhammed
(Përktheu: Arsen Muskurti)/mesoislamin/motraime

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version